Bota e Zemrës

 

 ZEMRA E NJERUT DHE DETYRA E SAJ

        Zemra është burim i vahijt dhe ilhamit[1]. Zemra është organi i vërtetimit të imanit. Pra, imani vërtetohet me zemër. Imani që nuk është përpunuar në zemër, që nuk ka zënë vend aty, është iman vetëm në fjalë. Nuk ka vlerë.

        Marifet dhe irfan janë dituri që përfitohen me rrugën e zemrës dhe janë produkt i përvojës shpirtërore, pra – realizohen me jetësimin e fesë. Atij që posedon këtë dituri i thuhet ‘arif’ dhe ‘arif-i billah’.

        Dihet që zemra është organ në trupin e njeriut, por ajo gjithashtu ka kuptimin e  një xhehveri[2] hyjnor. Për të gjitha fetë hyjnore që janë marrë me zemrën, ajo nuk është vetëm një copë mishi në trupin e njeriut. Kjo zemër është tjetër prej organit zemër. Organi zemër ekziston si te njerëzit, ashtu edhe te shtazët, dhe puna e këtij organi është pastrimi dhe shpërndarja e gjakut. Për këtë arsye, edhe nëse zemra e një mumini i transplantohet një munafiku, ose e kundërta, kjo nuk ndërron asgjë në besim.

        Në zemër janë përmbledhur veçoritë që i përkasin njeriut. Zemra është saraji i shpirtit, është esenca e njeriut. Zemra e përfaqëson njeriun. Zemra që e bën njeriun njeri është tjetër nga zemra e mishit. Vet kësaj zemre i thuhet njeri. Kjo zemër është një vend që Allahu Teala e vëzhgon. Ajo ka veçoritë e melekëve dhe botës së gajbit (fshehtë). Është krijuar ta kurdis lidhjen me atë botë. Kjo zemër  është një xhehver shpirtëror ku gjenden imani, dituria, nuri, zgjuarësia, dashuria dhe  ahlaku (morali) i bukur.

        Nëse brenda zemrës nuk zbret nur, ajo e humb pastërtinë e vet të vërtetë, nuk mund ta kryej detyrën. Kësaj radhe, e njëjta zemër bie në gjendje të mohimit, kundërshtimit, injorancës dhe ahlakut të keq.

        Njeriu është krijuar shumë ndryshe nga melaiket dhe kafshët. Njeriu bartë pjesë të veçorive nga të gjitha krijesat. Melaiket kanë mend dhe vullnet, por nuk kanë epsh dhe kërkesa të këqija. Ndërsa te kafshët ekzistojnë epshi dhe kërkesat e thjeshta, por nuk kanë mend, vullnet dhe përparim. Ndërsa njeriu i posedon të gjitha këto.

        Njeriu është posedues i mendjes dhe vullnetit. Ai ka mundësi të ndërrojë cilësitë e ahlakut që  mbanë. Për të është e mundur të kalojë nga një gjendje në tjetrën. Ai posedon aftësinë për të përparuar shpirtërisht. Në të njëjtën kohë, njeriu posedon nefsin. Nefsi e ka epshin dhe kërkesat e këqija. Kur mendja fiton mbi nefsin, njeriu bëhet i bukur si melek dhe bëhet i vlefshëm. Ndërsa, nëse nefsi fiton mbi mendjen dhe kërkesat e këqija të nefsit dominojnë mbi zemrën, njeriu bëhet  më i keq se kafsha. Kështu, njeriu përjeton zbritje dhe ngritje në mes të këtyre dy gjendjeve. Nganjëherë bëhet si melek, nganjëherë përkeqësohet.

         Atij që e shpëton zemrën nga robëria e nefsit dhe zbukurohet me ahlak të bukur, i thuhet ‘Insan-i kamil’ – njeri i përkryer. Kjo gjendje është liria e vërtetë. Të gjitha përpjekjet e miqve të Allahut Teala janë për të përfituar këtë gjendje të lirisë. Kjo është ringjallja e njeriut. Kjo lëvizje e ringjalljes fillon nga zemra, e vazhdon në qendra tjera…

[1] lham:  frymëzim; manaja (kuptimi) që vjen në zemër prej Allahut Teala.
[2] Xhevher: esenca e një sendi; thelbi; majë;

 

GRUMBULLI I KAFKAVE

         Ka një histori rreth Bejazid Bistamiut, kur po kalonte pranë varrezave dhe u afrua pranë një grumbulli të kafkave. Kurreshtja e shtyu që të ndalet aty dhe të merr një kafkë në dorë. Ai kishte qenë gjithmonë i mendimit se të gjitha kafkat janë pothuajse të njëjta, por nuk doli të jetë ashtu. Kishte disa kafka, veshët e të cilave ishin të bashkuara me pjesën e nofullës. Kishte disa kafka veshët e të cilave nuk ishin të bashkuara; kishte një pengesë mes tyre. Kishte disa kafka qe të dy veshët ishin bashkuar në zemër, por jo të bashkuara ne mes vete; kishte një kalim që depërton drejtë e në zemër. Ai u befasua jashtëzakonisht shumë dhe e pyeti Allahun Teala:
         – Çka është kjo? Çfarë po përpiqesh të më zbulosh?, dhe më pas dëgjoi një zë duke i thënë:
Ky është isharet se në dynja janë tri lloje njerëzish:  një lloj dëgjon me një vesh; ai kurrë nuk arrin askund – në fakt ai nuk dëgjon, vetëm zërin e ndinë shkurt dhe zhduketKa një lloj tjetër, i cili dëgjon, por vetëm për një çast – ai dëgjon me anë të një veshi dhe përmes veshit tjetër përsëri humb veten nëpër dynja. Dhe lloji i tretë, që dëgjon përmes veshëve dhe atij fjala i arrinë deri në zemër.

         Dhe Allahu Teala i tha:
         “Bajazid, të kam sjellë në këtë grumbull kafkash vetëm për të ndihmuar të mbash mend atë kur je duke folur me njerëzit. Bisedo e kalo kohë vetëm me ata, që zemrat e tyre e pranojnë atë çfarë ju thua – përndryshe mos humb kohë.”