VIRD

Vird quhet dhikri i rregullt që bëhet çdo ditë. Virdi i përngjan terapisë së duhur të cilën e merr i sëmuri që është nën kontrollin e mjekut. Në sëmundjen e gafletit (pakujdesisë), ilaçi më i ndikueshëm është dhikri i rregullt dhe i vazhdueshëm.

  Qëllimi në tasavvuf është zgjuarja e zemrës dhe lidhja e saj me Allahun Teala, me çka përfitohet edukatë dhe kënaqësi. E dhikri është rruga më e lehtë dhe më e shkurtë. Vlera më e madhe e dhikrit qëndron në te se Allahu Teala e përmend në një mënyrë të veçantë robin e vet i cili e përmend (bën dhikër) Allahun. Rabbi i botëve, Allahu Teala thotë:
Pra ju më kujtoni Mua, Unë ju kujtoj juve. 2-Bekare: 152
Nëpërmjet këtij lajmi të gëzueshëm është treguar rëndësia e madhe e dhikrit.

Një lajm të posaçëm për ata të cilët bëjnë dhikër e sjell hadithi kudsij:
Kur një rob i Imi më përmend mua, Unë jam me të. Nëse robi Im më përmend në vete (fshehtë) Unë do ta përmendi ate në Veten Time në mënyrë të veçantë. Nëse më përmend Mua në një shoqëri, Unë do ta përmendi në një shoqëri edhe më të mirë (në mes të melekëve)(Buhari, Tevhid, 15; Muslim, Zikr, 21; Tirmizi, De’avat, 131, Ibnu Maxhe, Edeb, 58)

Ajeti i ardhshëm na njofton për ata që kanë mençuri të vërtetë:
Për ata që Allahun e përmendin me përkujtim kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë dhe thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve e të tokës. 3-Al-i Imran: 191

Mufesiri i madh Fahreddin Raziu r.a., thotë:
“Nëse robi vazhdimisht me gjuhë bën dhikër, me gjymtyrë bën shukër (falënderohet), me zemër thellohet në mendime, dhe me tërë qenien i robërohet Allahut Teala , atëherë vertetë bëhet insan.” (Razi, Mefatihu’l-Gajb, IX, 110)

 Në një ajet tjetër Allahu Teala kështu e përshkruan gjendjen e atyre që në çdo moment janë me Allahun:
Ata janë njerëz që nuk i pengon as tregtia e largët e as shitblerja në vend për ta përmendur Allahun, për ta falur namazin dhe për ta dhënë zeqatin, ata i frikësohen një dite kur do të tronditen zemrat dhe shikimet. 24-Nurë: 37
  Në tefsirin (komentimin) e këtij ajeti, Allame Alusi thotë:
 “Në ummetin islam shumë nga ehli-tarikët, e sidomos të mëdhenjtë e tarikatit Nakshibendi, kanë arritur gjendjen e dhikrit të përhershëm të përmendur në këtë ajet, dhe këtë ia kanë vënë vetes si qëllimin më të madh. Aq fortë është vendosur ky dhikër në zemrat e tyre, sa që në asnjë moment nuk kanë qenë gafil (të pakujdesshëm) ndaj dhikrit të Allahut Teala.”
  Prandaj miqtë e Allahut Teala na e preferojnë këtë lloj të dhikrit në mënyrë që edhe ne të arrijmë tek këto lajme të gëzueshme. E Resulallahu s.a.v.s. thotë:
 Dhikri ma i hajrit është dhikri hafi (i fshehtë)(Ahmed,Musned, I, 172; Ebu Ja’la, Musned, II, 82; Ibnu Hibban, Sahih, 809)

Arifët e kanë definuar dhikrin si diplomën e evlijallëkut. Pa dhikër, zemra nuk zgjohet, dhe prej gafilit nuk bëhet veli . Gavs-i Sani Sejjid Abdulbaki k.s., me një sohbet (bisedë) rreth dhikrit thotë:
“Dhikri është ushqim për zemrat; zemra e cila nuk e merr ushqimin e vet, dobësohet dhe në fund vdes. Zemra vetëm me dhikër ushqehet, forcohet, ëmbëlsohet dhe gjen jetë shpirtërore. Harami dhe gabimet janë ushqim për shejtanin. Gjynahet e dobësojnë zemrën e njeriut dhe e forcojnë armikun – nefsin dhe shejtanin. Për këtë arsye brenda njeriut zemra, nefsi dhe shejtani janë në gjendje ballafaqimi të pandërprerë.”

Allahu Teala thotë:
Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut! 13-Rra’d: 28

 Sipas edukimit në rrugën e Nakshibendive, dhikri bëhet hafi (pa zë, dhikër i fshehtë), dhe atë tri llojesh: dhikri kalb, letaif, dhe nefj- i isbat.

Dhikri kalb (i zemrës)
 Kalb, në shqip do të thotë zemër. Kjo fjalë përmbanë dy kuptime: i pari ka të bëjë me organin në trupin e njeriut – zemrën materie, ndërsa kuptimi i dytë ka të bëjë me egzistencën shpirtërore të zemrës, e cila nuk mund të shifet me sy, e që në tesavuf njihet me emrin Letaif-i Rabbanije-i Ruhanije. Kjo zemër ka marrëdhënje me zemrën materie dhe kjo është pikërisht hakikati (esenca) e njeriut. Kjo është zemra që kupton dhe njeh. Kësaj zemre i drejtohet, i jepen urdhra, qortohet, detyrohet… pra – prej kësaj zemre kërkohet.

   Për të marrë detyrën e dhikrit të zemrës, ka tri kushte:

  1. Duhet të bëhet teubeja dhe bejati – lidhja me murshidin, si dhe të kryhen tetë kushtet e adabit;
  2. Të dihen përmendësh emrat e Sadati Keram (Dijetarëve të lavdueshëm)  të kësaj rruge;
  3. Të ketë gishtin e shehadit në dorën e djathtë (nuk e ka të këputur ose ngjashëm).

Ky vird i rekomandohet çdonjërit, mirëpo lihet në dëshirën individuale – nuk është i obliguar. Muridi që dëshiron të përdorë virdin, fillimisht i jepet dhikri i zemrës. Me tesbih në dorë, mbi zemër, bëhet dhikër emri i lavdishëm: Allah, Allah…
 ALLAH është emri i veçantë i Krijuesit tonë. Ky emër nuk rrjedh prej asnjë fjale tjetër , nuk i është dhënë asnjë krijese tjetër, e as që do t’i jepet ndonjëherë. Të gjithë Emrat e Bukur (Esma-i Husna) të Allahut Teala, si edhe të gjitha kuptimet e tyre, përfshihen nën emrin e lavdishëm – ALLAH. Të bëhet dhikër me emrin e lavdueshëm ALLAH është sikur të bëhet dhikër me të gjithë Emrat e Bukur (Esma-i Husna).

Në rrugën e Nakshibendive çdo vird fillon me 25 herë Estagfirullah, dhe mbaron me po aq, dhe bëhet me sy të mbyllur.

  • Dhikri i zemrës fillon prej 5000 herë ndërsa më pak nuk bëhet, dhe vazhdon deri në 21000 herë.
  • Dhikri Letaif fillon prej 23000 deri 101000.
  • Nefj-i isbat, dhikri më i lavdueshëm – la ilahe illallah. Këtij dhikri i thuhet edhe Kelime-i tevhid dhikr.

Mënyrën se si bëhet dhikri e shpjegon vet Murshidi, ose vekili të cilin Murshidi e ka obliguar me detyrë.