Fjalor

 

A-BDEFGHIJKLMNPQRSSHTUVXHYZ

ABD
Në gjuhën arabe përdoret për njeriun skllav, rob. Zemra e njeriut nuk bëhet abd pa u çliruar nga çdo gjë tjetër, përveç Allahut Teala. Personit në këtë gjendje i thuhet rob i Allahut. Allahu Teala nuk e ka thirrë besimtarin me emër më të bukur se abd. Në Kur’an ai person është Ibadun mukramun – rob i nderuar (21-Enbija: 26). Edhe Nebitë dhe Resulët përmenden me këtë emër:

Kujto robët Tanë: Ibrahimin, Is’hakun dhe Jakubin. 38-Sad: 45
Kujtoje robin Tonë Ejubin. 38-Sad: 41
Ne Davudit i falëm Sulejmanin, rob shumë i mirë dhe shumë i kthyer nga Zoti. Sad: 10
Ai (Isai) tha: “Unë jam rob  i Allahut. Ai, më ka dhënë Librin dhe më ka bërë pejgamber. Merjem: 30
Ai (Isai) ka qenë vetëm një rob, të cilin e bëmë pejgamber dhe e bëmë shembull të jashtëzakonshëm si përvojë për beni israilët. Zuhruf: 59
Një rob besimtar është më i vlefshëm se idhujtari edhe nëse ai ju mahnit. Bekare: 221

Muhammedi s.a.v.s., gjatë natës qëndronte në namaz aq sa ju ënjtshin këmbët. Një natë, Aisha r.a. e pyet:
– O i dërguar i Allahut, pse e bën një gjë të tillë, kur ty të janë falë të gjitha gjynahet?, e Resulallahu s.a.v.s., i tha:
– A nuk duhet të jem nga robërit falënderues, pikërisht për këtë arsye?

Resulallahu s.a.v.s., ka treguar:
M’u dha liria të bëhem pejgamber melik (mbret) ose pejgamber abd (rob); preferova të dytën (pejgamber rob).
Po të kishte mes Allahut dhe krijesave të Tij një gradë më të lartë, Resulallahu atë gradë do të kishte zgjedhur, dhe Allahu Teala atë gradë do t’i jepte. Për këtë arsye përmendet në shehadet abduhu ve resuluhu. Pra, në shehadet, cilësia e pejgamberit abduhu (rob) përmendet para cilësisë resuluhu (i dërguar). Siç shihet, grada më e lartë për një njeri është robëria. Për ngritje shpirtërore nga poshtë në grada më të larta, tasavvufi në fillim vendos teube-n dhe në majë robërinë. Personi rob në të vërtetë është personi i lirë. Sepse ai i përulet vetëm Allahut. Ai i përshtatet vetëm urdhrave të Allahut. E ai që është larg nga urdhrat e Allahut, ka mbetur në robëri të nefsit dhe shejtanit.

ABDAL 
evlia; thonë që janë shtatë, katërdhjetë ose shtatëdhjetë.

ABDEST
eshtë fjalë persisht ab-ujë dhe dest- dorë; abdesi është pastrim i pjesëve të caktuara të trupit para se ti drejtohemi Allahut Teala nëpërmjet namazit dhe ibadete të tjera.

Resulallahu s.a.v.s., thotë:
“Kush merr abdes si duhet dhe i falë dy reqate namaz duke mos menduar për dynjallëk, do të jetë i pastër nga gjynahet sikur atë ditë kur e ka lindur nëna.”

“A t’ju tregoj me çka Allahu Teala i largon gjynahet dhe i ngritë gradat? Me marrje të abdesit në mënyrën më të mirë dhe me të gjitha rregullat, përkundër vështirësive, me hyrje në xhami dhe me pritje të namazit pas namazit. Ky është qëndrimi në rrugë të Allahut! Ky është qëndrimi në rrugë të Allahut! Ky është qëndrimi në rrugë të Allahut!”

Resulallahu s.a.v.s., mori abdes duke i larë pjesët e trupit nga një herë, dhe tha:
– Ky është abdesi për të cilin Allahu Teala do të shpërblejë një herë; 
pastaj Resulallahu s.a.v.s., mori abdes duke i larë pjesët e trupit nga dy herë, e tha:
– Kush i lanë pjesët e trupit nga dy herë kur merr abdes, Allahu Teala do t’i japë shpërblim të dyfishtë;
pastaj mori abdes duke i larë pjesët e trupit nga tri herë, dhe atëherë tha:
– Ky është abdesi im dhe i pejgamberëve para meje, e ky është edhe abdesi i Halilurrahman (mikut të Allahut), Ibrahimit a.s.

Resulallahu s.a.v.s., thotë:
“Kush e përmend Allahun Teala kur merr abdes, Allahu Teala ia pastron gjithë trupin. E kush gjatë abdesit nuk e përmend emrin e Allahut, atij do t’i pastrohen vetëm pjesët e trupit që i ka arrit uji.”

dhe ka thënë:
“Kush merr abdes mbi abdes, Allahu Teala do t’ia shkruajë atij dhjetë sevape.”

“Abdesi mbi abdes është si dritë e re mbi dritë.”

“Kur muslimani duke marrë abdes e shpërlanë gojën, atij i dalin gabimet nga goja e tij; kur e shpërlanë hundën, i dalin gabimet nga hunda e tij; kur e lanë fytyrën, i largohen gabimet nga fytyra, bile edhe nga kapakëte syve të tij; kur i lanë duart, i largohen gabimet nga duart deri sa të largohen edhe prej pjesës nën thonjtë e tij; kur e lagë kokën, i dalin gabimet nga koka, bile dalin edhe prej pjesës nën veshët e tij; kur i lanë këmbët, i largohen gabimet nga këmbët, edhe prej pjesës nën thonjtë e këmbëve të tij; e më pas, hyrja e tij në xhami dhe namazi i tij do t’i jenë shtesë (do të ketë shpërblim të veçantë për to).”

“Kush merr abdes në mënyrën më të bukur dhe sipas rregullave, e më pas drejton shikimin kah qielli e bën dua: ‘Eshehedu en la ilahe ilallahu vahdehu la sherike leh, ve eshhedu enne Muhammeden abduhu veresuluhu’, do të hapen për të tetë dyer të xhennetit, dhe ai mund të hyjë nga cila derë të dëshirojë.”

Omeri r.a. ka thënë: “Abdesi i drejtë dhe i plotë e largon shejtanin prej teje.

E Muxhahidi ka thënë: “Kush është në gjendje të shtrihet në shtrat me abdes, duke bërë dhikër e duke kërkuar falje prej Allahut Teala, ashtu edhe le të veprojë, sepse shpirtërat do të ngjallen në atë gjendje në të cilën e kanë lëshuar këtë botë.

Gjithashtu, tregohet se muslimani me abdes është si agjëruesi.

ABID
Ai që bën shumë ibadet; që adhuron; zahid; rob.
(Këta janë) ata që pendohen, e adhurojnë Allahun, e falënderojnë Atë, agjërojnë, përkulen (në namaz), bien në sexhde (gjatë namazit), urdhërojnë vepra të mira, pengojnë të këqijat dhe u përmbahen kufijve të caktuar nga Allahu. Jepu lajmin e mirë besimtarëve! 9-Teube: 112

Largohu nga haramet që ka përcaktuar Allahu Teala, bëhesh abidi më i shikuar mes njerëzve. (Hadithi Miftah-un-nexhat)
Qëllimi kryesor i Abidit është arritja e sevapit të ahiretit. Aq shumë shije merr Abidi nga ibadeti, sa që po të ndalohet për një çast nga ibadetet, ai përjeton vuajtjen më të madhe. Bile, njëri prej abidëve ka thënë: ”Nuk kam frikë nga vet vdekja, por frikohem që ajo do ta pengojë ibadetin e natës.” E Imam Gazali është lutur: “Allahu im, më dhuro edhe në varr mundësinë e ibadetit.”

ADAB
(sh. EDEB), metodë; rrugë; rregullat e sjelljes; edukim; ahlak i bukur; urtësi.
Rregullat e edukatës të cilave sufitë detyrohen t’i përshtaten, u jepet emri adab-i sufije, adab-i tarikat dhe adab-i erkan. Ka shumë vepra me temën e edebit. Në këto vepra tregohet për rregullat e edukatës, për sohbetin, për shejhun edhe muridin. Këto rregulla të edukatës mund të demonstrohen ndryshe, varësisht nga tarikati. Në temën e edebit, ky rregull i përgjithshëm paraqet rëndësinë:
“Kush nuk u përshtatet edebeve shmanget nga përshtatja sunneteve; ai që shmanget nga përshtatja sunneteve, largohet nga bërja si duhet e farzeve dhe vaxhibeve; nëse njeriu nuk i bën si duhet farzet dhe vaxhibet – esencat e fesë, ai rrezikon të humbas imanin. Vaj e vaj për atë që e humb imanin.”
Pra, edeb është burimi themelor për të arritur përfundimin e lumtur, bile edhe më e saktë – është pika e fillimit. Prandaj është e rëndësishme që edebi të ruhet.

ADEM
Mosekzistencë; inekzistencë; e kundërta e saj është ekzistenca/qenia.

ÂDEM
Njeriu i parë i krijuar dhe pejgamber.

E Ne i thamë: “O Adem,ti dhe bashkëshortja juaj banoni në xhennet dhe hani lirisht nga frutat e tij kah të doni, por mos iu afroni asaj bime (peme) e të bëheni zullumqarë (të vetvetes suaj).” Bekare: 35

Ata të dy hëngrën nga ajo (pemë) dhe që të dy u zhveshën, e ia nisën ta mbulojnë veten e tyre me gjethe që i mblidhnin nëpër xhennet, dhe kështu Ademi theu urdhrin e Zotit të vet dhe gaboi. Ta Ha: 121

E Ademi prej Zotit të vet pranoi disa fjalë (lutje), prandaj Ai ia fali (gabimin), Ai është Mëshirues dhe pranues i pendimit. Bekare: 37

AFAK
Ndodhitë që i përkasin gjithësisë dhe brenda gjithësisë; alemi – bota e jashtme; objektiv; e kundërta është Enfus.

AHIRET
Bota e përjetshme, e pavdekshme, ku do të shkojmë pas kësaj bote (dynjasë); Ahiret është emri i botës së pambarim që do të fillojë me krismën e kijametit. Ahireti është krijuar dhe është përgatitur me fuqinë e Allahut Teala ashtu siç është krijuar dhe përgatitur kjo botë me fuqinë e Tij, vetëm se për ahiret ka përgatitur një jetë tjetër; alemi; bota dhe jeta e përjetshme (pa mbarim) që fillon me vdekjen e njeriut. Besimi në botën e ahiretit është besimi i pestë nga gjashtë parimet e besimit.

Sa për atë që dëshiron ahiretin dhe përpiqet për të me gjithë shpirt e duke qenë besimtar, përpjekja e tij do të shpërblehet. 17-Isra: 19

“Ata para jush janë marrë me punët e ahiretit, e vetëm kohën që do t’u tepronte e harxhonin për këtë botë. Ndërsa ju vazhdimisht mundoheni me punët e kësaj bote, e nëse ju tepron koha, i bëni punët e ahiretit.” (Avn b. Abdullah)
“Të menduarit për ahiretin është shenja e të mençurit, gjallëria e zemrës.” (Ebu Sulejman Darani)
“Në një zemër ku rritet dashuria për ahiret, në atë zemër për aq shuhet mendimi për këtë botë.” (Ali Muzejjen).
Siç na njofton Allahu Teala, një ditë e kësaj bote në ahiret është njëmijë vjet. Lidhur me këtë, me ajet thuhet:

Një ditë te Rabbit yt është sa njëmijë vjet, si llogaritni ju. 22-Haxhxh: 47

“Në ahiret nuk ka ditë dhe net, as muaj dhe vite, si në këtë botë” ( Imam Rabbani). 

AHLAK
(sh. HULK) moral; edukatë; shprehi; veçori; natyrë; karakter; gjendje shpirtërore dhe mendore e njeriut; sjellje dhe qëndrimi moral i njeriut.
Burimi i ahlak’ut (moralit) islam janë urdhrat e fesë. Mbi të gjitha, burimi i ahlakut është Kur’ani Kerim. Në formimin e ahlakut islam, bashkë me Kur’anin, burim është edhe sunneti i Muhammedit s.a.v.s.. Këto dy burime nuk mund të ndahen, siç ceket edhe në Kur’an:

Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të ahlakut (moralit)68-Kalem: 4.

Tashmë është dëshmuar se është detyrim i të gjithë besimtarëve të marrin Muhammedin s.a.v.s. si model. Kjo për faktin se jeta e tij ishte pasqyrim i gjallë i Kur’anit. Kur është pyetur gruaja e Pejgamberit s.a.v.s. Aisha r.a. për ahlakun e Pejgamberit s.a.v.s., ajo ka thënë: “Ju a nuk lexoni Kur’anin? Ahlaku i tij ishte Kur’ani.”  Edhe vetë Pejgamberi s.a.v.s. thotë:
Unë jam dërguar që ta kompletoj ahlakun (moralin).

Muhammedi s.a.v.s. ishte model, përfaqësues i ahlakut të mirë, duke shikuar nëpërmes dritares së ahlakut të tij, njerëzit kanë mundësi të shohin qartas të mirën dhe të vërtetën, të krahasojnë të bukurën me të shëmtuarën.
Juve nuk ju mjafton pasuria për të gëzuar njerëzit. Ju mund të gëzoni njerëzit vetëm me fytyrë të buzëqeshur dhe me ahlak të mirë. (Hadithi, Sunen-i Ebu Davud)

Ajo që Allahu Teala e do më së shumti është ahlaku i bukur. (Hadithi, Ahlak-i Xhelal)

Ai që më së shumti e dua në mesin tuaj, është ai që ka ahlakun më të bukur. (Hadithi, Ebed-ul-mufred)

AJET
një fjali e Kur’ani Kerim; shenjë; fjali; dukuri.
Ne të kemi shpallur ty ajete të qarta dhe ato nuk i mohon askush, përveç atyre që kanë dalë nga respekti. 2- Bekare: 99.

AKAID
(sh. AKIDE). gjërat që besohen në Islam; esenca që besohet dhe vërtetohet; vendimet dhe urdhërat që hyjnë në besim; esencat; akidet. Imam Rabbani thotë: “Detyra e parë e mashkullit dhe femrës që kanë hyrë në moshën e pjekurisë është të mësojnë dituritë e akides që i kanë shkruar dijetarët e ehli sunnetit, si dhe besimi këtyre diturive. Në kiamet, shpëtimi nga vuajtja e xhehenemit është lidhur për besimin këtyre dijetarëve e ehli sunnetit.”

AKAID-I DINIJE
akidet e dinit; esencat e imanit; libër që flet për besimet e dinit; dituri që i ka temat në lidhje me Allahun Teala dhe me çështjet e ibadetit

AKD
marrëveshje; kontratë; lidhem me nyje; të lidhësh një lidhje; lidhem; zotim.
O ju që besuat! Zbatoni marrëveshjet. 5-Maide: 1

Dhe në një ajet tjetër:
Por ju ndëshkon për ato që jeni zotuar qëllimisht. 5-Maide: 89

AKL
mend; mendje; aftësia e njeriut për të menduar dhe për të njohur.
Resulallahu s.a.v.s., thotë: Allahu Teala nuk ka krijuar asgjë më të vlefshme se mendja.”

Një nga dëshmitë se mendjet nuk janë të njëjta mes njerëzve është edhe fundi i hadithit të gjatë nga Abdullah b. Selami, ku Resulallahu, s.a.v.s., thotë:
“…Melekët thanë:
O Rabb, a krijove diçka më të madhe se Arshi? Allahu Teala tha:
– Po, e krijova mendjen. Melekët thanë:
O Rab sa është e madhe mendja? Allahu Teala tha:
– A dini numrin e kokrrave të zallit? Melekët thanë:
Jo, nuk e dimë. Allahu Teala tha:
(Pra) as madhësinë e mendjes nuk mund ta dini. Unë e ndava mendjen në klasa, siç e ndava zallin në kokrra. Dikujt i është dhënë një kokërr, dikujt dy kokrra, dikujt tri a katër kokrra, dikujt një kaci, dikujt një ngarkesë, e dikujt edhe më shumë.”

Sipas transmetimit, Aisha r.anha., kishte pyetur Resulallahun s.a.v.s.,:
O Resulallah, me çka fitojnë epërsi njerëzit në botë? Resulallahu tha:
–   Me mendje. Aisha tha:
A nuk i peshohet vlera çdokujt me vepra?
Resulallahu tha:

– O Aisha, a mund ata të bëjnë diçka më shumë  se mendja e tyre? Ata veprojnë sipas mendjes që u ka dhënë Allahu Teala. Pastaj, sipas veprimit shpërblehen.

Sipas transmetimit të Ebu Said Hudri, Resulallahu s.a.v.s. ka thënë:
“Çdo gjë ka një shtyllë, e shtylla e muminit (besimtarit) është mendja – zotëria i tij. Edhe ibadeti i tij kushtëzohet me mendjen. A nuk i dëgjuat thëniet në xhehenem:
– Sikur të kishim dëgjuar ose menduar, nuk do të ishim midis banorëve të Zjarrit Flakërues! (67:10)

ALEJHISSELAM (a.s.)
sh. ALEJHIMESSELAM (a.m.s.), epitet që thuhet pas emrit të çdo pejgamberit e që do të thotë: Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të. Shkurtimisht shkruhet a.s., për shembull: Muhamedi a.s. paqja qoftë mbi të.

ALEM
botë; gjithësi; gjithqka, kohë; epokë; kohë shumë e gjatë; erë; përjetësi; xhemat; popull; shoqëri; bashkësi.  Në shqip, Alem përkthehet si botë. Në tasavvuf, Alem është çdo gjë përveç Allahut, e arsyeja për këtë është që me “alem/alemin” të njihen emrat dhe cilësitë e Allahut, sepse fjala alem ka prejardhje nga fjala di, njoh.

ALEM-I XHEBARUT (bota e forcës). Fjala xhebir në gjuhën arabe do të thotë forcë, fuqi. Kësaj i thuhet edhe alem-i emir (bota e urdhrit), alem-i melekut (bota e melekutit) ose edhe alem-i gajb (bota e fshehur). Alem-i ruh (bota e shpirtrave) – bota që është krijuar pa kohë dhe vend.
ALEM-I EMIR (bota e urdhrit). Ekzistenca që është krijuar nga Haku pa pasur lidhje me shkakun. Alemi (bota) e melekut është nga ky alem (botë). Dallimi mes ekzistencës që është krijuar me lidhjen e shkakut është se alem-i emir është krijuar për një çast. Bota mbi kohe dhe vend.
ALEM-I ERVAH (bota e shpirtrave): Në këtë nivel, çdo ruh (shpirt) e kupton veten dhe burimin e vetes – Hakun. Ky nivel tregohet me ajetin:

A nuk jam Unë Rabbi juaj? Ata u përgjigjën: Po, dëshmojmë se Ti je! 7-A’rafë: 172

ALEM-I MISAL (bota mostër, model). Ky është një nivel që sufitë e pranojnë. Në këtë nivel, qenia shfaqet në një formë, pa e pranuar ndarjen në pjesë – shfaqet në tërësi. Arsyeja pse këtij niveli i thuhet misal (mostër, model) është sepse çdo individ që gjendet në botën e shpirtave, në botën e materies do të paraqitet në një formë; e kjo formë ka dukje të ngjashme në alem-i misal. Kësaj i thuhet edhe alem-i berzah. Alem-i berzah është në mes të alem-i shehadet (botës materie) dhe alem-i ervah (botës së shpirtave), pra është bota ku vet krijesat nuk janë, por janë pamjet e tyre. Alem-i misal është më i madhi nga të gjithë botët. Çdo gjë që gjendet në botët tjera ka një imazh në alem-i misal. Çdo gjë që vije në mendje dhe imagjinatë, në këtë botë ekziston me një imazh.
ALEM-I SUGRA (bota e vogël): Bota e vogël është njeriu. Njeriut i është dhënë ky emër sepse te njeriu gjendet nga një mostër prej çdo gjëje që është krijuar.
ALAM-I SHEHADET ose ALEM-I ZAHIR (bota e dukshme): Është kjo botë, dynjaja.
ALEM-I KEBIR (bota e madhe): Në zahir, bota e madhe është gjithësia, ndërsa bota e vogël është njeriu. Në të vërtetë, gjithësia është palosur në njeriun; sikur pema që gjendet e palosur në farë. Njeriu është esenca e të gjitha botëve. Njeriu në zahir (dukje) është i vogël, por në hakikat është Bota e Madhe.

ALIM
dijetar; njeri i ditur; ai që ka dije e njohuri të thella.

Thuaj: ‘A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?! 39-Zumer: 9
Po, Allahut ia kanë frikën nga robërit e Tij, vetëm dijetarët. 35-Fatir: 28

Zotëria ynë, Muhammedi s.a.v.s., thotë:
Dijetarët janë trashëgimtarët e Pejgamberëve.

Rahmeti i Allahut Teala qoftë mbi trashëgimtarët e mi”,
e pyetën se kush janë trashëgimtarët e tij, e Resulallahu, s.a.v.s., ju tha:
Janë ata të cilët ringjallin sunnetin tim (duke e jetuar) dhe ia mësojnë atë robërve të Allahut Teala.

Allahu Teala kujt i dëshiron mirësi, e bën dijetar (alim) ia tregon të drejtën në fe dhe e njofton me gjërat që mund ta dëmtojnë fenë.

Banorët e qiellit dhe Tokës kërkojnë falje për dijetarin (alim).

Vdekja e një brezi të tërë është më e mirë se vdekja e një dijetari.

Në ditën e kiametit, ngjyra e shkrimit të dijetarëve, peshohet me gjakun e shehidëve (dëshmorëve).

Janë dy kategori në ummetin tim që, nëse ata përmirësohen, përmirësohen të gjithë njerëzit, e nëse ata prishen – prishen të gjithë njerëzit. Këta janë udhëheqësit dhe dijetarët.

Ju jeni me një botë dhe kohë ku dijetarët e fesë (fukaha) janë shumë, lexuesit dhe folësit janë të paktë, pyetjet e tyre janë të pakta, e përgjigjet që jepen janë shumë. Në këtë situatë, veprimi (amel) është më i dobishëm se dituria. Shpejt do të vjen një kohë kur dijetarët do të pakësohen, folësit dhe ata që bëjnë pyetje do të shumohen, e pak do të ketë të tillë që do të përgjigjen. Për këtë arsye në atë kohë dituria është më e dobishme se veprimi.

Mes dijetarit dhe atij që bën ibadet ka njëqind gradë diferencë. Mes çdo grade, distanca është sa shtatëdhjetë vite vrapim të kalit të ushqyer.

Resulallahu, s.a.v.s., ka thënë:
Allahu Teala në ditën e kiametit abidëve dhe muxhahidëve u thotë: 
– Hyni në xhenet
; e dijetarët thonë:
Ata bënë ibadet dhe luftuan në saje të mësimit tonë. Allahu Teala urdhëron:
– Ju jeni pranë Meje si disa prej melekëve. Bëni shefat (ndërmjetësim), shefati i juaj është i pranueshëm.
Ata do të bëjnë shefatin dhe do të hynë në xhenet.

Dijetarin që e fsheh diturinë, në ditën e kiametit Allahu Teala e dënon me zjarr.

Padyshim, Allahu nuk do ta zhdukë diturinë.  Por, sigurisht që shkencat (dituritë) do të humbasin me humbjen e dijetarëve. E kur nuk do të ketë dijetarë, njerëzit do t’i zgjedhin për kryetarë të paditurit. Populli do t’i pyes, e ata do të japin shpjegime (fetva) pa ndonjë dituri. Kështu, ata edhe vetë do të bien në humbje, e edhe të tjerët do t’i largojnë nga rruga e drejtë.

Alia, r.a., ka thënë: “Bëhu dijetar që të mos vdesësh. Njerëzit vdesin, e dijetarët janë gjallë.”

Hasan Basriu ka thënë: “Ngjyra e shkrimit të dijetarëve peshohet me gjakun e dëshmorëve dhe vjen rëndë.” 

Salim b. Xhad ka thënë: “Unë kam qenë skllav, një person më bleu për treqind dërhemë, e kur ma fali lirinë më duhej të kërkoja punë. Mirëpo unë preferova mësimin, e falë diturisë, për pak kohë arrita të jem në pozitë të mos e pranoj padishahun, që erdhi te më vizitoj mua, dikur skllav.”

Jahja b. Muadh ka thënë: “Dijetarët janë më të mëshirshëm për ummetin e Muhammedit alejhisselam se sa prindërit. Sepse prindërit e mbrojnë nga zjarri i botës, ndërsa dijetarët e mbrojnë nga zjarri i ahiretit.”

