Këtë rrugë e trasoi Shah-i Nakshibend.
Haxhe Muhammed Behaeddin Nakshibend (kaloi në ahiret, 791 Hixhri), diturinë, edebin dhe rregullat e kësaj rruge i pranoi nga të mëdhenjtë para tij, që përmes silsilës i erdhën prej Ebu Bekr Siddik (r.a) e te ai prej Resulullahut (s.a.v.s). Fillim dhe drejtim i shkollës Nakshibendi është Pejgamberi ynë, Muhammedi (a.s), e vend të veçantë zë dhikri i fshehtë Allahut. Rruga jonë nisë me një teube (pendim), të thellë e të sinqertë, e synim e ka gradën ibadun mukramun, robë të ndershëm (21-Enbija: 26).
Gjatë kohës. kjo rrugë u njoh me emrat e murshid-i kamil (mësuesit e përkryer) të vet; prej Ebu Bekrit (r.a) rruga njihej me emrin Siddikije, prej Tajjfur Bejazid Bistamisë (k.s) u quajt Tajjfurije, e prej Haxhe Abdulhalik Gixhduvani (k.s) merr emrin Haxheganije, e me këtë emër dallohej deri tek Shah-i Nakshibend, e pas tij rruga u quajt Nakshibendije. Me këtë emërtim rruga u përhap, dhe emërtimet tjera me kohë u harruan. Pas Mevlana Halid Bagdad (k.s), rruga u përhap edhe më shumë, me emrin Nakshibendi Halidije, e sot është në Ballkan, Turqi, Lindje të Mesme e më gjerë. Nakshibenditë edukohen me dhikr hafi (të fshehtë), një usul (metodë) i preferuar nga evliatë e mëdhenj, që e zhvilluan dhe e përcjellën tek ne. Allah Teala thotë:
ju më kujtoni Mua, Unë ju kujtoj juve (Bekare 152), dhe vërtetë,
zemrat qetësohen kur përmendet Allahu. (Rad 28). E rruga jonë nisë me një teube (pendim). Të sinqertë,
TEUBE
Secili duhet të ketë frikë Allahun, sepse Ai premtoi denim të rëndë për ata që e kundërshtojnë. Po të mos pyetej për veprat, njeriu do të vepronte pa turp gjithçka. Për këtë arsye Allah Teala askujt nuk i premtoi se do ta shpëtojë nga xhehenemi. Por askush as nuk guxon ta humbasë shpresën në rahmetin e Tij; edhe po të ketë njeriu gjynahe sa qielli e Toka, rahmeti i Allahut është më i madh. Kush pendohet sinqerisht për gjynahet dhe gabimet e veta, do të gjejë se Allahu falë shumë. Përpos pejgamberëve (a.s), askush tjetër nuk është pa gjynahe. E vazhdimësia në gjynahe, pa bërë teube, mund të çoj në kufr (pabesim). Gjynahet e vazhdueshme tek Allahu janë shumë të rënda. edhe nëse neve mund të na duken të parëndësishme, Prandaj kur njeriu i lëshohet vazhdimësisë në gjynah, ai do ta ngarkojë veten me shumë dëm e rreziqe; një prej tyre edhe se e ndjen veten të sigurt prej dënimit të Allahut. Por Allah Teala thotë:
A mos u siguruan ata prej ndëshkimit të Allahut? Nuk sigurohet kush prej frikës së ndëshkimit të Allahut pos njerëzve të humbur (Araf: 99),
Mos-frika prej ndëshkimit të Allahut nxit vazhdimësi në gjynah, ndërsa teube pa e ndjerë pendimin për ato gjynahe është shenjë e humbjes së imanit. Prandaj pas çfarëdo gjynahi, patjetër nga thellësia e shpirtit bëji dua Allahut: Jaa Rabbi im, pishman jam për të gjitha gjynahet që i kam bërë. Sikur mos t’i kisha bërë! Inshallah nuk do t’i bëj më.
Mashtrohet ai që mendon se ka shpëtuar sepse bën ibadet – falë namaz, agjëron, jep zekat e shkon në haxh; kur njeriu mbështetet te vetja, shejtani e mposhtë. Vet Iblisi u mbështet te vetja, edhe u mburr me këtë, prandaj u bë prej të humburve. Allah Teala thotë:
Thuaj: A t’ju tregojmë për më të dëshpëruarit në veprat e tyre? Ata janë veprimi i të cilëve u asgjësua në jetën e kësaj bote, e megjithate ata mendojnë se janë kah bëjnë mirë (Kehf 103, 104).
Në veprat e dijetarëve të mëdhenj të Islamit përmenden tri lloje të teubes:
- teube individuale;
- teube me imam, në xhemat, xhami apo mbledhi fetare; dhe
- teube me Murshid-i Kamil.
Teuben e parë e të dytë muslimani e bën më shpesh (edhe duhet), por te vetja nuk përjeton ndonjë ndryshim të madh; nuk është i qëndrueshëm në pendimin e vet. Ndërsa lloji i tretë i teubes është pendimi me bejat (duke ia mbajtur dorën) Murshidit Kamil (Mësuesit të përkryer), që është i qëndrueshëm në sheriat dhe i zbukurar me ahlakun e Resulallahut (s.a.v.s).
Në rrugë të Allahut insanin e pengojnë 3 armiq, të cilët edhe e fusin në gjynahe, e armiku më i rrezikshëm, më tinzari, është nefsi i vet.
Epshi është shumë nxitës për të keqen (Jusuf 53).
Ne e krijuam njeriun dhe e dimë se ç’përshpërit ai në vetvete (Kaf 16).
E kush u frikësua paraqitjes para Rabbit të vet dhe ndaloi veten prej epsheve, xhenneti është vendi i tij (Naziat 40, 41).
Më e vështira për nefsin është ta pranojë një mësues, duke u arsyetuar se edhe mësuesi është njeri, si ai, e i jep përparësi vetes. Prandaj edhe pabesimtarët asnjëherë nuk mundën t’i pranojnë pejgamberët (a.s), njëjtë duke thënë se edhe pejgamberët janë njerëz, si ata. Nuk e ditën se zemrat e pejgamberëve (a.s) janë nur që ndriçojnë rrugën.
O ti Pejgamber, Ne të dërguam ty dëshmues, lajmëtar, përgëzues e qortues.
Dhe me urdhrin e Allahut, thirrës për në rrugën e Tij, dhe pishtarë ndriçues.
Ahzab 45, 46
E Murshidi Kamil është trashëgimtar i Resulallahut (s.a.v.s), zemra e tij është e ndriçuar me ilm (dituri) dhe ashk (dashuri), dhe kjo tërheq zemrën e muridit (nxënësit), si magnet. Murshidi vazhdimisht është në takva (devotshmëri), dhe i bën ibadet Allahut sikur po e sheh Allahun, dhe:
S’ka dyshim se Allahu është me ata që janë të devotshëm dhe me ata që janë bamirës (Nahl 128). Kjo është cilësia e vetme që i veçon ata nga njerëzit e tjerë, asgjë tjetër. E sureja Huxhurat na tregon faziletin (vlerën e lartë) që këta njerëz e kanë tek Allahu. Por nefsi kërkon të jetë mbi të tjerët, dhe përfundimisht arrin në kulmin e mendjemadhësisë, si faraoni, duke e shpallur veten zot.
Armiku i dytë është shejtani, dhe armiqësia e tij është e ditur, nuk ka nevojë për shpjegim, ndërsa armiku i tretë është shoku i keq. Për dëmin e shokut të keq na tregoi Resulallahu (s.a.v.s), kur tha:
Njeriu është në fenë e shokut të vet; dhe njeriu as që është i vetëdijshëm se si e ndikon ahlaku (morali) i shokut të vet. Që të tre këta armiq janë të armatosur me mashtrime, e fuqia dhe këmbëngulja jonë nuk mjaftojnë; kemi nevojë për ndihmën e dikujt të qëndrueshëm në iman. Me aso personi është rahmeti dhe ndihma e Allahut, prandaj me udhëzimin e tij mund të shpëtojmë prej armiqve tanë. Kjo është arsyeja pse Allah Teala pas Resulallahut (s.a.v.s) ju dërgon muslimanëve ushtarët e Tij – dijetarët – që janë trashëgimtarë të Resulallahut (s.a.v.s), që ne të përfitojmë nga udhëzimi i ushtarëve të Allahut kundër armiqve që na sulmojnë në rrugën e Allahut. Kjo është detyra dhe dëshira e dijetarit – ta ndihmojë muslimanin në luftë kundër armiqve të tij.
