Namazet nafile, natë e ditë


Allahu Teala lajmëron: 
Robi Im, me asgjë tjetër nuk më afrohet si me ibadete farz, që janë më të dashurat për Mua, e pastaj me nafile. Në fund atë e Dua… ai sheh me Mua, dëgjon me Mua, flet me Mua, mban me Mua, ecë me Mua. Çfarë të kërkojë, Unë i jap. Te Unë strehohet, Unë e mbroj.

Në islam, dita fillon pas ikindisë, prandaj nata në ardhje i takon ditës që po vjen.

NAMAZET NAFILE TË NETËVE

NATA E SË DIELËS
Enes ibn Malik tregon që Resulallahu s.a.v.s.:
“Ai që natën e së dielës falë njëzet reqate dhe në secilin reqat lexon Fatiha dhe Ihlas pesëdhjetë herë, dhe Felek e Nas nga një herë, dhe kërkon falje nga Allahu Teala për vete dhe për prindërit e tij njëqind herë, i dërgon salavat Resulallahut s.a.v.s., njëqind herë dhe thotë: La havle vela kuvvete illa billahil-alijjil-azim;
pas së cilës do të thotë: Dëshmoj që Ademi a.s., është krijesë e Allahut dhe rob halis “Sefijji”, Ibrahimi a.s., është halilullah, Musa a.s., kelimullah, Isa a.s., ruhullah dhe Muhammedi a.s., habibullah;
do të ketë sevap aq sa ka të tillë që Allahut i përshkruajnë fëmijë, dhe të tillë që dëshmojnë se Allahu nuk ka fëmijë. Allahu Teala do ta ngjallë në ditën e Gjykimit me të shpëtuarit dhe meriton të hyjë në xhennet, bashkë me pejgamberët.”

NATA E SË HËNËS
“Ai që natën para të hënës falë katër reqate dhe lexon në reqatin e parë Fatiha dhe Ihlas dhjetë herë, në të dytin njëzet herë, në të tretin tridhjetë herë, e në të katërtin katërdhjetë herë, e atëherë jep selam dhe lexon suren Ihlas shtatëdhjetë e pesë herë, dhe kërkon falje nga Allahu Teala për vete dhe për prindërit e vet shtatëdhjetë e pesë herë, e pas kësaj kërkon nga Allahu për atë që ka nevojë, Allahu Teala ia jep të gjitha ato që i kërkon.”
Ky namaz quhet salatul-haxhe (namazi për nevojë).

NATA E SË MARTES
“Kush i falë dy reqate e në secilin reqat lexon Fatihanë dhe suret Ihlas, Felek dhe Nas nga pesëmbëdhjetë herë, e pas selamit lexon Ajetul-kursijj pesëmbëdhjetë herë, e pastaj kërkon faljen prej Allahut pesëmbëdhjetë herë, do të ketë shpërblim dhe dobi aq sa nuk mund t’ju caktohet vlera.”

Omeri r.a. tregon se Resulallahu s.a.v.s., ka thënë:
“Kush i falë në natën e së martes dy reqate dhe lexon në secilin reqat Fatihanë një herë e suret Kadr dhe Ihlas nga shtatë herë, Allahu Teala do ta lirojë nga xhehenemi dhe në ditën e Gjykimit ky namaz do t’i bëhet udhëheqës dhe drejtues për në xhennet.”

NATA E SË MËRKURES
Fatime r.a., tregon se Resulallahu s.a.v.s., ka thënë:
“Kush i falë në natën e së mërkures dy reqate, e në të parin lexon Fatiha dhe Felek dhjetë herë, e në të dytin pas Fatihasë suren Nas dhjetë herë, e pas selamit kërkon falje (istigfar) prej Allahut dhjetë herë dhe i dërgon salavat Muhammedit s.a.v.s., dhjetë herë, nga secili qiell lëshohen shtatëdhjetë mijë melekë, që këtij i shkruajnë sevape, deri në ditën e Gjykimit.”

Në transmetim tjetër, thuhet:
“…gjashtëmbëdhjetë reqate, në të parin lexon Fatihanë, një sure e pastaj suren Ihlas dhjetë herë, në të dytin Fatihanë, një sure, pastaj Ajetul-kursijj dhjetë herë, do t’i pranohet shefati për gjashtëmbëdhjetë anëtarë të familjes së vet që e kanë merituar xhehenemin.”

Fatime r.a., tregon që Resulallahu s.a.v.s., ka thënë:
“Ai që natën e së mërkures falë gjashtë reqate dhe lexon në secilin reqat pas Fatihasë:
Kulillahumme malikel-mulki… (O Allah, Zotërues i gjithë Pushtetit!), 3-Ali Imran: 26
e pas përfundimit të namazit thotë:
Xhezallahu Muhammeden anna ma huve ehluh (Allahu e shpërbleu Muhammedin mes nesh, me atë që e meritoi),
do t’i falen gjynahet e shtatëdhjetë viteve, dhe do t’i shkruhet çlirimi nga Zjarri.”