ALLAH
Allah është emri i veçantë i qenies (dhat) së Lartësuar, Krijuesit, Sundimtarit dhe Pronarit të gjithësisë dhe tërë krijesave. Në emrin Allah gjenden të gjitha cilësitë hyjnore. Duke thënë Allah, përnjëherë janë bërë dhikër (përmendur) të gjithë Emrat e Bukur. Asnjë krijese apo qenieje nuk mund t’i ipet emri Allah. 

Allahu Teala është pronari i tërë gjithësisë. Ai është ilahi, tek, i Vetmi të cilit duhet t’i bëjmë ibadet. Ai është që i krijoi të gjithë njerëzit dhe gjithësinë prej mos-ekzistencës, Ai është që atyre u jep jetë dhe i mbanë gjallë, është shpërndarësi i riskut, udhëzuesi dhe drejtuesi i krijesave dhe Ai është që merr jetë dhe jep jetë. Ai është pronari dhe sundimtari i çdo gjëje. Ne besojmë në ekzistencën dhe njëshmërinë e Allahut Teala ashtu siç na ka mësuar Ai. Mendja dhe dituria jonë nuk janë të mjaftushme për të njohur Qenien e Tij. Allahu Teala, njihet vetëm duke vendosur në zemrën tonë nur, dashuri, dituri dhe zgjuarësi. Kësaj i thuhet hidajet. Hidajet është kur Allahu Teala e hap zemrën e robit dhe vendos nur brenda. Është ky nur që e hapë syrin e zemrës dhe e drejton atë kah Allahu Teala.

A mund të përfytyrohet Allahu Teala?
Asgjë nuk i shëmbëllen Atij. 42-Shu’ra: 11

Allahu Teala dëshmon se asnjë krijesë nuk i përngjan në qenie (dhat), cilësi dhe veprime. Si mund të përfytyrohet një ekzistencë që nuk ka ngjashmëri? Me çka mund ta krahasojmë atë? Meqenëse kjo temë është e ndjeshme dhe me rrezik, atëherë duhet të kemi shumë kujdes. Zotëriu ynë, Resulallahu s.a.v.s., na ka ndaluar të paramendojmë qenien e Allahut Teala. Se çka mund të mendojmë, na ka përcaktuar në këtë mënyrë:
Qenien e Allahut Teala mos e mendoni, mirëpo mendoni nimetet e Tij dhe krijesat që Ai i ka krijuar, për shkak se ju nuk keni fuqi ta mendoni qenien e Allahut Teala, shkatërroheni.

Qenia e Allahut Teala nuk përfytyrohet. Një grup që është zhytur në mendime rreth qenies së Allahut Teala ra në shirk duke e përngjarë atë me ndonjë krijesë. Këtij grupi i thuhet Myshebbihe dhe Muxhessime. Disa të tjerë duke thënë se te Allahu Teala nuk gjenden cilësitë që gjinden te njeriu, si dëgjimi, shikimi, dashuria, durimi e të ngjajshme, e duke i mohuar të gjitha cilësitë e Tij, ranë në qyfër. Këtij grupi i thuhet Muattila.

Ne si Ehl-i Sunnet jemi larg prej këtyre dy kuptimeve. Ne nuk ia përngjajmë asnjë send Lartësisë së Rabbit tonë dhe nuk e mohojmë asnjë cilësi që i takon Atij. Ne për qenien e Allahut Teala besojmë dhe dorëzohemi ashtu si na ka njoftuar Kurani i Madhëruar dhe si jemi njoftuar prej gjuhës së Resulullahut, s.a.v.s.. 

Në lidhje me këtë temë është shumë e bukur fjala e Imam Shafiut r.a.: “Dikush duke dëshiruar ta njeh Krijuesin e Lartësuar, niset me mendjen e vet të imagjinojë një krijesë dhe e supozon se është Krijuesi i tij. Ai është mushebbih, e ka përngjarë krijesën me Allahun Teala. Po ky person, nëse me mendimin e tij nuk arrin te një ekzistencë dhe gjykon me mosekzistencë, ai e ka mohuar Allahun Teala.  Në qoftëse, me mend e kupton se ekziston një Krijues, mirëpo thotë se është i pafuqishëm ta kuptojë hakikatin e tij, ai person ështe muvahhid, ka besuar në njëshmërinë e Allahut Teala.”

Allahun Teala ne nuk e përngjajmë me ndonjë krijesë dhe qenien e Tij nuk mund ta imagjinojmë. Ne nuk mund ta dijmë se si është Ai duke e imagjinuar. Ai nuk i përngjan asnjë krijese që të mund të imagjinohet. Ai nuk ka partner, krahasim apo dikë të ngjashëm që ne ta shohim e të themi se po i përngjan atij. Dijetarët tanë për këtë gjendje kanë deklaruar shkurtimisht kështu:
Gjithçka që vjen në mend, mendohet, imagjinohet, i jepet formë apo i përngjan një gjëje, s’është Allah.

Arifët në këtë botë, e njohin Allahun me zemër. Afrimi ndaj Tij bëhet me zemër. Të arrihet tek Ai është punë e shpirtit dhe e zemrës. Rruga e këtij edukimi qëndron mbi sunnete dhe devotshmëri. Afërsia e Allahut Teala ndaj atyre të cilët Ai i don nuk është në afërsi fizike, mirëpo në mëshirë (rahmet), dritë (nur), dituri (ilm), dashuri, dhe përkrahje. Të bëhesh fena në Allah, nuk do të thotë të humbësh me trup në qenien e Tij. Kjo do të thotë të humbesh me shpirt, zemër dhe me të gjitha esencat shpirtërore në dashurinë e Allahut, vullneti apo dëshira e vetes të nënshtrohet në vullnetin apo dëshirën e Atij, ta duash atë që Ai e don, për Allahun të hidhërohesh, për Allahun të marrësh, për Allahun të japësh, thënë shkurt, të jetosh për Allahun. Kësaj i thuhet grada e kënaqësisë (makami riza). Në këtë gradë robi bëhet i kënaqur me Allahun Teala si dhe Allahu Teala bëhet i kënaqur me të. Ja pra, kjo është gjendja dhe cilësia e njerëzve të përkryer (insani kamil).
Përveç besimit të cilën e përmendëm më lartë , të gjitha të tjerat si: integrimi me Allahun, humbje në qenien e Tij, hyrje e Allahut në ty apo të thuash se e ke parë Allahun në një vend me sytë e ballit, kjo është kufër.

AMEL
punë; veprim; punim; mund; të punosh një punë; ta dërgosh një urdhër ose detyrë në vend të vetin; të zbatosh një urdhër të dinit.

Veprat janë sipas qëllimit dhe çdokujt i takon ajo që e ka për qëllim. (Buhari)
Me të vërtetë Allahu Teala ummetit tim i falë ato që bëhen duke gabuar pa qëllim, ato që bëhen nga harresa dhe ato që bëhen nën presion (nga të detyruarit). (Ibnu Maxheh)
Me të vërtetë Allahu Teala i ka përcaktuar veprat e mira dhe veprat e këqija. Pastaj këtë e ka sqaruar: Kush dëshiron ta bëjë një vepër të mirë, por nuk e vepron, Allahu Teala tek ai do ta shkruaj si vepër të mirë të plotë. Por, kush dëshiron ta bëjë një vepër të mirë dhe këtë e bënë, Allahu Teala do t’ia shkruaj dhjetë vepra të mira, deri në shtatëqind shpërblime, dhe më shumë. Kush dëshiron të veprojë një vepër të keqe, dhe nuk e vepron, Allahu Teala tek ai do ta shkruajë si vepër të mirë të plotë, por nëse dëshiron dhe e bën, Allahu Teala do t’ia shkruaj si një vepër të keqe. (Buhariu dhe Muslimi)
Ai që vepron me atë që di, Alahu Teala ia mëson edhe atë që nuk e di. (Hadith, Berika)

Me faljen e Allahut Teala mund të shpëtoni nga xhehenemi. Me rahmetin e Tij hyni ne xhenet. Sipas veprimeve përfitoni nivelin dhe gradën.” (Avn bin Abdullah)
Nga veprat më të vlefshme është të gëzosh besimtarin. (Muhammed bin Suka)
Pranimi i veprës është i lidhur për ihlas, do të thotë – të gjitha punët të bëhen vetëm për rizanë e Allahut dhe për të arritur dashurinë e Tij. (Imam Rabbani)

A’MELI SALIH-A
punë që janë të pranueshme apo me vlerë në fe/sheriat; vepra të mira.
…Kush shpreson takimin me Rabbin e vet, le të bëjë vepra të mira (amele salih) dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Rabbit të vet!” 28-Kehf: 110
Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, qofshin meshkuj apo femra, do të hyjnë në Xhenet. Aty do të begatohen pa kufizim.” 40-Gafir: 40

Kur vendoset njeriu në varr, veprat e mira (salih) që i ka bërë gjatë jetës vijnë pranë tij në një pamje tërheqëse, me aromë të këndshme dhe me veshje të bukur, dhe thotë:
– A nuk më njeh? Njeriu thotë:
– Kush je ti që Allahu Teala ty të dhuroi për mua në këtë kohë të vetmuar?; e ai thotë:
– Unë jam veprat tua të mira. Mos u frikëso, mos u mërzit! Pas pak vijnë melaiket Munker dhe Nekir, mos u frikëso prej tyre.
 (Imam Gazali)

A’RAF
Në gjuhën arabe do të thotë majë; një vend mes xhennetit e xhehennemit; personat që kanë numër të barabartë të gjynaheve dhe sevapeve, nuk hyn as në xhehenem e as në xhenet. Ata qëndrojnë në a’raf.

ARIF
(prej fjalës IRFAN), ai që di; ai që njeh; i ditur; ai që në dituri është përpara; ai që njeh Hak-un; ai që me Hak e njeh Hak-un.
Çdo gjë ka burim, burimi i devotshmërisë është zemra e arifit. (Hadith, Kunuz-ul-Hakaik)

Arifi nuk flet bosh. Ai vazhdimisht mendon të fitojë rizanë e Allahut Teala. (Bejazidi Bistami)
Arifi e sheh secilin më të vlefshëm se veten. (Imam Rabbani)

ARIF-I BILLAH
murshid; veli/evlija; ai që me nurin e Hakut e njeh Xhenabi Hakun.

ARSH
çardak në vreshtë; vend nën hije; kursi; fron; pozitë e lartë; qielli më i lartë; vendi i texhelisë, fuqisë dhe pushtetit të Allahut Teala (arshi mbulon gjithësinë, ndërsa fuqia dhe dituria e Allahut Teala e mbulon gjithçkafin).
Arshi është ekzistenca më e madhe që ka krijuar Allahu Teala. Sipas shpjegimit të komentuesve, Allahu Teala fillimisht ka krijuar arshin. Arshi është mbi shtatë qiej dhe mbi kursin. Arshit i thuhet edhe Arshullah, Arshi mexhid dhe Arshi a’la.
Ai është i cili krijoi qiejt e tokën brenda gjashtë dite, e Arshi i Tij kishte qenë mbi ujë. 11-Hud: 7
Ky ajet na njofton se uji është krijuar para qiejve dhe tokës.
Shtatë kategori njerëzish do të jenë nën hijen e Arshit në ditën kur nuk gjendet askund hije tjetër: sundimtari i drejtë, ai që rininë e ka kaluar në ibadet, ai që zemrën e ka të lidhur për xhami, ai që vetëm për rizanë e Allahut e do tjetrin, ai të cilin e thërret gruaja e bukur e ai thotë: ‘Unë i frikësohem Allahut.’, ai që sadakanë e jep ashtu që dora e majtë nuk e di atë që ka dhënë dora e djathtë, dhe ai që kur gjendet vetëm e përmend (bën dhikër) Allahun.’ (Buhari, Muslim)

“Arsh-i a’la është një nga krijesat më të habitshme dhe më të ndershme të Allahut. Ai është më i pastër dhe më ndriçues (nur) se çdo gjë tjetër.” (Imam Rabbani)
“Siç është kibla e namazit Qabeja, edhe Arshi është kibla e duasë. Për këtë arsye, në dua duart ngiten, dhe shuplakët hapen drejt qiellit.” (Imam Gazali)

AS’HABI SUFF
as’habë të varfër e beqarë që qëndronin në një çadër buzë Mesxhidi Nebevi, e mësonin dituri nga Resulallahu s.a.v.s.

ASL
asil; bazë; themel; rrënjë.

ASHK
ndjenjë e afërsisë së tepërt, e lidhjes dhe besnikërisë, dashuri, pasion.

AZAM
më i madhi; shumë i madh; edhe më i madh.

AZAMET
madhësi; i madhërishëm; i lartë; madhësia e Allahut Teala.

 

AB-DEFGHIJKLMNP-QRSSHTUVXHYZ

BAKI
Allahu Teala; përjetësi; gjithmonë; përherë; pandërprerë; që s’ka filim e mbarim; el-Baki; egzistimi që s’ka fund as fillim.

BASIRET
syri i zemrës; të hetohet dhe kuptohet hakikati me zemër; të dihet hakikati i një sendi me zemër; mendjemprehtësi; largpamësi; urtësi.

BATIL
kotësi; diçka e kotë, e padobishme.

BATIN
përmbajtje; fshehtësi; fytyrë e brendshme; gjë e fshehtë; e padukshme; prej anës së brendshme.

BEJAN
deklaratë; njoftim; sqarim; shpallje..

BEJTULLAH
shtëpia e Allahut; Qabe.

BEKA
vazhdueshmëri; qëndrim në vend; mosheqje dorë prej vendit; mbetje në gjendje e mëparshëm; të jetë gjithmonë dhe qëndrueshëm; në Ilm-i Kelam do të thotë: egzistimi/qenia që kurrsesi s’ka fund dhe është një cilësi i Allahut Teala.

BERZAH
urë; mesi i dy alemeve (botëve); varr; vend ndërmjet kësaj bote dhe ahiretit; perde; kalim ndërmjet dy vendeve; shpirtat e njerëzve pasi që të vdesin gjinden në botën/alemin e berzasë deri në ditën e kijametit; berzaja është alem i madh dhe shpirtëror.

BESHER
njeri; i bir i Ademit (Beni Adem).

BISMIL-LÂH
Me emrin e Allahut, thuhet në fillim të çdo pune, me qëllim që Allahu Teala ta pranojë dhe ta bekojë atë veprim.

 

ABD-EFGHIJKLMNPQRSSHTUVXHYZ

DALALET
largim prej imanit dhe Islamit; devijim prej rrugës së Islamit, prej hakut dhe hakikatit; habi; hutim; turbullim.

DEREXHE
shkallë; gradë; rang.

DHAT
person; individ; vetja; esencë; thelb; qenie.

DHAKIR
Ai që bën dhikër; ai që përkujton, që përmend Allahun Teala.

DHIKR
përmend; përkujtoj; kujtoj; heqja e pavëmendjes dhe përkujtimi i Allahut Teala në çdo punë. Një nga epitetet e Kur’anit.

… më kujtoni Mua që Unë t’ju kujtoj… 2-Bekare: 152
Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. 13-Ra’d: 28
O ju që besuat, përkujtoni Allahun sa më shpesh.” 33-Ahzab:41
Pasi të kryeni namazin, përmendeni Allahun duke qëndruar në këmbë, ulur dhe të shtrirë. 4-Nisa: 103
… e përmendja e Allahut është më e madhja (e adhurimeve); Allahu e di ç’punoni ju. Ankebut: 45

Resulallahu, s.a.v.s., ka thënë:
Ai i cili përmend Allahun Teala në mesin e të pavetëdijshmëve është sikur një pemë e gjelbër në mesin e pemëve të thata.

Resulallahu, s.a.v.s., tregon se Allahu Teala ka thënë:
Ai që është i angazhuar duke më përkujtuar Mua (me dhikrin Tim), e nuk gjen kohë të kërkojë nga Unë, do T’i jap më të mirën prej asaj që të tjerët e kërkojnë nga Unë.

Xhabiri r.a., transmeton se Resulallahu s.a.v.s., ka thënë:
Dhikri më i vlefshëm është La ilahe illallah.

Omeri, r.a., transmeton se Resulallahu, s.a.v.s., ka thënë:
Nuk ka në Tokë dikush të thotë ‘La ilahe illallah, Subhanallah, Elhamdulillah, Allahu Ekber, dhe La havle ve la kuvvete ila billah, e të mos i falen gjynahet, qofshin edhe sa shkuma e detit.

 Resulallahu, s.a.v.s., gjithashtu ka thënë:
Katër fjalë janë më të dashurat për Allahun Teala: ‘Subhanallah, Elhamdulillah, La ilahe illallah dhe Allahu Ekber’ dhe nuk pengon me cilën do prej tyre të fillosh.

 Resulallahu, s.a.v.s., i tha Ebu Hurejres:
– O Ebu Hurejre! Të gjitha veprat e mira që i bën do të peshohen në ditën e Gjykimit, përpos shehadetit ‘La ilahe illallah’. Shehadeti nuk do të peshohet sepse, po të vendoset shehadeti i thënë me sinqeritet në njërin tas të peshores, e në tasin tjetër të vendosen shtatë qiejt dhe shtatë toka, dhe gjithë çka ka në to, tasi me ‘la ilahe illallah’ do të vinte më i rëndë.

Resulallahu, s.a.v.s., gjithashtu ka thënë:
Ata që përmendin (bëjnë dhikër) Allahun, janë në shkallën më të lartë.

Shenja e dashurisë ndaj Allahut, është dashuria ndaj përmendjes së Allahut.

“Dhikër nuk është vetëm përsëritja e shprehjes ‘la ilah ilallah’ ose ‘Allah’. Në çfarëdo mënyre të bëhet, kur shpëton nga pavëmendja – është dhikër. Andaj, zbatimi i urdhrave të sheriatit është dhikër. Përkujtimi i Atij që ka përcaktuar këta urdhra, është dhikër. Por, me dhikrin (përmendjen) që bëhet me emrin e lavdërueshëm të Krijuesit – ‘Allah’, dhe me cilësitë e tjera të Tij, më shpejt shfaqet ndikimi dhe realizohet dashuria e Tij. Për këtë arsye, të mëdhenjtë e tasavvufit kanë njoftuar se ky lloj dhikri është shumë i vlefshëm. Në një hadith është thënë: ‘Ai që një gjë përmend shumë, atë shumë e do.’ Prandaj ai që do, e përmend të dashurin shumë. Ai që Allahun shumë e përmend, Allahun e do; duke dashur Allahun, në zemër i vendoset imani dhe qetësohet, kështu që përshtatja urdhrave i bëhet e lehtë. Pa dashuri të plotë ndaj Allahut Teala dhe Resulallahut s.a.v.s., përshtatja urdhrave bëhet më vështirë.” (Imam Rabbani)
“Pastrimi i zemrës bëhet me dhikrin e Rahmanit.” (Imam Rabbani)

“Ai që e kalon kohën me dhikrin e Allahut Teala, nuk bie në vuajtje.” (Ebu Abdullah Rodbari)

DIN
fe; të besosh dhe t’i lidhesh Allahut Teala;  në gjuhën arabe, din do të thotë rrugë; një nga emrat e Ditës së Gjykimit është Jaum-ud Dîn (Dita e Llogarisë). Përmes Pejgamberëve, Allahu Teala e ka bërë të qartë rrugën, urdhrat dhe ndalesat, me qëllim që njerëzit të arrijnë rehati, qetësi dhe lumturi, në këtë botë dhe në ahiret.

Feja e pranueshme tek Allahu është Islami. Ata që u është dhënë Libri, patën mospajtime nga zilia që kishin mes tyre, vetëm pasi u erdhi dituria. Por kushdo që i mohon udhëzimet e Allahut, ta dijë se Allahu është i shpejtë në llogari. 3-Al-Imran: 19

Sot ua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj. 5-Ma’ide: 3
Çdo fe përbëhet nga dy pjesë: Itikad (çështjet që duhet besuar) dhe Amel (veprim, të vepruarit sipas asaj që duhet). Itikad (besimi) në çdo fe është i njëjtë. Itikadi është esenca dhe themeli i fesë.

DUA
lutje. 

Allahu Teala thotë:
Lutmuni (më bëni dua) Mua, Unë do t’ju përgjigjem. 40- Gafir: 60,
Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai t’më lutet Mua. 2-Bekare: 186,
Luteni Rabbin tuaj të përulur e në heshtje, pse Ai nuk i do ata që e teprojnë. 7-Araf: 55

Resulallahu, s.a.v.s., ka thënë:
Duaja, vërtetë është ibadet.
Te Allahu asgjë nuk ka më shumë vlerë se duaja.

Çdo natë, Allahu Teala lëshohet në qiellin më të afërt të dynjasë, kur mbetet pjesa e tretë e natës, e thotë:
A ka dikush të më bëj dua Mua, e t’ia pranoj; a ka dikush të kërkojë diçka nga Unë, e t’ia dhuroj; a ka dikush të kërkojë falje nga Unë, e t’ia fali.

Resulallahu, s.a.v.s., thotë:
Duaja në mes ezanit dhe ikametit nuk refuzohet; si edhe:
Agjëruesit nuk i refuzohet duaja.

Selmani tregon se Resulallahu, s.a.v.s., ka thënë:
Vërtetë që Rabbi juaj është i turpërueshëm dhe bujar; turpërohet nga robët e Tij, kur i drejtojnë duart kah Ai, që t’i kthejë zbrazët.

Ibn Abbassi ka thënë: “Resulallahu, s.a.v.s., kur bënte dua, i afronte shuplakët dhe anën e brendshme të shuplakave e afronte te fytyra.”

DYNJA
Botë; gjithësi; Në tasavuf dynjaja përkufizohet në mënyra të ndryshme; si gjithçka që largon nga Allahu; (dynjaja është) ara e ahiretit; vendi i përkoshëm/i vdekshëm; vendi i provimit. Dervishët e quajnë dynjanë “bota e rrejshme“, kanë thënë se pasuria e botës mbetet në botë, dhe e kanë përngjasuar me shtrigën, gjarpërinjtë e helmin. Allahu Teala thotë:
”Njerëzve u është zbukuruar dashuria ndaj të këndshmeve, ndaj grave, djemve e ndaj pasurisë së grumbulluar nga ari e argjendi, ndaj kuajve të stolisur, bagëtisë e bujqësisë. Këto janë kënaqësi të kësaj bote.” 3-Ali Imran: 14
“Çdo gjë që gjendet në Tokë, Ne e kemi bërë stoli për të, për të provuar se kush prej tyre punon më mirë.” 18-Kehf: 7
“…ata të cilët jetën e kësaj bote e kanë blerë me jetën e ardhshme dhe atyre nuk do t’u lehtësohet dënimi as nuk do të ndihmohen.” 2-Bekare: 86
“Ne nuk i kemi krijuar qiejt, Tokën dhe çfarë gjendet midis tyre, për t’u zbavitur!

Ne i kemi krijuar ato me qëllim të plotë, por shumica e tyre nuk e dinë.” 44-Duhan: 38 – 42

Musa b. Jesar r.a., tregon se Resulallahu s.a.v.s., ka thënë:
“Allahu Teala nuk ka krijuar asgjë më të pavlerë se dynjaja, dhe prej se e ka krijuar, nuk e ka shikuar.”

Resulallahu s.a.v.s., po kalonte pranë një deleje të ngordhur, etha:
– Çfarë mendoni, a ka kjo dele e ngordhur ndonjë vlerë në sytë e pronarit të saj? Ata thanë:
– Ai edhe e hodhi këtu sepse nuk ka vlerë; e Resulallahu s.a.v.s., tha:
– Betohem në Allahun, në dorën e të cilit është shpirti im, kjo botë tek Allahu është më e pavlerë se sa kjo dele tek pronari i vet. Po të vlente dynjaja tek Allahu aq sa krahu i një mushkojne, Allahu Teala nuk do t’i jepte qafirit as një gllënjkë ujë për të pirë nga kjo dynja.

Ebu Hurejre tregon: “Resulallahu s.a.v.s., më tha:
– O Ebu Hurejre, a të tregoj dyjnanë me gjithë çka ka?
I thashë: “Po, o i Dërguar i Allahut” e Resulallahu s.a.v.s. më kapi dorën e më dërgoi në një përrua me mbeturina; kafka njerëzish, bërllog, veshje të copëtuara e eshtra dhe më tha:
– O Ebu Hurejre! Këto koka lakmonin dynjanë, njëjtë sikur ju; shpresonin siç shpresoni edhe ju, e sot – ato janë vetëm kocka pa lëkurë, e shpejt do të bëhen pluhur. Ky bërllog janë ushqimet e ndryshme që ata kanë ngrënë e të cilin e kanë fituar ashtu si e kanë fituar, dhe e kanë shijuar në stomakët e tyre, e sot –sot njerëzit ikin prej kësaj. Këto eshtra janë eshtrat e kafshëve të tyre me të cilat kanë shëtitur. Prandaj, kush dëshiron të qajë për dynjanë – le të qajë!
Shkurt pas kësaj, filluam të qajmë, me zë.”