EDEBI I TEUBES
Pasi që bëhet teube duke përsëritur fjalët së bashku me murshidin: Ja Rabbi im! Pishman jam për të gjitha gjynahet që i kam bërë. Sikur mos t’i kisha bërë! Inshallah nuk do t’i bëj më, duhet të përmbushen tetë kushtet, që të bëhet lidhja me murshidin dhe përfundimisht të hyhet në tarikat. Ky është hapi i parë në edukim shpirtëror. Këto tetë kushte thirren edhe tetë shartet, e bëhen pas jacisë, para gjumit:
1. Merret abdesi i namazit (duke menduar pendimin)
2. Merret gusuli (duke menduar pendimin)
3. Falet namazi istihare, dhe ai që i di suret Kafirun dhe Ihlas, i lexon këto në namaz.
4. Bëhet teubeja: Ja Rabbi im! Pishman jam për të gjitha gjynahet që i kam bërë. Sikur mos t’i kisha bërë! Inshallah nuk do t’i bëj më (3 herë)
5. Symbyllur thuhet estagfirullah, së paku 25 herë, e më së shumti 75 herë. Më e pëlqyeshmja është të thuhet 33 herë, e shartet vijuese vazhdojnë symbyllur:
6. Lexohet 8 herë Fatiha;
7. Bëhet rabita e vdekjes;
8. Bëhet rabita e Murshidit; dhe thuhet estagfirullah (më e pëlqyeshmja 33 herë), pastaj i hap sytë.
Këto detyra bëhen vetëm një herë. Pasi kryhen, flihet, dhe deri të lind Dielli nuk ha, nuk pi, nuk flet, nuk bën marrëdhënie me gruan; mundësisht edhe të flejnë ndaras, ose të mbulohen veç-e-veç. Pasi fle së paku gjysmë ore, lejohet të ngrihet për ibadet të natës, namaz, dhikr etj. Atij që i kryen këto edebe në Ramazan, i lejohet të hajë syfyr, sepse shërben për tu kryer një ibadet farz, e kjo i lejohet edhe nëse po agjëron kaza ose nafile. Të sëmurët edhe gjatë natës mund ta vazhdojnë terapinë, kjo nuk e prishë kushtin. Ata që janë të detyruar të flasin për shkak të sëmundjes ose ndonjë arsye tjetër, le të flasin aq sa është e domosdoshme. Ata që mosngrënia ju paraqet problem serioz apo nga uria mund të bien në gaflet, mund të hanë. Ata që janë të detyruar të punojnë gjatë natës e nuk kanë mundësi të kryejnë edebet natën, mund ti kryejnë ato gjatë ditës, por pasi t’i përfundojnë mundësisht të flejnë gjysëm ore, e nëse nuk kanë gjumë, të pushojnë pak. Kjo mjafton. Nëse fle dhe ka ëndërruar ëndrra të rëndësishme e të veçanta, duhet t’i tregohet murshidit. Nese nuk ka mundësi që t’i tregohet murshidit atëherë i tregohet vekilit të tij. Nuk është kusht të shihet ëndërr, dhe muridit nuk i lejohet të veprohet me ëndrrën që e sheh; vepron vetëm me sheriat. Pas edebit të teubes mund të merret udhëzimi për hatme dhe rabita, e pasi të mësohen përmendësh emrat e Sadati Kiram, mund të merret edhe udhëzimi për vird.
EMRAT E SADAT-I KIRAM
1. Shah-i Nakshibend (k.s)
Shejh Abdylkadir Gejlani (k.s)
2. Shejh Abdylhalik Gixhduvani (k.s)
Imam Rabbani (k.s)
3. Shejh Mevlana Halid el-Bagdadi (k.s)
Sejid Abdullah (k.s)
4. Shejh Sejid Taha (k.s)
Sejid Sëbgatullah Arvasi (k.s)
5. Shejh Abdurrahman Tahi (k.s)
Shejh Fetullah (k.s)
6. Shejh Muhammed Dijauddin (k.s)
Shejh Ahmed Haznevi (k.s)
7. Shejh Sejid Abdylhakim Husejni (k.s)
Shejh Sejid Muhammed Rashid Husejni (k.s)
për shpirtat e tyre, dhe
8. Për shpirtin e hazreti Gavs-i Sani (k.s)
Ata që e bëjnë virdin (dhikrin), pas çdo 100 herë që e përmendin emrin e Allahut, thonë me zë të ulët:
“ilahi ente maksudi ve ridake matlubi” (Allahu im, qëllimi im je Ti dhe kënaqësia Jote është kërkesa ime).
Çdo murid i cili me dije ose pa dije bën ndonjë gjynah të madh dhe e konsideron veten se ka dalë nga tarikati, nuk i kryen detyrat e tarikatit ose nuk mundet për ndonjë arsye të shkojë tek murshidi për më tepër se një vit a më shumë, duhet ta përsërisë bejatin dhe t’i kryejë sërish tetë kushtet e adabit.
BEJAT
lidhja e zemrës me litarin e Allahut
Dhënja e bejatit dhe lidhja me murshidin kanë qenë traditë qysh në kohën e Resulallahut (s.a.v.s) dhe të Hulefai Rashidinëve. Për Bejat flitet në suret Feth dhe Mumtehine, dhe në shumë hadithe të besueshme. Në hadithe bile thuhet se ai që vdes pa bejat vdes xhahil (i paditur). Ai që nuk e lidh zemrën e vet me litarin e Allahut – pra me zemrat e të sinqertëve, të drejtëve e të ndershmëve, do të pengohet nga shumë mirësi dhe nga dituria që me rahmetin e Allahut ata e zbresin në zemrat e njerëzve. Në hadithe nuk thuhet se ai që vdes pa bejat vdes si pabesimtar, por si xhahil. Ai që nuk është nën bejat, është shumë i kufizuar në ihsan (bërja ibadet sikur të shihet Allahu), nuk do ta njohë as nuk do ta shijojë alem-i melekut (botën shpirtërore). Njeriu deri diku edhe mundet që i vetëm të përballojë shumë sfera të islamit dhe të imanit, mirëpo në sferën e ihsanit assesi nuk mundet pa bejat. Secili musliman përfiton nga një murshid, sepse pa murshid, i vetëm, nuk do të mund të arrijë deri në marifet (njohuri; dituri; njohja e së vërtetës). Edhe dijetarit i nevojitet dora e evlijasë (i dashur i Allahut), sepse edhe ai vet pa murshid dhe pa nur në zemër, humbet në dituri. Besimi i tij do të mbetet vetëm brenda sferës së arsyes, ndërsa zemra i mbetet në gaflet. Hushu (frikërespekti ndaj Allahut), ihlas (sinqeriteti), tefekkur (vrojtimi me syrin e zemrës), basiret (syqelësia e zemrës) dhe cilësi tjera të mahnitshme, janë gjendje dhe dituri që vetëm zemra mund ti shijojë; mendja vetvetiu nuk mund t’i njohë ato. Duhet ditur se murshidi është trashëgimtar i Resulallahut s.a.v.s. As’habët kanë bërë teube për vete, mirëpo edhe kanë shkuar te Resulallahu s.a.v.s. që ai të kërkojë falje për ta. Ky është shkurtim i rrugës. Shikimi i Pejgamberit a.s. përshpejton udhëtimin e zemrës. Allahu Teala thotë:
Ne i kemi nisur të dërguarit vetëm me qëllimin që njerëzit, me lejen e Allahut, t’u binden atyre. Dhe në qoftë se ata, kurdo që ta ngarkonin veten (me gjynahe), të vinin te ti për t’i kërkuar falje Allahut dhe i Dërguari t’i lutej Allahut për shfajësimin e tyre, do ta vërenin se Allahu, me të vërtetë, është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë. 4-Nisa: 64
Kështu vepron edhe murshidi duke pasuar Resulullahun s.a.v.s. Duke shqiptuar fjalët e teubes, murshidi kërkon falje për vete prej Allahut Teala, dhe në të njejtën kohë kërkon falje edhe për muridin të cilit ia mbanë dorën. Ata që e mohojnë këtë dhe e konsiderojnë si të pavlerë dhe të pakuptimtë, duhet ta dinë se kështu kanë reaguar edhe munafikët kur janë thirrur të vijnë tek Resulallahu s.a.v.s. që ai të kërkojë falje për ta:
E kur u thuhet: Ejani te i dërguari i Allahut që ai të kërkojë prej Tij falje për ju; ata tundin kokat dhe i sheh si ta kthejnë shpinën duke e mbajtur veten të madh. 63-Munafikun: 5
Askush nga muridët, kur bën bejat nuk ka thënë e as nuk thotë: “O shejhu im, falmi ti gjynahet e mia, më shpëto nga xhehenemi dhe më fut në xhennet“; secili musliman e di se kjo e drejtë i takon absolutisht vetëm Allahut Teala! Prandaj teubeja nuk është kërkimfalja te Allahu, nga njeriu për njeriun. Përkundrazi, murshidi në rend të parë kërkon falje për veten e vet, dhe vetëm pastaj edhe për besimtarët tjerë, siç është urdhëruar Resulallahu s.a.v.s.:
Atëherë, dije se nuk ka ilah tjetër pos Allahut, kërko falje për gjynahun tënd, të besimtarëve e të besimtareve. 47-Muhammed: 19
Murshidi dhe muridi, duke u mbajtur për dore, së bashku bëjnë teube duke thënë fjalët:
O Rabbi im, pishman jam për të gjitha gjynahet që i kam bërë. Mos t’i kisha bërë. Inshallah më nuk do t’i bëj.