NATA E SË ENJTES
Ebu Hurejre r.a., thotë që Resulallahu s.a.v.s., ka thënë:
“Ai që para të enjtes në mes të akshamit dhe jacisë i falë dy reqate e në secilin reqat lexon Fatihanë dhe Ajetul-Kursijj pesë herë, edhe Ihlas pesë herë, edhe suret Felek dhe Nisa nga pesë herë, e kur të përfundojë namazin kërkon prej Allahut Teala falje pesëmbëdhjetë herë, e sevapet e kësaj i bën nijet për prindërit, e ka përmbushur obligimin e vet ndaj prindërve, edhe nëse ka qenë i padëgjueshëm ndaj tyre, dhe ngrihet në gradën e sidikkëve dhe shehidëve.”

NATA E SË PREMTES
Nga Xhabiri përcjellet se Resulallahu s.a.v.s., ka thënë:
“Ai që para të premtes në mes të akshamit e jacisë i falë dymbëdhjetë reqate, dhe lexon në secilin reqat Fatihanë një herë dhe Ihlas njëmbëdhjetë herë, sikur t’i ketë bërë Allahut Teala ibadet për dymbëdhjetë vite duke agjëruar ditën e duke falë namaz natën.”

Enesi thotë që Resulallahu s.a.v.s., ka thënë:
“Ai që para të premtes falë jacinë me xhemat, më pas dy reqate sunnet, e pastaj i falë dhjetë reqate e në secilin reqat lexon Fatiha, Ihlas, Felek dhe Nas nga një herë, e pas kësaj falë vitr-namaz prej tri reqateve dhe fle në krahun e djathtë me fytyrë kah kibla, sikur të ketë arritur ibadetin e Lejletul-kadr

E Resulallahu s.a.v.s., gjithashtu thotë:
“Dërgoni shpesh salavate mbi mua në natën e vlerësuar dhe në ditën e mrekullueshme; natën para të xhumasë dhe ditën e xhumasë.”

NATA E SË SHTUNES
Enesi përcjellë që Resulallahu s.a.v.s., ka thënë:
“Ai që para të shtunes në mes të akshamit dhe jacisë i falë dymbëdhjetë reqate, do t’i ndërtohet një pallat në xhennet, dhe sikur t’ju ketë ndarë sadaka të gjithë besimtarëve dhe sikur të ketë hequr dorë nga të gjithë çifutët. Allahu e merr përsipër obligimin për ta falur.”

 

NAMAZET NAFILE TË DITËVE

E DIELË
Ebu Hurejre r.a. tregon nga Resulallahu s.a.v.s.:
“Kush i falë të dielën katër reqate, e në secilin reqat lexon Fatiha dhe Amene’r-resul njëherë, Allahu Teala do t’i shkruajë vepra të mira sa ka të krishterë e të krishtere. Allahu do t’ia japë sevapin e një pejgamberi, do t’ia shkruajë haxhin e umren dhe për secilin reqat nga njëmijë namaze, e në xhennet Allahu Teala do t’i japë për secilën germë nga një qytet me misk të jashtëzakonshëm.”

Alia r.a., tregon se Resulallahu s.a.v.s., ka thënë:
“Dëshmoni njëshmërinë e Allahut (vehhid) me më shumë namaz të dielave, sepse Allahu Teala është Një (Vahid), nuk ka partner. Kush i falë të dielave pas farzit dhe sunnetit të drekës katër reqate, në të parin lexon Fatiha dhe Sexhde, në të dytin Fatiha dhe Mulk, pastaj teshehhud dhe selam, pastaj falë edhe dy reqatet tjera dhe lexon Fatiha dhe Xhuma e i lutet Allahut për çka i duhet, Allahu Teala ia plotëson kërkesën.”

E HËNË
Xhabiri tregon nga Resulallahu s.a.v.s.:
“Ai që të hënën, pasi të zbardhet dita, i falë dy reqate dhe lexon në secilin reqat Fatiha një herë, Ajetul-kursijj një herë, suret Ihlas, Felek dhe Nas nga një herë, dhe kur të japë selam kërkon falje nga Allahu Teala dhjetë herë dhe i dërgon salavat Resulallahut s.a.v.s., dhjetë herë, Allahu Teala do t’ia falë të gjitha gjynahet!”