Resulallahu s.a.v.s. gjithashtu thotë:
“Dynjaja është burg i besimtarit, e xhenet i qafirit”,dhe:
“Dynjaja është e mallkuar, gjithçka në të është e mallkuar, përveç asaj që është për Allahun”, dhe:
“Nga dynjallëku juaj, tri gjëra i kam të këndshme: aromën, gratë, dhe nurin e syrit tim – namazin.”

Musa a.s., ka thënë: “Siç nuk është e mundur të bashkohen uji e zjarri në një tas, as dashuria për dynjanë dhe ajo për ahiretin nuk mund të bashkohen në një zemër.”

Tregohet se Xhebraili a.s., e pyeti Nuhin a.s.:
– O pejgamberi me jetën më të gjatë, si e sheh ti dynjanë?, e Nuhi a.s., u përgjigj:
– Është si një shtëpi me dy dyer, hyra në njërën e dola prej tjetrës.

I thanë Isasë a.s.:
-Të kishe bërë së paku një shtëpi, sa përt’u strehuar, e Isa a.s., tha:
– Neve na mjaftojnë rrënojat e vjetra për banim.

Një person i tha Alisë r.a.:  
O prijës i besimtarëve! Më trego çka është dynjaja?, e Alia r.a., iu përgjigj:
Çka mund të them për shtëpinë ku njeriu është shëndosh e sëmuret, ndihet i sigurtë e pastaj i bie pishman, varfërohet e për këtë pikëllohet, pasurohet e kështu sporovohet; çfarë të them për shtëpinë për hallalln e të cilës do të jepet llogari e për haramin e së cilës do të merret dënim, e për gjërat e dyshimta, do të meritohet qortimi. Ia kërkuan këtë prapë, e hazreti Alia r.a., u tha:
T’ju tregoj shkurt apo gjatë?
– Shkurt, i thanë, e hazreti Alia r.a., tha:

– Dynjaja është vend që, për hallallin e saj jepet llogari, e për haramin e saj merret denim.

Ibn Abbas r.a., ka thënë: “Allahu Teala e ka ndarë dynjanë në tri hise: një hise për besimtarët, një për hipokritët dhe një për jobesimtarët. Besimtari e përdorë hisen e vet për ahiret, hipokriti që të zbukurohet me të, e jobesimtari me të kënaqet.

 

ABDE-FGHIJKLMNPQRSSHTUVXHYZ

EBDAL
grupi i Evliave; thonë që janë shtatë, katërdhjetë ose shtatëdhjetë

EBED
që nuk ka fund; nuk përfundon.

EF’AL

veprat;  veprimet; punët.

EFDAL 
më e shumta; më e tepërta; me vlerat më të larta; më e mira; më e pëlqyeshmja; shumë i çmuar; i vlefshëm për t’u zgjedhur.

EHLULLAH
njeri i Allahut Teala; i urtë; i shenjtë; shenjtor.
“Sohbeti (bisedë fetare) i vazhdueshëm me ehlullah, e shton dëshirën për të menduar dhe për t’u përgatitur për ahiret, bëhet shkak për t’u larguar nga gjynahet.” (Shah-i Nakshibendi)

EMIN 
besnik; i besueshëm; cilësia e të Nderuarit tonë sallallahu alejhi ve selem dhe e Xhebrailit alejhi selam; ai i cili në zemër nuk ka frikë apo shqetësim; i pa frikë; askush nuk ka frikë nga ai; nuk ka dyshim; ai që di shumë mirë. Fisi Kurejsh, para shpalljes së Muhammedit s.a.v.s. kanë besuar shumë, the thoshin: “Muhammed-ul-emin”.

EMRI BI’L – MARUF VE’N-NEJHI – ANI’L-MUNKER 
urdhërimi për vepra  të mira dhe për ndalim nga veprat e keqija’

ENFUS-I
paraqitjet në nefs; në vetvete; gjetjet që i përkasin kujtesës së individit; pikëpamja dhe mendimi që i përket një personi; diçka që i përket nefsit, jetës së vet; alemi/bota e brendshme; subjektiv; e kundërta e afak-it.

ESMA
emra, emërtim.

ESMAUL-HUSNA
Esma-i Husna do të thotë: emrat më të bukur.

Emrat më të bukur janë emrat e Allahut Teala. Këta emra përdoren edhe si cilësi. Ekzistojnë shumë emra që i takojë Allahut Teala, mirëpo numrin e tyre e di vetëm Ai. Një pjesë të emrave të bukur Allahu Teala e ka përmendur në Kur’an, një pjesë ia ka treguar Pejgamberit tonë Muhammedit s.a.v.s. dhe të dashurve të tij, ndërsa një pjesë e ka mbajtur në diturinë e Tij. Në një hadith të njohur janë përmendur një nga një nëntëdhjetë e nëntë emra. Dijetarët kanë thënë se emrat tjerë të cilët janë jashtë këtyre nëntëdhjetë e nëntë emrave, e kanë kuptimin brenda këtyre nëntëdhjetë e nëntë emrave. Prandaj, po të lexohen, të kuptohen dhe të përmenden këta nëntëdhjetë e nëntë emra, në fakt janë lexuar, janë kuptuar dhe janë përmendur të gjithë emrat. Ndërsa Resulallahu s.a.v.s. na thotë kështu:
“Allahu Teala ka nëntëdhjetë e nëntë emra dhe kush i njeh këta emra dhe i din përmendësh, ai hyn në Xhennet.”

EVLIJA – shih Veli.

EVTAD
evlia; thonë që janë katër.

EXHEL
Exheli është koha e përcaktuar për vdekje. Çdo njeri e ka jetën në këtë botë të caktuar, të kufizuar dhe me përfundim. Allahu Teala në diturinë e Tij ka caktuar për çdo gjallesë një gjatësi kohore të jetës. Kur vjen ajo kohë, jeta mbaron, shpirti del prej trupit. Kësaj i thonë vdekje. Azraili a.s. është i ngarkuar me detyrën e vdekjes. Pranë veti i ka edhe ndihmësat. Ata iu vijnë njerëzve në forma të ndryshme. Veprojnë sipas urdhërave të Allahut Teala. Kur Allahu Teala jep urdhër: ”Me këtë rob silluni me butësi, ai është miku Im. Mos e brengosni atë!” atëherë melaiket ia marrin shpirtin pa e lënduar fare. Shpirtërat e qafirëve, munafikëve dhe zullumqarëve i marrin me vuajtje dhe në frikë të madhe. Shpirtërat e të mirëve i dërgojnë në nivelin “Il’lij’jin”, ndërsa shpirtërat e qafirëve i hudhin në terrin ”Sixhxhin”.

EZEL 
gjithë egzistimi; i pari (evel) që nuk ka fillim; gjithmonë që egziston; pa fillim.

 

ABDEF-GHIJKLMNPQRSSHTUVXHYZ

FAKIH
Dijetar fikhu, njohës i së drejtës islame.

FANI
i vdekshëm; i kalueshëm; (i zhdukshëm) i zhdukur, zhdukje (i përkohshëm)
Çdo gjë që është në Tokë, do të zhduket. 55-Rrahman: 26
“Gjërat që nevojiten për ahiret, duhet përgatitur në këtë botë fani (të kalueshme).” (Muhammed Hadimi)

“Jepe atë që është fani, që të marrësh atë që është baki.” (Ibrahim Haki)

FARZ
urdhrat e Allahut Teala që duhet patjetër të kryhen.

FARZI AJN
farzi i individit; farzi ajn është farzi që duhet ta kryejë personalisht vetë çdo mysliman i ngarkuar me atë farz. 

FARZI KIFAJE
farzi shoqëror; farzi kifaje janë farzet e përbashkëta, pra këto farze janë për të gjithë myslimanët, por kur i kryejnë disa mysliman, qoftë madje edhe vetëm një mysliman, myslimanët e tjerë lirohen nga detyrimi, dhe nga përgjegjësia.

FEHIM
(nga fehm); kuptim; mendim; aftësi të kuptuari; që kupton; që merr vesh; i zgjuar;  inteligjent.

FEJZ
begati; bereqet; bollëk; dituri; njohuri; zgjuarësi; bekim; bujari; dalje e ujit nga shtrati; lumturi e brendshme që jep Allahu Teala; me këtë fjalë tregohet texhelia (shfaqja) hyjnoret.

FENA
(e kundërta e Beka-së), mosqenie (në prezencë); mospasje; asgjësim; kjo botë është që kalon; që kalon e që shkon; në tasavvuf Fena është kalim prej qenies/egzistencës së vet; kalim prej vetit/prej “un”-it ose “ego”-s; të humbesh; humbje.
“Fena dhe beka nuk kuptohen me fjalë, ato kuptohen me shijim.” (Abdulhakim Arvasi)

“Në një person që nuk realizohet fena, ai assesi nuk mund të gjejë rrugën e Hak Teala-s.” (Imam Rabbani)
Fena-fi-shejh është fillimi i vërtetë i fena-së. (Imam Rabbani)

në tasavuf:
FENA-FI-L ASHK: fenaja në dashuri; humbja në dashuri
FENA-FI-LLAH (Fena fillah), qenia dhe sifatet/cilësitë e robit të bëhen fani në qenien dhe sifatat e Hakut; egzistencën tënde ta humbësh në egzistencën e Allahut Teala.
FENA-FI-R-RESUL: të humbësh tërë qenien tënde në personalitetin shpirtëror të Resulullahut s.a.v.s.; në veçanti nëse je anëtar i ndonjë tarikati, qenësore është t’i përmbahesh sunetit të Muhammedit s.a.v.s. dhe në asnjë çështje, sado e vogël të jetë, mos të ketë veprim të kundërt.

FENA-FI-L-PIR: t’i bëhesh pirit fani; të gjithë qenien/egzistimin ta humbësh në personalitetin shpirtëror të pirit.
FENA-FI-SHEJH: t’i bëhesh shejhut fani; të gjithë qenien/egzistimin ta humbësh në personalitetin shpirtëror të shejhut.

FETVA
mendim, përgjigje ose udhëzim për zgjidhjen e çështjeve juridike të Sheriatit. 

FËSK
braktisja dhe kundërshtimi i urdhrave të Allahut dhe devijimi nga rruga e drejtë.

FIIL
amel; punë; veprim.

FIKH
kuptim i thellë dhe i hollë; të dihet thelbi apo esenca e diçkafit; të dihet diçka me Hakun; rregullimi i marrëdhënieve ndërnjerëzore sipas gjykimit fetar në mënyrë të veçantë dhe me dëshmi; juridik; juridiko-fetar islam.

FIRASET
mendjemprehtësi; mendjezgjuarësi; aftësi e të kuptuarit të shpejtë; të kuptuarit e ahlakut dhe zotësisë së dikujt prej fytyrës.

Resulallahu, s.a.v.s., ka thënë:
“Ruajuni nga firaseti i besimtarit, sepse ai shikon me nurin (dritën) e Allahut.”

FISK
Fjala fisk nënkupton gjithçka që largon njeriun nga nënshtrimi urdhrave të Allahut Teala.

FITRAT
krijim; natyrë. Në një hadith thuhet:
Çdo fëmijë lind në fitratin e Islamit (me mundësinë për ta kuptuar dhe për ta jetuar fenë Islame, si dhe i aftë për ta jetuar moralin hyjnor), ndërsa prindërit e tij e bëjnë jahudi apo të krishterë apo ia imponojnë zjarrputizmin (në këtë mënyrë del prej gjendjes së vërtetë dhe prej rrugës së Hakut)”. (Buhari)

FURKÂN
dallues; një nga epitetet e Kur’anit, i cili dallon të vërtetën nga e pavërteta, të drejtën nga e gabuara, të mirën nga e keqja.

 

ABDEFG-HIJKLMNPQRSSHTUVXHYZ

GAFLET
pakujdesi; pavendosshmëri; i painteresuar.
Paralajmëroji ata (o Muhammed) për Ditën e Pikëllimit, kur do të japin llogari, ndonëse tani ata janë në gaflet (të shkujdesur) dhe nuk besojnë. 19-Merjem: 39
O njerëz, braktisni gafletin para se të vdisni, kthejuni Allahut Teala. Duke bërë teube dhe istigfar, adhuroni Allahun Teala. Përpiquni të bëni punë të dobishme sa nuk janë shumuar punët e pavlefshme. Përmendni shumë Allahun, mundohuni të përfitoni rizanë e Allahut. Nëse bëni kështu, rrësku iu shtohet, fitimi iu shtohet. Ndihmoheni dhe iu plotësohen mungesat.” (Hadithi, Sunen-i ibn-I Maxhe)

“Gafleti i sjell njeriut vetë-lëvdatë, e afron në shkatërrim.” (Hazreti Ali)
“Dëshirova të di se çka i sjell njeriut më së shumti dëm, e kuptova se është gafleti. Ja Rabb, na zgjo neve nga gjumi i gafletit. Me mirësinë Tende pranoje këtë lutje.” (Bajazidi Bistami)

GAJB
i fshehur; i padukshëm; i papërcaktur; botë e panjohur; një gjë e panjohur me mend dhe me ndjenjë; i papranishëm.
Çelësat e fshehtësisë (gajbit) janë vetëm te Ai, atë (fshehtësinë) nuk e di kush pos Tij. 6-En’amë: 59
Ai është që e di të fshehtën, por fshehtësinë e vet nuk ia zbulon askujt.
Me përjashtim të ndonjë të dërguari që Ai do. 72-Xhinn: 26-27

…Të cilët besojnë në të fshehtën. 2-Bekare: 3
të fshehtën – ky është përkthimi i fjalës gajb që përfshinë gjithçka që është përtej perceptimeve njerëzore dhe e pakapshme nga arsyeja e thjeshtë, si p.sh.: ringjallja, Xheneti, Xhehenemi, paracaktimi hyjnor etj. Të gjitha këto gjëra janë përtej mendjes sonë dhe zbulohen vetëm nëpërmjet Shpalljes Hyjnore.

GARIB
i vetmuar; i çuditshëm; i huaj; i hutuar; i mjerë; i ngratë.

GIJBET 
thashetheme; përgojim; kritikë pas shpine; të folurit kundër personit që nuk është prezent. Nëse ajo që thuhet është gënjeshtër, kurse personi është prezent, i dëgjon fjalët dhe ofendohet, atëherë llogaritet edhe gijbet edhe shpifje, pra – gjynah i dyfishtë.

GJYNAH
mëkat, faj; punë e keqe; e gabuar.

 

ABDEFGH-IJKLMNPQRSSHTUVXHYZ

HABIB
i dashur. Habibullah ka kuptimin – i dashuri i Allahut, e është një prej emrave të Muhammedit s.a.v.s.

Nuk e them për mburrje, por unë jam habibi i Allahut Teala, unë jam prijësi i pejgamberëve.” (Hadithi, Sunen-i Tirmidhi)
“Muhammedi alejhisselam është resuli i Allahut Teala. Është Habibi i Tij. Është mbi të gjithë pejgamberët, dhe i fundit prej tyre. Ademi alejhisselam, duke qenë në xhenet, në çdo vend të xhenetit dhe mbi Arsh e pa mbishkrimin ‘La ilahe ilallah Muhammedun Resulallah’.” (Abdulhaki Dehlevi)

HADITH
thëniet gojore, veprimet dhe miratimet e Muhamedit a.s.

HAFI
i fshehur.

HAJAL
diçka e projektuar me mendje; hakikati që nuk dihet me mendje e që projektohet; përfytyrimi i një gjëje që nuk i dihet hakikati; një gjë që shihet si hije; mendimi që kalon nga mendja dhe që nuk ka vërtetësi; imazh; imagjinatë; paramendimi; përfytyrimi.

HAKK
(e kundërta e bestytënisë), drejt; e vërtetë; gjithëçka që është  e qëndrueshme dhe e drejtë; drejtësi; përshtatshëm më hakikatin; el-Hakk: i Vërteti, është njëri nga emrat e bukur të Allahut Teala.

HAKIKAT
esenca dhe asli i një sendi; vërtetësi; drejtësi; me të vërtetë; përnjëmend.

HAL
gjendje; situatë; pozitë; pamje; dukje; qëndrim; sjellje; xhezbe; formë; esenca e diçkaje dhe pamja e brendshme; dert; pikëllim; forcë.

HALIFE
zëvendës; mëkëmbës; personi që është zëvendës; zëvendësi i Pejgamberit s.a.v.s; ai që e udhëheq punën dhe e zbaton; ai që punon dhe i zbaton gjykimet hyjnore në sheriat; Imam; prej Halifes kërkohen katër kushte: dituri, drejtësi, të ketë pushtet dhe të jetë pjesë e shoqërisë në të cilën zgjidhet Halife, ndërsa shoqëria të ketë selamet/mirësi prej tij. Në Kur’ani Kerim, fjala halife është përmendur në dy ajete:

Kur Rabbi yt u tha melaikeve: Unë po krijoj në tokë një halife (zëvendës)! 2-Bekare: 30
O Daud, Ne të kemi bërë halife (mëkëmbës) në Tokë, prandaj gjyko ndërmjet njerëzve me drejtësi. 38-Sad: 26

HALIS
saf; pastër; i papërzier me diçka tjetër; i kulluar; pa hile; i kthjellët; i fortë/krejtësisht i bardhë; çdo vepër/amel që punohet vetëm për rizanë/kënaqësinë e Allahut Teala.

HALLALL
e lejuar; gjërat e lejuara sipas fesë.

HALVET
izolim.

HAMD
falënderim Allahut Teala, lavdërim;
Ai është Allahu, nuk ka ilah tjetër pos Tij, vetëm Atij i takojnë falënderimet dhe lavdërimet në këtë jetë dhe në tjetrën! Vetëm Atij i përket vendimi dhe tek Ai do të ktheheni.” 28-Kasas:70

HARAM
e ndaluar; gjërat e ndaluara sipas fesë.

HASEN
i/e bukur; bukuri.

HASENE
mirësi; gjendje e mirë; punë e mire; punimi i një vepre me të cilën meritohet kënaqësia e Allahut Teala

HATME
mbarim; leximi i Kur’anit prej fillimit deri në fund; vulosje.

HATIF
zë që vjen nga gajbi.

HAVAS
i zgjedhur dhe person i veçantë; personat e dalluar dhe sipëror në rrugën e Allahut Teala; shtresa e lartë dhe intelektuale. 

HAVF
frikë; frikësoj.

HAVF dhe REXHA
frikë dhe shpresë; shpresë për jetë dhe frikë për vdekje; shpresë për falje ose frikë prej shkuarjes në xhehennem.

HAZRETI
titull që i ipet të mëdhenjëve me qëllim respekti; i lartësuar, i nderuar.

HAXHI MEBRUR
thuhet se është haxhi i pastër nga gjynahet; haxh i përkryer dhe i pranuar nga Allahu Teala.

HEJBET
madhështi; gjendje që jep ndjenjën e frikë-respektit; madhëri.

HEVA
dëshirë; kërkesë; zell; dëshirat e dëmshme dhe mëkatare të nefsit; dëshirat e këqija të nefsit; dëshirat boshe.

HIDAJET
udhëzim; orientim; drejtësi; rrugë e drejtë; rrugë e vërtetë; ta shohësh t’vërtetën të vërtetë dhe të kotën të kotë dhe të hysh në rrugë të drejtë; Islam.

HIKMET
drejtësi; dituri; urtësi; sërr; ta dish hakikatin e gjërave egzistente, të veprosh vepra të mira; fjala e shkurtë e dobishme e ahlakut dhe hakikatit; pikë e panjohur që lind prej bashkimit të diturisë, drejtësisë dhe butësisë.
Hikmeti (dituria) është pasuria e humbur e besimtarit, dhe është e drejtë e tij ta marr, kudo që e gjen.” (Tirmidhi, Ilim, 19; Ibnu Maxhe Zuhd; 10)

HIZMET 
shërbim; të bësh punën e dikujt; ndihmë;  sakrifim nga vetja dhe koha e lirë që të ndihmojë diçka ose dikë, e me këtë të arrijë mëshirën e Allahut, ‘nuk ka himmet pa hizmet.’

HUSHU
frikërespekti ndaj Allahut Teala; thjeshtësi; kryeultësi; përulshmëri; modesti.
Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre.” 23-Mu’minun: 1-2

HUZUR 
të jesh i gatshëm; të jetë i pranishëm/prezent; në prani; qetësia/rehatia që buron pas përfundimit të ibadetit; kënaqësi/qetësi shpirtërore.

HUZURI KALB 
rehati zemre.

 

ABDEFGHI-JKLMNPQRSSHTUVXHYZ

IDDET 
periudha kohore pas vdekjes së burrit ose shkurorëzimit, gjatë së cilës gruaja nuk mund të martohet. Ajo zgjat 130 ditë pas vdekjes së burrit dhe 100 ditë pas ndarjes.

IFFET
dëlirësi; durim që manifestohet me mospërmbushjen e epshit që e dikton natyra njerëzore e që e shkaktojnë dëshirat dhe kërkesat.

IHLAS
(prej HULUS), sinqeritet; përzemërsi; miqësi pa hile; të kesh një zemër të pastër, të kulluar dhe të papërzier; të pasurit qëllim vetëm kënaqësinë/rizanë e Allahut Teala në ibadet dhe në punë; dashuri e vërtetë që vjen nga zemra; dashuri e pastër; t’i bësh ibadet Allahut Teala vetëm për shkak se ashtu ka urdhëruar Ai; bërja ibadet vetëm Atij; të jesh larg nga paraqitja para njerëzve (mos të tregohesh); sure 122, Ihlas.

IHRAM
Veshje e dy petkave (a mbështjellësit) të bardhë, jo e qepur, pjesa e epërme quhet rida dhe pjesa e poshtme quhet izar.

IHSAN
mirësi; bamirësi; dhuratë; ndihmë; ata të cilët i bëjnë ibadet Allahut Teala sikur ta shihnin Atë.

ILHAM
kuptimi që bëhet i dukshëm në zemër prej Allahut Teala; frymëzim.

ILM
dituri; dije; shkencë; veçori; cilësi; cilësia e Allahut Teala.
Allahu Teala thotë:

“Përkundrazi! Ai (Kur’ani) është shpallje e qartë në zemrat e atyre të cilëve u është dhënë dija.” 29-Ankebut: 49
Allahu lartëson ata që besuan prej jush, i lartëson në shkallë të lartë ata të cilëve u është dhënë dituri.” 58-Muxhadele: 11

Resulallahu s.a.v.s., ka thënë:
Kërkimi i diturisë është farz për çdo mysliman.
Kërkoni diturinë, edhe po të jetë ajo në Kinë.
Dituria është thesar, pyetja është qelës. Pyetni që të mësoni. Nga një pyetje, katër vetë marrin sevap; ai që pyet, ai që përgjigjet, ai që ndëgjon dhe ai që këta tre i do.
Për mua nuk ka dobi prej ditës së re nëse nuk përfitoj një dituri të re, e që më ofron edhe më shumë Allahut Teala.”
“Patjetër që dituria ia shton nderin të ndershmit; dituria e ngrit skllavin në gradën e mbretit.”
Melaiket zgjasin krahët mbi nxënësit me të cilët janë të kënaqur.
Të mësosh një çështje nga dituria në një mëngjes, është më mirë se bota me tërë pasurinë e saj.

 “Janë dy veti që nuk gjenden te mynafiku: ahlaku (moral) i mirëdhe dituria e fesë.”

U pyet Resulallahu, s.a.v.s.:
O Resuli i Allahut, cila vepër është ma e larta? Resulallahu s.a.v.s. tha:
– Njohja e madhërisë së Allahut. Ata thanë:
Për cilën njohje po mendoni? Resulallahu s.a.v.s. u përgjigj:
– Njohja e madhërisë së Allahut. Ata thanë:
O Resuli i Allahut, ne po pyesim për vepra, ju po përgjigjeni për dituri. Resulallahu s.a.v.s., ju tha:
Kuptojeni mirë diturinë, sepse edhe pak vepra, por me dituri – duke e njohur Allahun, japin dobi. Ndërsa veprat që bëhen pa njohuri, edhe nëse janë shumë – dobi nuk japin.

Kur myslimani mëson një fjalë të mirë, atë fjalë ua mëson të tjerëve dhe me atë fjalë vepron, kjo është më e mirë se një vit ibadet.

Alia r.a., duke iu drejtuar Kumejlit, i thotë: “O Kumejl, dituria është më e hairit se pasuria. Sepse pasurinë duhet ta ruash ti, por dituria të ruan ty. Dituria jep dënim e pasuria dënohet. Pasuria pakësohet duke u shpenzuar, e dituria, duke u shpenzuar, veç shumohet.”

“Lavdërimi ju takon vetëm poseduesve të diturisë. Sepse ata, siç janë vet në rrugë të drejtë, edhe atyre që dëshirojnë ua tregojnë rrugën e drejtë.”

Ibn Abbas r.a., ka thënë: “Sulejmani a.s., ishte i lirë të zgjidhte mes pasurisë, mbretërisë e diturisë, dhe e zgjodhi diturinë, dhe në saje të diturisë, u bë posedues edhe i të dy tjerave.”

