Ilmihal

 

İlk Yaratılan Nur 

ILMIHAL

TAHARETI – PASTËRTIA

Taharet do të thotë pastërti. Pastërtia fizike/materiale dhe psikike/shpirtërore ndahet në dy pjesë:

Pastrimi hades
Gjendja e papastërtisë trupore dhe shpirtërore që detyron marrjen e abdesit dhe gusulit quhet hades. Kur jemi në gjendje të papastër nga ejakulim i spermës (xhenabet), menstruacionet tek femrat (hajiz) dhe koha pas lindjes (nifas), me marrjen e abdesit, e më pas gusulit, bëhet pastrimi i hadesit.

Pastrimi nexhaset
Gjërat që nuk janë të pastra, që janë të pista, në fe quhen nexhaset. Për të qenë namazi i pranueshëm tek Allahu Teala jemi të obliguar të kemi trupin e pastër, rroba të pastra dhe vendin ku falemi të pastër.

RËNDËSIA E PASTËRTISË NË ISLAM

Pastërtia në islam zë një vend shumë të rëndësishëm. I gjithë legjislacioni islam është i ndërtuar mbi faktorin pastërti. Prandaj edhe librat e fikh-ut dhe haditheve fillojnë po me temën e pastërtisë.
Pastërtia, sipas fesë islame jo vetëm që është kusht për ibadetet, por ajo është edhe pjesë e shëndetit tonë.
Në të njëjtën kohë, pastërtia është edhe njëri nga faktorët kyç për ta fituar kënaqësinë e Allahut Teala. Ashtu siç thuhet në Kur’an:

“(Padyshim) Allahu i do të pastrit.” 9-Teube: 108.

Gjithashtu, edhe Resulallahu s.a.v.s. në lidhje me rëndësinë e pastërtisë thotë:

“Pastërtia është gjysma e imanit”

Feja islame e bën të qartë rëndësinë që ajo i jep pastërtisë.

PASTËRTIA E ZEMRËS

Ekzistojnë dy lloj pastërti: e para është pastërtia e trupit, edhe e dyta ajo e zemrës. Ashtu siç nuk njihet namazi pa abdes, po ashtu edhe pa pastrimin e zemrës nuk realizohet njohuria e vërtetë.
Ashtu siç pastrohet trupi me ujë të pastër, po ashtu edhe zemra pastrohet me teube dhe tehvid të pastër. Ashtu siç merret abdesi i jashtëm (zahir) me ujë, edhe abdesi i brendshëm (batin) bëhet i mundshëm – me teube dhe me kthim tek Haku.
Gjynahet janë ndyrësi psikike/shpirtërore, që e njollosin zemrën dhe shpirtin. Për t’u pastruar prej këtyre ndyrësirave, për pastrim shpirtëror janë: teube-ja, istigfari, dhikri (përmendja, përkujtimi), duaja dhe veprat e mira.
Andaj, duke kërkuar falje dhe mëshirë, me pendim të sinqertë për gjynahet tona, e pastrojmë shpirtin dhe zemrën tonë. Ai që bën pendim të sinqertë tek Allahu Teala për gjynahet/gabimet e tij, pastrohet nga gjynahet e bëra. Ai që bën mirë për hir të Allahut, i shlyhen gjynahet.

Pra, Allahu Teala robit të Tij i jep mundësinë për pastrim nga gjynahet dhe arritjen e kënaqësisë shpirtërore në të dy botët.

PËR NJË NAMAZ NË QETËSI SHPIRTËRORE

Për të qenë i koncentruar në namaz duhet të marrim abdes me një kujdes të veçantë, ngase abdesi që merret shkel-e-shko ndikon në përqendrim gjatë faljes së namazit. Në lidhje me këtë, Shejh Abdurrahman Tahi thotë:
“Mos-përqendrimi në namaz është i lidhur direkt me mënyrën e marrjes së abdesit dhe me pastërtinë gjatë kryerjes së nevojës. Kur myslimani përgatitet për të marrë abdes duhet ta di se ai po del para Allahut Teala, Krijuesit të gjithësisë, andaj duhet të jetë i pastër nga pa-pastërtia e dukshme dhe e padukshme.
Edhe kur merr abdes, duhet ta dijë që abdesi është faktori i pastërtisë shpirtërore dhe parapërgatitje për të hyrë në namaz.”