Murshidi e do shumë ummetin e Resulallahut s.a.v.s., prandaj kërkon falje edhe për ta, e kjo është cilësia më e veçantë dhe më fisnike e evlijave:
Ata thanë: O babai ynë, lutu për neve të na falen mëkatet tona, se me të vërtetë ne kemi qenë fajtorë.
Më vonë do t’i kërkoj Rabbit tim faljen tuaj, tha ai (Jakubi), se vërtetë Ai është që falë, është Mëshirues.
12-Jusuf: 97, 98
Kush e kupton drejtë bejatin dhe teuben me murshidin, ai do të kuptojë drejtë edhe dorëzimin dhe nënshtrimin atij; murshidi është ushtar i Allahut, është i armatosur me armën e Allahut, zemrën e ka të mbushur me njohuri e dashuri, dhe e urdhëron sheriatin. Dhe muridi i nënshtrohet atij përderisa ai i nënshtrohet Allahut Teala dhe Resulallahut s.a.v.s.. Kjo është arsyeja pse muridi e do dhe e pason. Kur Ebu Bekër es-Siddik u bë halife, tha: “Përderisa unë i nënshtrohem Allahut dhe Resulallahut, për detyrë e keni që ju të më nënshtroheni mua, sepse Allahu këtë e kërkon nga ju. E nëse unë devijoj nga rruga, atëherë askush mos të më pasojë.” Siç ju kanë nënshtruar besimtarët halifes, ashtu edhe muridi i nënshtrohet murshidit. Përderisa nuk kemi mundësi të vizitojmë murshidin, teuben do ta themi me ndonjë vekil të caktuar nga murshidi, nga i cili do të marrim edhe udhëzimet e tetë sharteve. (Edebi i teubes) Ne ju drejtohemi atyre, ata na kapin për dore dhe bashkë bëjmë bejatin (mashkulli te vekili mashkull, e femra te vekili femër), duke i shqiptuar fjalët e teubes:
O Rabbi im, pishman jam për të gjitha gjynahet që unë i kam bërë. Mos t’i kisha bërë. Inshallah më nuk i bëj.
DETYRAT E MURIDIT
VIRD
Vird quhet dhikri i rregullt që bëhet çdo ditë. Është si terapia e duhur që e merr i sëmuri nën kontrollin e mjekut. Në sëmundjen e gafletit (pakujdesisë), ilaçi më i ndikueshëm është dhikri i rregullt e i vazhdueshëm. Qëllimi në tasavvuf është zgjuarja e zemrës dhe lidhja e saj me Allahun Teala, me çka përfitohet edukatë dhe kënaqësi. E dhikri është rruga më e lehtë dhe më e shkurtë. Vlera më e madhe e dhikrit është se Allahu Teala e përmend në një mënyrë të veçantë robin e vet i cili e përmend (bën dhikr) Allahun. Rabbi i botëve, Allahu Teala thotë:
Pra ju më kujtoni Mua, Unë ju kujtoj juve. 2-Bekare: 152
Nëpërmjet këtij lajmi të gëzueshëm është treguar rëndësia e madhe e dhikrit. E lajm të posaçëm për ata të cilët bëjnë dhikër e sjell hadithi kudsij:
Kur një rob i Imi më përmend mua, Unë jam me të. Nëse robi Im më përmend në vete (fshehtë) Unë do ta përmendi ate në Veten Time në mënyrë të veçantë. Nëse më përmend Mua në një shoqëri, Unë do ta përmendi në një shoqëri edhe më të mirë (mes të melekëve).
(Buhari, Tevhid, 15; Muslim, Zikr, 21; Tirmizi, De’avat, 131, Ibnu Maxhe, Edeb, 58)
Ajeti i ardhshëm na njofton për ata që kanë mençuri të vërtetë:
Për ata që Allahun e përmendin me përkujtim kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë dhe thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve e të tokës. 3-Al-i Imran: 191
Mufesiri i madh Fahreddin Raziu r.a., ka thënë: “Nëse robi vazhdimisht me gjuhë bën dhikr, me gjymtyrë bën shukër (falënderohet), me zemër thellohet në mendime, dhe me tërë qenien i robërohet Allahut Teala , atëherë ai rob vertetë bëhet insan.” (Razi, Mefatihu’l-Gajb, IX, 110)
Në një ajet tjetër Allahu Teala kështu e përshkruan gjendjen e atyre që në çdo moment janë me Allahun:
Ata janë njerëz që nuk i pengon as tregtia e largët e as shitblerja në vend për ta përmendur Allahun, për ta falur namazin dhe për ta dhënë zeqatin, ata i frikësohen një dite kur do të tronditen zemrat dhe shikimet. 24-Nur: 37
Në tefsirin (komentimin) e këtij ajeti, Allame Alusi ka thënë: “Në ummetin islam shumë nga ehli-tarikët, e sidomos të mëdhenjtë e tarikatit Nakshibendi, kanë arritur gjendjen e dhikrit të përhershëm të përmendur në këtë ajet, dhe këtë ia kanë vënë vetes si qëllimin më të madh. Aq fortë është vendosur ky dhikër në zemrat e tyre, sa që në asnjë moment nuk kanë qenë gafil (të pakujdesshëm) ndaj dhikrit të Allahut Teala.”
Prandaj miqtë e Allahut Teala na e preferojnë këtë lloj të dhikrit në mënyrë që edhe ne të arrijmë tek këto lajme të gëzueshme. E Resulallahu s.a.v.s. thotë:
Dhikri ma i hajrit është dhikri hafi (i fshehtë).
(Ahmed, Musned, I, 172; Ebu Ja’la, Musned, II, 82; Ibnu Hibban, Sahih, 809)
Arifët e kanë definuar dhikrin si diplomën e evlijallëkut. Pa dhikër, zemra nuk zgjohet, dhe prej gafilit nuk bëhet veli. Gavs-i Sani Sejjid Abdulbaki (k.s) me një sohbet (bisedë) rreth dhikrit thotë: “Dhikri është ushqim për zemrat; zemra e cila nuk e merr ushqimin e vet, dobësohet dhe në fund vdes. Zemra vetëm me dhikër ushqehet, forcohet, ëmbëlsohet dhe gjen jetë shpirtërore. Harami dhe gabimet janë ushqim për shejtanin. Gjynahet e dobësojnë zemrën e njeriut dhe e forcojnë armikun – nefsin dhe shejtanin. Për këtë arsye brenda njeriut zemra, nefsi dhe shejtani janë në gjendje ballafaqimi të pandërprerë.”
Allahu Teala thotë:
Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut! 13-Rra’d: 28
Sipas edukimit në rrugën e Nakshibendive, dhikri bëhet hafi (pa zë, i fshehtë), dhe atë tri llojesh: kalb, letaif, dhe nefj-i isbat.
