HYRJE NË IHJA

Ihjau Ulumid-din
Ringjallja e diturive fetare

Imam ebu Hamid Muhammed al Gazali

 

Ringjallja e diturive fetare

 

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëplotit

PARATHËNIA

Pikësëpari, siç falënderon (hamd) çdokush, edhe unë vazhdimisht dhe pafund falënderoj Allahun Teala, sadoqë karshi hakikatit të madhështisë së Tij, kjo është pak. Së dyti, i dërgoj salat dhe selame pejgamberit të fundit, Resulallahut s.a.v.s., dhe të gjithë pejgamberëve. E tretakërkoj ndihmë dhe hair prej Allahut Teala, në nijetin e bërë për shkrimin e Ihjau Ulumid-din. Dhe e katërta: kjo vepër është për atë kritikues, i cili pas shpine, nga mesi  i kritikuesve, më së shumti shfaq ekstremizëm dhe që nga mesi i refuzuesëve të pavëmendshëm dhe të shpërqendruar, kalon në mohim dhe qortim. Dëshiroj që sa më parë t’i jap fund shpërqëndrimit tënd…

Në të vertetë, ajo që më shtyu të zgjidh nyjën e heshtjes prej gjuhës dhe të vendos në qafë gjerdanin e të folurit, është të qortoj pëlqimin tënd për paditurinë, dhe këmbënguljen tënde në përkrahje të së pavërtetës duke refuzuar ta kuptosh të vërtetën e qartë, ku Resulallahu s.a.v.s., thotë:
Në ditën e kiametit vuajtjen më të rëndë do ta shijojnë dijetarët që nuk kanë përfituar (për ahiretin e tyre) prej diturisë së Allahut Teala.[1]

Duhet të largohesh nga dijetarë të tillë, dhe sadoqë nuk është e mundur të kompenzohen plotësisht disa mangësi nga e kaluara e kotë – siç është përmirësimi i vetes dhe pastrimi i zemrës – duhet vepruar në përputhje me diturinë, duke u larguar nga ritualet popullore, me shpresën për ngritje në shkallën e adhuruesit ashtu siç urdhëron Allahu Teala. Betohem në jetë se i vetmi shkaktar i qëndresës tënde në mohim është sëmundja që ka përfshirë shumicën; mos-mendimi i fundit – ahiretit dhe mosnjohja e ardhmërisë së lumtur – kënaqësisë në ahiret. Derisa kjo botë mbetet mbrapa, ahireti po afrohet, exheli po afrohet, udhëtimi është i gjatë e jeta e shkurtë, rruga me rreziqe të mëdha e dija dhe veprat tua nuk janë në përputhje me sheriat; ti nuk je duke e ditur që është shumë e vështirë të hysh në rrugën e ahiretit pa udhërrëfyes dhe bashkëudhëtar.

Udhërrëfyes të rrugës së drejtë janë dijetarët e vërtetë, që janë trashëgimtarë të Pejgamberëve. Mirëpo, dijetarë të tillë në këtë kohë gati-gati nuk ka. Në të shumtën e rasteve mbeten vetëm imituesit. Edhe këta, nën ndikimin e shejtanit,  azdisen  e futen në rrugë të gabuar dhe secillin e mbërthen dashuria e përfitimit material. Nga ky shkak, mirësia (ma’ruf) u kuptua si e keqe (munker) dhe e keqja (munker) u kuptua si mirësi (ma’ruf).  Bile, duke e mbuluar hija dritën e udhëzimit (hidajet), shenjat e fesë u larguan nga sipërfaqja e tokës. Kështu, u munduan t’ua paraqesin njerëzve se dituria është e përbërë vetëm nga gjykimet mbi bazën e fesë (fetva) të gjykatësve (kadi) për dënimin e njerëzve që shkaktojnë ngatërresa, ose që dituria është për ata që u hyn vetja në qejf për të heshtur kundërshtarët dhe që karshi tyre të shpallin epërsinë në debat, ose për predikuesit (vaiz) që të mashtrojnë shtresën e rëndomtë (avam) me fjalë të rimuara, sepse pos këtyre trijave, ata nuk gjetën tjetër zgjidhje për të kurdisur rrjetë që të kapin haramin. Duke e larguar nga njerëzit diturinë e rrugës së ahiretit që e ndjekën selef-i salihin (të mëdhenjtë e parë të Islamit) – dituri këto që Allahu Teala në Kur’ani Kerim i emërton si hikmet, ilm, nur, hidajet dhe rusht – kjo dituri krejtësisht u harrua. Kur kjo gjendje, në emër të fesë, u bë një boshllëk i dëmshëm dhe rrezik i frikshëm që dërgon në errësi, e kuptova si detyrë të rëndësishme shkrimin e këtij libri, duke shpjeguar rrugën e imamëve të parë, si edhe dituritë e vlefshme të Pejgamberit dhe të mëdhenjve të Islamit, për të mbajtur gjallë dituritë e fesë.