“Për mua, më e dashur është pak kohë e natës e ndarë për dituri, se sa ta kaloj gjithë natën në ibadete.”

Ebu’l Esved ka thënë: “Nuk mund të ketë diçka më të vlefshme se dituria, sepse sulltani udhëzon popullin, e dijetari udhëzon sulltanin.”

Disa të tjerë kanë thënë: “Atij që i përshtatet diturisë, atij i përshtaten njerëzit dhe e pranojnë si udhërrëfyes. Poseduesit e diturisë gjithmonë respektohen dhe nderohen.”

Zubejr b. Ebu Bekir ka thënë: 
Babai im më dërgoi letër nga Iraku, e shkruante: “Mëso; dituria në varfëri është pasuri, e në pasuri është stoli”.

Edhe Llokmani këshillonte të birin duke i thënë: “O biri im! Vazhdo në mexhlise (tubime) të dijetarëve. Allahu Teala, si e gjelbëron me shi tokën në pranverë, ashtu edhe zemrat e muminëve i ndriçon me nurin e diturisë.”

A t a  r.a. ka thënë: “Një tubim i dhikrit dhe diturisë i pastron shtatëdhjetë gjynahe të argëtimit.”

Zuhriu ka thënë: “Dituria është burrëri, atë e duan trimat e vërtetë.”

ILMI LEDUN
dituri hyjnore.

IMAM
udhërrëfyes; dijetar i shquar i Islamit; hoxhë; njeri që falë namazin në krye të xhematit.

IMAN 
besoj; të besosh; i’tikad; të pranosh Hakkun; të pranosh vërtetësinë dhe duke u dorëzuar t’u përshtatesh urdhrave që t’u kanë dhënë; të pranosh Islamin dhe të bësh vepra të mira; të pranosh dhe besosh të gjitha parimet e besimit dhe fesë dhe të veprosh me çka të obligon feja.
Fjala iman ka këtë kuptim: ekzistenca e një gjëje që besohet dhe vërtetohet me zemër dhe pa dyshim.
Ta besosh Allahun, Melaiket e Tij, Librat e Tij, të Dërguarit e Tij, Ditën e Ahiretit dhe të besosh në kader – të caktuarit e Tij i të mirës dhe i të keqes. (Muslimi)
Imani në esencë bëhet me zemër, ndërsa me gjuhë bëhet deklarimi. Qendra e imanit është zemra.
Por Allahu jua ka bërë të dashur imanin (besimin) dhe jua ka zbukuruar atë në zemrat

tuaja, ashtu siç jua ka bërë të urryer mosbesimin, shthurjen dhe mosbindjen. 49-Huxhurat: 7
…sepse, në të vërtetë, shejtani nuk ka kurrfarë pushteti mbi ata që besojnë dhe mbështeten tek Rabbi i tyre. 16-Nahl: 99

INSAN-I KAMIL 
është ai që posedon ahlak dhe vlerat e larta; plotësisht i formuar; njeri i plotë; pa të meta; i përkryer; i përsosur.

INSHALLAH
në qoftë se Allahu lejon; Allahu në qoftë se jep leje; nëse do Allahu; kuptimin e ka: Allahu nasib e bëftë apo e mundësoftë.

INTISAB 
anëtarësim; hyrje.

IRFAN
njohuri; zgjuarësi; dituri; ai që njeh Hakkun. 

IRSHAD
të tregosh rrugën e vërtetë; të udhëzosh; udhëzim shpirtëror.

ISBAT 
dëshmi; dëshmitarë; qëndrueshëm; i pandrrueshëm; konstant; i shëndoshë/i fortë.

ISLAM
(prej SELAM), din/fe; dorëzim; të dorëzuarit; përulje; t’i përshtatesh urdhrit qe t’u është dhënë dhe të veprosh sipas tij.

Feja e pranueshme tek Allahu është Islam, e atyre që u është dhënë libri, pasi mësuan për të vërtetën, vetëm nga zilia mes vete kundërshtuan. E kush mohon argumentet e Allahut, le ta dijë se Allahu shpejtë do t’i japë llogarinë. Ali Imran: 19

E kush kërkon fe tjetër përveç fesë islame, atij kurrsesi nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër është nga të dëshëpruarit. Ali Imran: 85

E nëse ata polemizojnë me ty, ti thuaj: “Unë me tërë qenien time i jam dorëzuar Allahut, e edhe ithtarët e mij”! E thuaju edhe atyre që u është dhënë libri dhe injorantëve: “A pranuat fenë islame”?  Nëse e pranuan islamin, atëherë e kanë gjetur të vërtetën, e nëse refuzojnë, ti ke për obligim vetëm t’u kumunikosh; Allahu i di shumë mirë punët e robëve. Ali Imran: 20.

Resulallahu s.a.s.v.s, thotë:
Islami është ngritur në pesë shtylla: dëshmia se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhammedi s.a.v.s., është i Dërguari i Allahut, falja e namazit, dhënia e zeqatit, agjërimi i Ramazanit dhe kryerja e haxhit (për ata që kanë mundësi).  

ISTIGFAR
(prej GUFRAN), kërkim falje; të kërkosh falje prej Allahut Teala për gabimet dhe gjynahet; lutje.

ISTIKAMET
rrugën dhe lëvizjen ta kesh të drejtë; drejtësi; vërtetësi; ndershmëri; lëvizje me nder; në çdo punë të gjindet mesatarja; mos të ndahesh nga rruga e mesme; mos të ndahesh nga e drejta dhe drejtësia; kah; anë; t’i robërohesh Allahut Teala; të veprosh me urdhërat e fesë dhe ta përdorësh mendjen; drejtim; orientim.

ISTILA 
mbuloj; përhapem; zgjerohem; pushtoj; shkel.

ISTIMDAD  
kërkim ndihme; thirrje për ndihmë.

ISTIVA  
angazhim; zotërim;  dominim;  sundim; pushtim; superior; përkryerje.

ITAAT
përulje; t’i përshtatesh urdhërit që t’u është dhënë; të dëgjohet fjala; të ulet koka;  nënshtrim; dorëzim.

I’TIKAD 
(prej AKD), të besosh; bindje; të besosh duke e vërtetuar prej zemre; bindje e patundur ndaj Allahut Teala; të besosh në themelet/esencat që paraqet dini; mbetje lidhur me nyje; mu lidh për nji send.

IXHMA 
unanimitet, konsensus i dijetarëve fetar mbi një çështje të Islamit.

IXHMAL 
të formosh esencën e një sendi apo një teme; të formosh esencën në pika të shkurta; shkurtim; mbledh në një vend; të tregosh/shpjegosh shkurtimisht; grumbullim/mbledhë.

IXHTIHAD 
përdorim i tërë fuqisë;  mund; dëshirë apo mundim për punë; të kuptuarit; zgjuarsi; bindshmëri; opinion; vendim që i përket çështjeve që nuk prek esencat e Sheriatit dhe që nxirret nga Kurani dhe Suneti, duke u përputhur me metodën e muxhtehidëve Islam dhe duke bërë përpjekje të plotë; atyre burrave që në këtë mënyrë kanë bërë ixhtihad ju thuhet Muxhtehid; opinion juridiko-fetar.

 

ABDEFGHIJ-KLMNPQRSSHTUVXHYZ

JEKIN
Vërtetësi; saktësi; njohje e saktë; sigurt;  pa dyshim, i fortë, i fuqishëm, i paprishur, i pathyer, i tërë, i qëndrueshëm, stabil, definitiv, kategorik; të dihet në mënyrë të shëndoshë dhe definitive; njohja e saktë; bindje.

Resulallahu s.a.v.s.,kështu ka lavdëruar diturinë jekîn:

            “Jekîn është tërësisht iman.”

            “Mësojeni jekînin.”

Imani (besimi) në gradën e jekînit është iman i pastruar nga të gjitha dyshimet.

Mësimi i një imani të tillë vjen para të gjitha diturive. Resulallahu s.a.v.s., as’habëve të tij para së gjithash u mësoi imanin. Njëri nga as’habët, Xhyndyb b. Abdullahu r.a., thotë: “Ne, një grup i të rinjve, ishim bashkë me Resulallahun s.a.v.s.,. Para se të na mësojë Kur’anin, ai na mësoi imanin e vërtetë, pastaj mësuam Kur’anin, e me Kur’an na u shtua imani.

Abdullah b. Revaha r.a., duke u thënë shpesh as’habëve të ndershëm: “Ejani uluni, (që duke biseduar mbi hakikatet e imanit) një orë të bëjmë iman jekîn” bënte thirrje në gjëra që e forcojnë imanin, dhe mundohej të sqaronte sa i vlefshëm është imani jekîn.

Një iman dhe njohuri e tillë nuk formohet në zemër vetvetiu. Rrugën e kësaj, shehlerët e kanë përshkruar kështu: “Kjo dituri e arrit zemrën në qetësi, e rehaton dhe e bën atë të përfitojë gjendjen e kënaqësisë. Kjo është hyrja e njeriut në rrugën e drejtë. Fillimi dhe themeli i gjithë kësaj është një teube e sinqertë. Pastaj vjen posedimi i gjendjeve të të devotshmëve dhe lufta me vetveten (nefs) e shejtanin.”

Shejh Nexhmuddin Kubra ka qartësuar se qëllimi kryesor është të arrihet në jekîn dhe irfan; ai që bën suluk (ngritje shpirtërore) në tarikat, e që në botën e gajbit nuk mund të shoh të drejtën dhe të shtrembrën, ai nuk mund të edukojë dhe nuk mund të bëhet udhëzues.

Imam Suhreverdi, duke  e parë diturinë jekîn si diturinë më të lartë, ka sqaruar se edhe përfitimi i gradave ‘tevhid’, ‘marifet’, dhe ‘mushahede’, është i  lidhur për diturinë e jekîn.

Sejid Sherif Xhurxhani rah. thotë: “Jekîn është të arrihet në të vërtetën e diçkaje, dhe të njihet ajo në gjendjen e saj të drejtë.

Për të arritur të vërtetën e diçkaje – do të thotë në jekîn – Ebu Talib el-Meki e sheh si kusht njohjen e Krijuesit të saj, dhe shton: “Gjendja jekîn është një dituri hyjnore ku me hapjen e zemrës kuptohet fuqia dhe madhështia e Allahut.

Kjo dituri, e cila vërteton Qenien (Dhat) e Allahut, është dëshmia më e qartë dhe një dhuratë e Allahut Teala për personin që Ai e do. Dëshmitë e Allahut u zbulohen vetëm besnikëve (sidik). Ata janë prijës dhe dëshmitarë përpara të dashurve (ehli muhabet) në rrugë tëdrejtë.”

Xhunejid Bagdadi ka thënë: “Jekîn është dituri që çon njeriun në të vërtetë(hakikat). Ajo është një dituri e tillë që, kush e mbërrin, me syrin e zemrës i sheh sendet që janë gajb (fshehtë) ashtu siç i sheh gjërat materiale me sytë në ballë – në lidhje me botën e gajbit posedon dituri të saktë.

Shehlerët kanë thënë që dituria që e afron njeriun te Allahu Teala dhe që njeriun e fut në kategorinë mukarrebun (i afërt) është vetëm dituria jekîn.

JE’S
të qenët pa shpresë.

 

ABDEFGHIJK-LMNPQRSSHTUVXHYZ

KADER 
caktimi i Allahut Teala.
Prej parimeve themelore të imanit, i gjashti me radhë është besimi në kader dhe në kada. Kaderi dhe kadaja janë të lidhura me diturinë (ilm), dëshirën (irade) dhe fuqinë e Allahut Teala. Këto janë dy çështje të fshehura (sirr). Allahu Teala na drejtohet kështu:
“Ne çdo send kemi krijuar me masë (kader) të caktuar.” 54 – Kamer: 49

Kader i thuhet caktimit të Allahut Teala për çdo gjë që ka ndodhur, është duke ndodhur dhe do të ndodhë. Resulallahu s.a.v.s., duke zbuluar pak nga fshehtësia e kaderit, kështu na lajmëron:
“Allahu Teala, pesëdhjetëmijë vite përpara se të krijojë qiellin dhe tokën, e shkroi kaderin e krijesave në Lehvi Mahfuz. Në atë kohë Arshi i Tij ishte mbi ujë.“

Sahabiu Ubade b. Samiti i tha të birit: “O bir! Ti nuk do ta shijosh shijen e imanit të  vërtetë përderisa nuk e di se gjërat që janë përcaktuar për ty patjetër do të vijnë, ndërsa ato të cilat nuk janë caktuar për ty kurrsesi nuk do të të vijnë në  kokë. Unë e dëgjova Resulin e Allahut s.a.v.s. duke thënë kështu:
Gjëja e parë që krijoi Allahu Teala është lapsi. Allahu e urdhëroi lapsin: ‘Shkruaj’. Lapsi pyeti: ‘O Rabbi im, çka ta shkruaj?’ Allahu Teala tha: ‘Shkruaj kaderin e të gjitha gjërave që do të ndodhin e do të vijnë deri në ditën e kijametit.’
Pastaj Resulallahu s.a.v.s. vazhdoi dhe tha:
Kushdo që vdes jashtë këtij kuptimi dhe këtij besimi, ai nuk është prej meje.

Në gjithësi nuk ekziston asgjë jashtë diturisë, dëshirës dhe krijimit të Allahut Teala. Çdo gjë ndodh me dëshirën e Tij dhe Ai është që çdo gjë e drejton. Robi nuk është i krijuar ta dijë kaderin e vet. Ai është përgjegjës të besojë se Allahu Teala e ka ditur që më herët për çdo gjë që i ka ndodhur apo që do t’i ndodhë. Njeriu nuk ështëi krijuar që të zgjidhë fshehtësinë e kaderit, mirëpo është urdhëruar që t’i dijë obligimet hyjnore dhe me aq sa ka fuqi t’i sjell ato në vend.
Shpëtimi prej vesveseve në lidhje me kaderin nuk vie nëpërmjet mendimit apo filozofisë, mirëpo është i mundshëm vetëm me anë të besimit dhe dorëzimit ndaj Rabbit të gjithësisë. Allahu Teala i ka dhënë njeriut mend, dëshirë, vullnet, dituri dhe aftësi për të menduar, në veçanti ka dërguar pejgamberë që i kanë mësuar njerëzit se çka është vepër e mirë e çka vepër e keqe, çka është mirësi e çka ligësi, e drejtë apo jo e drejtë, çka është e vërtetë e çka është e kotë. Për këtë arsye njeriu ka detyrim dhe përgjegjësi. Pra, njeriu që punon vepra të mira fiton sevape, ndërsa ai që ka punuar vepra të këqija dhe nuk është penduar do të shpërblehet me vuajtje. Prandaj askush nuk mund të zhytet në kryengritje dhe të shpëtojë prej përgjegjësisë duke thënë:
– Çka të bëj unë, ky qenka kaderi im, çfarë mund të bëj?
Njeriu posedon mendje që të ndajë të mirën prej të keqes dhe e ka një pejgamber që i mësoi atij se çka është vepër e mirë e çka vepër e keqe. Një njeri i cili është zhytur në vepra të këqija ka aftësi dhe mundësi që të punojë vepra të mira. Për këtë arsye robi punon atë të cilën seriozisht e do, asaj i drejtohet dhe atë e vendos, Allahu Teala atë e krijon. Ndodh edhe mos ta krijojë. 
Çdo dëshirë e robit nuk realizohet. Çdo dëshirë e robit gjen ekzistencë me krijimin dhe dëshirën e Allahut Teala.
Çdo vepër i ka dy drejtime. Njëra është krijim që i takon Allahut Teala, ndërsa e dyta është përgjegjësia, e përgjegjësia i takon robit. Nuk është e drejtë të thuhet se Allahu Teala i krijon të mirat ndërsa të këqijat nuk i krijon, apo se Ai nuk përzihet në krijimin e të keqes. Krijuesi është Një. Ai i krijon edhe të mirat edhe të këqijat.
Ato punë të robit të cilat bëhen me vullnetin e tij, shndërrohen në vepra të tij. Për çdo vepër për të cilën është urdhëruar t’a bëjë apo mos t’a bëjë ekziston reciprociteti. Punët e mira bëhen shkas (sebep) për sevap ndërsa punët e këqija shkas për vuajtje. Robi nëse bën teube për fajet e punuara, falet, bile me teube të sinqertë (teube-i nasu), gjynahet e tij shndërrohen në sevap. Ky është një rahmet i Allahut Teala, ndërsa për muminët të cilët bëjnë teube është një përgëzim i bukur. Robit i përshtatet robëria, ndërsa gjykimi i takon Allahut Teala. Bile edhe po të mos ekzistonte Xheneti dhe Xhehenemi, neve do të na takonte që me edukatë t’i robërohemi Krijuesit tonë Madhështor. Atij i qoftë hamd pa fund.

KADIR
i Plotëfuqishëm; fuqia e të Cilit nuk mund të krahasohet. Me fuqinë e Tij i ka krijuar të gjitha krijesat.

KALB 
zemër; qendra e qarkullimit të gjakut në trup; zemra shpirtërore, jo ajo e materies; mesi i gjithçkaje; kthimi prej një gjendje në gjendje tjetër; rrotullim; ndërrim; (për shkak se është gjithmonë në lëvizje dhe në ndërrim i kanë dhënë emrin kalb); vendi i Imanit; një gjë që e kthen mbrapa dhe e rrotullon; një gjë që e kthen prej mbrenda jashtë dhe nga jashtë në mbrenda.
Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut. 13-Rra’d: 28
Në ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët

përveç atij që vjen me zemër të pastër (kalbi selim) tek Allahu! 26-Shu’ra: 88-89

Zoti ynë, mos na i lako zemrat tona pasi na drejtove, na dhuro mëshirën Tënde, pse vetëm Ti je dhuruesi i madh. Ali Imran:8

Resulallahu s.a.v.s., ka thënë:
Dijeni se në trup ka një copë mishi që nëse përmirësohet, përmirësohet i tërë trupi e nëse prishet, prishet i tërë trupi. Ajo është zemra.
Allahu i di shumë mirë të fshehtat në zemra.

KAMIL
i përsosur; i përkryer.

KEFFARA
sadaka ose agjërimi për falje të një gjynahi.

KEJJ 
damkosja e plagës me diçka të nxehtë; djegie e plagës; mjekim me djegie.

KEJFIJET 
(e kundërta e kemmijet), esenca dhe thelbi i diçkaje; materie; lëndë; cilësi; veçori; karakteristikë; gjendje.

KELAM
teologji islame.

KEMAL
përkryerje; përsosmëri; pjekuri; përsosmëri e arritur; poseduesi i të gjitha sifateve (cilësitë) të bukura.

KEMMIJET
sasi; numër.

KERAMET 
një rob veli i pëlqyeshëm tek Allahut Teala i cili me mirësi hyjnore paraqet apo tregon një mrekulli të madhe; paraqitja e halit apo e një gjendjeje të jashtëzakonshme tek një rob që ngritet në gradat e velajetit e që nuk është në përputhje me ligjet e natyrës;

KESB
fitim; përfitim; punoj; përpiqem; fitimi me punë dhe përpjekje; rruga e fitimit.

KESHF
hap; qelë; të dihet një gjë para se të ndodh; nxjerrja në shesh e një sekreti ose të fshehte; njoftim dhe dalja në shesh i një gjëje të fshehtë qysh më parë nga Allahu Teala me anë të dhënies së frymëzimit; vështrim me syrin e zemrës.

KIAMET
Mbarimi i dynjasë; shkatërrimi i cdo gjëje; 

Kijamet është shfaqje e cilësisë Xhelal të Allahut Teala. Kijamet do të thotë: ngritje në këmbë, vendosje, ngjallje apo gjallëri. Kijameti quhet ndryshe edhe “ora e pritur”. Kur vjen kjo orë, prishet rregulli i gjithësisë, ndryshojnë kushtet ekzistuese të jetës dhe bota ndryshohet në një botë tjetër. Pas vdekjes, të gjitha krijesat ngriten përsëri në këmbë dhe vrapojnë drejt mahsherit.
Kijameti është prishja e gjithësisë, ndryshimi dhe periudha e parë e jetës së ahiretit. Me kijamet fillon jeta e ahiretit. Ardhja e kijametit është definitive, mirëpo koha e saj është e fshehur për ne. Kjo për neve është një mëshirë (rahmet). Çasti i vdekjes është mbajtur i fshehtë për njerëzit, mirëpo pamundësia për ta ditur kohën e saj nuk do të thotë se nuk do të ndodh fare. Kijameti fillon papritmas me fryerjen në Sur nga Israfili a.s.. Suri është një vegël e ngjajshme me briun.
Ajetet e tregojnë këtë temë shumë hapur, qartë dhe në një mënyrë shumë të tmerrshme:

“Dhe kur t’i fryhet një herë Surit,
kur toka dhe malet të ngrihen lartë e të thërmohen me një goditje shkatërrimtare,
atëherë do të ndodhë Ngjarja e pashmangshme (Kiameti).
Dhe do tëçahet qielli, që atë ditë do të jetë i thyeshëm.
Melaiket do të rrinë skajeve të tij, kurse tetë prej tyre do të mbajnë Arshin e Rabbit tënd.
Atë Ditë do të mbeteni zbuluar dhe asnjë fshehtësi e juaja nuk do të mbetet pa u shfaqur.” 69- Hakka: 13-18.

“Atyre u duket ai (kijameti) larg.
Kurse Neve ai na duket afër.
Dita kur qielli të bëhet si kallaji i shkrirë.
Kodrat të bëhen si leshi i lënurur.
Dhe asnjë mik nuk pyet për mikun.” 70-Mearixh: 6-10

“O ju njerëz, ruajuni dënimit nga Rabbi juaj, sepse dridhja pranë katastrofës së kijametit është një llahtari e madhe.
Atë ditë, kur ta përjetoni atë, secila gjidhënëse braktis atë që ka në gji dhe secila shtatëzënë e hedh para kohe barrën e vet, ndërsa njerëzit duken të dehur, po ata nuk janë të dehur, por dënimi i Allahut është i ashpër.” 22-Haxhxh: 1-2

Kur të dridhet toka me dridhjen e saj të fuqishme.
Dhe të nxjerrë toka atë që ka në brendinë e saj (barrën nga brenda)

Dhe njeriu të thotë: “Ç’ka kjo (që bën këtë dridhje)?”
Atë ditë, ajo i rrëfen tregimet e veta,
Ngase Rabbi yt e ka urdhëruar atë.
Atë ditë njerëzit shfaqen të ndarë në grupe që të shpërblehen për veprat e tyre.
E kush punoi ndonjë të mirë, që peshonë sa grimca, atë do ta gjejë.
Dhe kush punoi ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë.” 99- Zelzele: 1-8

“Atë Ditë, Ne do të palosim qiellin, ashtu siç paloset letra e librit. Ashtu siç e filluam krijimin e parë, do ta përsërisim atë. Ky është premtimi Ynë. Ne do ta bëjmë këtë me të vërtetë.” 21-Enbija: 104

“Ditën kur toka ndryshohet në tjetër tokë, e edhe qiejt (në tjerë qiej), e ata (njerëzit) të gjithë dalin sheshazi para Allahut, Një, Mbizotërues.” 14- Ibrahim: 48

KIBRIJA 
azamet; madhësia dhe fuqia; madhësia e Allahut Teala në çdo pikëpamje.

KISSA
përrallë; kallëzim; tregim.

KUDDISE SIRRUHU (k.s.)
kuptimi: “shumë i shenjtë dhe i nderuar i qoftë sërri (e fshehta) dhe hakikati; është shprehje nderimi; iu shenjtëroftë e fshehta dhe hakikati.

KUDSI 
i shenjtë; i pastër; larg prej mangësive dhe gjërave të turpshme; shumë i dashur.

KUFR 
gjuhësisht ka kuptimin: mbulim, fshehje, qëndrim larg dhe mohim i bamirësisë, që nënkupton se është e kundërta e imanit. Ndërsa, në terminologjinë islame ka kuptimin: mosbesim në Allahun Teala, Melaiket, Librat e Tij, Pejgamberët e Tij, në Ditën e Ahiretit dhe Kaderin.

KURSI 
një vend i lartë në të cilin qëndrohet; fron; qendër; katedër; katedra hyjnore; fuqia e Allahut Teala; shtresa qiellore nën arsh (nën rezidencën hyjnore);
Kursi-u i Tij shtrihet mbi qiejt dhe Tokën. 2-Bekare: 255

Termi Kursi fjalë për fjalë përkthehet si karrige, ndenjëse. Kursi-u është një krijesë madhështore e Allahut me formën e treguar nga kuptimi i saj gjuhësor dhe që ndodhet në këmbët e Fronit të Allahut. Ai shtrihet mbi qiejt dhe tokën dhe, sipas transmetimeve autentike nga Resulallahu s.a.v.s.,, përmasat e tij janë aq të mëdha, sa që qiejt dhe toka në krahasim me atë ngjajnë si unaza në shkretëtirë.