 

RREGULLAT KUR SHKOJMË NË TUALET

Para se të hymë në tualet, duhet të kërkojmë mbrojtje nga shejtani me eudhu-billahi-minesh-shejtani-rraxhim dhe ta themi duanë: ”Allahumme inni eudhu bike mine`l-hubthi ve`l-habaith” (”Allahu im, më mbroj nga xhinët meshkuj dhe femra”).
Në tualet duhet të hyhet me këmbën e majtë dhe duhet të dilet me këmbën e djathtë.
Gjatë shkuarjes në tualet, duhet të largohet nga trupi çdo gjë e cila përmban emrat e Allahut, apo diçka të fesë.
Në tualet, nuk është mirë të hyhet me çorapë, me pallto të gjatë, dhe gjithçka e cila mund të përlyhet gjatë kryerjes së nevojës.
Nuk është mirë që të kryhet nevoja në këmbë dhe në drejtim të kiblës.
Në tualet, nuk është mirë të flitet, të qëndrohet shumë, të lexohet gazetë etj.
Nuk është mirë të pështyhet, nuk duhet shikuar organin seksual.
Kur jemi jashtë, duhet pasur kujdes gjatë kryerjes së nevojës, në mënyrë që mos ta pengojmë askënd dhe mos të shihemi nga të tjerët.
Nuk duhet të kryhet nevoja në ujë (lumë, përroskë), mur, varreza, rrugë dhe të ngjashme.
Ata që kanë dyshime (janë vesvese) për rrjedhje të mundshme të urinës, për të mos u bërë peng i vesveses, pasi të bëjnë pastrimin, duhet të hedhin pak ujë mbi veshjen e brendshme.
Gjatë kryerjes së nevojës nuk guxojmë të spërkatemi me urinë.
Pas pastrimit të organit me ujë, nëse kemi facoletë apo diç të ngjashme, mund të fshihemi me të.
Kur të dalim nga tualeti, duhet thënë: “Gufraneke” (Allahu im, më fal mua).
Nuk duhet të merret abdesi përderisa nuk je i sigurt që urina është ndërprerë.
Pasi që të dilet nga tualeti, duart duhet pastruar me ujë.

ISTINXHA DHE ISTIBRA

Me fjalën istinxha nënkuptojmë pastrimin e pjesës së caktuar të trupit pas kryerjes së nevojës së madhe ose të vogël.
Në mungesë të ujit mund të përdoren gjethe, gurë, letër tualeti dhe të ngjashme.
Ndërsa me fjalën istibra, nënkuptojmë që duhet të pritet pak pas urinës, të jemi të sigurt se nuk do të ketë rrjedhje nga organi pas urinimit. Istinxha – pastrimi i organit, bëhet atëherë kur jemi të sigurt që nuk ka më rrjedhje.

ABDESI

Abdesi është pastrim i pjesëve të caktuara të trupit para se ti drejtohemi Allahut Teala nëpërmjet namazit. Abdesi është kusht për namaz-falësin. Marrja e abdesit, pos pastrimit të pjesëve të trupit, njëkohësisht pastron dhe përgatit shpirtin e namaz-falësit për të dalë para Allahut.

Njeriu, edhe kur bën keq edhe kur bën mirë, përdorë gjymtyrët e trupit të tij. P.sh. njeriu përmes dorës kryen shumë veprime, përmes gojës ushqehet dhe flet, përmes hundës merr erëra të ndryshme, me sy shikon, me krah bartë, me vesh dëgjon, me këmbë ecën, etj… Këto veprime që realizohen me gjymtyrë mund të jenë të mira ose të këqija, që aludon në atë se me gjymtyrë mund të fitohet sevap ose të hyhet në gjynah.