RENDITJA E IHJASË

Librin e ndamë në katër vëllime, e secili vëllim përbëhet nga dhjetë libra:

Vëllimi i parë, RUB’UL-IBADET, i kushtohet ibadeteve, dhe i përfshinë këto libra:

  1. Dituria (ilm);
  2. Parimet themelore të besimit (akaid);
  3. Fshehtësitë e pastrimit (sir);
  4. Fshehtësitë e namazit;
  5. Fshehtësitë e zeqatit;
  6. Fshehtësitë e agjërimit;
  7. Fshehtësitë e haxhit;
  8. Adabi i leximit të Kur’anit;
  9. Dhikri dhe duaja; dhe
  10. Leximi i evradit në kohë të ndryshme.

Në këtë vëllim do të shpjegoj shpërfilljen në librat e fikh-ut, edebet e fshehta të ibadeteve, hollësitë dhe kuptimet e fshehta në sunnete. Ata që veprojnë me dituri kanë shumë nevojë për këto; e ata që nuk i dinë, as nuk llogariten dijetarë të ahiretit.

Vëllimi i dytë, RUB’U’L-ADAT, është për adetet (zakonet), e i përfshinë këto libra:

  1. Adabi i ushqimit;
  2. Adabi martesor;
  3. Rëndësia e fitimit;
  4. Hallalli dhe harami;
  5. Marrëdhëniet me njerëz dhe adabi i të folurit;
  6. Vetmia (uzlet);
  7. Adabi i udhëtimit;
  8. Sema dhe vexhd;
  9. Emr-i ma’ruf ve nehj-i munker;
  10. Adabi dhe ahlaku i Pejgamberit.

Këtu do të shpjegoj detyrimet mes njerëzve, mënyrën e veprimit, thellësitë dhe fshehtesitë e hollësive të rrugëve dhe rreziqet në veprim që duhet shmangur; do t’i shpjegoj deri sa të arrij edhe te personi pa parime, në mënyrë që asnjë mysliman të mos jetë i panjohur me to.

Vëllimi i tretë, RUB’U’L-MUHLIKAT, flet për veprimet e këqija që i prishin sevapet, dhe përfshinë:

  1. Gjendjet e mahnitshme të zemrës;
  2. Shërimi i zemrës, zbukurimi i ahlakut dhe edukimi i nefsit (rijadhet);
  3. Rreziku i pasionit të stomakut dhe të mardhënieve;
  4. Dëmtimet e gjuhës;
  5. Zemërimi (gadhab), armiqësia (kin) dhe xhelozia (haset);
  6. Qortimi i kësaj bote (dynjasë);
  7. Qortimi i pasurisë dhe koprracisë.
  8. Qortimi i pasionit për pozitë dhe i dyfytyrësisë;
  9. Qortimi i mendjemadhësisë dhe vetë-lavdërimit;
  10. Qortimi i arrogancës.

Duke iu mbështetur ajeteve të Kur’anit, haditheve dhe gjendjeve të mëdhenjve të Islamit, do të shpjegoj veset që janë ndaluar në Kur’an-i Kerim, pastrimin e zemrës nga to dhe përshkrimin e secilit prej tyre veç-e-veç, pastaj sebepet e lindjes së këtyre veseve, shkatërrimet që ato i shkaktojnë, identifikimin dhe shenjat, përmirësimin dhe zgjidhjet e shpëtimit; dhe

Vëllimi i katërt, RUB’U’L- MUNXHIJAT, flet për shpëtimin, dhe i përfshinë këto libra:

