BEJAT

Lidhja e zemrës me litarin e Allahut Teala

Dhënja e bejatit dhe lidhja me murshidin kanë qenë traditë qysh në kohën e Resulallahut s.a.v.s., dhe të Hulefai Rashidinëve. Për Bejat flitet në suret Feth dhe Mumtehine. Edhe në shumë hadithe të besueshme flitet për bejat. Në hadithe qëndron se ai që vdes pa bejat vdes xhahil (i paditur).

Ai që nuk e lidhë zemrën me litarin e Allahut Teala – pra me zemrat e të sinqertëve, të drejtëve e të ndershmëve, do të pengohet nga shumë mirësi dhe nga dituria që me rahmetin e Allahut ata e zbresin në zemrat e njerëzve. Në hadithe nuk thuhet se ai njeri që vdes pa bejat vdes si pabesimtar, por si i paditur.

Ai që nuk është nën bejat, është shumë i kufizuar në ndjenjat e ihsanit (gjendje e të bërit ibadet sikur të shihet Allahu Teala). Ai nuk do të njeh botën shpirtërore dhe nuk do të ndjejë mirësitë e saj. Njeriu deri diku mundet i vetëm të përballojë shumë sfera të islamit dhe të imanit, mirëpo pa bejat, në sferën e ihsanit, nuk mundet asesi. Çdo myslimani i nevojitet murshidi sepse pa murshid, i vetëm nuk mundet të arrijë deri te njohja e gjithëmbarshme.

Edhe dijetarëve ju nevojitet dora e evlijave (të dashurit e Allahut), sepse edhe ai vet pa murshid dhe pa nur në zemër, do të habitet në dituri. Besimi i tij do të mbetet vetëm brenda sferës së arsyes, ndërsa zemra e tij do të jetë e pazgjuar. Frikërespekti ndaj Allahut Teala, sinqeriteti, shikimi i zemrës, mendjemprehtësia e zemrës dhe të ngjashme, janë gjendje dhe dituri që vetëm zemra mund ti ndjejë. Këto gjendje dhe dituri mendja vetvetiu nuk mund t’i njohë. Për t’i njohur këto gjendje, nevojitet që ato të shijohen.

Duhet ditur se murshidi është trashëgimtar i Resulallahut s.a.v.s. As’habët kanë bërë teube për vete, mirëpo edhe kanë shkuar te Resulallahu s.a.v.s. që ai të kërkojë falje për ta. Ky është shkurtim i rrugës. Shikimi i Pejgamberit a.s. përshpejton udhëtimin e zemrës. Allahu Teala thotë:
Ne i kemi nisur të dërguarit vetëm me qëllimin që njerëzit, me lejen e Allahut, t’u binden atyre. Dhe në qoftë se ata, kurdo që ta ngarkonin veten (me gjynahe), të vinin te ti për t’i kërkuar falje Allahut dhe i Dërguari t’i lutej Allahut për shfajësimin e tyre, do ta vërenin se Allahu, me të vërtetë, është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë. 4-Nisa: 64

Kështu vepron edhe murshidi duke pasuar Resulullahun s.a.v.s. Duke shqiptuar fjalët e teubes, murshidi për vete kërkon falje prej Allahut Teala, dhe në të njejtën kohë kërkon falje edhe për muridin. Ata që e mohojnë këtë dhe e konsiderojnë si të pavlerë dhe të pakuptimtë, duhet ditur se në kështu kanë reaguar edhe munafikët kur janë thirrur të vijnë tek Resulallahu s.a.v.s. që ai të kërkojë falje për ta:
E kur u thuhet: Ejani te i dërguari i Allahut që ai të kërkojë prej Tij falje për ju, ata tundin kokat e tyre dhe i sheh se si ta kthejnë shpinën duke e mbajtur veten të madh. 63-Munafikun: 5

Askush nga muridët, kur bën bejat nuk ka thënë e as nuk thotë: O shejhu im, falmi dhe fshimi gjynahet, më shpëto nga xhehenemi dhe më fut në xhenet. Të gjithë e dimë se kjo e drejtë i takon absolutisht vetëm Allahut Teala. Prandaj teubeja nuk ka lidhje me kërkimfaljen nga njerëzit. Përkundrazi, murshidi në rend të parë kërkon falje për vete, dhe pastaj për besimtarë e besimtare, ashtu siç është urdhëruar të veprojë Resulallahu s.a.v.s.:
Atëherë, dije se nuk ka ilah tjetër pos Allahut, kërko falje për mëkatin tënd, të besimtarëve e të besimtareve. 47-Muhammed: 19

Murshidi dhe muridi, duke u mbajtur për dore, së bashku bëjnë teube duke thënë fjalët:
O Rabbi im, pishman jam për të gjitha gjynahet që i kam bërë. Mos t’i kisha bërë. Inshallah më nuk do t’i bëjë.

Murshidi e do shumë ummetin e Resulallahut s.a.v.s., prandaj edhe kërkon falje për ta, e kjo është cilësia më e veçantë dhe më fisnike e evlijave:
Ata thanë: O babai ynë, lutu për neve të na falen mëkatet tona, se me të vërtetë ne kemi qenë fajtorë.
Më vonë do t’i kërkoj Rabbit tim faljen tuaj, tha ai (Jakubi) se vërtetë Ai është që falë, është Mëshirues. 12-Jusuf: 97, 98

Kush e kupton drejtë bejatin dhe teuben me murshidin, ai do të kuptojë drejtë edhe dorëzimin dhe dëgjueshmërinë ndaj murshidit. Murshidi është ushtar i Allahut Teala. Ai është i armatosur me armën e Allahut. Zemrën e ka të mbushur me njohuri dhe dashuri. Ai nuk urdhëron asgjë jashtë sheriatit. Muridët i nënshtrohen atij përderisa ai i nënshtrohet Allahut Teala dhe Resulallahut s.a.v.s.. Për këtë arsye muridët e duan dhe e pasojnë. Kur Ebu Bekër es-Siddik u bë halife, tha:
Përderisa unë i nënshtrohem Allahut dhe Resulallahut, për detyrë e keni që ju të më nënshtroheni mua, sepse Allahu këtë kërkon nga ju. Nëse unë devijoj nga rruga, atëherë askush mos të më pasojë.
Ashtu siç ju kanë nënshtruar besimtarët halifes, ashtu edhe muridët i nënshtrohen murshidit.

Përderisa nuk kemi mundësi të vizitojmë murshidin, teuben do ta themi me ndonji vekil të caktuar nga murshidi, nga i cili do të marrim edhe udhëzimet e tetë sharteve. Ne u t’i drejtohemi atyre, ata na kapin për dore dhe bëjmë bejatin (mashkulli te vekili mashkull, e femra te vekili femër), duke i shqiptuar fjalët e teubes:
O Rabbi im, pishman jam, për të gjitha gjynahet që i kam ba. Mos t’i kisha ba! Inshallah ma nuk do t’i baj…