TEUBE

Rëndësia e teubes

Çdonjëri duhet të ketë frikë prej Allahut Teala, për shkak se Allahu ka premtuar denim të rëndë për ata që e kundërshtojnë. Po ta dinte njeriu se nuk do të pyetet për veprat e tij, ai do të vepronte pa turp gjithçka. Për këtë arsye Allahu Teala askujt nuk i ka premtuar se do ta shpëtojë nga Xhehenemi.

Mirëpo askush nuk guxon të humbasë shpresën në rahmetin e Tij. Po të kishte njeriu gjynahe sa qielli e toka, prap rahmeti i Allahut Teala është më i madh. Kush bën teube – pendohet për gjynahet dhe gabimet e veta, do të gjejë se Allahu falë shumë. Askush nuk është pa gjynahe, përpos Pejgamberëve të Allahut Teala. Po të vazhdohet me gjynahe pa bërë teube, kjo mund të çoj në kufr – pabesim.

Gjynahet e vazhdueshme, edhe pse tek ne mund të jenë të vogla, tek Allahu Teala mund të jenë të mëdha. Për këtë arsye nëse njeriu është i vazhdueshëm në gabime, atëherë ai do ta ngarkojë vehtën me dëm të madh. Një prej aspekteve të këtij dëmi është se do ta ndjejë vetën të sigurt prej dënimit të Allahut Teala. Ata të cilët janë të vazhdueshëm në gabime (nuk bëjnë teube) ndihen të sigurt prej kurthit të Allahut Teala. Allahu Teala, në suren al-A’raf, ajeti 99, thotë:
“A mos u siguruan ata prej ndëshkimit të Allahut? Nuk sigurohet kush prej frikës së ndëshkimit të Allahut pos njerëzve të humbur.”

Të ndihesh i sigurt prej ndëshkimit të Allahut Teala sjell vazhdimësi në gjynahe. Në qoftë se njeriu nuk bën teube për gjynahet e veta, dhe nuk heton pendim e as brejtje të ndërgjegjës, kjo është shenjë e humbjes së besimit – imanit. Prandaj, pas çdo gjynahi të bërë duhet të pendohemi dhe ti lutemi Allahut Teala:
O Rabbi im, pishman jam për të gjitha gjynahet që unë i kam bërë. Mos t’i kisha bërë. Inshallah më nuk do t’i bëj.
Në këtë mënyrë do të lutemi prej thellësisë së shpirtit.

Sigurisht se mashtrohet ai i cili mendon se ka shpëtuar për shkak se bënë shumë ibadete, fal namaz, agjëron, jep zekat e shkon në haxh – ai i cili mbështetet në veprat e veta. Njeriu sado që bën ibadet, shejtani e ka mundur në te. Dështimi i Iblisit është se ai u mbështet në veprat e veta. Kjo e mendjemadhësoj ate dhe e bëri arrogant. Duke i parë veprat e veta dhe duke u mbështetur në to, ai u bë i humbur… Allahu Teala në suren Kehf (ajetet 103, 104) thotë:
“Thuaj: A t’ju tregojmë për më të dëshpëruarit në veprat e tyre?
Ata janë veprimi i të cilëve u asgjësua në jetën e kësaj bote, e megjithate ata mendojnë se janë kah bëjnë mirë.”

Në veprat e dijetarëve klasikë të Islamit përmenden tri lloje të teubes:

  1. Teubeja individuale;
  2. Teubeja me imam, në xhemat, në xhami apo në mbledhi fetare; dhe
  3. Teubeja me murshidi kamil.

Teuben e parë dhe të dytë e kemi bërë shumë herë por, nuk kemi përjetuar ndryshime të mëdha . Nuk kemi qenë të qëndrueshëm në pendim. 

Lloji i tretë i teubes është pendimi duke u mbajtur për dorën (bejat) e murshidi kamilit, i cili është i qëndrueshëm në Sheriat dhe është i zbukurar me sunnetin e Resulallahut s.a.v.s.