 

ABDEFGHIJKL-MNPQRSSHTUVXHYZ

LATIF 
i këndshëm; i hijshëm; i butë; i brishtë; jomaterial; shpirtëror; një nga emrat e Allahut Teala.

LEVH 
një send/gjë me mbishkrim; një gjë e rrafshët në të cilën është e shkruar diçka.

LEVH-I MAHFUDH 
lehv-i i ruajtur; pëlqimi i shkruar i Allahut Teala për çdo gjë, rreth të cilit ne nuk kemi dituri mirëpo që është i ruajtur prej çfarëdo ndikimi; jeta e e regjistruar e çdo gjëje.
S’ka fatkeqësi që godet tokën dhe ju, që të mos jetë e shënuar në Libër (Levhi Mahfûdh) më parë se ta krijojmë atë. Kjo për Allahun është vërtet e lehtë! 57-Hadid: 22

 

ABDEFGHIJKLM-NPQRSSHTUVXHYZ

MAHBUB 
i dashur.

MAHLUK (sh. MAHLUKAT)
krijesë, krijesat.

MAHSHER 
vendi i tubimit, vendi ku do të mblidhen njerëzit e ringjallur për llogaritje.

MAHZAR
(prej Huzur), të jesh gati; dëftim; pamje; dukje; vendi dëftimit; vend ku del në shesh (mejdan); vendi dalës; paraqitje e diqkaje, e një sendi.

MAKAM
gradë; pozitë; post; vend; gjendje.

MAKSUD
qëllim; synim; kërkesë; dashje; dëshirë; diçka që dëshirohet; i/e dëshiruar; që kërkohet të arrihet.

MALIK 
pronar; zotërues; posedues; ai që posedon pasurinë e diçkaje; Allahu Teala është posedues i çdo gjëje;

MA’NA 
kuptim; brendi; tregues; dëshirë; ëndërr; dhëmethënja e një fjale apo një gjëje; fytyra e brendshme; fjalë që bëhet dëshmi; rrugë-tregues; shenjë për një gjë.

MARIFET
njohuri; dituri; dituri që fitohet me himet dhe me mendim; njohja e së vërtetës; ta njohësh Hakkun; aftësi; zotësi; mjeshtri.

MARUF
e dhënë e njohur, që dihet e që është e qartë; veprim i ligjshëm; çështje që me sheriat janë të pranueshme, të pëlqyeshme, ose të urdhëruara. Maruf është ajo që e urdhëron feja, që e pranon mendja e shëndoshë, që mbështetet në parime të drejta dhe i qëndron besnik këtyre parimeve, lufton për zbatimin e tyre, nuk lëkundet, nuk lejon ndikime të huaja.

MATLUB 
dashje; dëshirë; dëshiroj; kërkoj; gjë e kërkuar.

MASIVA 
çdo gjë përveç Allahut. Është një term që përdoret për çdo gjë, përveç Allahut.

MEAL
kuptimi; kuptim i shkurtër; të nxjerrësh kuptim prej një fjale; perfundimi që del në shesh; fund; përfundim.

MEDET 
ndihmë; kërkim ndihme prej dikujt për zgjidhje të një problemi; arritja e ndihmës, një fuqi që dërgohet për ndihmë.

MEDH’HEB:
rrugë; rruga që mbahet; rrugë që shkohet; shkollë e mendimit; pikëpamje.

MEHËR 
dhurata e detyrueshme e martesës.

MEKAN
vend; vend ndaljeje/qëndrimi; shtëpi.

MEKRUH
neveritshëm; papëlqyer;

MELEK (sh. MELAIKE)
Melaiket janë krijesa të cilat Allahu Teala i ka krijuar prej nurit. Allahu Teala kështu i urdhëron muminët që t’i besojnë melaikeve:
“I dërguari i beson asaj që iu shpall prej Rabbit të Tij, e ashtu edhe besimtarët. Secili i beson Allahut, melaikeve të Tij, shpalljeve të Tij, të dërguarëve të Tij.” 2-Bekare: 285

Resulallahu s.a.v.s. na informon kështu:
“Melaiket janë krijuar nga nuri, e xhinët nga zjarri i flakëruar, kurse Ademi është krijuar nga ajo çka u është thënë në Kur’an.”

Melaiket janë krijesa të ndershme, të vlefshme, të lavdishme, të pastra e të këndshme, të cilat Allahu Teala i ka krijuar për ibadet, zbatimin e urdhrave të Allahut Teala, dhikër, falënderim ndaj Allahut Teala dhe për detyra specifike. Melaiket janë krijuar para njeriut:
(Përkujto Muhammed) Kur Rabbi yt u tha melaikeve: ‘Unë po krijoj (po përcaktoj) në tokë një zëvendës!‘ Ata thanë: ‘A do të vëshë në te atë që bënë çrregullime dhe që derdh gjaqet, e ne të madhërojmë Ty me lavdërimin Tënd dhe plotësisht të adhurojmë!‘ Ai tha: ‘Unë di atë që ju nuk e dini!
E Ai (Allahu) ia mësoi Ademit të gjithë emrat pastaj ata ua prezentoi melaikeve dhe u tha: ‘Më tregoni për emrat e këtyre, nëse jeni të drejtë (çka mendoni)‘?
(Melaiket) thanë: ‘Ti je i pa të meta, ne nuk kemi dije tjetër përveç atë që na e mësove Ti. Vërtetë, Ti je i Gjithëdijshmi, i Urti!
(Allahu) tha: ‘O Adem, njoftoji ata (melaiket) me emrat e atyre!’ E kur u rrëfeu atyre për emrat e tyre, Allahu tha: ‘A nuk u kam thënë juve se Unë, më së miri e di fshehtësinë e qiejve e të tokës dhe më së miri e di atë, që ju e publikoni dhe atë që e mbani fshehtë.
E kur u thamë melaikeve: ‘Përuluni (bini në sexhde) Ademit’, ata menjëherë iu përulën, me përjashtim të Iblisit (shejtanit). Ai refuzoi dhe u mbajt në të madh dhe u bë pabesimtar.” 2- Bekare: 30-34

Melaiket kanë detyra në çdo vend, si në tokë, në qiell e në Arsh. Nuk mund të shihen me sy dhe gjenden në botën e padukshme – gajb. Mund të marrin shumë forma. Muhammedi s.a.v.s. i ka parë melaiket kohë pas kohe dhe ka biseduar me ta. Veçanërisht me melekun e shpalljes, Xhebrailin a.s. është takuar shpesh, ka biseduar dhe është përshendetur. Me leje hyjnore, melaiket ndonjëherë janë takuar edhe me njerëz të tjerë dhe kanë biseduar me ta, bile edhe sot mund të shihen dhe të bisedohet me ta. Në vazhdim po e japim shembullin e Merjemes:
“Përkujto kur melaiket i thanë: ‘O Merjeme, Allahu të dalloi ty (me besim e karakter) të pastroi (nga shpifjet hebreje) dhe të lartësoi mbi gratë e botës.
Oj Merjeme, vazhdoje adhurimin ndaj Rabbit tënd, bën sexhde dhe falu për Rabbin bashkë me ata që falen!’
Këto janë nga lajmet e fshehta (të hershme) që po t’i shpallim ty. Ti nuk ishe ndër ta kur i hidhnin shortet se kush prej tyre do të bëhej kujdestar i Merjemes, nuk ishe pranë tyre as kur ata ziheshin mes vete.
Përkujto kur melaiket i thanë: ‘Oj Merjeme, Allahu të përgëzon me fjalën e vet (me lindjen e një fëmije si rezultat i fjalës së Rabbit), emri i të cilit është Mesih, Isa, bir i Merjemes, i famshëm në dynja e ahiret dhe nga të afërmit’.” 3- Ali Imran: 42-45

“Ajo vuri një perde ndaj tyre, e Ne ia dërguam asaj Xhibrilin, e ai iu paraqit asaj njeri në tërësi.
Ajo tha: ‘Unë i mbështetem të Gjithëmëshirshmit prej teje, nëse je që i frikësohesh Atij (pra, më lë të lirë)!”
Ai (Xhibrili) tha: ‘Unë jam vetëm i dërguar (melek) i Rabbit tënd për të dhuruar ty një djalë të pastër (pejgamber).
Ajo tha: ‘Si do të kem unë djalë, kur mua nuk më është afruar njeri (nuk jam e martuar) e as nuk kam qenë e pamoralshme?’
Ai (Xhibrili) tha: ”Ja, kështu ka thënë Rabbi yt; ajo për Mua është lehtë, e për ta bërë atë (djalin e krijuar pa baba), argument për njerëzit e edhe mëshirë nga ana e Jonë. Kjo është çështje e kryer!” 19-Merjeme: 17-21

Edhe as’habët e ndershëm e kanë parë Xhebrailin në formë të njeriut në prani të Muhammedit s.a.v.s.. Melaiket nuk hajnë dhe nuk pijnë prej ushqimit të kësaj bote. Ushqimi i tyre është nuri i Allahut Teala, njohuria, dhikri dhe dashuria. Melaiket nuk kanë gjini. Nuk shumohen me lindje. Allahu Teala krijon melaike sa të dëshiron dhe kur të dëshiron. Vetëm Allahu Teala e di numrin e tyre. Melaiket nuk bëjnë punë të këqija dhe nuk ju afrohen fare punëve të këqija. Melaiket nuk kanë nefs, epsh, dëshira të këqija dhe nevojë, sikurse ka njeriu. Melaiket vazhdimisht lartësojnë Allahun Teala, bëjnë hamd, lavdërojnë dhe iu rrijnë gati urdhrave. Katër melaike janë kryesorët:

  1. Xhebraili; është Meleku i shpalljeve (vahj). Ai sjell urdhërin e Allahut Teala tek Pejgamberët. Prej melaikeve është më i madhi dhe kryetari (reis)
  2. Mikail; është i ngarkuar me detyrën e ndodhive natyrore dhe ndarjen e furnizimit (rëskut).
  3. Israfili;  ka për detyrë t’i fryej një mjeti që quhet sur në kohën para se të bëhet kijameti dhe të shpall lajmin e tmerrshëm.
  4. Azraili; ka për detyrë të merr shpirtat me urdhrin e Allahut Teala.

Melaiket të cilat kanë për detyrë mbrojtjen e njeriut quhen melaiket Hafaza (mbrojtës).
Melaiket të cilat shkruajnë veprat e mira dhe veprat e këqija quhen Kiramen Katibin (që shkruajnë).
Melaiket të cilat marrin në pyetje njerëzit në varr janë melaiket Munkir dhe Nekir.

Disa melaike kanë për detyrë t’i ndihmojnë miqtë e Allahut Teala. Melaiket vazhdimisht bëjnë dua për muminët, bëjnë istigfar për gjynahet e tyre dhe kërkojnë falje për ta ditë e natë. Ka melaike të cilat kanë për detyrë të vizitojnë mbledhitë [mexhliset] e dhikrit dhe të diturisë (ilmit) dhe të cilët bëjnë istigfar dhe dua për ta. Ka melaike që kanë për detyrë t’i bartin Pejgamberit tonë s.a.v.s., salavatet që bëhen për te dhe me njohjen e atyre që bëjnë salavat. Ka melaike që iu bashkangjiten muminëve në dua dhe bashkë me ta thojnë Amin. Ka melaike të cilët janë ndihmës të Azrailit a.s. në momentet kur i merr shpirtat. Njerëzve me ahlak të bukur në momentin e vdekjes, këto melaike u japin selam, u sjellin lajm të mirë, u thonë të mos frikësohen dhe njerëzve që janë duke dhënë shpirt ju bëhen gëzim, si dhe ju bëhen ndihmës të kalimit në ahiret. Përveç këtyre melaikeve, ka melaike të tjerë në tokë e në qiell, në dynja e në ahiret, që kryejnë detyrat me të cilat janë ngarkuar nga Allahu Teala e që numrin e tyre e di vetëm Ai.

Kështu pra, është e obliguar (farz) për çdo mysliman, t’i besojë melaiket dhe t’i dojë ata. Nëse melaiket mohohen, tregohet armiqësi ndaj tyre, përshkruhen si vajza apo djem të Allahut Teala, këto janë kufër, janë haram dhe e nxjerrin njeriun prej fesë. Ashtu si Pejgamberët që i panë melaiket me lejen dhe me mundësinë që e jep Allahu Teala, ashtu edhe mumini me zemër të pastër e me moral të mirë, duke qenë mik (veli) i Allahut Teala, ka mundësi t’i shohë dhe të bisedojë me ta. Melaiket janë ushtarët e Allahut Teala. Nëpërmjet melaikeve Ai i dërgon ndihmë muminëve në botë dhe në ahiret e miqëve të Tij u jep mbështetje dhe fuqi. Shembuj të tillë ka shumë.

MENDUP
preferuar, rekomanduar.

MES’H 
mes’hi është lëmim me dorë të lagur mbi mest’et (mbathjet e lëkurës) dhe mbi ndonjë pjesë të trupit që është e mbështjellur me fashë, të cilën për shkak të plagës ose lëndimit nuk mund ta pastrojmë.

MESHREB 
natyrë; karakter; cilësitë e njeriut që i posedon prej lindjes së tij; ahlak; adet; zakon; huj; temperament; prirje; rruga dhe vendi ku mirret fejzi (shiko gjithashtu fejz); vendi ku pihet.

MERTEBE 
shkallë; nivel; gradë.

MIKAT
Vendi i hyrjes në ihram; kohë ose vend i caktuar për një punë; vendet e veçanta në rrugë për Meke ku haxhilarët e veshin ihramin.

MIMBER
vendi i ngritur në xhami prej nga imami mbanë hutbe. 

MIRA
(nga Rija – dyfytyrësi; hipokrizi)  të kundërshtosh dhe të luftosh kundër fjalës së tjetrit; të thuhet e kundërta; të thuhet e kundërta e asaj që thuhet.

MI’RAXH 
ngjitje; ngritje;  vend i lartë; vendi më i lartë; prani hyjnore; muxhizja e daljes së Hz. Muhammedit s.a.v.s. në prani të Allahut Teala me shpirt dhe me trup në natën e 27 të muajit Rexhep, e që është një prej muxhizeve më të mëdha.

MISAK 
dhënje fjale; marrëveshje; kontratë.

MIZAN
Peshorja; Fjala mizan do të thotë:“peshore’ dhe ‘mjet i matjes”. Mirëpo, kjo peshore nuk duhet të krahasohet me formën dhe detyrën e peshoreve të kësaj bote; çdo gjë në ahiret ka ngjashmëri me krijesat e kësaj bote vetëm në emër: forma, esenca, gjendja dhe detyra janë tërësisht të ndryshme. Kjo është mënyra se si duhet të njihen gjërat në botën e ahiretit. Llogarinë e robëve në ahiret do ta bëjë Allahu Teala, Rabbi i botëve që është Rrahman dhe Rrahim. Ai është duke urdhëruar kështu:

“Vetëm te Ne kthimin e kanë.
Dhe vetëm detyrë Jona është llogaria e tyre.” 88-Gashije: 25-26

“Atë ditë peshimi (masa) është i drejtë. Atij që i rëndohen peshojat, ata janë të shpëtuar.
Kujt i vjenë lehtë peshoja, ata e humbën vetveten, ngase i refuzuan argumentet Tona me të padrejtë.”  7-A’raf:8-9

“Në ditën e gjykimit. Ne do të vëmë peshoja të drejta, e askujt nuk i bëhet e padrejtë asgjë, edhe nëse është (vepra) sa pesha e një kokrre të miellit, Ne do ta sjellim atë. E mjafton që Ne jemi llogaritës.” 21-Enbija: 47

“E kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë.
Dhe kush punoi ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë.” 99-Zelzele: 7-8

Allahu Teala nuk e lë pa kompenzim robin e vet i cili ka punuar vepra të mira. Për ato vepra për të cilat ka dhënë premtim se do t’i shpërblejë, atë shpërblim edhe do ta jep. Ndërsa për veprat e këqija të muminëve nuk do të ketë kompenzim të plotë. Allahu Teala ose do të bëjë rahmet dhe do t’i falë ose do t’ju japë Pejgamberëve dhe salihëve leje për shefat dhe për shkak të shefatit të tyre, Allahu Teala do t’i falë apo për një pjesë do t’i falë e për një pjesë do t’i dënojë, duke bërë që llogaria të jetë në favor të muminit.
Pyetja e parë pas imanit për muminët do të jetë pyetja për namaz, e nëse këto të dyja janë në rregull atëherë llogaria e tij do të jetë e lehtë.
Po qafirët?! Për shkak se nuk e kanë një punë të hajrit për t’ju dhënë shpërblim, as mizani nuk do të ngritet për t’i peshuar veprat e mira dhe ato të këqija si në rastin e muminëve. Peshorja atyre do t’ju tregojë shkallën e kufrit. Qafirët për mohimin e tyre do të dërgohen drejt e në Xhehenem:

“Këta janë ata që nuk kanë besuar në shpalljet e Rabbit të tyre dhe në takimin me Të. Punët e tyre do të fshihen, andaj Ne nuk do të vëmë kurrfarë peshe për ta (për veprat e tyre), në Ditën e Kiametit.
Shpërblimi i tyre do të jetë Xhehenemi për shkak të mohimit të tyre dhe për shkak se talleshin me shenjat e Mia dhe të dërguarit e Mi.” 18 – Kehf: 105 – 106

Njeriu do të mirret në llogari për këto katër sende:

    1. Ku e harxhove jetën?
    2. Qysh dhe ku të kaloi rinia?
    3. Ku e harxhove jetën?,  dhe
    4. A veprove në bazë të diturisë?

Nuk ka llogari dhe dënim apo vuajtje për fëmijët dhe për të çmendurit. Ata do të hyjnë drejt në Xhenet. Sipas dijetarëve Islamë, nuk ka llogari dhe dënim as për fëmijët e qafirëve (pa hyrë në pubertet). Edhe ata do të hyjnë në Xhenet dhe do t’i bëjnë shërbim muminëve në Xhenet.
Nuk do të kryhet llogaria pa u shpaguar haku i robit. Nuk do të mbetet haku i askujt te askush. Dikush që është xhenetli dhe i ka hak dikujt që është në Xhehenem, nuk do të hyn në Xhennet pa e shpaguar hakun. Për këtë arsye, askujt nuk duhet t’i hyjmë në hak, pa marr parasysh a është mumin apo qafir, ndërsa ata të cilët i kanë hyrë dikujt në hak atëherë të mundohen në këtë botë t’ja kthejnë hakun.

MUAMELE 
praktikë; veprim; trajtim.

MUATEBE 
qortim i nefsit. “O nefs, vaj për ty! Karshi njerëzve e zbukuron të jashmen, e me të brenshmen i kundërshton urdhrat e Allahut. Turpërohesh prej njerëzve, e nuk ke turp prej Allahut!
Imam Gazali, Ihjau Ulumid-din, 38. Vetëkontrolli dhe LLogaridhënia

MUBAH 
gjërat që nuk kanë as sevap e as gjynah; bërja e një veprimi që nuk ka as gjynah e as sevap;  as nuk është urdhëruar, as nuk është ndaluar; (i mundshëm; ka mundësi të bëhet; e pranueshme).

MUFESSIR 
sqarues i një teksti të vështirë për t’u kuptuar, shpjegues e komentues i Kuranit, interpretues i Kuranit, dijetar që ka dituri dhe kompetencë të komentojë Kuranin.

MUHRIM
personi në ihram

MUKELLEF
personi që arrinë moshën e pjekurisë dhe është i mençur, që është ngarkuar t’i kryejë detyrat e veta si musliman, që është ngarkuar me zbatimin e urdhërave  e sheriatit, i ngarkuar me përgjegjësi.

MUTTEKI
ai që i ruhet Allahut dhe që ka frikë prej Tij, i devotshëm.

MUHABBET
dashuri; të dashurosh; sohbet; shpirti të drejtohet kah dëshira/dashuria ndaj diçkaje që i sjell lezet; bisedë miqësore.

MUHABETULLAH 
dashuri ndaj Allahut Teala; dashuri me ihlas (sinqeritet) ndaj Allahut Teala.

MUHADITH  
dijetar i shkencave të hadithit. 

MUHAJJER 
i lirë në zgjedhje.

MUHAL 
i pamundur; definitivisht i pamundur; bestytë; fjalë boshe.

MUHAMMED 
një emër që shumë herë dhe vazhdueshëm lavdërohet, e që nuk i është dhënë askujt më herët. Edhe kuptimi i drejtëpërdrejtë është: Emër shumë i lavdueshëm, dhe për herë të parë i është dhënë Pejgamberit tonë, s.a.v.s.. Pejgamberi i fundit, i dërguari i fundit.

Muhamedi është vetëm i Dërguar, para të cilit ka pasur edhe të dërguar të tjerë. Nëse ai vdes ose vritet, a mos do të ktheheni ju prapa? Kushdo që kthehet prapa, nuk i bën kurrfarë dëmi Allahut. Dhe Allahu do t’i shpërblejë falënderuesit. 3-Al’Imran: 144

MUHASEBE 
kërkimi i llogarisë nga nefsi për veprimet.
“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen!” 59-Hashr: 18

Hazreti Omeri r.a., ka thënë: “Bëj llogari me veten, para se të bëhet llogaria ty. Peshoi veprat tua, para se ato të peshohen.”

Hasan Basriu ka thënë: “Besimtari vazhdimisht e kontrollon nefsin dhe për rizanë e Allahut, i kërkon vetes llogari. Në ahiret, llogaria do të jetë e lehtë për ata që i bëjnë llogarinë vetes (nefsit) në dynja. E ata që nuk e bëjnë këtë llogari në dynja, do ta kenë të vështirë dhënien e llogarisë në ahiret.”

MUHDES 
diçka që del më vonë në shesh; që nuk ka ndodhur në të kaluarën; që është krijuar pa qenë fare.

MUHIBB 
ai që do; që dëshiron apo kërkon bamirësi; mik.

MUHSIN 
ai i cili bën ihsan; që bën mirësi; bujar/i xhymert; ai që bën ibadet thuaj se e sheh Allahun Teala.

MUKABE 
dënimi i nefsit (shih Muhasebe).
Hz. Omeri r.a., kur bëhëj nata, i godiste këmbët e veta me kamxhik, e ju thoshte:
Çfarë keni bërë sot?!

MUKALLID 
imitues; ai që imiton.

MUKARREB  
i afërt; afrim; i afruar.

MUKASHEFE 
zbulim; hap; qelë; fshehtësitë shpirtërore; të dihet një gjë para se të ndodh; nxjerrja në shesh e një sekreti ose të fshehte; shikim me syrin e zemrës.

MUKELLEF 
personi që arrinë moshën e pjekurisë dhe është i mençur, që është ngarkuar t’i kryejë detyrat e veta si musliman, që është ngarkuar me zbatimin e urdhërave  e sheriatit, i ngarkuar me përgjegjësi.

MUKTEDI 
ai që i përshtatet imamit.

MU’MIN 
ai që u bën iman urdhërave dhe ligjeve të Allahut Teala; ai që beson; ai që bën iman dhe itaat Allahut Teala, ahiretit, librave, melaikeve, pejgamberëve dhe kaderit.

MUNAFIK
dyfytyrësh; fitnexhi; ngatërrestar; përçarës.

MUNAFESE 
arritje e një përsosmërie që dikush e posedon dhe të tejkalohet ajo, garë në gjëra të mira. Dallimi me zilinë është i qartë. Njeriu që ka zili është armik i përsosmërisë, është në dëm të atij që e ka zili dhe kënaqet me humbjen e nimeteve të tij. Ndërsa Munafesiu është i dashuruar në përsosmëri. Ai nuk është armik i atij që posedon përsosmëri, por dëshiron të ngritët më lart se ai.

MUNEZZEH 
ai që është bërë tenzih; i pastër; i papërlyer; larg prej të metave dhe mangësive; që nuk ka nevojë për asgjë; që njihet se është larg prej të ligave, të metave apo gjërave të mangëta.

MUNKER
fjalët dhe veprat me të cilat Allahu Teala nuk është razi, e që sheriati i ka ndaluar, që ka njoftuar se janë gjynah, gabim, të papranueshme, të papëlqyeshme dhe haram.

MUNKIR
ai që mohon; refuzues; ai që nuk e pranon Hakkun.

MURAKABE 
kontroll; vetëvëzhgim; vetëkontroll; vetëllogari; inspektim.

MURID
vullnet; dëshirë; ai që ka hyrë në tarikat; nxënësi i shejhut (murshidit); murid i thuhet personit i cili me dashuri dhe vetëdëshirë zgjedh një shejh (murshidi kamil), hyn në rrugë të drejtë dhe kërkon kënaqësinë (rizanë) e Allahut Teala; murid i vërtetë është ai i cili me sinqeritet i është dorëzuar shejhut.

MURSHID
udhëzues; udhërrëfyes; ai që tregon rrugën e drejtë; i zgjuar prej gafletit; piri i tarikatit; Shejh; trashëgimtari i Hz.Pejgamberit (s.a.v.s).