Andaj, gjatë marrjes së abdesit lutemi në brendinë tonë për pastrim nga gjynahet e bëra me ose pa qëllim. Në fillim bëhet nijeti, që nënkupton edhe përgatitjen shpirtërore për të hyrë në namaz, dhe fillon marrja e abdesit:

– Lahen duart deri te nyjat e duarve. (tri herë)

– Kur e fusim ujin në gojë (tri herë) lutemi:
“O Allah, ma mundëso që ta përmend emrin tënd me lehtësi dhe dashuri ndaj Teje”

– E kur e fusim ujin në hundë (tri herë) lutemi:
“Allah, më mundëso që hunda ime ta nuhas erën e xhennetit, e më ruaj nga era e xhehenemit”.

– Kur e lajmë fytyrën (tri herë) lutemi:
“O Allah, ma zbardho fytyrën time me dritën Tënde në ditën e gjykimit, e mos ma nxij atë”.

– Kur e lajmë krahun e djathtë (tri herë) thuhet:
”O Allah, më bëj nga ata që iu jepet libri nga dora e djathtë dhe ma lehtëso llogarinë”.

– Gjatë larjes së krahut të majtë (tri herë) thuhet:
”Allah, mos më bëj nga ata që iu jepet libri nga e majta dhe ma lehtëso llogarinë në ditën e gjykimit”.

– Kur i japim mes’h (lëmojmë) kokës (një herë) thuhet:
“O Allahu im, më mbulo me mëshirë, zbrit bereqet, njohuri dhe hije në ditën kur nuk do të ketë hije tjetër përveç hijes së Arshit.”

– Kur i pastrojmë veshët (një herë) thuhet:
“O Allahu im, ma mundëso që të jem nga ata të cilët i dëgjojnë dhe praktikojnë urdhrat tua, dhe më bëj që ta dëgjoj thirrjen për në xhennet”.

– dhe kur të lahet qafa (një herë) themi:
”Allah, më ruaj nga zinxhirët e xhehenemit”.

– Ndërsa, gjatë larjes së këmbëve (tri herë) thuhet:
“O Allahu im, bëj që unë të jem i qëndrueshëm, si një nga ndjekësit e rrugës tënde të drejtë”.

– Pas abdesit, shqiptojmë shehadetin dhe bëjmë duanë:
“Allahu im, njeriu i bën keq vetes; edhe unë mund ta kem bërë ndonjë gjynah. Unë pendohem me pendim të sinqertë tek Ti, për faljen e gjynahut. Më fal mua, prano lutjet e mia, ngase Ti e do pendimin, ja Rabbe`l-alemin. Më pastro nga gjynahet dhe më bëj prej robërve të penduar, më bëj prej atyre që falënderojnë shumë, durojnë dhe të përmendin Ty ja Rabbe`l-ale min”.

Ashtu siç uji pastron papastërtinë, edhe pendimi i sinqertë pastron gjynahun e bërë.

FARZET E ABDESIT

Abdesi ka katër farze.
1) Larja e fytyrës.
2) Larja e duarve deri në bërryla.
3) Dhënia mes’h 1/4-tës së kokës.
4) Larja e këmbëve deri në nyje (zog) të shputës.

SUNNETET E ABDESIT

Sunnetet e abdesit janë këto:
– Bërja nijet për të marr abdes.
– Fillimi i abdesit me “Euzu besmele” (ose “Bismillah vel hamdulillah ala dinil Islam”)
– Larja e duarve deri në nyje.
– Larja e dhëmbëve me misvak.
– Larja/shpëlarja e gojës 3 herë.
– Larja e hundës 3 herë.
– Larja e pjesëve të trupit nga 3 herë.
– Kompletimi i abdesit, pa ndërprerje.
– Pastrimi i mirë i pjesëve të trupit, gjatë abdesit.
– Larja e pjesëve të trupit duke filluar nga e djathta.
– Gjatë larjes së duarve dhe këmbëve, fillimi i larjes nga gishtërinjtë.
– Gjatë larjes së duarve, lëvizja e unazës, në mënyrë që të depërtojë uji në të gjitha pjesët e dorës.
– Dhënia mes`h veshëve.
– Dhënia mes`h qafës.
– Dhënia mes`h gjithë kokës.
– Gjatë larjes së duarve, fërkimi ndërmjet gishtave.
– Përshkimi/fërkimi i mjekrës me gishtërinj të lagur.
– Larja e pjesëve të trupit sipas radhës.

