Fjala rabita do të thotë lidhje e një sendi me diçka tjetër; qëndrueshmëri; të mendohet mbi një çështje; lidhje dhe interesim mes dy gjërave. Në tasavvuf, rabita është mënyrë e edukimit, mirëpo kjo fjalë ka përfituar gjithashtu një kuptim tjetër të veçantë, të cilin Arifët e mëdhenjë kështu e kanë shpjeguar:
Rabita është lidhja me një Murshid kamil, i cili ka arritur në nivelin e të kuptuarit me anë të basiretit (shikimit të zemrës), ka përjetuar praninë hyjnore dhe është zbukurar me nur dhe edukatë.
Pra, rabita do të thotë të lidhet zemra me një Murshid kamil të tillë të cilit zemra i është bërë qendër për pranimin e nurit hyjnor, qendër për njohje, bekim, bujari, dashuri dhe dituri, e të cilat të gjitha rrjedhin në zemrat e atyre që janë drejtuar nga ai, dhe janë lidhur me dashuri për të. Kjo zemër e fortë e ushqen zemrën e dobët të muridit.
Në tasavvuf, Murshidi kamil është qendra e edukimit. Murshidi të cilit i bëhet rabita, e ka përmirësuar nefsin e vet, ka arritur në makamin huzur (i vetëdijshëm që është gjithmonë në prezencë të Allahut Teala) dhe ka arritur në gjendjen e nënshtrimit të plotë ndaj Allahut Teala dhe çka është më e rëndësishmja – ka marrë obligimin për të edukuar njerëzit (irshad). Kompetencën për edukimin e njerëzve Murshidi nuk e merr prej popullit por prej Allahut Teala. Mirëpo, kjo kërkon punë, dituri, njohje dhe zgjuarësi. Në të vërtetë, ai që vet nuk është edukuar, nuk mund të edukojë dikë tjetër. Rabita nuk i bëhet atij që nuk e ka lejen e irshadit. Në këtë rast, ai që bën rabita si dhe atij të cilit i bëhet rabita nga kjo do të kenë vetëm dëm. Murshidit të cilit i bëhet rabita duhet të jetë trashëgimtar i Resulallahut, s.a.v.s.. Shikimi i tij është shërim, ai posedon ndikim shpirtëror dhe posedon leje për shërim.
Duke e lidhur kështu zemrën me një murshid, si në prezencë ashtu edhe në jo-prezencë, paramendohet pamja dhe shpirtëria e tij, paramendohet se është bashkë me të, apo afër tij, e sjelljet qe i ka gjatë kohës kur është me murshidin, duhet t’i ketë edhe kur është larg tij. Kësaj i thuhet rabita.
Thelbi i rabitas mbështetet në dashuri. Rabita e dashurisë realizohet nërpëmjet nivelit më të lartë të dashurisë dhe edukatës ndaj murshidit. Me anë të kësaj rabite muridi që vazhdon ngadalë mirëpo në mënyrë të vazhdueshme, ngjyroset me ngjyrën e murshidit, merr gjendje prej gjendjes të tij, mbulohet me ahlakun e tij, ëmbëlsohet me dashurinë e tij, zbukurohet dhe bëhet insani kamil (njeri i përkryer), sepse rabita e dashurisë ia mundëson atij që don të merr cilësitë e atij që duhet, apo thënë ndryshe: muridi merr cilësitë e murshidit.
Duhet të dihet se njeriu e ka shumë të vështirë që i vetëm të ngritet në nivelin e vetkontrollimit dhe të përfitojë gjendjen e bindjes së plotë e të soditjes shpirtërore. Për këtë arsye, për atë që do të ngritet në këto gjendje të bukura i duhet një murshidi kamil, i cili i di këto gjendje dhe e di rrugën që çon deri atje. Nëse muridi e gjen një murshid të tillë, atëherë ai duhet ta bëjë shpirtërinë e murshidit mjet për të përfituar nur dhe njohuri hyjnore, ndërsa rruga më e shkurtë për të arritur deri këtu është rabita e dashurisë.