Njeriu ka armiq të cilët e pengojnë prej rrugës së Allahut Teala dhe e fusin në gjynahe. Janë tre lloje të këtyre armiqëve. Më i rrezikshmi dhe më i fshehti është nefsi i vet – egoja.
Allahu Teala në ajetin 16 të sures Kaf thotë:
“Ne e kemi krijuar njeriun dhe e dimë se ç’përshpërit ai në vetvete.”

Në ajetin 53 të sures Jusuf:
“…epshi është shumë nxitës për të keqen.”

Ndërsa në ajetet 40, 41 të sures en-Naziatë Allahu Teala thotë:
“E kush u frikësua paraqitjes para Rabbit të vet dhe ndaloi veten prej epsheve,
Xheneti është vendi i tij.”

Nefsi askujt nuk i jep përparësi ndaj vetes. Për këtë arsye pabesimtarët nuk kanë pasur fuqi ta pranojnë të dërguarit, duke u arsyetuar se të dërguarit janë vetëm njerëz të thjeshtë sikurse ata. Kështu është edhe sot, për nefsin është më së vështiri të pranojë mësuesin – murshidin, duke u arsyetuar se murshidi është një njeri i thjeshtë, sikurse të tjerët. Mirëpo, nuk e kanë ditur se zemrat e pejgamberëve janë drita që ndriçojnë rrugën.
Në ajetin 45 dhe 46 të sures el-Ahzabë, Allahu Teala thotë:
“O ti Pejgamber, Ne të dërguam ty dëshmues, lajmëtarë përgëzues e qortues.
Dhe me urdhërin e Allahut, thirrës për në rrugën e Tij dhe pishtarë ndriçues.”

Murshidët janë trashëgimtarë të Resulallahut s.a.v.s. Zemrat e tyre të ndriçuara në njohuri dhe dashuri, tërheqin zemrën e muridit si magnet. Murshidët janë njerëz, mirëpo njerëz të devotshëm dhe të cilët i bëjnë ibadet Allahut thuaj se e shohin Atë, e Allahu Teala është pikërisht me këta njerëz.
Në ajetin e fundit të sures en-Nahl, Allahu Teala e thekson:
“S’ka dyshim se Allahu është me ata që janë të devotshëm (që ruhen prej të këqijave) dhe me ata që janë bamirës.”

Pikërisht, kjo është cilësia e vetme që i veçon prej njerëzve të tjerë dhe asgjë tjetër. Allahu Teala në Suren Huxhurat thekson se njerëzit e tillë tek Allahu janë më të veçantët. Nefsi pra kërkon të jetë mbi të gjithë të tjerët, e përfundimisht arrin në kulmin e mendjemadhësisë, porsi faraoni, duke e shpallur veten hyjnor.

Armiku i dytë është shejtani. Armiqësia e tij është e ditur haptazi, prandaj nuk ka nevojë për shpjegim.

E në vendin e tretë është shoku i keq. Për dëmin, tregon Resulallahu s.a.v.s.:
Njeriu është në fenë e shokut të vet.

Njeriu nuk është i vetëdijshëm se si në të ndikon ahlaku (morali) i shokut të vet.

 Në kohën tonë, këta armiq janë të armatosur me armë të mashtrimeve. Në të shumtën e rasteve fuqia dhe këmbëngulja e jonë, nuk janë të mjaftueshme për ti mohuar këta armiq. Ne kemi nevojë për ndihmën e atij i cili është i fortë dhe i qëndrueshëm në besim. Me mbështetjen e tyre mund të shpëtojmë prej kthetrave të armiqëve, për shkak se rahmeti dhe ndihma e Allahut është me ta. Allahu Teala këtë gjendje tonë e di, prandaj pas Resulallahut s.a.v.s., ju dërgon myslimanëve ushtarët e Tij. Prandaj duhet të shfrytëzojmë ndihmën e ushtarëve të Allahut Teala – trashëgimtarët e Resulallahut s.a.v.s., ndaj armiqve që na pengojnë në rrugën e Allahu Teala. Kjo pra është dëshira dhe detyra e ushtarëve të Allahut Teala, që të ndihmojnë myslimanët kundër armiqve të tyre.