Enes ibn Malik tregon nga Resulallahu s.a.v.s.:
“Kush i falë të hënën dymbëdhjetë reqate dhe në secilin reqat lexon Fatiha dhe Ajetul-kursijj nga një herë, e kur të përfundojë lexon suren Ihlas dymbëdhjetë herë dhe kërkon falje, dymbëdhjetë herë në ditën e Gjykimit do të thirret:
Ku është filani, le të ngritet dhe le ta marrë shpërblimin e tij nga Allahu Teala!
Shpërblimi i parë që do t’i jepet është njëqind mantela dhe kurora, e atëherë do t’i thuhet:
Hyr në xhennet!, e do ta presin njëqind mijë melekë, secili me nga një dhuratë për të, dhe do ta shoqërojnë deri sa t’i vizitojë njëmijë pallatet e tij, që ndriçojnë nur.”

E MARTË
Jezid Rekashi tregon nga Enes ibn Malik se Resulallahu s.a.v.s., ka thënë:
“Kush falet të martën në mesditë (në transmetim tjetër: kur të zbardhë dita..) dhjetë reqate dhe lexon në secilin reqat Fatiha dhe Ajetul-kursijj nga një herë dhe suren Ihlas tri herë, nuk do t’i shkruhet asnjë gjynah për shtatëdhjetë ditët e ardhshme, nëse vdes brenda atyre shtatëdhjetë ditëve, do të vdesë si shehid, dhe do t’ falen gjynahet e shtatëdhjetë viteve.”

E MËRKURË
Ebu Idris Halvani tregon nga Muadh ibn Xhebel r.a., se Resulallahu s.a.v.s., ka thënë:
“Kush i falë të mërkurën dymbëdhjetë reqate kur të zbardhë dita, dhe lexon në secilin reqat Fatiha dhe Ajetul-kursijj një herë, ndërsa suret Ihlas, Felek dhe Nas nga tri herë, telalli do të thërret nën Arsh: O robi i Allahut, nis nga fillimi të punosh, sepse të gjitha gjynahet tua prej më herët të janë falur, Allahu Teala të ka çliruar nga mundimi i varrit, vështirësitë dhe errësira, dhe të ka shpëtuar nga tmerret e kiametit. Për shkak të asaj dite, Allahu barazoi veprimin tënd me punët e pejgamberëve.”

E ENJTE
Ibn Abasi tregon se Resulallahu s.a.v.s., ka thënë:
“Ai që të enjten mes drekës dhe ikindisë falë dy reqate, në të parin lexon Fatiha dhe Ajetul-kursijj njëqind herë, e në të dytin Fatiha dhe Ihlas njëqind herë dhe i dërgon salavat Muhammedit s.a.v.s. njëqind herë, Allahu Teala do t’i japë sevapin e atij që ka agjëruar muajin Rexhep, Sha’ban dhe Ramazan, do ta ketë shpërblimin e haxhilerëve në shtëpinë e Allahut, dhe do t’i shkruhen aq vepra të mira sa ka të tillë që e besojnë Allahun Teala dhe që mbështeten në Të.”

E PREMTE
Alia r.a. ka treguar që Resulallahu s.a.v.s., ka thënë:
“E gjithë xhumaja është namaz e ibadet, e robit që zgjohet kur dielli ngritet një shtizë a më shumë e ndriçon, merr abdes mirë e falë dy reqate duha namaz, me besim në Allahun dhe me shpresë për shpërblim nga Ai, Allahu Teala ia shkruan dyqind sevape dhe ia fshinë dyqind gjynahe. Kush i falë katër reqate, Allahu Teala e ngritë në xhennet për katërqind gradë. Kush i falë tetë, Allahu Teala e ngritë në xhennet për tetëqind gradë dhe ia falë gjynahet. Kush i falë dymbëdhjetë reqate, Allahu Teala ia shkruan dymijë e dyqind sevape, e ia fshinë dymijë e dyqind gjynahe, dhe e ngritë në xhennet për dymijë e dyqind gradë.”

Nafiu tregon nga Ibn Omeri r.a., që Resulallahu s.a.v.s., ka thënë:
“Kush hyn ditën e xhumasë në xhami dhe i falë katër reqate para namazit të xhumasë dhe në secilin reqat lexon Fatiha dhe Ihlas pesëdhjetë herë, nuk do të vdesë pa e parë ose pa iu shfaqur vendi i tij në xhennet.”

E SHTUNE
Ebu Hurejre tregon që Resulallahu s.a.v.s., ka thënë:
“Kush i falë ditën e shtunë katër reqate dhe lexon në secilin reqat Fatiha një herë dhe Ihlas tri herë, e kur të përfundojë lexon Ajetul-kursijj, Allahu Teala do t’ia shkruajë për secilën germë nga një haxh dhe umre. Për secilin germë do t’ia ngritë shpërblimin vjetor sikur të atij që agjëron ditën, e falet natën. Allahu Teala do t’i japë gjithashtu, për secilin germë, sevapin e shehidit dhe do të jetë në flladin e Arshit të Allahut, bashkë me pejgamberët dhe shehidët.”