MUSTEHAB  
e lavdërueshme; e pëlqyeshme; e preferuar.

MUSHRIK  
besimi në më shumë se një zot, d.m.th. të bërit ortak Allahut Teala. Politeist.

MU’TEZILE  
grup muslimanësh i ndarë nga (besimi) Ehl-i sunneti.

MUTTEKI
ai që i ruhet Allahut dhe që ka frikë prej Atij, i devotshëm.

MUTMAIN(e) 
i sigurt; i qetë; me qenë në rehati dhe në siguri; rehati shpirtërore; që nuk ka mbetur më dyshim; të besosh; absolutisht të dishë; emin (shih fjalën emin).

MUXHAHEDE 
përpjekje; luftë; mund; punë; orvatje; të bësh xhihad; luftë në vetvete; luftë me vetveten; Muxhahede është detyrim i nefsit për të bërë gjërat të cilat nefsi nuk dëshiron t’i bëjë, sepse nefsi nuk dëshiron të veprojë sipas sheriatit. Nefsi është kundër urdhrave të sheriatit.

MU’XHIZE 
një mrekulli/dukuri mbinatyrore, akoma më lartë se kerameti, të cilën njerëzit nuk kanë mundësi ta bëjnë përveq pejgamberëve të cilëve Allahu Teala ju ka mundësuar; një ndodhi e jashtëzakonshme, shumë e lartë; një vërtetim prej anës së Krijuesit të gjithësisë për Pejgamberët e tij se ata nuk ndahen prej hakut dhe prej drejtësisë apo vërtetësisë; për muxhizet është lajmëruar dhe konstatuar në hadithet sahih (të vërteta); paraqitje e mrekullisë apo e gjendjeve të jashtëzakonshme nga ana e Pejgamberëve (alejhimusselam) me lejen e Allahut Teala si dëshmi për pejgamberllëkun e tyre.

MYFTI 
dijetari që jep fetva.

MYRTED 
ai që kthehet prej dinit Islam; të dalësh prej dinit Islam në një fe tjetër ose të bëhesh i pa fe.

MYSHAHEDE 
pamje; shikim; njohje; kuptim; perceptim; vështrim; që shihet me sy; shikoj; vështroj; shikim me syrin e zemrës; të shohësh me sy; vëzhgim; observim (me sy); të kuptohet duke shikuar; soditje shpirtërore.

MYSHEBBIH 
Ai që thotë se Allahu Teala i ngjason njeriut; antropomorfizëm.

MYTESHABIH
i ngjashëm; ngjashmëri; i përngjashëm; që i ngjanë dikujt.

 

ABDEFGHIJKLMN-PQRSSHTUVXHYZ

NASS 
definitivisht; kategorik; përfundimtar; saktësi; përpikmëri; qartësi; një fjalë apo një dëshmi që nuk ka mundësi të komentohet.

NAMAZ
Fjalë perse, nga fjala arabe “Salât”, me kuptimin: dua, lutje.
Namazi është shtylla e dytë e Islamit. Allahu Teala thotë:

“…namazi është detyrë e obligueshme për besimtarë, në kohë të caktuar.” 4-Nisa: 103

Resulallahu s.a.v.s., ka thënë:
“Pesë kohë namaze ia ka urdhëruar Allahu Teala robit të Tij. Nëse i falë të gjitha, e nuk braktisë ndonjë duke e konsideruar të parëndësishëm, Allahu e merr mbi Vete obligimin që ta fusë në xhennet. E kush nuk i falë, Allahu nuk ka marrë kurrfarë obligimi: nëse Ai do, e dënon, e nëse Ai do, e vendos në xhennet…” (Ebu Davud)

“Shembulli i pesë kohëve të namazit është sikurse një lumë i rrjedhshëm dhe i pastër para derës së njërit prej jush, në të cilin ai lahet pesë herë në ditë. A mendoni se do të mbetej papastërti te ky person?

– Jo, nuk do të mbetej asgjë.

Edhe pesë namazet ditore vërtetë që i largojnë gjynahet, bash sikur uji që largon papastërtinë.”(Muslimi)

 “Pesë namazet, prej njërit deri te tjetri, janë pastrues të gjynaheve në mes tyre, nëse ruheni prej gjynaheve të mëdha” (Muslimi)

“Namazi është çelësi i xhennetit!” (Ebu Davud)

E pyetën Resulallahun s.a.v.s., se cili është veprimi më me vlerë, e ai tha:

– Namazi i falur në kohë! (Buhariu dhe Muslimi) 

Resulallahu s.a.v.s., ka thënë: 
“Kush falë namaz me xhemat për katërdhjetë ditë, pa i ikur as tekbiri fillestar, Allahu i garanton dy gjëra: që nuk është dyfytyrësh, dhe që nuk do të hyjë në xhehenem.” (Tirmidhiu)

Ebu Hurejre r.a., ka thënë:

Kush merr mirë abdes e niset me nijet të falë namaz, llogaritet që është në namaz deri sa të vazhdojë ky nijet; në një hap i shkruhet një sevap, e në tjetrin hap i fshihet një gjynah. Prandaj kur të dëgjosh ikametin – mos u vono, e shpërblimin më të madh e kanë ata që i kanë shtëpitë më larg.” Kur e pyetën për arsyen, Ebu Hurejre tha:

– Për shkak të hapave të tyre të shumtë.

NAZAR
shikim; vështrim; mendim; shikim i keq; mësysh.

NEBI 
ai që sjell lajm; pejgamber të cilit nuk i është dhënë libër i ri apo sherijat i ri, dhe njerëzve të kohës së tij, u mëson sherijatin/dinin e pejgamberëve të mëparshëm.

NEFJ 
mohim; refuzim; internim; deportim.

NEFS
është fjalë arabe që përfshinë disa kuptime: Shpirt; mend; person; vet njeriu; trupi i njeriut; trup; gjak; lartësi; madhështi; e vërtetë; thelbi; esencë; esenca e diçkaje; esenca e qenies sonë; vetja; ego; pamje/pikëpamje; shikim; sy; syri i keq; dëshirë për të bërë diçka; dënim; kërkesë; dëshirë.
E kush iu frikësua paraqitjes para Rabbit të vet dhe ndaloi nefsin (veten) prej epsheve, Xhenneti është vendi i tij. 7-Naziat: 40
Çdo nefs (shpirt) do ta shijojë vdekjen. 3-Imran: 185
“Njeriu, kur thotë ‘unë’, është duke treguar nefsin.” (Imam Rabbani)
“Bëji armiqësi nefsit! Sepse ai është armiku Im.” (Hadithi kudsi, Mektubat-i Rabbani)
“Dukuria e të mençurve është të bëhet fitues dhe zotërues ndaj nefsit dhe të përgatis gjërat e nevojshme pas vdekjes. Dukuria e të paditurit (xhahilit) është përshtatja nefsit, dhe pritja nga Allahu falje dhe merhamet. (Hadithi-Berika)
“Ai që e bën nefsin të shenjtë, e prish fenë. Ai që e poshtëron nefsin, e bën fenë e shenjtë.” (Muxhahid bin Xhebr)
“Shpëtimi nga përshtatja nefsit është nimeti më i madh i kësaj bote. Sepse nefsi është perdja më e madhe mes Allahut dhe robit të Tij.” (Ebu Bekir Tamistani)
“Për nefsin është më e vështirë të largohet nga gjynahet se sa të bëjë ibadet, prandaj largimi nga gjynahet është sevap ma i madh.” (Imam Rabbani)
“Nefsi është armik. Të veprosh me fjalën e armikut nuk është punë e mençur.” (Ali Hafiz)
“Nefsi është krijesa më budalla, sepse vazhdimisht dëshiron gjëra kundër vetes.” (Sejid Abdulhakim Arvasi)
Sherri, forca e keqësimit te njeriu dhe te xhinët. Burim i dëshirave për mospërputhje Sheriatit, d.m.th. fesë. Kësaj i thuhet edhe nefs-i emare.
Siç e shpjegon Abdurrezak Kashani, në tasavvuf nefsi është një esencë, latif me avull, forca e ndjenjës dhe jetës që gjendet në vete, vullnet për lëvizje. Nefsi, siç kuptohet si i tillë që urdhëron të këqijat, gjithashtu përdoret edhe për njeriun e fryrë nga Allahu dhe Ruh-i Rahman, uni ilahi (hyjnor). Hakim Tirmidhiu këtë e plotëson kështu: “Ai është shpirt shtazë, është mjet mes zemrës dhe trupit.”
Në Kur’an, nefsi është përdorë në kuptime të ndryshme:
Në kuptimin shpirti i njeriut: 6-En’amë: 93; 39-Zumer: 42; 89-Fexhr: 27.
Zemër, paraqitës dhe kuptime të tjera: 3-Ali Iman: 154; 7-A’rafë: 205; 12-Jusuf: 77; 2-Bekare: 77,109,235; 4-Nisaë: 113; 6-En’amë: 158; 10-Junus: 100; 21-Enbija: 64; 27-Neml: 14; 41-Fussilet: 53.
Trupi i njeriut: 3-Ali Imran: 146,185; 21-Enbija: 35; 29-Ankebutë: 57; 17-Israë: 33; 12-Jusuf: 26,30,61;
Trupi dhe shpirti së bashku: 2-Bekare: 286; 6-En’amë: 152; 10-Junus: 23,44,49,54; 13-Rra’d: 11,42; 17-Israë: 7; 20-Taha: 15; 29-Ankebutë: 6; 39- Zumer: 70; 40-Gafir: 17; 45-Xhathije: 15;
Forca që urdhëron njeriun në të këqija: 12-Jusuf: 18,53; 20-Taha: 96; 5-Maide: 30;
Personi/individi: 2-Bekare: 48; 31-Llukman: 28,34; 74-Muddeththir: 38;
Në kuptimin lloj/soj: 9-Tevbe: 128; 30-Rrum: 28; 7-A’rafë: 188; 42-Shura: 11.

Zotërimi i nefsit është zotërimi i kërkesave dhe dëshirave ose zemërimit, të bërit sabër. Lufta me nefsin është më e vështirë se luftërat e kësaj bote. Në fjalët e Resulallahut s.a.v.s, gjatë kthimit nga lufta në Tebuk, ka aludim:
Po kthehemi nga lufta e vogël, në luftë të madhe.
Në këto fjalë ka shenja se është e vështirë që njeriu të edukojë nefsin dhe ta mbajë atë nën kontroll. Ka disa ajete të cilat i preferojnë njeriut të mendojë mbi veten; si nga jashtë (afak) ashtu edhe në brendësi (enfus).
Sufitë shpesh e përdorin shprehjen: “Ai që e njeh nefsin, e njeh Rabbin e vet.”

NEFS-I XHEMADI: Nefsi materie. Fuqia që e mbanë materien në një vend dhe pengon shpërndarjen e saj.
NEFS-I NEBATI: Nefsi bimor. Fuqia që i siguron kushtet për shumim, rritje dhe ushqyerje.
NEFS-I HAJVANI: Nefsi shtazor. Forca që zotëron ndjenjën dhe lëvizjen me vullnet.
NEFS-I NATIKA: Nefsi folës. Ky është nefsi i cili vete është shkëputur nga materia, por në bërjen e punëve (në veprim) është një esencë e ngjitur materies. Edhe mendjes i thuhet nefs-i natika.
NEFS-I INSANI: Nefsi njerëzor. Forca te njeriu për të kuptuar tërësinë dhe meditimin.
NEFS-I EMMARE: Nefsi urdhërues. Kashani ka thënë që ky nefs anon kah natyra e trupit, nxit në kënaqësi dhe ndjenja epshore. Pra, nefs-i emmare e tërheq zemrën në gjëra të liga, e jo në lartësi. Nefs-i emmare është fole e sherrit, burim i veprave të këqija dhe moralit qortues. Ky nefs është cekur në Kur’an, me ajetin:

Unë nuk e shfajësoj nefsin (veten), sepse nefsi (i njeriut) është fort i prirë për të keqe. 12-Jusuf: 53
NEFS-I LAVVAME Nefsi qortues. Nefsi që ka përfituar zgjuarsi në masë të barabartë me nurin me të cilën një pjesë e zemrës i është ndriçuar. Nefsi që ka marrë cilësitë Levvame, dallon veprimet e këqija; d.m.th. ka shpëtuar deri në një masë nga gafleti (pavëmendja). Për këtë arsye, ai e qorton veten, nuk dëshiron të bëjë gjynahe. Por, për shkak që nuk është mjaftueshëm i përkryer, vazhdon të bëjë gjynahet. Sidoqoftë, disa përmirësime ekzistojnë. Vendi i nefsit që lëviz drejt Allahut Teala, është alami (bota) Berzah. Gjendet në gjendje dashurie; merr shembull sjelljet e Resulallahut s.a.v.s., shihet përmirësim dhe fillimi i qortimit të anëve të këqija. Në këtë gjendje i shtohet nderimi dhe lidhja ndaj urdhrave të Kur’anit. Shihet shtim në namaz, agjërim, sadaka si dhe në vepra të mira. Veprat i bën për Allahun, por këtë dëshiron ta dinë edhe njerëzit. Nefsi me këtë cilësi tashmë është i penduar.
NEFS-I MULHIME: Nefsi që ka arritë keshf dhe ilham. Vullneti që e ndanë të mirën nga e keqja. Kjo është shkalla e tretë e nefsit. Kjo është një gradë e përmirësimit. Tashmë, nefsi i di sevapet dhe gjynahet, me ndihmën e Allahut, për këtë arsye largohet prej çdo gjëje, përveç Allahut. Ky nefs, i cili i është drejtuar ruh alem-it (botës së shpirtrave), është në gjendje dashurie. Ai do dituri, është dorëhapur (i xhymertë), i kënaqur me pak dhe modest. Durimi dhe qëndrueshmëria janë shtuar. Është tolerant, duron vështirësitë dhe torturat. Është i mahnitur nga fshehtësitë e gjithësisë, dhe duke braktisur njerëzit – i afrohet Hakut. Bëhet me shprehje të bukur dhe të mençur.
NEFS-I MUTMAINNE: Nefsi i qetësuar, rehatuar. Ky nefs ka shpëtuar nga cilësitë e këqija dhe është zbukuruar me ahlak (moral) të bukur. Kashani këtë e shpjegon si nesfi që është ndriçuar me nurin e zemrës dhe tek i cili janë fshirë veset e këqija. Ky është nefsi të cilit i drejtohet ajeti i fundit në suren Fexhr:
dhe hyr në Xhenetin Tim!

Kjo është shkalla e katërt e nefsit. Në këtë shkallë brengat e nefsit përfundojnë me fjalët:
Ja ejjetuhe’n-nefsu’l-mutmainneh. O ti shpirt i qetësuar! 89-Fexhr: 27
Në rrugëtimin drejt Allahut, zemra që posedon këtë nefs posedon besim të plotë dhe të vërtetë. Ka përfituar disa fshehtësi të Sheriatit dhe cilësi të bukura si bujari, drejtësi, zemërbutësi, buzëqeshje, gjuhë-ëmbël. Vazhdimisht është në gjendjet si tevvekul (dorëzim), angazhim, sabr (durim) dhe rizá. Zemra e tij është në çdo moment në gjendje qetësie, falënderimi dhe lëvdate; mbulon mangësitë dhe fal gabimet. Nga urdhrat e Islamit nuk ndahet as sa një grimcë. Jeton në një mënyrë të bukur me ahlakun (moralin) e Resulallahut s.a.v.s., dhe prej kësaj merr kënaqësi. Me lejen e Allahut, posedon disa keshfe dhe ilhame. Shiko: Fexhr 27.
NEFS-I RADIJE: Nefsi i kënaqur. Ky është nefsi që ka arritur në shkallën e kënaqësisë (rizá). Duke braktisur dëshirat e veta, nefsi i përshtatet dëshirës së Hakut. Ky nefs nuk ankohet për asgjë. Në rrugën e pjekurisë së nefsit, kjo është shkalla e pestë. Ka shpëtuar nga dëshirat trupore dhe ka arritur në fená. Ai tashmë, tërësisht i përshtatet urdhrave dhe ndalesave. Nga vetja i shfaqet ahlaku i bukur. Kohë pas kohe, i arrit texhelitë e Emrave dhe Cilësive të Allahut. Mirësia është personalitet i tij. Ai ka arritur në shkallën Haka’l-jakin. Shiko: Fexhr 28.
NEFS-I MARDIJJE: Nefsi i pëlqyer. Allahu është razi (i kënaqur) me këtë nefs. Kjo është shkalla e gjashtë e nefsit. Nefsi që arrinë këtë cilësi ka braktisur dëshirat e kësaj bote (dëshirat trupore), është bërë me ves/natyrë të mirë. Ai i falë mangësitë, mendon mirë, është dashamirës, dorëhapur, i do njerëzit për hir të Allahut, i ndjeshëm, mendon me përpikëri, llogarinë e nefsit e bën në mënyrën më të mirë dhe posedon cilësitë e larta që nuk gjenden te çdokush. Ky nefs i di disa fshehtësi, aq sa e lejon Allahu. Këto janë dhurata të Allahut për të. Ky është personi që përmendet në hadithin kudsi:

Allahu Teala lajmëron: Robi Im, me asgjë tjetër nuk më afrohet si me ibadete farz, që janë më të dashurat për Mua. Pastaj, robi Im vazhdimisht më afrohet me ibadete nafile. Në fund, atë e dua. Nëse robi vazhdon të më afrohet me nafile derisa Unë ta dua, atëherë bëhem syri me të cilin sheh, veshi me të cilin dëgjon, gjuha me të cilën flet, dora me të cilën mban, këmba me të cilën ecë. (Tash që robit i kam dhënë një nur të veçantë dhe një kompetencë) Ai sheh me Mua, dëgjon me Mua, flet me Mua, mban me Mua, ecë me Mua. Çka kërkon nga Unë, atë i jap. Te Unë strehohet, atë e mbroj.
Ky person, me lejen e Allahut Teala, mund të ndikojë edhe te personat tjerë.
NEFS-I RAHMAN: Nefsi që i përket Rahmanit (Mëshirës). Ky nefs, quhet edhe nefsi kudsi (nefsi i shenjtë) dhe nefsi hyjnor.
NEFS-I SAFIJJE: Nefsi i pastruar. Quhet edhe nefsi kamile
NEFS-I KAMILE: Nefsi i pjekur. Nefsi i cili ka përfituar të gjitha veçoritë e pjekurisë dhe ka kaluar në gjendje të irshadit. Kësaj mund t’i thuhet edhe nefsi kudsije (i shenjtë), nefsi safijje (i pastruar) dhe nefsi zekijje (i zgjuar/inteligjent).

NESEB 
soj; soji i babës; farefis; prejardhje.

NEXHESE 
gjëra të papastra.

NEXHASET 
papastërtitë.

NIJET 
qëllim; synim.

NIMET 
mirësi; bamirësi; dhurim; lumturi; hidajet; risk.

NUBUVET 
pejgamberllëk; ai i cili me urdhrat e Allahut Teala është i obliguar që t’i thërret njerëzit në rrugë të drejtë/në fe.

NUR 
ndritshëm; shkëlqim; dritë; e kundërta e territ apo çdo errësire; Kur’ani Kerim; Pejgamber; Iman; e dëbon çdo lloj terri apo çdo vuajtje shpirtërore.
Ai, të cilit Allahu nuk i jep nur (dritë), nuk do të gjejë më nur (dritë). 24-Nur: 40
Allahu është nur (drita) e qiejve dhe e Tokës. 24-Nur: 35
Një nga epitetet e Kuranit:
Prandaj besoni në Allahun, në të Dërguarin e Tij dhe në nur (Kuranin), që ju kemi zbritur 64-Tegabun: 8

 

ABDEFGHIJKLMNP-QRSSHTUVXHYZ

PEJGAMBER
Ata të cilët Allahu Teala i ka zgjedhur nga mesi i njerëzve dhe i ka ngarkuar me detyrë që t’i njoftojë robët e Vet me urdhrat dhe ndalesat, si dhe i ka obliguar për t’i edukuar ata, quhen pejgamberë.
Fjala pejgamber është në gjuhën perse, dhe përdoret në vend të fjalës Resul dhe Nebi, të cilat përdoren në Kur’an.
Resul e ka kuptimin përfaqësues apo i dërguar, ndërsa Nebi do të thotë lajmëtar. Këto fjalë në kuptim janë të njejta vetëm se ndërmjet tyre ekziston një dallim; atyre të cilëve ju ipet një libër i ri dhe sheriat apo që shtojnë urdhra të reja në sheriatin e një pejgamberi të mëparshëm, ju thuhet Resul e atyre të cilëve nuk ju është dhënë libër i ri dhe të cilët njoftojnë dhe mësojnë për sheriatin e një pejgamberi të mëparshëm, ju thuhet Nebi.
Sipas kësaj, çdo Resul është Nebi, por çdo Nebi nuk është Resul.
Pejgamberllëku nuk fitohet me punë. Kjo është dhunti e Allahut Teala. Pejgamberi i parë është Ademi a.s. ndërsa i fundit është Muhammedi s.a.v.s. Çdo pejgamber ka ardhur për një kohë të caktuar dhe për një popull të caktuar, ndërsa Pejgamberi ynë, Muhammedi s.a.v.s., është dërguar për të gjithë njerëzimin dhe është pejgamber për të gjithë deri në Ditën e Kijametit. Për këtë arsye Allahu Teala i ka dhënë atij sifatin Hatemu’n-Nebijjin, e që do të thotë Vula e Pejgamberëve, Pejgamberi i fundit dhe plotësues.
“Muhammedi nuk ka qenë babai i asnjërit prej burrave tuaj por ai ishte i dërguari i Allahut dhe vulë e të gjithë pejgamberëve, e Allahu është i dijshëm për çdo send.” 33-Ahzab: 40

kohën e fundit (ahir zaman) Isa a.s. do të zbresë prej qiellit dhe do t’i përshtatet sheriatit të Muhammedit s.a.v.s., dhe do t’i thërret njerëzit në Islam dhe në Kur’an. Ai do t’i luftojë ata të cilët nuk do të pranojnë të veprojnë sipas sheriatit si p.sh. të krishterët, jahuditë dhe të tjerët të cilët do ta mohojnë. Isa a.s. do t’i thërret të gjithë të veprojnë vetëm sipas fesë Islame dhe të veprojnë ato vepra më të cilat është i kënaqur Allahu Teala.
Vetëm Allahu Teala e di numrin e pejgamberëve. Në Kur’anin Fisnik përmenden emrat e disa pejgamberëve ndërsa numri i tyre është 25. Ata janë:
Ademi a.s., Idrisi a.s., Nuhu a.s., Hudi a.s., Salihu a.s., Ibrahimi a.s., Luti a.s., Ismaili a.s., Is’haku a.s., Jakubi a.s., Jusufi a.s., Ejubi a.s., Shuajbi a.s., Musa a.s., Haruni a.s., Davudi a.s., Sulejmani a.s., Iljasi a.s., Eljesa a.s., Junusi a.s., Dhulkifli a.s., Zekerijja a.s., Jahja a.s., Isa a.s. dhe Muhammedi a.s.. Ne u besojmë të gjithë hakk pejgamberëve dhe i përmendim ata për të mirë.
Pejgamberët janë njerëz, mirëpo posedojnë cilësi të larta dhe janë të ruajtur prej të gjitha gjynaheve. Allahu Teala i ka dërguar disa Pejgamberë me libra e disa me fletushka në mënyrë që robët e Tij nëpërmjet urdhrave në këta libra, të njoftohen me rrugën e drejtë e të vërtetë dhe të mësojnë se si të jetojnë. Është farz t’ju besohet këtyre librave dhe të punohet sipas librit të Tij të fundit. Katër libra të mëdhenj u janë dërguar këtyre Pejgamberëve:

  1. ZEBURI, dërguar Davutit alejhisselam,
  2. TEVRATI, Musait alejhisselam,
  3. INXHILI, Isait alejhisselam, dhe
  4. KUR’AN-I KERIM, dërguar Muhammedit Alejhisselam.

Ndërsa fletushkat që janë zbritur janë këto:
10 fletushkat e Ademit a.s.; 50 fletushkat e Shi-it a.s.; 30 fletushkat e Idrizit a.s.; 10 fletushkat e Ibrahimit a.s..
Kur’an-i Fisnik ka zbritur i fundit dhe i ka anuluar vendimet mbi veprat sipas librave dhe fletushkave të mëparshme.