DHIKR-I KALB (Dhikri i zemrës)
Kalb, në shqip do të thotë zemër. Kjo fjalë përmbanë dy kuptime: i pari ka të bëjë me organin në trupin e njeriut – zemrën materie, ndërsa kuptimi i dytë ka të bëjë me egzistencën shpirtërore të zemrës, e cila nuk mund të shifet me sy, e që në tesavvuf njihet me emrin Letaif-i Rabbanije-i Ruhanije. Kjo zemër ka marrëdhënje me zemrën materie dhe pikërisht ky është hakikati (esenca) e njeriut. Kjo është zemra që kupton dhe njeh. Kësaj zemre i drejtohet, i jepen urdhra, qortohet, detyrohet… pra – prej kësaj zemre kërkohet. Për të marrë detyrën e dhikrit të zemrës, ka tri kushte:
(1) Të bëhet teube dhe bejat – lidhja me murshidin, dhe të kryhen 8 kushtet e adabit;
(2) Të dihen përmendësh emrat e Sadati Keram (Dijetarëve të lavdueshëm) të kësaj rruge;
(2) Ta ketë gishtin e shehadit në dorën e djathtë (nuk e ka të këputur ose ngjashëm).
Ky vird i rekomandohet çdonjërit, mirëpo lihet në dëshirën individuale – nuk është i obliguar. Muridi që dëshiron të përdorë virdin, atij fillimisht i jepet dhikri i zemrës. Me tesbih në dorë, mbi zemër, bëhet dhikër emri i lavdishëm: Allah, Allah..
Allah është emri i veçantë i Krijuesit tonë. Ky emër nuk rrjedh prej asnjë fjale tjetër , nuk i është dhënë asnjë krijese tjetër, e as që do t’i jepet ndonjëherë. Të gjithë Emrat e Bukur (Esma-i Husna) të Allahut Teala, si edhe të gjitha kuptimet e tyre, përfshihen nën emrin e lavdishëm – ALLAH. Të bëhet dhikër me emrin e lavdueshëm ALLAH është sikur të bëhet dhikër me të gjithë Emrat e Bukur (Esma-i Husna).
Në rrugën e Nakshibendive çdo vird fillon me 25 herë Estagfirullah, dhe mbaron me po aq, dhe bëhet me sy të mbyllur.
Dhikri i zemrës fillon prej 5000 herë ndërsa më pak nuk bëhet, dhe vazhdon deri në 21000 herë.
Dhikri Letaif fillon prej 23000 deri 101000.
Nefj-i isbat, dhikri më i lavdueshëm – la ilahe illallah. Këtij dhikri i thuhet edhe Kelime-i tevhid dhikr, ndërsa mënyrën se si bëhet dhikri e shpjegon vet Murshidi, ose vekili të cilin Murshidi e ka obliguar me detyrë.
HATME
Hatma haxhegan bëhet në hallkë (rreth) dhe është një prej dhikrave më të lavdueshëm. Dhikri në xhemat është i lavdueshëm mirëpo nuk është i cekur se çka duhet të thuhet apo të lexohet. Për këtë arsye, secili dhikr që bëhet në këtë mënyrë (në hallkë) është i mirë dhe do të arrihet ajo që është përmendur në hadithe ku lavdërohet dhikri në xhemat. Dhikri dhe duatë që thuhen në hatme janë marrë prej sunnetit. Mënyrën e sotme të hatmes tonë e ka rregulluar Hazreti Abdulhalik Gixhduvani (k.s) dhe quhet Hatme Haxhegan. Një prej shkaqeve për emërimin Hatme (mbarim, vulosje, leximi i Kur’anit prej fillimit deri në fund) është sepse, kur janë mbledhur të mëdhenjtë e kësaj rruge me muridët e vet apo në ndeja të thjeshta, mbledhitë i kanë përfunduar me këtë dhikr. Për shkak se kjo praktikë ka qenë specifike vetëm për ta, ky dhikër është quajtur Hatme Haxhegan. Haxhegan do të thotë: mësues i madh, hoxhallarë të mëdhenj, të parët e të mëdhenjve. Arsyeja e dytë pse ky dhikër quhet hatme është fakti se sevapet për lexim të sureve Fatiha dhe Ihlas në këtë dhikër i përgjigjen shpërbilimit sikur të bëhet hatme i tërë Kur’ani. Resulallahu s.a.v.s., po na sjell lajmin e gëzueshëm se kush e lexon tri herë suren Ihlas ka sevape sikur të ketë bërë hatme Kur’anin. Në Hatmet e mëdha të Haxheganit surja Ihlas lexohet 1000 herë, pra – pritet i njejti shpërblim sikur të bëhet hatme Kur’ani 333 herë. Prandaj të mëdhenjtë e kësaj rruge i kanë dhënë rëndësi të madhe këtij dhikri dhe e kanë praktikuar gjatë gjithë jetës, duke mos e lënë, përveq në raste të sëmundjeve serioze apo të udhëtimeve të rënda. Hatma bëhet ashtu si e kanë zgjedhur dhe praktikuar të parët e Nakshibendijve, dhe atë në dy mënyra: Hatma e madhe dhe Hatma e vogël.
Hatma e madhe bëhet në xhemat me së paku 11 veta duke përfshirë edhe imamin, dhe ku të gjithë duhet të dinë suren Elemneshrahleke (Inshirah). Në Hatmen e Madhe lexohen suret Fatiha, Elemneshrahleke, 1000 herë sureja Ihlas dhe salavatet. Nëse të gjithë nuk e dijnë surën Elemneshrahleke apo janë më pak se 11 veta, atëherë bëhet Hatma e vogël.
Në Hatmen e vogël lexohen surja Fatiha, 100 herë salavatet dhe Ja Baki, Entel Baki.
Salavatet thuhen kështu: Allahumme sali ala Sejjidina Muhammedin ve ala ali Sejjidina Muhammed.
Hatma bëhet çdo ditë pas namazit të ikindisë apo të jacisë. Ai që merr pjesë në hatmen e ikindisë nuk mund të merr pjesë në hatmen e jacisë, që do të thotë se brenda një dite mund të merret pjesë në vetëm një hatme. Në fund të hatmes bëhet dua, ndërsa në rastet kur hatma bëhet pas namazit të ikindisë lexohet sure Nebe, ndërsa pas namazit të jacisë sureja Mulk. Ata që nuk i dinë këto sure, lexojnë suret Elemneshrahleke apo Nasr.
