Qëllimi i Tarikatit Nakshibendi është arritja e rizasë së Allahut. Ky tarikat është formuar për të përmbushur urdhrat e Hakk Teala dhe për t’u larguar nga ndalesat e Tij ( emri bi’l-maruf ve’n-nehji-ani’l-munker ). Ky është ibadeti jonë. Këtë duhet qëndisur në zemrat tona. Allahu Teala thotë: O bijtë e Ademit, a nuk ju Urdhërova: Mos i bëni ibadet shejtanit, atë e keni dushman të hapur, por më bëni ibadet Mua, kjo është rruga e drejtë! (2-Bekare: 208). Ja, ky ibadet është qëllimi i këtij tarikati; qëllim është veprimi i asaj që Allahu Teala e kërkon nga ne dhe largimi nga ajo që Ai ndalon. Kjo është amel, e ameli është rizá e Allahut. Kësaj i është kushtuar ky tarikat.
Të gjitha punët kanë nijet (qëllim). Kur marrim abdes, e edhe në ibadetet tjera – kusht është të bëhet nijeti i duhur. E nijeti i duhur bëhet me zemër, ndërsa punët e këqija janë shkatërrim. Lidhur me nijetin, Hz. Gavs Abdulhakim Husejn ka thënë: “Nëse kur del nga shtëpia në mëngjes, me zemër e bën nijet: “Ja Rabb, ti je Furnizuesi Absolut. Me siguri Ti ma jep riskun tim, në këtë nuk ka dyshim! Por ti edhe më ke urdhëruar mbajtjen e familjes time, e për të zbatuar këtë urdhër Tëndin dhe që të bëj ibadete, po nisem për punë” – ajo ditë të shënohet sikur tërë ditën e ka kaluar në xhami; aq shumë sevape të shkruhen!
Sa herë të dilni nga shtëpia, gjithsesi bëjeni nijet për hatër të Allahut. Ashtu veproni! Në një hadith, Resulallahu s.a.v.s. thotë: Dynjallëku vërtet është i mallkuar, dhe e mallkuar është gjithçka që gjendet në të, përpos asaj që bëhet për rizanë e Allahut.
Një nijet të tillë e bëjmë që të shpëtojmë veprat tona nga mallkimi! Mos bini në mallkimin e kësaj dynjaje! Të gjitha punët e juaja bëjini për të arritur rizánë e Allahut Teala, kështu ato ju shënohen në ibadete. Prandaj nijetin gjithmonë duhet kontrolluar, që të mos i japim rast nefsit dhe shejtanit. Nefsi yt është dushmani yt, e dushmani yt nuk ka rahmet për ty; assesi nuk ta do të mirën, e gjithmonë ta do të keqen! Allahu Teala ka thënë: Nefsi Emare gjithmonë ta do të keqen. (12-Jusuf: 53)
Por nëse ne bëjmë një hap drejt Allahut, Ai na afrohet neve dhjetë hapa. Dynjaja është shumë e keqe; dynjallëku i sjellë njeriut shumë të këqija. Resulallahu s.a.v.s. ka thënë: Dynjallëku është nëna e të gjithë të këqijave; prandaj ruajuni nga dynjaja.
Dobitë e veprave të bëra me nijetin e duhur janë të mëdha. Duhet të punojmë, natë e ditë duhet të punojmë. Nëse në xhennet hyjmë pa punë, nuk do ta shijojmë ëmbëlsinë aty, e nëse mundohemi e lodhemi, kjo ka vlerë më të madhe, dhe atëherë do ta shijojmë ëmbëlsinë e vërtetë të Tij.