Kur’ani Fisnik është libër i dërguar për tërë njerëzimin deri në ditën e Kijametit dhe vendimet e këtij libri dhuratë për njerëzimin vlejnë deri në ditën e Kijametit. Askush nuk mundet ta ndryshojë këtë libër. Në vend të Kur’anit Fisnik nuk mund të vendoset një libër tjetër. Ky libër i vërteton librat e mëparshëm të vërtetë, si dhe i kontrollon dhe i drejton ato pjesë të cilat i kanë ndryshuar njerëzit. Ky libër ia siguron mbarë njerëzimit pranimin e vendimeve hyjnore të pa devijuara dhe pa ndonjë të metë.
Për çdo mysliman është farz të besojë në librat dhe fletushkat të cilat i ka dërguar Allahu Teala dhe të besojë në të gjitha urdhërat dhe ndalesat të cilat gjinden në to. 
Është farz t’i besohet esencës së paprishur të Tevratit dhe të Inxhilit, mirëpo sot këta libra janë të shtrembëruar nga ana e Jehudive dhe të Krishterëve dhe më nuk konsiderohen si libra të vërtetë. Nuk është e lejuar të lihet anash Kur’ani Kerimi e të veprohet sipas këtyre librave të tjerë. Në qoftë se veprohet sipas tyre atëherë veprat nuk janë të drejta dhe tek Allahu Teala nuk pranohen. Tevrati dhe Inxhili edhe poqëse nuk do të ishin të shtrembëruar, prapë nuk do të ishte e lejuar të veprohet sipas tyre, sepse kështu ka dashur Allahu Teala.
Nuk është e lejuar të veprohet sipas Tevratit dhe Inxhilit të sodit, mirëpo gjithashtu nuk është e lejuar të fyhen të vërtetat që janë brenda këtyre librave si fragmentet, pjesët e pasazhet. Këto libra edhe nëse nuk respektohen sikur Kur’ani Kerim, nuk duhet t’i trajtojmë ato sikur ndonjë libër të keq.
Për çdo mysliman është farz të lexohen dhe të mësohen përmendësh pjesë nga Kurani, aq sa nevojitet për të kryer namazin.
Farz-i kifaje është të dihen të gjitha urdhrat hyjnorë që gjenden në Kur’ani Kerim. Nëse një grup prej myslimanëve e zbaton këtë obligim, atëherë myslimanët e tjerë nuk kanë ndonjë përgjegjësi.
Të lexohet përkthimi i Kur’anit Famëlartë në gjuhë tjera është e dobishme mirëpo përkthimi nuk e tejkalon Kuranin. Përkthimi dhe tefsiri shërbejnë për të kuptuar Kur’ani Kerimin. Falja e namazit në përkthimin e ndonjë gjuhe tjetër nuk është e lejuar (xhaiz).
Nuk është farz të dihet kuptimi për atë që lexon në namaz, mirëpo nëse kuptimi i saj dihet atëherë është një gjë e dobishme. Nuk preferohet përkthimi për fillestarin i cili është duke e mësuar fenë. Më e preferueshme është që ky fillestar fillimisht të lexojë një tefsir të shkurtër dhe të lehtë për të gjitha ajetet.
Nëse dituritë themelore lexohen vet ka mundësi të vihet në përfundime të gabueshme.Veçanërisht Kur’ani, sunnetet dhe burimet themelore të fesë, duhet të lexohen bashkë me një hoxhë i cili është i aftë. Është e rrezikshme të veprohet vetëm sipas asaj që ke lexuar dhe ke kuptuar nga përkthimi.

PIR
plak; në moshë; themeluesi i një tarikati.

 

ABDEFGHIJKLMNPQ-R-SSHTUVXHYZ

QAFIR
i pafe, i pa iman, që nuk beson në asnjë fe, ateist.

 

ABDEFGHIJKLMNP-QR-SSHTUVXHYZ

RABB
pronar; zotërues; posedues; Allahu Teala; Ai që ushqen/rritë/edukon (Kur’an-i Kerim e përmend 846 herë Allahun Teala me emrin Rabb); në qiell e në tokë ka me mijëra aleme, edhe njeriu është një alem i vogël. Allahu Teala me Rububijjën e vet drejton, udhëheq, edukon dhe merr masa në mënyrë të drejtpërdrejtë për çdo alem.
Thuaj: A mos vallë do të kërkoj unë tjetër Rabb, përveç Allahut, kur Ai është Rabbi i gjithçkaje? Kushdo që bën diçka, punon për vete dhe askush nuk ngarkohet me barrën e tjetrit. Pastaj të gjithë do të ktheheni te Rabbi juaj dhe Ai do t’ju tregojë për kundërshtitë që kishit mes jush. 6-En’am: 164

RABBANI
Një fjalë arabe që do të thotë njeriu i Allahut. Evliave ju thuhet Rabbani, pra Rabbani në këtë kuptim do të thotë miku i Allahut, ai që e njeh Allahun dhe që është afër Tij. Emri Rabbani ju ipet edhe njerzëve të mëdhenj, të rrallë, që janë thelluar në dituri dhe fe dhe kanë arritur t’i zbatojnë dituritë e fituara.

RADIJALLAHU ANH (r.a.)
Allahu qoftë i kënaqur me të!; shprehje që shqiptohet pas emrit të shokëve të Muhamedit a.s..
Radijallahu anha (r.anha), për gjininë femërore.

RAHMAN
Mëshirues; Rahman – mëshira e Tij përfshin të gjithë (pa dallim) besimtarët dhe pabesimtarët. Ai që shtrin mëshirën e Tij mbi të gjitha krijesat.

RAHIM
Mëshirëploti; Rahim – mëshira e Tij vetëm për besimtarët, në botën tjetër (ahiret); mëshirë e veçantë; Ai i Cili shpërblen besimtarët me mëshirën e Vet, sidomos në botën e ardhshme.

RAN
Ngurtësim i zemrës; njollosje; shqetësimi i zemrës; ndryshk; papastërti.

REFES
Fjala refes përfshinë çdo të folur të panevojshme e të shëmtuar.

RESUL
Pejgamber; atij që i ipet një Libër i ri dhe sherijat/din apo që në sherijatin e pejgamberëve para tij u shtohen urdhra të reja; pejgamberëve u thuhet Resul, e u thuhet edhe Mursel (i Dërguar).
Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj. Frikësojuni Allahut, sepse Allahu dënon vërtet ashpër. 59-Hashr: 7

REXHA
shpresë; lutje; kërkesë (për diçka prej dikujt); dëshirë.

RIJAZAT
kundërshtim i dëshirave të nefsit; thyerje e nefsit; mos-plotësim i dëshirave të nefsit; jetesë me pak me qëllim të edukimit të nefsit; ndalim prej dëshirave të nefsit dhe të merresh me punë të dobishme e të vlefshme; ibadet; dituri dhe mendime; vetëkontroll i instinkteve; ushtrim; rehabilitim; jetesë e përkorët për të edukuar nefsin; ndalim i nefsit nga dëshirat dhe okupimi i tij me punë dhe mendime të dobishme.

RISK
 gjëra që hahen dhe pihen; furnizim. Edhe hallalli edhe harami është risk. Vetëm Allahu Teala furnizon krijesat me riskun e tyre:
Vërtet, Allahu është Furnizuesi i vetëm, i Fuqishmi, i Plotpushtetshmi. 51-edh-Dharijat: 58
Sa krijesa ka që nuk e mbajnë dot veten me ushqim! Allahu u jep atyre dhe juve! Ai dëgjon dhe di gjithçka. 29-Ankebut: 60
Risku i njeriut fillon në barkun e nënës dhe vazhdon deri në exhel/vdekje. Ai është përcaktuar për të gjitha krijesat qysh në Ezel. Ai as nuk shtohet, as nuk pakësohet. Resulallahu s.a.v.s. thotë:
Një nefs nuk vdes deri sa nuk e plotëson riskun që i takon. (Ibn Maxhe)

Nuk ka asnjë gjallesë në tokë që Allahu të mos ia ketë garantuar furnizimin e saj. 11-Hudë: 6
Në qiell është furnizimi juaj dhe gjithçka që ju është premtuar. 51-Dharijat: 22
Muhammed Masum el-Faruki k.s. thotë: “Risku që do të ushqejë robin është i përcaktuar. Nuk ka asnjë mundësi të shtohet ose pakësohet. Risku që është përcaktuar për njeriun, çoftë pak ose shumë, është një mirësi dhe dhuratë e veçantë e Allahut Teala. Në këtë, askush nuk ka pjesëmarrje.”
Allahu ia shton furnizimin kujt të dojë dhe ia pakëson kujt të dojë.” 13-Ra’d: 26
A nuk e dinë ata se Allahu ia shton apo ia pakëson riskun kujt të dojë?! Vërtet, në këtë ka shenja për njerëzit që besojnë. 39-Zumer: 52

Vallë, a mos janë ata që e ndajnë mëshirën e Rabbit tënd? Jemi Ne ata që ua ndajmë njerëzve mjetet e jetesës në këtë botë, duke i ngritur në shkallë disa më lartë mbi të tjerët, me qëllim që disa t’u shërbejnë të tjerëve. Mëshira e Rabbit tënd është më e mirë nga ajo që grumbullojnë ata. 43-Zuhruf: 32

RIZA
këndshëm; kënaqësia; kënaqem; kërkesë; deshirë; vet-dëshirë; pëlqim.

RUBUBIJET
Allahu Teala në çdo kohë dhe në çdo vend, çdo krijese i jep atë që krijesa ka nevojë; shtim; shtim i vazhdueshëm; Rububijeti Mutllak: nën Rububijetin e Allahut Teala çdo gjë është e përfshirë dhe është nën drejtimin e Tij.

RUH
shpirt; frymë; gjallëri; jetesë; esencë; thelb; qenësi; ndjenjë; përmbledhje; pika më e rëndësishme.
Do të të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: Shpirti është çështje që i përket vetëm Rabbit tim, ndërsa juve nuk ju është dhënë veçse pak dijeni. 17-Isra: 85

RUHANIJET
botë shpirtërore; shpirtëror; forcë shpirtërore me efekt të vazhdueshëm edhe pas vdekjes së personit

RYKYN
shtyllë/direk; themel/bazë/esencë; forcë; parim; kusht; element përbërës themelor.

RY’JET
pamje; të pamurit; shikoj; pamje me sy ose me syrin e zemrës.

RY’JETULLAH
të shikuarit e Allahut Teala në Xhennet nga ana e muminëve; shikimi i Allahut (në ahiret).

 

ABDEFGHIJKLMNPQRS-SHTUVXHYZ

SABR
durim. Allahut Teala thotë:
O ju besimtarë, bëni durim, bëhuni të qëndrueshëm kundër armikut, rrini të përgaditur dhe, që të shpëtoni, ruajuni dënimit të All-llahut. Ali Imran 200
Kush bën durim dhe fal, s’ka dyshim se ajo është virtyti më i lartë (i lavdishëm). Shura: 43
Kërkoni ndihmë (në të gjitha çështjet) me durim dhe me namaz. Bekare: 45.

Betohem në kohë,
me të vërtetë, njeriu është në humbje, 
përveç atyre që besojnë dhe punojnë vepra të mira, dhe të cilët rekomandojnë njëri-tjetrit të vërtetën, dhe të cilët i rekomandojnë njëri-tjetrit durimin. Asr: 1-3.

Resulallahu, s.a.v.s., ka thënë:
Askujt nuk i është dhënë dhuratë më e mirë dhe më e rëndësishme sesa durimi (sabri).  

SADAKA
lëmoshë, para, ushqime a sende të ndryshme që jepen për rizanë e Allahut si ndihmë ndonjë lypësi, të varfëri a një të papunësuari. Resulallahu s.a.v.s., ka thënë:
Jepeni sadakanë, qoftë edhe një hurme. Ajo do t’i mjaftojë të uriturit dhe ia fshinë gabimet ashtu si uji që e fik zjarrin.

Ruajuni nga zjarri i xhehenemit qoftë edhe me gjysmë hurme, e nëse as kaq nuk mundeni, atëherë së paku me një fjalë të mirë.
Kushdo që jep një sadaka nga hallalli, qoftë edhe një hurme, Allahu me dorën e fuqisë së Tij e pranon këtë hallall, dhe ashtu si ju që e rritni devenë e vogël, Allahu e rrit atë hurme – sa mali Uhud, dhe ditën e kijametit ia kthen dhuruesit.
Lum për atë që jep nga pasuria hallall.

SALAH
gjendja më e mirë nji sendi; rahati; qetësi; paqe; përmirësim; mirësi; lidhshmëri me fe/din;

SALAT –  SALAVAT (lutje)

Allahu Teala thotë:
“Allahu dhe melaiket e Tij me madhërim e mëshirojnë Pejgamberin. O ju që keni besuar, madhërojeni pra atë (duke rënë salavatë) dhe përshëndeteni me selam.”33-Ahzab: 56

Transmetohet se një ditë, Resulallahu, s.a.v.s., erdhi i disponuar, në fytyrë i shihej gëzimi, e tha:
“Më erdhi Xhebraili, a.s., e më tha: 
O Muhammed (a.s.)! A je i kënaqur që secilit nga ummeti yt që të dërgon një salavat ti t’ia kthesh dhjetë, dhe secilit nga ummeti yt që të dërgon një selam, t’ia dërgosh dhjetë. (Nesai)

Resulallahu, s.a.v.s., gjithashtu, ka thënë:
“Kush më dërgon një salavat mua, melekët do të kërkojnë falje dhjetë herë për të. Prandaj, më dërgoni salavat, qoftë pak, ose shumë.” (Ibn Maxhe)

“Më së afërti meje mes njerëzve janë ata që më sëshumti më dërgojnë salavat.” (Tirmidhi)

“Koprrac është çdokush tek i cili përmendem, e nuk thërret salavat për mua.” (Nesai)

“Më dërgoni shumë salavat ditën e xhumasë.” (Ebu Davud)

“Atij nga ummeti im që më dërgon salavat do t’i shkruhen dhjetë vepra të mira e t’i fshihen dhjetë të këqija.” (Nesai)

Kush më shkruan salavat në libër, melekët do të kërkojnë falje për të deri sa emri im të jetë në atë libër.” (Taberani)

 “Kush do që më qon selam, Allahu Teala ma kthen shpirtin që unë t’ia kthej selamin.” (Ebu Davud)

E pyetën Resulallahun, s.a.v.s.:
O Resulallah! Si të dërgojmë salavat ty?; e u përgjigj:
Thuani: “O Allah! Mëshiroje Muhammedin robin Tënd, familjen e tij, gratë e tij, pasardhësit e tij, siç e ke mëshiruar Ibrahimin, familjen e Ibrahimit! O Allah! Bekoje Muhammedin, gratë e tij, pasardhësit e tij, siç e ke bekuar Ibrahimin, familjen e Ibrahimit. Vërtetë, hamdi të takon Ty e Ti je i lavdëruar”. (Buhariu dhe Muslimi)

Kur përmendet, dëgjohet dhe shkruhet emri i Muhammedit – Resulallahut salallahu alejhi ve selam, duhet t’i dërgohet salavat:
Alejhisselam.
Alejhissalatu vesselam.
Salallahu alejhi ve selam.
Allahume sal-li ‘alá Muhamedin ve ‘ala áli Muhamed.
Allahumme sali ve selim ala sejjidina Muhammedin ve ala ali sejjidina Muhammed.
Essalatu ves-selamu alejke ja Resulallah.
Allahume sali ale sejjidine Muhamedininil Nebijjil umiji ve ale alihi ve sahbi ve selem.
Allahume sal-li ‘alá Muhamedin ve ‘ala áli Muhamed, kema sal-lejte ‘alá Ibrahíme ve ‘alá áli Ibrahím inneke Hamídun Mexhíd (O Allah, ki mëshirë ndaj Muhamedit dhe familjes së tij, siç pate mëshirë ndaj Ibrahimit dhe familjes së tij, se vërtet Ti je i Lavdëruar dhe i Madhëruar).
Allahume barik ‘alá Muhamedin ve ‘alá áli Muhamed kema barekte ‘ala Ibrahíme ve ‘alá áli Ibrahím inneke Hamídun Mexhíd. (O Allah, bekoje Muhamedin dhe familjen e tij, siç e bekove Ibrahimin dhe familjen e tij, se vërtet Ti je i Lavdëruar dhe i Madhëruar). (Buhariu)
Dita më e mirë për të dërguar salavat është dita e premte (xhuma). Resulallahu s.a.v.s. thotë:
Dita më e zgjedhur e javës është e premtja. Mundohuni që në këtë ditë të dërgoni sa më shumë salavate mbi mua, sepse ato salavate do të më paraqiten mua. (Ebu Davud).

Dikush ka thënë: “E shkruajta një hadith e më pas e shkruajta edhe një salavat Resulallahut, s.a.v.s., pa selam, dhe e pashë në ëndërr Resulallahun, s.a.v.s., e më tha:
A nuk do ta plotësosh salavatin në librin tënd?e pas kësaj gjithmonë i shkruaja edhe salavat edhe selam Resulallahut, s.a.v.s.”.

Tregohet se Ebu Hasan ka thënë: “E pashë në ëndërr Resulallahun, s.a.v.s., dhe iu drejtova:
– O Resulallah! Me çfarë u shpërblye Imam Shafi, kur në veprën ‘Risala’ thotë: ‘O Allah, bekoje Muhammedin aq herë sa e përmendin zakirët dhe aq herë sa harrojnë ta përmendin të pakujdesshmit’; e më tha:
U shpërblye me lirim nga llogaria.

SALIH (prej SALAH)
i përshtatshëm; i volitshëm; i volitshëm për punë; i hajrit; i mirë; si duhet të jetë; ai që posedon drejtësi dhe veprime të drejta; ai që ka itikat; fetar; ai që i zbaton urdhrat e din-it; njeri i çmuar dhe i nderuar; ehli-takva; me virtyt; me dinjitet; Salih i thuhet atij që është i ndershëm dhe bamirës.
Prandaj jepni prej atyre mirësive që ju kam dhënë Unë, para se t’i vijë vdekja ndonjërit, e ai të thotë: O Rabbi im, sikur të më kishe lënë edhe një kohë të shkurtër në jetë, do të kisha dhënë lëmoshë dhe do të bëhesha ndër të mirët (salihun)63-Munafikun: 10

SALIK
dikush që ka hyrë në rrugë të Hakut dhe që edukohet nga një shejh (murshid). Dikujt që hyn në rrugën e edukimit shpirtëror, në tasavvuf i jepen emra si salik, sufi,  dervish, murid.

SALIM(e)
shëndosh; i fuqishëm; i gjallë; pa mangësi; i plotë; pa të meta; i përsosur; ai që është larg prej çdo lloj rreziku; ai që është i sigurt dhe nuk ka frikë.

SARRAF
personi që punon me ari, argjend dhe para; këmbyes; argjendar; bankier;

SEBAB
mjet; mënyrë; ndërmjetës; nëpërmjet; instrument; lidhje; gjoja arsye; pretekst; justfikim.

SEFER
udhëtim. Allahu Teala thotë:
Thuaj: Udhëtoni nëpër tokë e shikoni se si filloi krijimi, pastaj Allahu e fillon krijesën tjetër (ringjalljen). Është e vërtetë se Allahu ka mundësi për çdo send. Ankebut: 20

A nuk udhëtuan ata nëpër tokë e të shohin se si ishte përfundimi i atyre që patën qenë para tyre? Ata ishin edhe më të fuqishëm se këta e edhe lanë më shumë gjurmë në tokë, po Allahu i dënoi për shkak të mëkateve të tyre dhe nuk pat ndonjë që t’i mbrojë prej dënimit të Allahut. Gafir: 21

Resulallahu s.a.v.s., thotë:
Kush udhëton në kërkim të diturisë, Allahu ia lehtëson rrugën për në xhenet. Udhëtimi bëhet vetëm për tri mesxhide: për mesxhidin tim (në Medine), për Mesxhidul-haram (në Mekë) dhe për Mesxhid-i Aksa (në Jerusalem).

SEJR

ecje; udhëtim; në tasavvuf është kalimi nga padituria në dituri, nga vesi i keq në vese të mira. Ndërsa Suluk: ndjekje e një rruge; ngritje shpirtërore; është edukim moral dhe ngritje shpirtëror e paraprirë nga një udhërrëfyes dhe nën kontrollin e tij.

Sejr-u suluk: përbëhet prej edukimit të zemrës dhe nefsit. Ky edukim është i tillë që fillon nga zemra dhe përfshinë çdo pjesë të jetës. Qëllim kryesor është që njeriu të njoh veten dhe Rabbin e vet. Hapi i parë është të zgjuarit nga pavëmendja. Hapi i dytë, është që personi të bëhet njeri i përkryer.

SEJR-I AFAK
udhëtim jashtë njeriut.

SEJR-I ENFUS
udhëtim brenda njeriut.

SEKARET
dehje; intenzitet; habitje; dalldisje.

SELAM
shpëtim; siguri; paqe; ai që është salim prej fatkeqësisë, mjerimit, marres eturpit; të jetë i sigurt prej të gjitha frikave; duaja e muminëve për njëri tjetrin në mënyrë që të arrijnë rizanë e Allahut Teala; kur takohen dy mu’minë i madhi i jep të voglit selam; ai që është duke ecur apo në lëvizje me ndonjë mjet i jep selam atij që është duke ndenjur, ndërsa ai që është më lartë atij që është më ulët; pakica i jep selam shumicës; selami drejtohet me Selam alejkum e ai që e merr selamin përgjigjet me Ve Alejkumusselam ve Rahmetullahi ve Berekatuhu; i pari që jep selam fiton më shumë sevape; dhënia e Selamit është synnet ndërsa kthimi është farz; kur takohen dy xhemate, është sunnet-i kifaje (mjaftueshëm) që njëri nga grupi të jep selam, ndërsa nga ana që kthen selamin është farz-i kifaje nëse njëri nga ta e kthen.

SEMA
Rrotullim rreth vetes gjatë dhikrit; dëgjim.

SEVAP
vepër e mirë, vepër mëshire, bamirësi, e dobishme.

SËDËK
plotësisht i drejtë; fjalë e drejtë; sëdëk i thuhet njeriut shumë të drejtë. (Ebu Bekir  Sëdëk)

SËFAT 
hali apo gjendja e dikujt ose e diçkaje; esenca dhe fytyra e brendshme e një sendi; fytyrë; shenjë; alamet; cilësi; veçori; fjala e cila përdoret për të shpjeguar cilësinë e diçkaje.

SËRR
hakikati i fshehtë; diçka që nuk i tregohet gjithkujt; një gjë të cilën mendja e njeriut nuk e arrin; hikmeti i Allahut Teala.

SIHR
magji; magjistari; dredhim; paraqitja e bestytnisë si e vërtetë.

SILSILA
zinxhiri.

SIRAH
jeta, biografia e Muhammedit s.a.v.s..

SIRAT
rrugë e gjerë.

SIRAT-I MUSTAKIM
rruga më e drejtë; rruga e Islam’ijetit; Hakk rrugë; rruga më e drejtë me të cilën Allahu Teala është razi; rruga e Pejgamberëve, evlijave, salihve dhe sëdëkëve.
Udhëzona në rrugën e drejtë (siratal mustekim)1-Fatiha: 4

Pas lavdërimit të Allahut, pas njohjes së sundimit të Tij hyjnor mbi gjithësinë dhe mbi Ditën e Gjykimit dhe pas deklarimit të nënshtrimit të tërësishëm ndaj Allahut, që konkretizohet në adhurimin kushtuar Atij dhe në heqjen dorë nga çdo lloj ndihmësi e mbrojtësi tjetër përveç Atij, njeriu i kërkon Rabbit të Tij që t’i japë një udhëzim për në rrugën e drejtë, një sistem doktrinar, shpirtëror dhe ligjor që do ta udhëheqë përmes kësaj prove tokësore deri në jetën e përtejme.
S’ka dyshim se ti (Muhammad) je prej të dërguarve. Je në rrugë të drejtë. 36-Jasinë: 3-4.
Andaj, përmbaju fort asaj që të është shpallur ty, sepse ti, në të vërtetë, je në rrugën e drejtë (sirati mustekim). 43-Zuhruf: 43
Vallë, a nuk ju kam urdhëruar o bijtë e Ademit që të mos e adhuroni djallin, se ai është vërtet armik i hapët i juaji,

Por të më adhuroni vetëm Mua?! Kjo është rruga e drejtë (sirati mustekim)36-Jasin: 60-61

SIRET
ana e brendshme; hali; sjellje; lëvizje; ahlaki; portreti i ahlakut shpirtëror.

SOHBET
bisedë; bisedim.

SUNNET
Rrugë, ligj, traditë, zakon; fjalët; urdhërat; mënyra e sjelljes dhe qëndrimit; veprimet e shenjta të Hz.Muhammedit (s.a.v.s.)

SUNNET-I GAJRI MUEKKEDE
është ajo që Muhamedi a.s., nganjëherë e ka braktisë, si p.sh. sunneti i ikidisë dhe jacisë.

SUNNET-I MUEKKEDE
është ajo që Muhammedi a.s., e ka bërë rregullisht, pra sunnete të forta, siç janë sunneti i namazit të sabahut, sunneti i parë dhe i fundit të drekës, sunneti i namazit të akshamit, dy rekatet e fundit sunnet të namazit të jacisë. Këto sunnete nuk lihen pa arsye.