RABITA
Rabita do të thotë lidhje e një sendi me diçka tjetër; qëndrueshmëri; të mendohet mbi një çështje; lidhje dhe interesim mes dy gjërave. Në tasavvuf, rabita është mënyrë e edukimit, mirëpo kjo fjalë ka përfituar gjithashtu një kuptim tjetër të veçantë, të cilin Arifët e mëdhenjë kështu e kanë shpjeguar: Rabita është lidhja me një Murshid kamil, i cili ka arritur në nivelin e të kuptuarit me anë të basiretit (shikimit të zemrës), ka përjetuar praninë hyjnore dhe është zbukurar me nur dhe edukatë. Pra, rabita është lidhja e zemrës me një Murshid Kamil, të atillë që zemra i është bërë qendër për pranimin e nurit hyjnor, qendër për njohje, bekim, bujari, dashuri dhe dituri prej Allahut Teala, e të cilat të gjitha rrjedhin në zemrat e atyre që janë drejtuar nga ai, dhe janë lidhur me dashuri për të. Kjo zemër e fortë e ushqen zemrën e dobët të muridit. Në tasavvuf, Murshidi kamil është qendra e edukimit. Murshidi të cilit i bëhet rabita, e ka përmirësuar nefsin e vet, ka arritur në makamin huzur (i vetëdijshëm që është gjithmonë në prezencë të Allahut Teala), ka arritur në gjendjen e nënshtrimit të plotë ndaj Allahut Teala, dhe çka është më e rëndësishmja – ka marrë obligimin për të edukuar njerëzit (irshad). Kompetencën për edukimin e njerëzve Murshidi nuk e merr prej popullit por prej Allahut Teala. Mirëpo kjo kërkon punë, dituri, njohje dhe zgjuarësi. Në të vërtetë, ai që vet nuk është edukuar, nuk mund të edukojë as dikë tjetër. Rabita nuk i bëhet atij që nuk e ka lejen e irshadit. Në këtë rast, ai që bën rabita si dhe atij të cilit i bëhet rabita nga kjo do të kenë vetëm dëm. Murshidit të cilit i bëhet rabita duhet të jetë trashëgimtar i Resulallahut, s.a.v.s.. Shikimi i tij është shërim, ai posedon ndikim shpirtëror dhe posedon leje për shërim. Duke e lidhur kështu zemrën me një murshid, si në prezencë ashtu edhe në jo-prezencë, paramendohet pamja dhe shpirtëria e tij, paramendohet se është bashkë me të, apo afër tij, e sjelljet qe i ka gjatë kohës kur është me murshidin, duhet t’i ketë edhe kur është larg tij. Kësaj i thuhet rabita. Thelbi i rabitas mbështetet në dashuri. Rabita e dashurisë realizohet nërpëmjet nivelit më të lartë të dashurisë dhe edukatës ndaj murshidit. Me anë të kësaj rabite muridi që vazhdon ngadalë mirëpo në mënyrë të vazhdueshme, ngjyroset me ngjyrën e murshidit, merr gjendje prej gjendjes të tij, mbulohet me ahlakun e tij, ëmbëlsohet me dashurinë e tij, zbukurohet dhe bëhet insani kamil (njeri i përkryer), sepse rabita e dashurisë ia mundëson atij që don të merr cilësitë e atij që duhet; muridi merr cilësitë e murshidit. Duhet të dihet se njeriu e ka shumë të vështirë që i vetëm të ngritet në nivelin e vetkontrollimit dhe të përfitojë gjendjen e bindjes së plotë e të soditjes shpirtërore. Për këtë arsye, për atë që do të ngritet në këto gjendje të bukura i duhet një murshidi kamil, i cili i di këto gjendje dhe e di rrugën që çon deri atje. Nëse muridi e gjen një murshid të tillë, atëherë ai duhet ta bëjë shpirtërinë e murshidit mjet për të përfituar nur dhe njohuri hyjnore, ndërsa rruga më e shkurtë për të arritur deri këtu është rabita e dashurisë. Në prezencë të murshidit, muridi e ka të lehtë të përfitojë njohuri, por si në prani ashtu edhe në mos-prani, për të marrë njohuri hyjnore, duhet t’i drejtohet zemrës së murshidit dhe të paramendojë pamjen e tij. Në fenë tonë, rabita është një lloj tefekkuri (mendim, meditim), mendim në krijesa e në fenomene natyrore, nëpërmjet të cilave arrihet aftësia për të njohur mëshirën, urtësinë dhe fuqinë hyjnore. Kjo shndërrohet në mjet me të cilin zemra bën dhikër. E tefekkur (mendimi, meditimi) është farz! Detyra kryesore e zemrës është që me anë të ndërmjetësimit të meditimit të zgjohet dhe të lidhet me Allahun Teala. Çdo krijesë, përveq Dhatit (Qenies) së Allahut Teala, në imagjinatë mund të paramendohet dhe rreth tij të mendohet thellë.
Të bëhet rabita është veçanti e njeriut. Kushdo që ka zemër dhe shpirt bën një lloj të rabitas. Mirëpo, jo çdo lloj i rabitas e zgjon zemrën dhe e lidh atë për Allahun Teala dhe për ahiret. Në tasavvuf, rabita është të menduarit për njeriun e përkyer (insani kamil), i cili kur të shihet, të nxit për ta përkujtuar dhe për ta përmendur Allahun Teala. Zemra e insani kamil është vendi ku më së shumti zbret dhe manifestohet shikimi i Allahut. Zemra e tij është e mbushur me dashuri hyjnore dhe me dhikr. Zemra e cila lidhet me të, me këtë dashuri dhe këtë dhikër – gëzohet, ushqehet, forcohet dhe bëhet e qëndrueshme. Rabita është kur muridi paramendon murshidin kamil dhe mendon lidhjen e zemrës së tij me zemrën e murshidit. Rabita është bashkimi i shpirtave që duhen mes vete. Rabita është rrjedhje e njohurisë hyjnore prej zemrës në zemër. Rabita është shikimi i zemrës ndaj zemrës dhe rrjedhja e dashurisë. Mjeti më i mirë për edukimin e muridit është pikërisht rabita. Rabita sipas fesë sonë, nuk është ibadet sikur namazi i cili ka formën, kohën dhe rregullat e caktuara për kryerjen e tij. Ajo është zgjim dhe përmirësim i zemrës për kryerje të ibadetit, siç është namazi, me kënaqësi dhe vëmendje të plotë. Rabita është mjet për edukim shpirtëror. Ajo është ilaçi më i mirë për rregullimin e nefsit të egërsuar. Rabita është zgjim i zemrës së pakujdesshme dhe lidhje me zemrën e zgjuar. Rabita është lidhje me zemrën në të cilën pandërprerë rrjedhë njohuria hyjnore, dhe pranimi nga ajo zemër i dashurisë dhe i kësaj njohurie. Thelbi i rabitës, ashtu siç kanë thënë të mëdhenjtë e kësaj rruge, ndërtohet mbi këto ajete:
O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe bëhuni me ata që janë të sinqertë (në fjalë dhe në vepra)! (Teube, 119), dhe,
O ju që besuat! Kini frikë Allahun dhe kërkoni vesile për afrim tek Ai, luftoni në rrugën e tij që të gjeni shpëtim. (Maide, 35).
Në të dy ajetet urdhërohet devotshmëria. Për t’u arritur devotshmëria, në ajetin e parë urdhërohet shoqërimi me robët e sinqertë të Allahut Teala, ndërsa në të dytin, lidhja me mjetin (vesile) e cila të nxit dhe të çon në rrugën e devotshmërisë, pra shfrytëzimin e të gjitha metodave për edukimin e shpirtit. Prandaj, rabita është formë e shoqërimit me murshidin – robin e sinqertë dhe mikun e vërtetë të Allahut Teala. Zgjatja e dorës dhe lidhja me murshidin (bejat, intisab) përfaqëson hapin e parë të udhëtimit të përbashkët në rrugën e Allahut Teala. Ai që pranon edukimin nga murshidi, nëpërmjet kësaj ka filluar shoqërimin e jashtëm me të. Mirëpo qëllimi primar është shoqërimi shpirtëror dhe nga zemra me murshidin. Ai që e ka zemrën të lidhur me një murshid kamil, për të murshidi është mjeti më i mirë në rrugën drejt Allahut Teala. Përfitimet e kësaj lidhjeje janë dhikri (përmendja) dhe edukimi, me një fjalë – devotshmëria. Në këtë rrugë murshidi nuk ka kurrfarë obligimi tjetër përveq se të shërbejë si lidhje dhe mjet për të arritur tek Allah Teala. Muridi që rregullisht e bën rabitan ngritet në mekamin (shkallën) fena fillah. Ky mekam është mertebe (gradë) e ihsanit, që është gjendja kur i robërohesh Allahut Teala sikur ta shohësh Atë. Kur murshidi e dërgon muridin në këtë nivel, ai ia lë muridin Allahut Teala në amanet, dhe tërhiqet nga ndërmjetësimi mes Rabbit dhe robit. Atëherë rabita kalon në murakabe (vetëkontroll). Kjo do të thotë se muridi sigurisht e di dhe e ndjen se në çdo moment është nën vështrimin dhe kontrollin e Allahut Teala. Në këtë mënyrë, muridi, zemra e të cilit është zgjuar dhe me tërë qenien e vet bën dhikër Allahun Teala, ka arritur në nivelin në të cilin mediton rreth të gjitha krijesave në gjithësi. Atëherë, çdo gjë për të është shkak për dhikr. Murshidi kamil është vendi i fshehtësive hyjnore. Fshehtësia hyjnore dhe nuri hyjnor, duke filluar prej Resulallahut, s.a.v.s., përmes ndërmjetësimit të trashëgimisë shpirtërore, arrijnë nga një insani kamil te tjetri, dhe prej njërit nga të mëdhenjtë tek tjetri, për të arritur përfundimisht tek një murshidi kamil (mësues i përkryer). Prej tij bartet tek muridi, i cili lidhet për të. Përftimi më i madh i rabitas është lidhja e zemrës me zemrën që është qendër e shpërndarjes së këtij nuri, dhe ndriçimi i zemrës me këtë nur. Rabita mund të bëhet në mënyra të ndryshme. Meqenëse rabita në thelb është dashuri, jo të gjithë njerëzit e kanë nivelin e njejtë të dashurisë dhe të muhabetit. Sigurisht, rabita i ka rregullat dhe edukimin e vet në bazë të të cilave duhet të bëhet. Sipas kohës dhe mënyrës që bëhet, të mëdhenjtë e kësaj rruge e kanë ndarë rabitën në dy lloje:
Rabita në prezencë të murshidit; dhe
Rabita në mosprezencë të murshidit, që prapë ndahet në dy:
Rabita e vazhdueshme,
që bëhet gjatë gjithë kohës, por ata që e bëjnë sipas metodës së caktuar nga murshidi, kanë përfitim më të madh; dhe,
Rabita si vird ditor
që bëhet pas çdo namazi të akshamit ku me abdest rrin i kthyer kah Kibla, i mbyll sytë dhe para se të nisë rabitan thotë 25 herë estagfirullah. Gjatë muajit të Ramazanit bëhet pas namazit të drekës.