Në prezencë të murshidit, muridi e ka të lehtë të përfitojë njohuri, por si në prani ashtu edhe në mos-prani, për të marrë njohuri hyjnore, duhet t’i drejtohet zemrës së murshidit dhe të paramendojë pamjen e tij. Në fenë tonë, rabita është një lloj tefekkuri (mendim, meditim), mendim në krijesa e në fenomene natyrore, nëpërmjet të cilave arrihet aftësia për të njohur mëshirën, urtësinë dhe fuqinë hyjnore. Kjo shndërrohet në mjet me të cilin zemra bën dhikër.
E tefekkur (mendimi, meditimi) është farz! Detyra kryesore e zemrës është që me anë të ndërmjetësimit të meditimit të zgjohet dhe të lidhet me Allahun Teala. Çdo krijesë, përveq Dhatit (Qenies) së Allahut Teala, në imagjinatë mund të paramendohet dhe rreth tij të mendohet thellë.
Të bëhet rabita është veçanti e njeriut. Kushdo që ka zemër dhe shpirt bën një lloj të rabitas. Mirëpo, jo çdo lloj i rabitas e zgjon zemrën dhe e lidh atë për Allahun Teala dhe për ahiret. Në tasavvuf, rabita është të menduarit për njeriun e përkyer (insani kamil), i cili kur të shihet, të nxit për ta përkujtuar dhe për ta përmendur Allahun Teala. Zemra e insani kamil është vendi ku më së shumti zbret dhe manifestohet shikimi i Allahut. Zemra e tij është e mbushur me dashuri hyjnore dhe me dhikr. Zemra e cila lidhet me të, me këtë dashuri dhe këtë dhikër – gëzohet, ushqehet, forcohet dhe bëhet e qëndrueshme.
Rabita është kur muridi paramendon murshidin kamil dhe paramendon lidhjen e zemrës së tij me zemrën e murshidit. Rabita është bashkimi i shpirtave që duhen mes vete. Rabita është rrjedhje e njohurisë hyjnore prej zemrës në zemër. Rabita është shikimi i zemrës ndaj zemrës dhe rrjedhja e dashurisë.
Mjeti më i mirë për edukimin e muridit është pikërisht rabita. Rabita sipas fesë sonë, nuk është ibadet sikur namazi i cili ka formën, kohën dhe rregullat e caktuara për kryerjen e tij. Ajo është zgjim dhe përmirësim i zemrës për kryerje të ibadetit, siç është namazi, me kënaqësi dhe vëmendje të plotë. Rabita është mjet për edukim shpirtëror. Ajo është ilaçi më i mirë për rregullimin e nefsit të egërsuar. Rabita është zgjim i zemrës së pakujdesshme dhe lidhje me zemrën e zgjuar. Rabita është lidhje me zemrën në të cilën pandërprerë rrjedhë njohuria hyjnore, dhe pranimi nga ajo zemër i dashurisë dhe i kësaj njohurie. Thelbi i rabitës, ashtu siç kanë thënë të mëdhenjtë e kësaj rruge, ndërtohet mbi këto ajete:
O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe bëhuni me ata që janë të sinqertë (në fjalë dhe në vepra)! 9-Teube, 119
O ju që besuat! Kini frikë Allahun dhe kërkoni vesile për afrim tek Ai, luftoni në rrugën e tij që të gjeni shpëtim. 5-Maide, 35
Në të dy ajetet urdhërohet devotshmëria. Për t’u arritur devotshmëria, në ajetin e parë urdhërohet shoqërimi me robët e sinqertë të Allahut Teala, ndërsa në të dytin, lidhja me mjetin (vesile) e cila të nxit dhe të çon në rrugën e devotshmërisë, pra shfrytëzimin e të gjitha metodave për edukimin e shpirtit. Prandaj, rabita është formë e shoqërimit me murshidin – robin e sinqertë dhe mikun e vërtetë të Allahut Teala.