MUSTEHABET (TË PREFERUARAT) E ABDESIT

– Marrja e abdesit, para hyrjes së kohës së namazit.
– Kthimi kah kibla.
– Ulja në ulëse, në mënyrë që mos të stërpikemi.
– Mos-kërkimi ndihmë nga të tjerët gjatë marrjes së abdesit.
– Gjatë abdesit, nuk është mirë të flitet, nëse nuk është e domosdoshme.
– Përdorimi i ujit me masë, pa e tepruar.
– Nuk preferohet përplasja e ujit në fytyrë.
– Lëvizja e unazës, nëse keni.
– Larja e këmbëve me dorën e majtë.
– Këndimi i duave, gjatë larjes së pjesëve të trupit.
– Fshirja e hundës me dorën e majtë.
– Futja e ujit në gojë dhe hundë me dorën e djathtë.
– Dhënia mes`h e veshëve me gishtat e vegjël.
– Këndimi i sures el-Kadr, pas abdesit.
– Falja e dy rekateve, pas marrjes së abdesit .
– Gjatë marrjes së abdesit, të mos harrohet nijeti i abdesit, dhe të jemi të vetëdijshëm që jemi duke marrë abdes.
– Larja e çdo pjese të trupit duke thënë bismil-lah.

GJËRAT QË E PRISHIN ABDESIN

1) Çdo gjë që del nga organet e jashtëqitjes (kryerja e nevojës së madhe apo të vogël, gazrat, etj…)
2) Rrjedhja e gjakut ose qelbit nga trupi.
3) Vjellja me plot gojën.
4) Pështymja me gjak.
5) Humbja e vetëdijes.
6) Qeshja në namaz aq sa vërehemi nga të tjerët.
7) Gjumi, apo kotja.
8) Për ata që kanë rrjedhje të vazhdueshme nga trupi, qoftë nga plaga ose diçka tjetër, përfundimi i namazit nënkupton edhe prishjen e abdesit. Njerëzit e tillë duhet patjetër të ripërtërijnë abdesin për namazin e ardhshëm.
9) Për ata të cilët kanë marrë tejemmum, abdesi prishet me gjetjen e ujit.

PUNËT QË NUK MUND TË KRYHEN PA ABDES

1) Falja e namazit.
2) Sexhdja e Kur’anit – tilaueti.
3) Tavafi në Qabe.
4) Prekja e Kur’anit (nëse nuk është i mbështjellur me diçka tjetër).

GUSULI (LARJA E TËRË TRUPIT)

Me gusul nënkuptojmë larjen e gjithë trupit, duke mos lënë asnjë pjesë të pa lagur.
Gusuli ndonjëherë është farz, ndonjëherë sunnet, dhe ndonjëherë është mendup (e rekomanduar). Marrja e gusulit për xhunub, është farz.
Marrja gusul për namazin e xhumasë, bajramit, apo gjatë veshjes së ihramit në haxh është prej sunneteve.
Edhe të bërit gusul një herë në javë, me qëllimin të pastrimit, është sunnet.
Ndërsa, rekomandohet marrja e gusulit me qëllim të pastrimit, freskimit apo për të bërë ibadet.

