Site icon Nakshibendi Tarik – Sirat-i Mustekim

Huxhxhetu’l-islam | Dëshmia e Islamit


Imam Gazali është një alim  (dijetar) i madh, një yll plot nur, i habitë mendjet nga lindja e perëndim, e muslimanin e ndriçon.

Muhammed bin Muhammed bin Ahmed, i njohur si Ebu Hamid, lindi më 450 Hixhri (1058) në fshatin Gazale afër qytetit Tus në Iran, e vdiq më 505 Hixhri (1111) në Tus. Babai i Imam Gazalit punonte me litar (gazzal: tjerrës) prandaj disa besuan se emri i vjen nga kjo, por emrin e ka marrë nga fshati i lindjes, e vet ka thënë: “Disa më “lidhën” (me gazzal – tjerrës), por unë jam Gazali!

Babai i tij fitonte idare me dredhje e shitje të litarit, dhe i donte shumë dijetarët, rregullisht shkonte në tubimet e tyre, e ju shërbente. Sa herë i dëgjonte, qante, e i lutej Allahut t’i falë edhe atij një fëmijë fakíh (dijetar i fikhut). Dhe duaja iu pranua, e Allah Teala ia fali dy djem, që u bënë alimë; Ebu Hamid Gazalin, imam i asaj kohe, dhe Ahmet Gazalin, një tjetër alim i madh.

 Babai ju vdiq, e para vdekjes, dy djemtë dhe pak pasuri që kishte ia la amanet shokut të vet. Edhe kyishte fukara, por duke respektuar amanetin e shokut të vet, u angazhua shumë që dy vëllezërit të mësojnë dhe shkollohen. Por ajo pak pasuri shpejt u harxhua, e ky ju tha dy jetimëve: “Bijtë e mi, gjithë pasurinë tuaj e harxhova në shkollimin tuaj deri tash. Unë jam i varfër e nuk kam mundësi t’ju ndihmoj më shumë. Gjeni strehim në ndonjë medrese.

Me këtë këshillë, Gazali hyri në medrese, studioi të gjitha dituritë, zahir (të dukshme) dhe batin (të fshehura), e për pak kohë u ngrit e u bë i famshëm anembanë. Mori mësim nga alimët dhe udhëtonte për të mbledhur ilm (dituri), e gjatë udhëtimeve e gjente veten në shumë sohbete (bisedim) me alimë, nga më të ndryshmit, dhe dëshmonte imanin e tij. Fama i shtohej çdo ditë, por prej kësaj Imam Gazalit iu paraqit një vorbull në zemër dhe nuk i pëlqente madhështia e famës, prandaj mori rrugë, me nijetin e haxhit. Shkoi edhe në Hixhaz (sot Arabi Saudite), e pas haxhit vizitoi edhe Shamin (sot Siria). Një kohë qëndroi edhe në Kudus e në Mesxhid al-Aksa (Jerusalem) e prapë shkoi në Sham, ku qëndroi gati 10 vjet. Shkoi edhe në Egjipt, dhe një kohë qëndroi në Iskenderi (Aleksandri). Kishte dëgjuar për drejtësinë dhe famën e Sulltan Jusufit, sundimtar i Magribit, dhe u nis për ta takuar, por rrugës mori lajmin për vdekjen e sulltanit, dhe u kthye në vendlindjen e tij, në Tus. Në atë kohë, Fahru’l Mulk, që sa kishte marrë detyrën e vezirit të Perandorisë së Selxhukëve, e vizitonte shpesh Imam Gazalin, që perandoria e tij të përfitojë nga ky Diell i diturisë, dhe këmbënguli në vendimin e tij që ta caktojë Imam Gazalin muderis (mësimdhënës) në medresenë Nizamije (Bagdad). Gazali hoqi dorë nga sohbetet me alimë dhe u fokusua në mësimdhënie, por prapë u kthye në Tus, ku ndërtoi një shtëpi për vete; në një anë kishte medresenë për fukaha (jurisprudencë), e në anën tjetër një teqe për sufitë. Gazali i vazhdoi sohbetet, edhe me alimët e fik’hut edhe me mjeshtrit e tarikatit, e ditët e fundit të jetës në këtë dynja i kaloi me ibadet e me lexim të Kuranit.

Medh’hebi i tij është Shafi, dhe në kohën e tij ishte alimi më i madh i kësaj shkolle. Ka të tillë që thonë se ishte edhe muxhtehid (dijetar me renome në islam, që ka të drejtë të nxjerrë vendime mbështetur në Kur’an e hadith). Imam Muhammed bin Jahja ka thënë se Imam Gazali është Shafiu i dytë, ndërsa ata që kanë parë kemalatin (përsosmërinë) e jashtme të Gazalit, kanë thënë: Sytë nuk kanë parë një alim aq të përsosur si Imam Gazali

Njëri nga alimët ka thënë:
Ne nuk mund ta vlerësojmë Gazalin. Gazalin mund vetëm ta kuptojmë; aq sa na jepet nga kjo; 

ndërsa Imam Fahreddin Razi ka thënë:
Allahu Teala e mblodhi gjithë ilmin (diturinë) në një kupë, dhe i dha Imam Gazalit të pijë nga ajo (përmbledhje e diturisë).

 

Hyrje në veprën IHJAU ULUMID-DIN

EJJUHEL VELED | O evlad i dashur

 

 

 

Exit mobile version