11 Parimet
qëndisja e dhikrit në zemër
Abdulhalik Gixhduvani (k.s) dhe të mëdhenjtë e tjerë pas tij, vendosën 11 Usulet (metodë, parim) të tarikatit Nakshibendi, për dhikr të vazhdueshëm në zemër, parim i dëshiruar për secilin musliman, e të domosdoshme për secilin udhëtar të rrugës së drejtë. Ai që i jeton, e ka arritur rizanë e Allahut; i vjen myzhde për esencën e ajeteve:
Përmendni çdo herë Allahun që të arrini fitoren e dëshiruar (Enfal 45). edhe
O ju që besuat, përkujtoni Allahun sa më shpesh, dhe madhëroni Atë mëngjes e mbrëmje (Ahzab 41, 42), e edhe Resulallahu (s.a.v.s) ka treguar se: Ibadeti me vlerën më të lartë është ai brenda të cilit më së shumti bëhet dhikr Allah Teala.
1. VUKUF-I ZAMANI
i vetëdijshëm, në çdo moment.
Kontrollo secilën sjellje që e bën, dhe në çdo moment dije se cili veprim do të jetë më i vlefshëm për ty në ahiret, atë veproje. Secilën kohë kaloje me një lloj të dhikrit; nëse bën punë të hairit e vepra të mira, bëj shukër (falënderim); shukri është dhikr, e nëse bën punë të këqija e të turpshme, menjëherë bëj teube-istigfar (pendohu, kërko falje); istigfari është dhikr, dhe mundohu të kompensosh mangësitë nga e kaluara jote. Vështroje zemrën në secilën frymë – a është e vëmendshme në dhikr, apo është në gaflet. Disa këtë e quajtën Sahv (zgjim). Vazhdimisht përkujtoje veten që je nën vrojtimin dhe kontrollin e Allahut, dhe dije se vdekja po të afrohet. Zgjohu nga gafleti, e nëse nuk mund tash të zgjohesh, dije se një ditë do të zgjohesh, gjithsesi.
2. VUKUF-I ADEDI
dhikr me vetëdije, dhe ia di numrin.
Kujdesu për numrin e dhikrit që bën, dhe bëje ashtu siç të ka mësuar mësuesi yt! Dhe dije numrin e dhikrave që bën, e duke ruajtur qetësinë e zemrës; përmbledhe atë në dhikr, sidomos gjatë dhikrit La ilahe ilallah; ku vetja, dhe gjithçka tjetër harrohet, dhe çdo gjë në mes largohet, e synohet të arrihet vetëm shija e atij dhikri; tejkalohet vetja dhe tërhiqet në xhezbe (dalldi hyjnore). Kjo xhezbe, kjo dashuri, është shkalla e parë e diturisë shpirtërore.
3. VUKUF-I KALBI
dhikri e lidh zemrën për Atë që i bën dhikr.
Në dhikr mundohu të përfitosh rizanë e Allahut dhe qetësinë e zemrës tënde, që aty të mos ketë dashuri as anim ndaj asgjë tjetër përpos Allahut. Ndali mendimet për dynjanë që të shëtisin nëpër zemër. Synoje fshehtësinë dhe thelbin e dhikrit. Vazhdimisht drejtoju zemrës tënde, dhe dashurisë aty. Shah-i Nakshibend e pa se më e rëndësishme dhe më e domosdoshme se shumësia e dhikrit është përqëndrimi i zemrës në atë dhikr dhe lidhja e saj për Atë të Cilit i bëhet dhikr, për Allahun Teala, i qofshim falë.
4. NAZAR BER-KADEM
shiko para hapit.
Vazhdimisht ec e shiko përpara, gjithmonë i angazhuar me punët tua. Ruaje syrin prej haramit dhe zemrën prej përlyerjes. Mos i kushto vëmendje asaj që nuk të hyn në punë. Kush nuk e ruan syrin, edhe zemrën e ka të përlyer. E kanë thënë: “Ai që nuk është serioz, as puna nuk i del serioze”.
Ti duhet të kesh vetëm një cak dhe ta përqendrosh zemrën vetëm aty, vazhdimisht dhe me gjithë mundin, e përpos Allahut Teala, gjërave tjera as mos ju kushto vëmendje! Ai që shkon drejt cakut me nxitim, vazhdimisht duhet të shikojë përpara, përndryshe merr në thua, rrëzohet. E Imam Rabbani (k.s) ka thënë: “Mos e kupto fjalë-për-fjalë shprehjen “shiko para hapit”, por kuptoje se pasi që fillimisht syri duhet të shikojë përpara, e pastaj këmba ta përcjell; edhe insani duhet ta vendos syrin te gradat e larta shpirtërore, dhe ta bëjë hapin – ta japë mundin që ajo gradë e kërkon. Kush kënaqet me pak, pak fiton, e kush nuk fluturon, i duhet të ecë.” Fjala jote le të përputhet me veprat tua; fol (nëse duhet) e sillu vetëm brenda gjendjes ku je, e mos fol për ato gjendje e dituri që nuk i ke e nuk i njeh, bile as nuk i ke shijuar, e nëse ndodh që i shijon, mos mendo se janë pronë e jotja. Dija vetes hallin, edhe kufirin. Merri si shembull ata që po ecin para teje, e edhe falënderohu për gjendjen ku ti je kur i sheh të tjerët prapa teje, dhe trego mëshirë me ta, e ndihmoju. Bëhu modest, mos ec me mendjemadhësi, përshtatju sunnetit, shiko përpara dhe mos i shqetëso të tjerët.
5. HUSH DER-DEM
i zgjuar në çdo frymë, me ruajtje nga gafleti.
Secilën frymë që e merr dhe e lëshon, bëje me vetëdije, i vëmendshëm ndaj Allahut, sepse fryma që kalohet në dhikr bëhet lidhje e robit me Rabbin e tij; atëherë ajo frymë është e gjallë, jeton, është e ëmbël e plot marifet. Frymët që harxhohen në gaflet e kryengritje janë të vdekura, pa marifet, pa nur e pa shije. Shah-i Nakshibend thotë: Edukimi i rrugës sonë arrihet duke qëndruar i vëmendshëm në dhikr për secilin moment, secilën frymë, bile edhe mes dy frymëve! E ata që dinë tregojnë se kjo është shumë e vështirë, dhe se vetëm më të qëndrueshmit, që kalojnë në dhikrin e qenies (dhikri dhat), e shohin se kjo mund të ndodhë. Prandaj kuptoje vlerën e secilit moment të jetës tënde, të secilës frymë që të është dhënë në këtë dynja. Mos humb kohë me pikëllim për të kaluarën e shqetësim për të ardhmen, por përfito nga momenti ku je! E veprimin më të mirë e ke të bësh shpesh istigfar.
6. SEFER DER VATAN
ik prej njerëzve, shko drejt Hakkut.