Zgjatja e dorës dhe lidhja me murshidin (bejat, intisab) përfaqëson hapin e parë të udhëtimit të përbashkët në rrugën e Allahut Teala. Ai që pranon edukimin nga murshidi, nëpërmjet kësaj ka filluar shoqërimin e jashtëm me të. Mirëpo qëllimi primar është shoqërimi shpirtëror dhe nga zemra me murshidin. Ai që e ka zemrën të lidhur me një murshid kamil, për të murshidi është mjeti më i mirë në rrugën drejt Allahut Teala. Përfitimet e kësaj lidhjeje janë dhikri (përmendja) dhe edukimi, me një fjalë – devotshmëria. Në këtë rrugë murshidi nuk ka kurrfarë obligimi tjetër përveq se të shërbejë si lidhje dhe mjet për të arritur tek Allahu Teala.
QËLLIMI DHE ESENCA E RABITAS
Muridi që rregullisht e bën rabitën ngritet në makamin (nivelin) fena fillah. Ky mekam është grada (mertebe) e ihsanit, e ajo është robërimi ndaj Allahut Teala sikur ta shohë Atë. Kur murshidi e dërgon muridin në këtë nivel, ai ia lë Allahut Teala në amanet dhe tërhiqet nga ndërmjetësimi mes Rabbit dhe robit. Atëherë rabita kalon në murakabe (vetëkontroll).
Kjo do të thotë se muridi sigurisht e di dhe e ndjen se në çdo moment është nën vështrimin dhe kontrollin e Allahut Teala. Në këtë mënyrë, muridi, zemra e të cilit është zgjuar dhe me tërë qenien e vet bën dhikër Allahun Teala, ka arritur në nivelin në të cilin mediton rreth të gjitha krijesave në gjithësi. Atëherë, çdo gjë për të është shkak për dhikr.
Murshidi kamil është vendi i fshehtësive hyjnore. Fshehtësia hyjnore dhe nuri hyjnor, duke filluar prej Resulallahut, s.a.v.s., përmes ndërmjetësimit të trashëgimisë shpirtërore, arrijnë nga një insani kamil te tjetri, dhe prej njërit nga të mëdhenjtë tek tjetri, për të arritur përfundimisht tek një murshidi kamil (mësues i përkryer). Prej tij bartet tek muridi, i cili lidhet për të. Përftimi më i madh i rabitas është lidhja e zemrës me zemrën që është qendër e shpërndarjes së këtij nuri, dhe ndriçimi i zemrës me këtë nur.
Rabita mund të bëhet në mënyra të ndryshme. Meqenëse rabita në thelb është dashuri, jo të gjithë njerëzit e kanë nivelin e njejtë të dashurisë dhe të muhabetit. Sigurisht, rabita i ka rregullat dhe edukimin e vet në bazë të të cilave duhet të bëhet. Sipas kohës dhe mënyrës që bëhet, të mëdhenjtë e kësaj rruge e kanë ndarë rabitën në dy lloje:
- Rabita në prezencë të murshidit; dhe
- Rabita në mosprezencë të murshidit.
Rabita në mosprezencë të murshidit ndahet në dy pjesë:
- Rabita si vird ditor; dhe
- Rabita që bëhet vazhdimisht, gjatë gjithë kohës.
Ata që e bëjnë rabitën sipas metodës së caktuar kanë përfitim më të madh.
Rabita si vird ditor
Rabita që bëhet si detyrë ditore bëhet pas çdo namazi të akshamit, ashtu që me abdest rrin i kthyer kah Kibla, i mbyll sytë dhe thotë 25 herë Estaugfirullah, ndërsa gjatë muajit të Ramazanit bëhet pas namazit të drekës.