KUR DUHET TË MERRET GUSULI

1) Pas marrëdhënieve seksuale, pavarësisht ejakulimit ose mos ejakulimit, qoftë nga femra apo mashkulli, marrja e gusulit është farz (kusht).
2) Ejakulimi në ëndërr. Pasi të ngihemi nga gjumi, marrja e gusulit është farz.
3) Për femrat me menstruacione (hajz) apo në periudhën pas lindjes, marrja e gusulit është farz.
4) Dhënia gusul xhenazes, me përjashtim të dëshmorit (shehidit), është nga farzet kifaje.

FARZET E GUSULIT

1) Futja e ujit në gojë dhe gurgullitja e tij. Shpëlarja e gojës dhe fytit;
2) Futja e ujit në hundë – shpëlarja e hundës;
3) Larja e plotë e trupit (duke mos e lënë asnjë pjesë të turpit pa u lagur).

SUNNETET E GUSULIT

– Fillimi me bism-ilah.
– Fillimisht lahen pjesët që përmbajnë papastërtinë.
– Marrja e abdesit, para fillimit të gusulit.
– Nijeti për gusul.
– Larja e duarve deri në byzylyk.
– Larja e organit.
– Hedhja e ujit mbi trup 3 herë duke e fërkuar atë me shumë kujdes.
– Fillimi i larjes së trupit nga koka, për të vazhduar me larjen e anës së djathtë të trupit, pastaj anën e majtë.
– Fërkimi i trupit menjëherë pas hedhjes së parë të ujit.
– Larja në një vend ku nuk shihesh nga të tjerët.
– Pa ndonjë nevojë, mos-folja gjatë larjes.
– Gjatë marrjes së gusulit, nuk bën të kthehemi nga ana e kiblës.
– Mbulimi i organit (edhe nëse je vetëm).
– Përdorimi i ujit me masë.
– Pas gusulit, tharja e trupit me ndonjë peshqir.
– Veshja me rroba menjëherë pas marrjes së gusulit.

GJËRAT E NDALUARA KUR JEMI PA GUSUL

1) Falja e namazit.
2) Bërja e sexhdes së Kur’anit.
3) Leximi i Kur’anit.
4) Prekja e Kur’anit.
5) Ulja dhe qëndrimi në xhami.
6) Bërja e tavafit në Qabe.
7) Agjërimi i Ramazanit.
8) Hyrja në marrëdhënie seksuale.

TEJEMMUMI

Në të gjitha rastet kur nuk mund të gjejmë assesi ujë, kur kemi ujë vetëm për nevojat themelore jetësore, kur jemi të sëmurë dhe nuk mund të marrim abdes apo gusul, në gjendje të tilla në vend të abdesit dhe gusulit duhet të marrim tejemmum. Tejemmumi, njësoj si abdesi dhe gusuli, është farz.
Tejemmumi është larje simbolike me dhé të pastër ose me mjete nga esenca e dheut (qerpiçi, tulla)
Çështjet që duhet të dihen në lidhje me tejemmumin janë këto:
– Shqiptojmë bism-ilah dhe bëjmë nijetin: Në emër të Allahut Teala vendosa të marr tejemmum për (në vend të) abdes ose për (në vend të) gusuli.
– Me shuplaka prekim dheun e pastaj lëmojmë (fërkojmë) fytyrën.
– Përsëri me shuplaka prekim dheun dhe me shuplakë të majtë lëmojmë krahun/dorën e djathë e me shuplakë të djathtë krahun e majtë deri në bërryla.
Më tejemmumin që merret për abdes ose për gusul, mund të falen namazet, si farz ashtu edhe nafile. Çdo gjë që e prish abdesin dhe gusulin e prish edhe tejemmumin. Vetëm se, kur gjendet ujë për abdes dhe gusul – tejemmumi prishet, duhet të merret abdes dhe gusul me ujë.

 

NAMAZI DHE RËNDËSIA E TIJ

Namazi është të drejtuarit Allahut Teala.
Namazi është miraxhi i muminit.
Namazi është rrugëtimi shpirtëror i krijesës njeri, drejt Krijuesit të tij, Allahut Teala.
Namazi është ngritje shpirtërore e njeriut.
Namazi afron robin Allahut Teala.
Robi që lartësohet – pjekët, pastrohet prej veseve të këqija, bëhet njeri i mirë.
Namazi i jep forcë trupit, qetëson dhe i jep kënaqësi shpirtit të krijesës njeri dhe është prej veprave (amel) më të vlefshëme.
Namazi është shtylla e fesë.