  1. Teube;
  2. Durimi dhe falënderimi (sabr dhe shukur);
  3. Frika dhe shpresa (havf dhe rexha);
  4. Varfëria dhe zuhd-i.
  5. Mbështetja Allahut dhe njëshmëria (tevekkul dhe tehvid);
  6. Dashuria, dëshira e zjarrtë dhe afërsia (muhabbet, shvk dhe uns).
  7. Qëllimi, drejtësia dhe sinqeriteti (nijet, sidk dhe ihlas);
  8. Kontrollimi dhe llogaria (murakabe dhe muhasebe);
  9. Mendimi (tefekkur);
  10. Përkujtimi i vdekjes.

Këtu, me dëshmi të sheriatit dhe me ato mendore, do të shpjegoj se çka i afron njerëzit Allahut Teala, arritjen në tiparet e të afërmëve (mukarrebun) dhe të sinqertëve (siddik), të gjitha tiparet e dëshirueshme, hakikatin dhe brendinë e çdo tipari, zgjidhjet e përfitimit të ahlakut të mirë, marrjen e përfundimt të mirë, njohja e shenjave dhe vlerat e larta.

* * *

Meqë dituria vjen e para, në fillim e vendosa Librin Për Diturinë (kitabu’l-ilim). Synimin e kisha ta shpjegoj se cila dituri kërkohet nga ne sipas Resulallahut, s.a.v.s., e që llogaritet adhurim Allahun Teala. Resulallahu s.a.v.s., thotë:
Kërkimi i diturisë është farz për çdo mysliman.[2]

Synimi i dytë është që ta ndajë diturinë e dobishme nga ajo e dëmshme. Prapë Resulallahu s.a.v.s., thotë:
Tek Allahu strehohemi nga dituria e dëmshme.[3]

Dëshiroj ta shpjegoj se si njerëzit e kohës së tashme e lanë esencën e diturisë dhe mjaftohen me lëvozhgë, dhe se si, duke u mashtruar me shkëlqimin e rremë të vegimit, u ndanë nga rruga e drejtë.

EPËRSIA E IHJASË NDAJ VEPRAVE TJERA

Ky libër ndahet nga librat tjerë që janë shkruar për temat e përmendura këtu, në pesë çështje:

  1. Shpjegimet e tyre janë të shkurta dhe vështirë për t’u kuptuar; ky libër shpjegon në mënyrë të hollësishme;
  2. Temat e ndërlikura në këtë libër janë thjeshtëzuar dhe organizuar mirë;
  3. Temat e gjata, shpjegohen shkurt;
  4. Duke i larguar përsëritjet, shkrimet janë sistematizuar; dhe
  5. Për çështje të thella, për të cilat nuk është shkruar në asnjë libër për shkak të vështirësisë për t’u kuptuar, është gjetur zgjidhje e drejtë.

Sado që të gjithë dijetarët ndjekin rrugën e njëjtë, disa nga ta dinë e disa nuk dinë, ose edhe dinë, por nga harresa ose nga ndonjë pengesë, nuk kanë shkruar. Edhe kjo nuk duhet të mohohet. E këto që i përmenda, përbëjnë temat e librit dhe përfshijnë të gjitha dituritë e cekura. Janë dy sebepe që më drejtojnë që këtë vepër ta përgatis në katër vëllime:

Sebepi i parë dhe kryesor;
është se një renditje e tillë është bërë e domosdoshme për të vërtetuar hakikatin dhe për njohje, pasi që dituria që drejton në ahiret, ndahet në dy:

  1. Dituri muamele[4], dhe
  2. Dituri mukashefe[5].

Me dituritë mukashefe qëllim është vetëm tregimi i keshf-it[6] të njohur, kurse me diturinë muamele, qëllimi është që, së bashku me keshf-in e njohur, të arrihet veprimi. Qëllim i këtij libri është vetëm shpjegimi i diturisë muamele (praktike), e jo dituria mukashefe, e cila nuk lejohet të shkruhet në libra. Sado që personi i devotshëm mendon, gjykon e vepron në përputhje me të vërtetën – sheriatin, e ka lakmi, dhe kërkesë e veprimit të fundit të tij është dituria mukashefe, e prapë, është dituria muamele ajo që do t’i bëhet rrugë për në diturinë mukashefe. Pejgamberët u kanë folur njerëzve kryesisht për dituritë muamele, të cilat mund të bëhen rrugë për në dituritë mukashefe, sepse e kanë ditur që populli nuk mund të bartë atë ngarkesë, prandaj për dituritë mukashefe kanë folur me alegori dhe shumë shkurt, prandaj as dijetarët, që janë trashëgimtarë të pejgamberëve, nuk mund të dalin jashtë rrugës që e kanë përcaktuar pejgamberët. E dituria muamele (praktike) ndahet në dy:

