Huxhxhetu’l-islam | Dëshmia e Islamit


Imam Gazali është një alim  (dijetar) i madh, një yll plot dritë që ndriçon lindje e perëndim, habitë mendjet dhe i josh ato, e muslimanin e ndriçon.

Emri i tij i plotë është Muhammed bin Muhammed bin Ahmed, e është njohur edhe si Ebu Hamid. Ka lindur në vitin 450 Hixhri (1058) në fshatin Gazale afër qytetit Tus në Iran, ndërsa ka vdekur në vitin 505 Hixhri (1111) në Tus. Babai i Imam Gazalit punonte me litar (gazzal: tjerrës), prandaj disa besonin se emri i vjen nga kjo. Por në fakt, emrin e ka marrë nga fshati i lindjes. Vet Gazali, shkruan: “Disa më kanë lidhur (me gazzal – tjerrës), por unë jam Gazali!

Babai i tij ishte i varfër dhe familjen e mbante me dredhjen e shitjen e litarit. I donte shumë dijetarët, vazhdimisht shkonte në tubimet e tyre, dhe i shërbente. Kur i dëgjonte, qante e i lutej Allahut Teala t’i falë një fëmijë fakíh (dijetar i fikhut). Duaja iu pranua, dhe Allahu Teala ia fali dy djem alimë, Ebu Hammidin – imamin e asaj kohe, dhe Ahmet Gazalin, që gjithashtu ishte alim.

 Babai vdiq e i la vëllezërit jetimë. Pak para vdekjes, i la shokut të tij amanet fëmijët dhe një sasi pasurie. Duke respektuar amanetin, personi punoi shumë në edukimin e fëmijëve, por pasuria shpejt u harxhua, e me këtë edhe mundësitë për edukimin e mëtutjeshëm të fëmijëve. Ai mendoi se do të ishte e përshtatshme t’i dërgonte ata në një medrese, dhe ju tha:
Bijtë e mi, gjithë pasurinë tuaj e harxhova në edukimin tuaj deri tani. Unë jam i varfër e nuk kam fuqi t’ju ndihmoj më shumë. Gjeni strehim në ndonjë medrese.

Me këtë këshillë, Gazali hyri në medrese, studioi të gjitha dituritë, zahir (të dukshme) dhe batin (të fshehura), dhe për pak kohë u ngrit e u bë i famshëm anembanë. Mori mësim nga alimët dhe udhëtonte për të mbledhur ilm (dituri), e gjatë udhëtimeve e gjente veten në shumë sohbete (bisedim) me alimë të ndryshëm, dhe kështu dëshmonte imanin e tij.

Iu paraqit një vorbull në shpirt për shkak të famës që i shtohej çdo ditë, e duke mos u kënaqur me madhështinë e saj, doli prapë në udhëtim, me nijetin e haxhit. Shkoi në Hixhaz, e gjatë kthimit vizitoi Shamin. Një kohë qëndroi edhe në Kudus, ku vizitoi Mesxhid al-Aksa dhe prapë u kthye në Sham, ku qëndroi për afër dhjetë vite. 

Vizitoi edhe Egjiptin dhe një kohë qëndroi në Iskenderi (Aleksandri). Kishte dëgjuar për drejtësinë dhe famën e Sulltan Jusufit, sundimtar i Magribit, dhe u nis për ta takuar por rrugës merr lajmin për vdekjen e Sulltanit, ndërron drejtim dhe kthehet në Tus. Por, veziri i ri i Selxhukut, Fahru’l Mulk, e vizitonte Imam Gazalin, e me qëllim që vendi i tij të përfitojë nga ky Diell i diturisë, dhe me këmbëngulje e caktoi Gazalin muderis (profesor) në medresenë e Nisaburit (Nizamije). Gazali hoqi dorë nga sohmbetet me alimë dhe u fokusua në mësimdhënie. Tashmë kishte filluar një jetë të qetë. Nga fundi i jetës, u kthye përsëri në Tus, ku ndërtoi një shtëpi e cila në një anë kishte medresenë për fukaha (jurisprudencë), e në anën tjetër një teqe për sufitë. Gazali i vazhdoi sohbetet, edhe me alimët e fik’hut edhe me zotëruesit e tarikatit. Ditët e fundit të jetës në dynja i kaloi me ibadet, dhe me lexim të Kur’ani Kerim.

Medh’hebi i tij është Shafi, dhe në kohën e tij ishte alimi më i madh i kësaj shkolle. Ka të tillë që thonë se ishte edhe muxhtehid (dijetar me renome në islam, që ka të drejtë të nxjerrë vendime mbështetur në Kur’an e hadith). Imam Muhammed bin Jahja ka thënë se Imam Gazali është Shafiu i dytë, ndërsa ata që kanë parë kemalatin (përsosmërinë) e jashtme të Gazalit, kanë thënë:

Sytë nuk kanë parë një alim aq të përsosur si Imam Gazali

Njëri nga alimët ka thënë:
Ne nuk mund ta vlerësojmë Gazalin. Gazalin mund vetëm ta kuptojmë; aq sa na jepet nga kjo; 

ndërsa Imam Fahreddin Razi ka thënë:
Allahu Teala e mblodhi gjithë ilmin (diturinë) në një kupë, dhe i dha Imam Gazalit të pijë nga ajo (përmbledhje e diturisë).

 

Hyrje në veprën IHJAU ULUMID-DIN

EJJUHEL VELED | O evlad i dashur