 

JU, SI E FALNI NAMAZIN?

Njëri e pyeti Hatim-i Esamin:
-Si e falni Ju Namazin? Ai u përgjigj:
-“Kur të vjen koha e namazit, marr abdesin dhe pastrohem nga ndyrësira e brendshme dhe e jashtme. Pastroj pjesët e trupit me ujë, ndërsa brendësinë time me teube (pendim). Më pas shkoj në xhami. Në xhami e sjell para sysh Mesxhid-i Haram-in, Xhennetin në të djathtë, Xhehenemin në të majtë, Urën e Siratit nën këmbët e mia ndërsa melaiken e vdekjes mbrapa meje dhe i dorëzoj zemrën Allahut Teala. Më pas, me respektin më të madh marr tekbir duke qëndruar në këmbë, i nënshtruar lexoj Kur’an, me modesti bie në ruku, i përulur bie ne sexhde, rri në tehejjat, dhe duke e falënderuar Allahun Teala jap selam.”
“Thuaj: ‘Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Rabbin e botëve.” 6-En’amë: 162

KUSHTET DHE RUKNET E NAMAZIT

Namazi është ndër ibadetet më të rëndësishme në islam. Ai që fal namazin gjen kënaqësinë e Allahut Teala. Për këtë arsye, nuk mund të falim namaz përderisa nuk i dimë rregullat dhe kushtet e faljes apo daljes para Allahut Teala. Pra, duhet të njihemi me farzet, vaxhibet, sunnetet dhe ruknet e namazit.
Për t’u bërë namazi farz për një njeri, mjafton që ai t’i plotësojë këto tri kushte:
1) Të jetë mysliman.
2) Të jetë i vetëdijshëm.
3) Të jetë i moshës madhore.

KUSHTET DHE FARZET E NAMAZIT

Namazi ka 12 farze. Këto ndahen në dy grupe: ‘farzet e jashtme’ dhe ‘farzet e brendshme’.
Farzet e jashtme të namazit quhen edhe “kushtet e namazit”, për shkak se vijnë para namazit dhe përbëjnë përgatitjen në namaz.

Ndërsa farzet e brendshme quhen “ruknet e namazit” pasi që përbëjnë esencën e namazit.
Të gjithë këta faktorë së bashku përbëjnë namazin. Nëse vetëm një prej farzeve të namazit mungon, namazi nuk është i vërtetë.
Kushtet e namazit janë:

1) Pastrimi prej hadesit: Marrja e abdesit dhe gusulit, për pastrim prej gjendjes së papastër psikike dhe shpirtërore.
2) Pastrimi prej nexhasetit: Pastrimi i tërë trupit, rrobave dhe vendit ku falim namazin.
3) Setr-i avrat: Të qenit veshur/mbuluar sipas rregullit.
4) Istikbal-i kible: Të kthyerit kah Kibla kur falim namazin.
5) Koha: Të falurit në kohën e duhur.
6) Nijeti: Të bërit nijet cilën kohë të namazit po e falim.

Ruknet e namazit:

1) Iftitahi tekbir: Tekbiri fillestar, të fillohet namazi duke thënë “Allahu Ekber”.
2) Kijam: Qëndrimi në këmbë.
3) Kiraet: Leximi i Kur’anit në namaz.
4) Ruku: Përkulja në namaz.
5) Suxhud: Të rënit në sexhde.
6) Kade-i ahire: Qëndrimi i fundit në tehijjat.