Për ta kënaqur Pejgamberin tonë s.a.v.s., duhet punuar për ummetin e tij. Pejgamberi a.s. e do shumë ummetin e tij. Ai nuk është si pejgamberët e tjerë. Aq shumë e do Resulallahu s.a.v.s. ummetin e tij, sa që në Ditën e Mahsherit, kur xhehenemi të çlirohet nga prangat e tij dhe t’ju vërsulet njerëzve me të gjitha tmerret e tij, kur bile edhe pejgamberët tjerë me qëllim të shpëtimit të vetes të strehohen nën Arsh, Pejgamberi jonë s.a.v.s. do të kërkojë shpëtim, jo për vete, por për ummetin e tij. Meqenëse ai e do ummetin e tij aq shumë, edhe ne duhet vepruar, duhet të mundohemi që ai të jetë i gëzuar. Pejgamberi a.s. i është drejtuar Allahut Teala me duanë: Ja Rabb, ti e solle ummetin tim në kohën e fundit të kësaj bote, kur në të mbretëroi mosbesimi. Të gjitha të këqijat janë në këtë kohë. Pasi që e kanë jetën e shkurtër, edhe sevapet i kanë të pakta. Unë turpërohem që sevapet e ummetit tim janë të pakta.
Te ummetet e pejgamberëve të tjerë, për një vepër të mirë është shënuar një sevap, e për një vepër të keqe një gjynah. Për ta rritur hairin, Allahu Teala bëri që ummetit të Muhammedit s.a.v.s., që për një vepër të mirë t’ju shkruhen dhjetë, njëmijë, njëmijë-e-pesëqind, bile edhe trilion herë më shumë sevape!! Për një përmendje të Allahut në Mekë, shënohen njëqindmijë sevape, e për përmendje në vendet tuaja, dhjetë.
Allahu Teala shikon në zemrat tona. Atë që ndodhë në zemra, Ai i shkruan me dorën e Tij. Meqenëse i shkruan me dorën e Tij, Ai nuk do ta shënojë mendimin tonë të keq si gjynah. E megjithatë, mendimin tonë të hairit do ta shkruaj si sevap. Nëse në zemër lajmërohet një nijet i mirë, kjo shënohet si sevap. Nëse e realizon atë nijet të mirë, i shkruhen dhjetë sevape. E nëse në zemër lajmërohet qëllim i lig, por ky qëllim nuk veprohet, nuk shënohet si gjynah. Nëse veprohet, shënohet një gjynah. Për këtë arsye insani duhet të kontrollojë nijetin e vet në zemër. Hz. Gavs Abdulhakim Husejn thotë: “Unë për çdo vit e bëj nijet që të shkoj në Haxh. E, edhe nëse nuk shkoj, për shkak të nijetit të bërë e fitoj sevapin e Haxhit.”
Më vjen shumë mirë që keni ardhur këtu. Allahu qoftë razi me ju. Juve ju lus: Veproni vetëm për hatër të Allahut. Edhe kur niseni për diku, nisuni vetëm për hatër të Tij. ; e ju këtu keni ardhur nga të gjitha anët. Për secilin hap tuajin deri këtu, Allahu ju shënon dhjetë sevape.
Ne duam që ju me hyzmetin tuaj ta gëzoni Pejgamberin tonë, s.a.v.s., e t’i shkoni atij me fytyrë të ndritur. Mundohuni ta gëzoni Resulallahun. Ummeti i një pejgamberi të një makami kaq të lartë duhet të jetë i sinqertë dhe besnik. Kjo rrugë është Sirat-i Mustekim. Ky tarikat është rruga e Ebu Bekr es-Sëdëk-ut. Kjo është rruga e të sinqertëve dhe besnikëve. Duhet të jemi të sinqertë. Allahu ua bëftë hyzmetin e juaj të përhershëm. Allahu mos ju ndaftë nga shëfati i Pejgamberit s.a.v.s. dhe nga flladi i Sadatëve; mos ju ndaftë nga rruga e Pejgamberit a.s. dhe drejtimi i Sadatëve.
Po jetojmë në kohë të tmerrshme, shumë të rrezikshme e të rëndë. Në këto kohë të vështira duhet punuar natë e ditë. Allahu Teala e do punën tuaj. Sadatët e donë shumë punën tuaj. Punoni shumë, jo për këtë botë, por për të qenë me Sadatët në rrugën e Allahut. Në ditën e kiametit do të jemi bashkë, inshallah! Allahu ju ndihmoftë!
Stamboll. 12 Gusht 2006