Ti duhet të jesh vazhdimisht në lëvizje, në gjendjen që e përshkruan ajeti: “Unë po shkoj aty ku më urdhëroi Rabbi im, e Ai më udhëzon.” (37-Safat: 99). Vendi që shkohet është xhenneti e ajo që kërkohet është rizaja e Allahut. Prandaj braktisi veset e këqija e zbukurohu me ahlak të bukur, braktise haramin e kërkoje hallallin, kalo prej kundërshtimit – në takva (devotshmëri). Ky është rrugëtim i zemrës; e zemra pa u zgjuar nuk mund të shikojë përpara; pa u edukuar nuk mund ta njohë Rabbin e vet, dhe pa u pastruar nga pisllëku, nuk mund ta sodit Hakkun. Prandaj, gjeje një mësues të besueshëm, dhe nën udhëheqjen dhe edukimin e tij shpirtëror, nisu kësaj rruge. Edukimi shpirtëror të pastron ty dhe zemrën tënde; zemra të forcohet me dashuri hyjnore e zgjuarsi, cilësitë e këqija të ndërrohen me cilësi të mira. Kështu bëhet hapi prej syefaqësisë – në sinqeritet, prej pakujdesisë – në dhikr, prej zullumit – në drejtësi, prej kundërshtimit – në ibadet. Kjo quhet hixhret – rrugëtimi drejt Allahut, e ky hixhret është edhe qëllim i tasavvufit. Dhe dije se nuk duhet të qëndrosh vazhdimisht në një gjendje; angazhoje veten në punë të mira, përparo në ahlak të bukur, e ngritesh edhe shpirtërisht. Në këtë rrugë vazhdimisht je në lëvizje, e nuk guxon të ndalesh, as të mërzitesh.
7. HALVET DER-ENXHUMEN
mes njerëzve, me Hakkun.
Pra, në të jashtmen (zahir) të jesh me njerëzit, e në të brendshmen (batin) me Hakkun. Mbushe zemrën me shije të dhikrit dhe gjithçka le të bëhet shkak që ta kujtosh Allahun. Mos lejo që krijesat të t’bëhen perde e zemrës, por gjithçka dhe secili le të jetë në vend të vet, sipas vlerës që e ka. Kur zemra e njeh Rabbin e Lartësuar dhe shpirtërisht i sodit manifestimet e Tij, asnjë krijesë tjetër nuk mund t’i bëhet perde, sepse atëherë zemra nuk mashtrohet, nuk humb kohë dhe nuk gjen rehati në gjëra tjera. Shejh Nexhmeddin Kubra ka thënë: “Nuk gjenden dy dhikra në një zemër ; kur përmend çkado tjetër, nuk mund ta bësh dhikr Allahun, e kur Allahun e bën dhikr, zemra nuk ka vend për tjetër çka.” Resulallahu (s.a.v.s) vazhdimisht e bënte dhikr Allahun Teala, sepse për pejgamberët dhe evliatë dhikri është i vetkuptueshëm; ata të gjitha sjelljet dhe punët i bëjnë me Hakkun dhe i përshtaten urdhrave të Tij. Qëllim i dhikrit është që zemra të gjejë riza me Allahun. Shah-i Nakshibend ka thënë: “Halvet der-enxhumen është esenca e rrugës tonë; dhe shton: “Themeli i tarikatit tonë është sohbeti (bashkëbisedimi). Largimi prej njerëzve sjell famë, e fama bartë shkatërrim. E mira është të jesh mes njerëzve, e të bësh hizmet. E me sohbet, hizmeti bëhet edhe më i mirë; të dyja forcohen e plotësohen. Edhe udhëtarët e kësaj rruge e duan njëri-tjetrin në atë mënyrë që shkrihen (humben) në atë dashuri.” Ky moral i lartë i miqve të Allahut është shpjeguar në Kur’an-i Kerim me këtë ajet: “Ata janë njerëz qe nuk i pengon as tregtia e largët e as shitblerja në vend për ta përmendur Allahun, për ta falur namazin dhe për ta dhënë zekatin.” (24-Nur: 37).
8. YAD KERD
bëj dhikr.
Pasi ta mësosh vetëkontrollin, vazhdohet dhikri la ilahe ilallah, që të arrihet kuptimi i tehvidit. Allahu Teala vazhdimisht mbahet në kujtesë dhe dhikri i zemrës e ai i gjuhës bëhen një. Udhëtari i rrugës së drejtë duhet ta ketë zemrën e zgjuar në çdo moment (Usul 1. Vukuf-i Zamani), dhe me vëmendje të plotë (Usul 2. Vukuf-i Adedi) të vazhdojë dhikrin Allah ose la ilahe ilallah. E kuptimin e shpjegon Shah-i Nakshibend: “La ilahe është nefij (mohim, refuzim), me të cilin bëhet e ditur se në gjithësi nuk ka tjetër ‘ilah’, dhe pas kësaj vjen shprehja (vërtetimi, dëshmia) ilallah – përpos Allahut, me çka dëshmohet se ilah i vërtetë e të Cilit i bëhet ibadet është vetëm Allahu Teala. Në fund thuhet Muhammedu’r Resulullah, me çka e bëjmë nijetin që t’i përshtatemi vetëm rrugës së Resulullahut s.a.v.s., në mënyrë që Allahu të na dojë neve, e edhe ne të tregojmë dashurinë që e kemi ndaj Allahut dhe Resulallahut, a.s.. Pa iu përshtatur Resulallahut s.a.v.s. as nuk merret vesh tevhidi, e as nuk shijohet muhabbeti (dashuria) i Allahut.
9. BAZ GESHT
kthimi.
Duke bërë nefij isbat (dhikrin la ilahe ilallah), në momentin që lëshohet fryma, të gjitha mendimet përmblidhen në kuptimin e shprehjes ilahi ente maksudi ve ridhake matlubi (Allahu im, qëllimi im je Ti e dëshira ime është rizaja Jote.). Më pastaj, duke i parë mangësitë e bëra gjatë dhikrit, kërkohet strehim tek Allahu, dhe bëhet istigfar.
10. NIGAH DASHT
ruajtja.
Gjatë dhikrit, zotëroje zemrën, mendoje kuptimin e nefij dhe isbat, dhe ruaje zemrën nga dëshirat dhe brengat tjera pos Allahut.
11. JAD DASHT
kurrsesi nuk harron, vazhdimisht në dhikr.
Në çdo vend e në çdo kohë kërko rizanë e Allahut. Asnjëherë mos u ndaj prej kënaqësisë hyjnore. Zemrën mbaje zgjuar dhe sodit me të manifestimet hyjnore, gjithkah!
_________
Këto janë cilësi të besimtarit. Dhe kanë treguar: Nëse besimtari për një javë bën dhikr me zemër për vetëm 15-30 minuta në ditë, nuk bën gjynahe të mëdha e nuk ushqehet me haram, vetëm pas një jave patjetër do ta hetojë zemrën si i zgjohet.
_________
Murshidi jonë është Sejid Abdul Baki el-Husejn (k.s) nga Menzili, Turqi, pasardhës i drejtpërdrejtë i Resulallahut (s.a.v.s) prej sojit të hazreti Husejnit (r.a).
SILSILA JONË
1. Resulallahu, Muhammed Mustafa, salallahu alejhi ve selem.
2. Ebu Bekr Siddik (r.a).
3. Selman Farisi (r.a).
4. Kasim bin Muhammed (k.s).
5. Xhafer Siddik (k.s).
6. Bejazid Bistami (k.s).
7. Ebul Hasan Harkani (k.s).
8. Abu Ali Farmedi (k.s)
9. Ebu Jakub Jusuf Hemedani (k.s).
10. Abdul Halik Gixhduvani (k.s).
11. Arif Rivegeri (k.s).
12. Mahmud Inxhir Fagnevi (k.s).
13. Ali el Ramiteni (k.s).
14. Muhammed Baba Semmasi (k.s).
15. Sejid Emir Kulal (k.s).
16. Muhammed Behauddin Shahi Nakshibend (k.s).
17. Alauddin Buhari Attar (k.s).
18. Jakub Xherhi (k.s).
19. Ubejdullah Ahrar (k.s).
20. Muhammed Zahid (k.s).
21. Dervish Muhammed (k.s).
22. Muhammed Haxhi Emkeneki (k.s).
23. Muhammed Baki (k.s).
24. Imam Rabbani (k.s).
25. Muhammed Ma’sum (k.s).
26. Muhammed Sejfuddin Faruki (k.s).
27. Sejid Nur Muhammed Bedvani (k.s).
28. Shemsuddin Habibullah Mazhar (k.s).
29. Abdullah Dehlevi (k.s).
30. Mevlana Halid Bagdadi (k.s).
31. Sejid Abdullah (k.s).
32. Sejid Taha (k.s).
33. Sejid Sibgatullah Arvasi (k.s).
34. Abdurrahman Tahi (k.s).
35. Fethullah Verkanisi (k.s).
36. Muhammed Dijauddin (k.s).
37. Ahmed Haznevi (k.s).
38. Sejid Abdulhakim Husejni (k.s).
39. Sejid Muhammed Rashid Husejni (k.s).
40. Sejid Abdul-Baki Husejni (k.s). Kaloi në ahiret më 1444 hixhri (korrik 2023).
vekil, 41. Haxhi Is’hak Shala, (k.s).