LLOJET E NAMAZIT

Namazet farz

Namazet farz, ndahen në farzi ajn dhe farzi kifaje. Farz-i ajn është obligim për të gjithë myslimanët e moshës madhore (falja e pesë vakteve dhe xhumaja). Ndërkaq, namazi kifaje, është namaz i cili nëse falet nga një grup i myslimanëve, pjesa tjetër lirohet nga obligimi, siç është rasti me namazin e xhenazes.
Namazet vaxhib

Në medh’hebin Hanefi vaxhib konsiderohet vitri i jacisë, dhe namazi i Bajramit . Po ashtu në këtë grup bën pjesë edhe sexhdja e Kur’anit dhe sehvi sexhdja (sexhde gabimi).
Namazet nafile

Namazet që falen jashtë namazeve farze dhe vaxhibe quhen namaze nafile. Edhe namazet nafile ndahen në dy pjesë: sunnet dhe mustehab.

Namazet sunnet

– Sunnetet të cilat falen vazhdimisht gjatë pesë kohëve të namazit ditor quhen ravatib. Ato janë:
– Dy rekate sunnet para farzit të sabahut.
– Katër rekate sunnet para dhe dy rekate sunnet pas farzit të namazit të drekës.
– Katër rekate sunnet para farzit të ikindisë.
– Dy rekate sunnet pas farzit të akshamit.
– Katër rekate sunnet para dhe dy rekate sunnet pas farzit të jacisë.
Edhe namazet e sunnetit ndahen në dy grupe:
Sunnetet muekked: të sabahut, drekës, akshamit dhe dy rekatet e fundit të sunnetit te jacisë.
Ndërsa, ato që nuk janë sunnet muekked janë: katër rekatet sunnet para farzit të ikindisë dhe jacisë.

Namazet mustehab

Përpos sunneteve ravatib, namazet nafile quhen regaib. Këto janë namazet të cilat Pejgamberi s.a.v.s. nuk i ka falur vazhdimisht, ose i ka falur në raste të caktuara. Këto janë namaze të cilat mbeten në dëshirën e njeriut, për të cilat – nëse falen ka shpërblim, por nëse nuk falen nuk ka dënim. Këto namaze vullnetare, quhen edhe si namazet “tatavvu”. Këto janë namaze mustehab dhe mendub. Në këtë grup, prej namazeve nafile regaib janë: namazi i duhasë, tehijjetu’l-mesxhid, namazi i pendimit (teubes), namazi evvabin, namazi tesbih, namazi kusuf (namaz i cili falet gjatë zënies se diellit), namazi i istihares, namazi i shiut, namazi gjatë veshjes së ihramit, namazi i udhëtimit, namazi pas marrjes së abdesit dhe gusulit.

KOHA E NAMAZEVE FARZ

Namazi është njëra ndër shtyllat kryesore të islamit. Ky obligim kryhet në kohë të caktuar. Andaj, kryerja apo falja e namazeve ditore në kohën e vet është nga kushtet e namazit. Andaj edhe Allahu Teala thotë:
“Sepse namazi është detyrë për besimtarët në kohë të caktuar.” 4- Nisa: 103.

Pra, falja e namazit para ose pas kohës së tij, nuk është i lejueshëm.

Koha e namazit të sabahut
Koha e namazit të sabahut fillon që nga agimi i dytë dhe zgjat deri në lindjen e diellit. Pra, me hyrjen e agimit fillon koha e namazit të sabahut dhe del koha e namazit të jacisë.
Koha e namazit të drekës

Koha e namazit të drekës apo mesditës fillon nga momenti që dielli lëviz prej zenitit dhe vazhdon deri në atë pozitë kur hija e cilitdo objekt fiton gjatësinë e tij.

Koha e namazit të ikindisë

Namazi i ikindisë fillon me të dalë koha e namazit të drekës dhe vazhdon deri në perëndimin e diellit.

Koha e namazit të akshamit

Namazi i akshamit fillon nga momenti i perëndimit të diellit, dhe vazhdon deri në errësimin e horizontit.

Koha e namazit të jacisë

Namazi i jacisë fillon që nga errësimi i plotë i horizontit dhe vazhdon deri para agimit.