  1. dituritë zahir (të jashtme); për gjymtyrët;
  2. dituritë batin (të brendshme); të zemrës.

Edhe gjendjet e zemrës, të cilat Allahu Teala i ka fshehur nga shqisat e jashtme, ndahen në dy:

  1. dituritë mahmud (të vlefshme), dhe
  2. dituritë mezmum (të qortueshme).

Prandaj ka qenë e domosdoshme që edhe dituria për gjendjet e zemrës të ndahet në dy, në zahir dhe batin. Tutje, edhe dituria zahir në lidhje me gjymtyrët ndahet në dy pjesë:

  1. dituritë për adetet (zakonet), dhe
  2. dituritë për ibadetet;

dhe bëhet e qartë që të gjitha bashkë janë katër. Nga kjo pikëpamje, edhe kjo vepër u nda në katër pjesë. Zaten, edhe dituria muamele është e përbërë nga këto katër pjesë.

Sebepi i dytë:
Dituria e fikhut është ndërtuar me katër arsye:

  • për ata që seriozisht kërkojnë diturinë;
  • si kundërpërgjigje atyre që nuk frikësohen nga Allahu Teala (kundër pabesimtarëve);
  • për ata që krenohen me dituri; dhe
  • për ata që luftojnë me nefsin (veten) duke përcaktuar pozitën e shkallës së tij.

Diçka që merr formë të dashur, bëhet e dashur. Libri mori bukuri edhe me shkrimin e pjesës së fikhut në renditje, prandaj shpresoj që kjo do të tërheq zemrat. Edhe ata që dëshirojnë të tërheqin zemrat e të rriturve në mjekësi, kanë shkruar vepra të mjekësisë të zbukuruara në lista, dhe e kanë emërtuar ‘Takvimu’s-Sihha’ (Kalendari i shëndetit), me qëllim që të tërheqin ata që janë mësuar të lexojnë këto lloj listash, që të lexojnë edhe veprat e mjekësisë. Kur dituritë e mjekësisë, të cilat sigurojnë vetëm shëndetin e trupit, zbukurohen ashtu për t’i bërë sa më tërheqëse, atëherë zbukurimi i kësaj diturie që siguron jetën e përjetshme, dhe paraqitja e saj në një mënyrë tërheqëse, padyshim që është më e rëndësishme. Fryti i kësaj diturie arrihet në jetën e përjetshme, që nuk ka fund; është mjekësia e shpirtit dhe zemrës. E dituria e mjekësisë vlen vetëm për shërimin e trupit, e ardhmja e të cilit është e detyruar në vdekje… Prej Allahut Teala dëshirojmë të na drejtojë në rrugë të drejtë, Ai është Kerim (i xhymertë).

Ebu Hamid Muhammed Gazali
Hixhri 495.

[1] Taberani në ‘Sagir’ dhe Bejhaki në ‘Shu’abu’l-Iman’ nga Ebu Hurejre.
[2] Ibn Maxhe nga Enesi, si edhe Imam Ahmedi dhe Imam Bejhakiu.
[3] Ibn Maxhe nga Xhabiri.
[4] Muamele: praktikë; veprim; trajtim.
[5] Mukashefe:  zbulim; hap; qelë; fshehtësitë shpirtërore; të dihet një gjë para se të ndodhë; nxjerrja në shesh e një sekreti ose të fshehte; pamje/shikim me syrin e zemrës.
[6] Keshf: hap; qelë; të dihet një gjë para se të ndodhë; nxjerrja në shesh e një sekreti ose të fshehte; njoftim dhe dalja në shesh e një gjëjë të fshehtë qysh më parë nga Allahu Teala me anë të dhënies së frymëzimit; vështrim me syrin e zemrës.