SOHBET
Shejh Gavs-i Sani Abdul-Baki Husejn (k.s)
Stamboll. 12 Gusht 2006
Qëllimi i Tarikatit Nakshibendi është arritja e rizasë së Allahut. Ky tarikat është formuar për të përmbushur urdhrat e Hakk Teala dhe për t’u larguar nga ndalesat e Tij ( emri bi’l-maruf ve’n-nehji-ani’l-munker ). Ky është ibadeti jonë. Këtë duhet qëndisur në zemrat tona. Allah Teala thotë:
O bijtë e Ademit, a nuk ju urdhërova: mos i bëni ibadet shejtanit, atë e keni dushman të hapur, por më bëni ibadet Mua, kjo është rruga e drejtë! (2-Bekare: 208).
Ja, ky ibadet është qëllimi i këtij tarikati; veprimi i asaj që Allah Teala e urdhron dhe largimi prej asaj që Ai e ndalon. Ky është amel (veprim), e me këso ameli Allah Teala është riza. Kësaj i përkushtohet ky tarikat. Të gjitha punët kanë nijet (qëllim). Kur marrim abdes e edhe në ibadetet tjera, kusht është të bëhet nijeti i duhur. E nijeti i duhur bëhet me zemër, ndërsa punët e këqija janë shkatërrim. Lidhur me nijetin, Gavsi Abdulhakim Husejn (k.s) ka thënë: “Nëse kur del nga shtëpia në mëngjes, me zemër e bën nijet: Ja Rabb, ti je Furnizuesi Absolut. Me siguri Ti ma jep riskun tim, në këtë nuk ka dyshim! Por ti edhe më ke urdhëruar mbajtjen e familjes time, e për të zbatuar këtë urdhër Tëndin dhe që të bëj ibadete, po nisem për punë, ajo ditë të shënohet sikur tërë ditën e ka kaluar në xhami; aq shumë sevape të shkruhen”. Sa herë të dilni nga shtëpia, gjithsesi bëjeni nijet për riza të Allahut. Ashtu veproni! Resulallahu (s.a.v.s) ka thënë:
Dynjallëku vërtet është i mallkuar, edhe gjithçka në të, përpos asaj që bëhet për rizanë e Allahut.
Një nijet të tillë e bëjmë që t’i shpëtojmë veprimet tona nga mallkimi. Mos bini në mallkimin e kësaj dynjaje! Të gjitha punët e juaja bëjini për rizánë e Allahut, e ju shënohen në ibadete. Prandaj nijetin gjithmonë duhet kontrolluar, që të mos i japim rast nefsit dhe shejtanit. Nefsi yt është dushmani yt, e dushmani yt nuk ka rahmet për ty; assesi nuk ta do të mirën, gjithmonë ta do të keqen, Allah Teala ka thënë:
Nefsi Emare gjithmonë ta do të keqen. (12-Jusuf: 53), por, nëse ne bëjmë një hap drejt Allahut, Ai na afrohet neve dhjetë hapa. Dynjaja është shumë e keqe; dynjallëku i sjellë njeriut shumë të këqija. Resulallahu (s.a.v.s) ka thënë:
Dynjallëku është nëna e të gjithë të këqijave; prandaj ruajuni nga dynjaja. Dobitë e veprave të bëra me nijetin e duhur janë të mëdha. Duhet të punojmë, natë e ditë duhet të punojmë. Nëse në xhennet hyjmë pa punë, nuk do ta shijojmë ëmbëlsinë aty, e nëse mundohemi e lodhemi, kjo ka vlerë më të madhe, dhe atëherë do ta shijojmë edhe ëmbëlsinë e vërtetë të xhennetit. Për ta kënaqur Pejgamberin tonë (a.s) duhet punuar për ummetin e tij. Pejgamberi (a.s) e do shumë ummetin e tij. Ai nuk është si pejgamberët tjerë. Aq shumë e do Resulallahu (s.a.v.s) ummetin e vet sa në Ditën e Mahsherit, kur xhehenemi të çlirohet nga prangat e tij e t’ju vërsulet njerëzve me të gjitha tmerret, kur bile edhe pejgamberët tjerë me qëllim të shpëtimit të vetes të strehohen nën Arsh, Pejgamberi ynë (s.a.v.s) do të kërkojë shpëtim, jo për vete, por për ummetin e vet. Kur Resulallahu (s.a.v.s) e do ummetin e tij aq shumë, edhe ne duhet vepruar, të mundohemi ta gëzojmë. Pejgamberi (a.s) iu drejtua Allahut Teala me dua:
Ja Rabb, ti e solle ummetin tim në kohën e fundit të kësaj bote, kur në të mbretëroi mosbesimi. Të gjitha të këqijat janë në këtë kohë. Pasi që e kanë jetën e shkurtër, edhe sevapet i kanë të pakta. Unë turpërohem që sevapet e ummetit tim janë të pakta.
Te ummetet e pejgamberëve tjerë (a.s), për një vepër të mirë është shënuar një sevap, e për një vepër të keqe një gjynah. Për ta rritur hairin, Allah Teala bëri që ummetit të Muhammedit (a.s) për një vepër të mirë t’ju shkruhen dhjetë, njëmijë, njëmijë-e-pesëqind, trilion herë më shumë sevape!! Për një përmendje të Allahut në Mekë shënohen njëqindmijë sevape, e për përmendje në vendet tuaja, dhjetë. Allah Teala shikon në zemrat tona. Atë që ndodhë në zemra, Ai e shkruan. E shkruan me dorën e Tij, e nuk do ta shënojë mendimin tonë të keq si gjynah. Por mendimin tonë të hairit do ta shkruaj si sevap. Nëse në zemër lajmërohet një nijet i mirë, kjo shënohet si sevap. Nëse e vepron atë nijet të mirë, të shkruhen dhjetë sevape. E nëse në zemër lajmërohet qëllim i lig, por nuk veprohet, kjo nuk shënohet si gjynah; e nëse veprohet, atëherë shënohet një gjynah. Për këtë arsye insani duhet ta kontrollojë nijetin e vet në zemër. Gavsi Abdulhakim Husejn (k.s) thotë: “Unë për çdo vit e bëj nijet të shkoj në Haxh. Edhe nëse nuk shkoj, për shkak të nijetit e fitoj sevapin e Haxhit.” Më vjen shumë mirë që keni ardhur këtu. Allahu qoftë razi me ju. Juve ju lus:
Veproni vetëm për riza t’ Allahut. Edhe kur niseni për diku, nisuni vetëm për riza të Tij. ; e ju këtu keni ardhur nga të gjitha anët. Për secilin hap tuajin deri këtu, Allahu ju shënon dhjetë sevape. Ne duam që ju me hyzmetin tuaj ta gëzoni Pejgamberin tonë (s.a.v.s) e t’i shkoni atij me fytyrë të ndritur. Mundohuni ta gëzoni Resulallahun (a.s). Ummeti i një pejgamberi të një makami kaq të lartë duhet të jetë i sinqertë dhe besnik. Kjo rrugë është Sirat-i Mustekim. Ky tarikat është rruga e Ebu Bekr es-Siddik, është rruga e të sinqertëve dhe besnikëve. Duhet të jemi të sinqertë. Allahu ua bëftë hyzmetin e juaj të përhershëm. Allahu mos ju ndaftë nga shëfati i Pejgamberit (s.a.v.s) dhe nga flladi i Sadatëve; mos ju ndaftë nga rruga e Pejgamberit (a.s) e drejtimi i Sadatëve.
Po jetojmë në kohë të tmerrshme, shumë të rrezikshme e të rëndë. Në këto kohë të vështira duhet punuar natë e ditë. Allah Teala e do punën tuaj. Sadatët e donë shumë punën tuaj. Punoni shumë, jo për dynjallëk, por për të qenë me Sadatët në rrugën e Allahut. Në ditën e kiametit do të jemi bashkë, inshallah! Allahu ju ndihmoftë!