 

 

ABDEFGHIJKLMNPRSSH-TUVXHYZ

SHEFAAT
angazhim në dobi të njeriut, ndërmjetësim.

SHEHADET
dëshmi; dukuri; shenjë; gjurmë.

SHEJH
njeri në moshë; reis (kryetar) i fisit; kryetari i muridëve të tarikatit.

SHEJTANËT dhe XHINËT
përveç melaikeve, është edhe një grup tjetër i krijesave i cili duhet të besohet, e ata janë xhinët. Xhinët nuk mund të shihen me sy të jashtëm. Për shkak të ngjashmërisë me melaiket në këtë aspekt, është e përshtatshme të bëhet fjalë për xhinët pas melaikeve.
“Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” 51- Dharijatë : 56
Ky ajet na njofton për ekzistencën e xhinëve dhe për detyrat e tyre. E, xhinët janë krijuar para njeriut.

“Xhinët i krijuam më parë nga zjarri, nga flaka e fortë” 15-Hixhr: 27
“Dhe Ai krijoi xhinët nga flaka (pa tym) e zjarrit.” 55-Rrahman : 15

Shejtani është prej grupit të xhinëve. Emri i vërtetë i shejtanit është Iblis. Një emër tjetër i tij është edhe Azazil. Shejtan është cilësia e tij. Shejtani është koka e të gjitha të këqijave, armiku më i egër i njeriut. Për shkak se u dëbua prej mëshirës së Allahut Teala, njihet më shumë me emrin shejtan.
“Kur Rabbi yt u tha melaikeve: ‘Unë po krijoj një  njeri nga balta,
dhe kur ta kem përsosur atë dhe t’i kem dhënë nga ana Ime shpirt, ju menjëherë  përulunju atij (në  sexhde).’ Melaiket, të gjithë së bashku iu përulën, përveç Iblisit që ishte kryelartë dhe që u bë prej jobesimtarëve.
(Allahu) tha: ‘O Iblis, çka të pengoi ty t’i përulesh atij që Unë vet e krijova? A bëre kryeneçësi, apo ke qenë prej atyre që shesin fodullëk?
Ai (Iblisi) tha: ‘unë jam më i mirë se ai, mua më ke krijuar nga zjarri, e atë e krijove nga balta!
(Allahu) tha: ‘Dil pra prej tij (prej Xhenetit), ti je i mallkuar. Dhe largimi prej mëshirës Sime ka për të  përcjellë  deri në ditën e gjykimit!
Ai tha: ‘Rabbi im, më jep afat deri ditën e ringjalljes!
(Allahu) tha: ‘Po, je prej të afatizuarëve, deri në  kohën e ditës së caktuar!
Ai tha: ‘Pasha madhërinë Tënde, kam për t’i shmangur prej rrugës së drejtë që të gjithë,
përveç atyre që  janë të sinqertë nga robërit Tu!

(Allahu) tha: ‘Pasha të vërtetën, e Unë e flas vetëm të  vërtetën:
Unë do ta mbushi Xhehenemin me ty dhe me të gjithë ata që vijnë pas teje’. 38-Sad: 71-85

Përveç njerëzve, edhe xhinët janë të obliguar me Islamin të cilën e solli Muhammedi s.a.v.s.. Për shkak se Muhammedi s.a.v.s. është pejgamberi i njerëzve dhe i xhinëve, ai ndryshe quhet edhe “Resulu’s-Sekalejn”, e që do të thotë pejgamberi i dy grupeve të mëdha.
Xhinët me iman dhe të cilët janë nënshtruar do të hyjnë në Xhennet, ndërsa qafirët dhe të devijuarit prej tyre, do të hyjnë në Xhehenem.
“Sikur të  kishim dëshiruar Ne, secilit njeri do t’i jepnim udhëzimin, por fjala (vendimi) Ime ka marrë  fund (definitive) se do ta mbushë Xhehenemin së  bashku me xhinë  e njerëz.” 32- Sexhde: 13

Kur’ani dhe sunneti na kanë dhënë shumë dituri rreth xhinëve. Në mënyrë që të ruhemi prej dëmit të xhinëve na ka mësuar shumë dua dhe masa parandaluese. Xhinët, e posaçërisht shejtani, i jep njeriut shqetësime me anë të vesveseve, e fut në dyshim, mundohet ta pengojë prej rrugës së drejtë dhe mirësisë, ia ëmbëlson bestytnitë, ia zbukuron haramin dhe të këqijat ia ekspozon si të bukura. Deri në vdekje ai mundohet ta egërsojë muminin dhe ta ndajë prej rrugës së drejtë. Mirëpo kurrfarë dëmi nuk mund t’ju bëjë atyre të cilëve me tërë zemrën i janë drejtuar Allahut Teala, të devotshmëve, të sinqertëve dhe atyre të cilët vazhdimisht e përmendin Allahun Teala. Allahu Teala i ka marrë ata në mbrojtje të  veçantë:
“Vërtet, ata që janë të ruajtur, kur i prek ndonjë iluzion nga shejtani, ata përkujtojnë (Allahun) dhe atëherë shohin (të  vërtetën).” 7-A’rafë : 201
“Se ti ndaj robëve të  Mi (të  sinqertë) nuk ke kurrfarë  force (as fizike as mendore), përveç  atyre të humburve që vijnë pas teje.” 15-Hixhr: 42
“Vërtet, ai (shejtani) nuk ka kurrfarë fuqie kundër atyre që besuan dhe i janë  mbështetur Rabbit të  tyre.” 16- Nehl: 99

Në mënyrë që të ruhemi prej dëmit të shejtanit, duhet të kujdesemi shumë për pastërtinë e trupit, të rrobave, të shtratit, të vendit ku jetojmë dhe të vendit të punës. Papastërtinë e vizitojnë më shumë xhinët se sa melaiket. E rekomandueshme është që vazhdimisht të jemi me abdes, të falim pesë kohët e namazit,  të lexohet Ajetu’l-Kursi, suret Ihlas, Felek dhe Nas, mëngjes e mbrëmje, të japim sadaka dhe të bëjmë sa ma shumë salavat.

SHERIAT
rrugë e drejtë; rruga e Hak din’it; rrugë e madhe dhe e gjërë; nur; dritë; i ndritshëm; rruga për të cilën na shpjeguan, na njoftuan dhe na përcaktuan Kur’ani Kerim-i dhe Hazreti Pejgamberi Alejhissalatu vesselam.

SHEHVET 
epshi; kërkesa për ngrënie, pirje, veshje, shikim, dëgjim, të folur, seks, etj.

SHIRK
Shirk është kur robi e konsideron një ekzistencë tjetër si të barabartë apo të ngjashme me Allahun Teala, atë ekzistencë e sheh si të barabartë me Allahun Teala, mendon se në të gjenden kompetenca dhe veçori hyjnore apo e pranon atë ekzistencë si ndihmës të Allahut Teala, dhe asaj ekzistence i bënë ibadet dhe i dorëzohet në vend të Allahut Teala.

SHUKR (Shykyr)
shprehje e kënaqësisë karshi nimeteve të Allahut Teala; falënderim ndaj Allahut Teala.

 

ABDEFGHIJKLMNPQRSSHT-UVXHYZ

TAAT
përshtatje urdhërave; të bësh ibadet, zbatim i urdhrave të Allahut Teala, të bësh itaat.

TAFSIL
hollësi; shpjegim rreth diçkaje; njoftim; të njoftosh; informim; sqarim;shpjegim i hollësishëm/në detaje.

TADIL-I ERKAN
ka kuptimin që të gjitha ruknet të bëhen si duhet. Tadil-i erkan është një term në lidhje me namazin; çdo ruknu e namazit si kijam, ruku dhe suxhud (sexhdet) të bëhen në qetësi. Pra kërkohet që të mos ngutet në kijam, në ruku, në drejtimin pas rukusë, sexhde, mes dy sexhdeve në ulje (tehijat), si edhe që, kur drejtohemi pas rukusë trupi të jetë drejt dhe qëndrim i qetë së paku për disa çaste; njëjtë edhe mes dy sexhdeve.

TAKLID
imitim.

TAKVA
devotshmëri; frika ndaj Allahut Teala; ta ruash vetën nga të gjitha gjynahet; të largohesh prej çdo gjëje që ka ndaluar sheriati; të largohesh prej gjërave të cilat dyshon se janë haram.

Ky është Libri në të cilin nuk ka dyshim. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit. 2-Bekare: 2
Allahu zemrat e tyre i ka përshtatur për devotshmëri. 49-Huxhurat: 3
O ju njerëz, adhuroni Rabbin tuaj, i cili ju krijoi juve edhe ata që ishin para jush ashtu që të jeni të devotshëm. 2-Bekare: 21

S’ka dyshim se Allahu është me ata që janë të devotshëm (që ruhen prej të këqijave) dhe me ata që janë bamirës. 16-Nahl: 128
S’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat). 49-Huxhuratë: 13
Allahu është me të devotshmit. 
2-Bekare: 194
Allahu, me të vërtetë, i do ata që janë të devotshëm. 3-Al’Imran: 76

Edhe këto ajete na njoftojnë për vlerat e larta të devotshmërisë.
Dhe përgatituni me furnizim e furnizimi më i mirë është devotshmëria. 2-Bekare: 197
Është e sigurt se për të devotshmit do të ketë te Rabbi i tyre kopshte të begatshme. 68-Kalem: 34

Ata të devotshmit janë në kopshte e në begati. 52-Tur: 17
Resulallahu s.a.v.s., thotë:
Arabi prej jo arabit, raca e bardhë prej racës së zezë – nuk ka ndonjë epërsi. Epërsi ka vetëm ai që posedon më shumë devotshmëri.
Të gjithë të devotshmit konsiderohen familje e Muhammedit. (Teberani)
Për mua, më të afërmit dhe më të dashurit prej njerëzve, kushdo që është ai, e kudo që ndodhet, janë të devotshmit.” (Ahmed b.Hanbel)

TARIK
rrugë; usul (metodë); mjet

TARIKAT
tarikat ka kuptimin rrugë dhe metodë (usul). Tarikati nuk është fe e as medh’heb, por është rrugë dhe metodë për të kuptuar dhe për të jetuar fenë. Tarikati është themeluar për edukimin e njeriut. Tarikatet janë quajtur me emra të ndryshëm, varësisht dhikrit dhe metodave që i kanë preferuar të mëdhenjtë e kësaj rruge.

TASARRUF
posedim; zotërim; menaxhim; ndikim; përdorje; të marrësh diçka nën ndikim.

TEALA
nënkupton nam i lartë, i lartë, me famë të madhe; thuhet në shenjë nderimi dhe rrespekti ndaj madhësisë së Allahut Teala

TEFEKKUR
mendim; mendim i thellë; të menduarit; meditim.
Për ata që Allahun e përmendin me përkujtim kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë dhe thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve e të tokës (duke thënë:) Rabbi ynë, këtë nuk e krijove kot, i lartësuar qofsh, ruana prej dënimit të zjarrit3-Ali Imran: 191

Pejgamberi s.a.v.s. falte namaz dhe qante. Pas namazit e pyeta Pejgamberin s.a.v.s: ‘Pse po qan? Kur dihet se Allahu Teala të ka falur gjynahet e kaluara dhe të ardhurat. E ai tha:
Si mos të qaj përderisa më ka zbritur ky ajet: Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendimtarët (3: 190) dhe vazhdoi:
Sa keq për atë i cili e lexon këtë ajet e nuk mediton. ( Ibn Hibban, Es-Sahih, nr. 620; Sujuti, ed-Durru`l-Mensur, 2/409.)

TEFSIR
një gjë e vizatuar/e shkruar, në varg; të bësh të dukshëm një send që është i fshehur; dukshëm dhe haptas të paraqitet një kuptim; të tregosh ate që kupton; të shpjegosh aq sa di; libër që shpjegon/sqaron kuptimin e Kur’ani Kerimit; interpretim; koment; shpjegim; sqarim.

TEJEMMUM
pastrim simbolik që në mungesë të ujit e zëvendëson abdesin.

TEMKIN
forcë, urtësi,  maturi, pjekuri, dinjitet, madhështi, pushtet, kujdes.

TENZIH
këtë fjalë e përdor duke e ditur dhe duke treguar se Xhenabi Hakku (xh.xh.) është larg prej çdo lloj mangësie, të metave apo pozicionimi me ortak (shirk) dhe se nuk i ka cilësitë e njeriut; që njihet se është larg prej ndonjë faji apo mangësie.

TERTIL
lexim duke menduar; lexim i ngadalësuar; lexim duke kuptuar; leximi i qartë dhe i rrjedhshëm; sipas metodës dhe rregullit të Kur’anit Kerim; Kur’ani Kerim ka zbritur mbi tertil.

TEVHID
njëshmëri; një;  Kelime-i Tevhid  ‘LA İLAHE İLLALLAH’   (Nuk ka zot tjetër përveç Allahut.); të besohet se nuk ka të adhuruar (ilah) tjetër me të drejtë përveç Allahut.

Resulallahu s.a.v.s., ka thëtë:
Fjala më e mirë që kam thënë unë dhe pejgamberët para meje është La ilahe illallah.

“Kush thotë La ilahe illallah nga zemra, me besnikëri dhe sinqeritet, e ka merituar xhennetin.” Taberani

TEUBE
pendim.

Pendohuni të gjithë te Allahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim. 24-Nur: 31
Allahu i do ata që pendohen fort (për gjynahet) dhe ata që pastrohen. 2-Bekare: 222

Resulallahu s.a.v.s., ka thënë:
O njerëz, drejtojuni Allahut me teube dhe kërkim për falje, edhe unë i bëj teube Allahut nga njëqind herë në ditë.

TEUBE-I NASUH
pendim i vendosur; pendimi besnik;  pendesë e vërtetë/sinqertë.
O ju që keni besuar! Pendohuni tek Allahu me një pendim të sinqertë. 66-Tahrim: 8

TEVEXHUH
drejtim; drejtim ndaj dikujt apo diçkaje; kthim kah (dikush); t’i drejtohesh njërës anë; të ndjesh kënaqësi; dashuri; interesim.

TEVEKKUL
të jesh i kënaqur (në razi) me Allahun Teala për çkado që vjen prej Tij; t’i bëhesh razi kaderit; t’i besosh Hakut; dorëzim Allahut Teala; mbështetje tek Allahu Teala; pasi që të kryhet detyra të kërkohet përfundimi prej Allahut Teala; t’ia besosh punën dikujt tjetër. Të jesh i kënaqur/razi me atë që vjen prej Allahut; duke u angazhuar me shkaqet, pas mobilizimit të mundësive, merr masa dhe i bën detyrat që i takojnë, dhe pastaj përfundimin ia lë Allahut Teala:
Vetëm Allahut mbështetuni, nëse jeni besimtarë të sinqertë. (5-Maide: 23, 10-Junus: 84
Vetëm Allahut le t’i mbështeten vazhdimisht ata që gjithnjë iu mbështeten. 14-Ibrahim: 12
Besimtarët le t’i mbështeten vetëm Allahut. 3-Ali Imran 122, 160. 9-Tevbe: 51. 14-Ibrahim: 11

Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai.  65-Talakë: 3
Kur të vendosësh për diçka, mbështetu tek Allahu. Vërtet, Allahu i do ata që mbështeten tek Ai. 3-Ali Imran: 159

Resulallahu s.a.v.s. thotë:
Kush dëshiron të jetë më i fuqishëm mes njerëzve, duke besuar le të mbështetet te Allahu Teala. (Ahmed b. Hanbel)
Po t’i mbështeteni plotësisht Allahut, Ai, si i jep riskun shpendëve, edhe juve do t’ju jepte. Shpendët fluturojnë në mëngjes të uritur e kthehen në mbrëmje të ngopur. (Tirmidhi)
Atë që la devenë të lirë dhe tha: ‘i mbështetem Allahut’, Resulallahu s.a.v.s. e paralajmëroi:
Lidhe devenë, pastaj mbështetu. (Tirmidhi)

Tregohet se Ibrahimi a.s., kur u hodh në zjarr, Xhibrili a.s., e pyeti:
– A të duhet ndihmë?;  e Ibrahimi a.s., tha:
Jo nga ti!; duke u mbështetur në fjalët:
Na mjafton Allahu, Ai është mbrojtësi më i mirë!3-Ali Imran: 173.

Ibrahim b. Ahmed el-Havasi e lexoi ajetin:
“Ti  mbështetju Atij të përjetshmit që nuk vdes…” (25-Furkan: 58),
e pastaj tha: “Pas këtij ajeti, njeriut nuk i lejohet t’i mbështetet askujt, pos Allahut.”

TE’VIL
komentim; interpretim; shpjegim; sqarim.

TEXHELI
pasqyrim; shfaqje; manifestim; njohje; kuptim; dalja në shesh e fuqisë hyjnore dhe pamja e saj; me anë të ndikimt të nurit të Hak-ut, të dihet hakikati në zemrën e robit; shfaqje në zemër e  Emrave të Bukur, Sëfateve (cilësive) dhe dhatit të Allahut Teala.

TEZEKKUR 
bisedë (rreth një çështje); sjellje në kujtesë (e një çështjeje); përkujtoj.

TEZKIJE
pastrim; pastrim i vetvetes; pastrim i nefsit nga gjërat e këqija dhe kthimi kah bamirësia/punët e hairit; nxjerrje në pah e të qenit njeri i pastër; zbardhje.

 

ABDEFGHIJKLMNPQRSSHTU-VXHYZ

USUL  
metodë; rregull; rend; rrënjët; rrugë; esencë.

ULUL-EMR
urdhëruesit e mëdhenj; udhëheqësit; drejtuesit.

UZLET 
vetmi; gjendja e atij që rri vetëm; tërheqje në vetmi.

 

ABDEFGHIJKLMNPQRSSHTUV-XHYZ

VATAN
atdhe; vendi; vendlindja

VAXHIB
obligim; detyrë; nevojshëm; domosdoshëm. 

VAHDET
njëshmëri; vetmi.

VAHID 
një; vet; i vetmi; që nuk ka tjetër; vetëm; një prej emrave të Allahut Teala.
Thuaj: Allahu është Krijuesi i çdo gjëje dhe Ai është i Vetmi, Ngadhënjimtari. 13-R’ad:16

VARIS
trashëgimtar.

VEKIL
përfaqësues.

VELAJET (shih Veli).

VELI (el-VELIJJU)
pronar; zotërues; posedues; personi i nderuar që ka përfituar afërsi shpirtërore te Allahu Teala; nuk i nënshtrohet nefsit mirëpo gjithmonë punon që t’i nënshtrohet rizasë së Allahut Teala; në ibadet, në përshtatje ndaj urdhrave, në takva dhe rijazat ka arritur në mertebe shumë të larta; që është i dashuri dhe shumë i afërti i Allahut Teala; njerëz të mëdhenj dhe të rrallë; një prej emrave të Allahut Teala.
Allahu është veliu i besimtarëve. 3-Al-Imran: 68

VERA
devotshmëri e përparuar, veprim sipas të vërtetës; përmbajtje nga të gjitha gjynahet.

VESILE
sebeb; shkas; mjet; rrugë; ndërmjetës; ndërmjetësim.

VEXHD
ekstazë; dalldi; dalldisje shpirtërore; dashuri; pasion: zell; entuziazëm; humbje kontrolli nga emocionet e forta; muhabet.

VIRD
Vird quhet dhikri i rregullt që bëhet çdo ditë. Virdi i përngjan terapisë së duhur të cilën e merr i sëmuri që është nën kontrollin e mjekut. Në sëmundjen e gafletit (pakujdesisë), ilaçi më i ndikueshëm është dhikri i rregullt dhe i vazhdueshëm; shumës: evrad.

VUSLAT
takim me diçka të cilën e do; arritje.
arritje e të dëshiruarës. Në tasavvuf, arritja në afërsi të Allahut Teala, respektivisht sjellja e nefsit të vet në gradë të nefsit me të cilin Allahu Teala është i kënaqur (en-nefsul-merdijja):
“O ti shpirt i bindur plotësisht! Kthehu te Zoti yt i vetëkënaqur e i pranuar!” (89-Fexhr: 27, 28) 

VUXHUD
Qenie; ekzistencë.

 

ABDEFGHIJKLMNPQRSSHTUVXH-YZ

XHAHIL
injorant, i padijshëm;

XHAIZ
i mundshëm; ka mundësi të bëhet; e pranueshme; i lejueshëm.  

XHAMI
të mbledhet; që merr brenda; që bënë xhem; objekti që shërben si vend për ibadet; faltore në Islam.

XHEHRI
hapur; me zë.

XHEHENEM
Vendi i vuajtjes për gjynahet (që janë bërë), ferr, skëterrë; zjarr.
Kush e kundërshton Allahun dhe të dërguarin e Tij, dhe i shkel dispozitat e Tij, atë e shtie në zjarr (xhehenm) të përjetëshëm. Ali Imran: 14
Kurse për ata, që e mohojnë Zotin e tyre, dënimi është xhehenemi. Mulk: 6
E ata që i mohuan dhe përgënjeshtruan argumentet tona, të tillët janë banues të zjarrit, ata do të jenë aty përgjithmonë. Bekare: 39
Allahu është mbikëqyrës i atyre që besuan, i nxjerr ata prej errësirave në dritë. E kujdestarë të atyre që nuk besuan janë djajtë që i nxjerrin ata prej drite e i hudhin në errësira. Ata janë banorë të xhehenemit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Bekare: 257

XHEL’LE XHELALUHU (xh.xh.)
qoftë i lartë e i shenjtë.

XHEM
mbledhje; grumbullim; të sjellësh diqka në një vend.

XHEMAT
grup, bashkësi besimtarësh që së bashku falin namaz.

XHEMAL
bukuri; bukuria e fytyrës; bukuria e një personi.

XHEMALULLAH
xhemali
i Allahut Teala; bukuri e pafundme e Allahut Teala.

XHENAB
shprehje për madhësi; thuhet me qëllim rrespekti e nderimi si p.sh Xhenab-i Hak; Xhenab-i Resul-i Kibrija (s.a.v.s); hazret.

XHENAB-I HAKK
Allahu Teala.

XHENNET
vendi i lumturisë; vend shumë i bukur; parajsa.
Besimi në ekzistencën e Xhennetit dhe Xhehenemit është prej esencave më të rëndësishme në lidhje me ahiretin. Kur’ani Fisnik dhe sunneti e kanë sqaruar me shprehje shumë të qarta Xhennetin dhe Xhehenemin dhe janë ndalur shumë tek kjo temë. Të dyshohet rreth tyre apo të supozohet ekzistenca e tyre si një lloj simbolike është kufër (mohim). Dijetarët e Islamit të cilët i studiojnë ajetet dhe hadithet në lidhje me Xhennet dhe me Xhehenem kanë ardhur në këto përfundime:
Xhenneti dhe Xhehenemi në këtë çast është i krijuar dhe është prezent. Kjo është paraqitur në Kur’an dhe sunnet dhe është  në pajtueshmëri të dijetarëve Islam. Se ku gjinden tani Xhenneti dhe Xhehenemi është më e drejtë të lihet në diturinë hyjnore.
Resulallahus.a.v.s. e ka parë Xhennetin dhe Xhehenemin në Miraxh.
Stacioni i fundit për muminët është Xhenneti ndërsa për qafirët është Xhehenemi. Allahu Teala ju ka premtuar Xhennetin muminëve dhe ju ka dhënë myzhde për të. Ata të cilët kanë iman në zemër edhe sa grimca dhe kanë dashuri ndaj Allahut Teala, si përfundim do të hyjnë në Xhenet. Xhehenemin e ka përgatitur për qafirët dhe munafikët. Është e pamundur t’i iket Xhehenemit. Ky është një vendim hyjnor. Fjala definitive është dhënë. Çdo fjalë e Allahut Teala është e vërtetë dhe zbatimi është i sigurt.
Edhe shejtanët dhe xhinët qafirë të cilët ju nënshtruan iblisit, do të jenë në përjetësi në Xhehenem.
Sipas besimit të Ehl-i Sunnetit, Xhenneti dhe Xhehenemi janë të përhershëm dhe të vazhdueshëm, nuk kanë fund dhe në të dyjat nuk ka vdekje.
Sipas një hadithi, pasi që hyjnë ata të cilët janë për Xhennet në Xhennet e ata të cilët janë për Xhehenem në Xhehenem, me urdhrin e Allahut Teala do të sjellet vdekja në formën e një dashi dhe do të therret. Kështu edhe vdekja vdes. Prej këtij momenti shtohet gëzimi i  Xhenetlinjëve dhe shtohet brengosja dhe pikëllimi i Xhehenemlinjëve, për shkak se më nuk do të ketë vdekje që të shpëtohet prej zjarrit.
Xheneti është me grada. Ekzistojnë tetë dyer. Të gjithë ata që do të hyjnë aty do të kenë një pozitë sipas veprave që kanë bërë në dynja, si dhe do të kenë grada dhe kënaqësi shpirtërore sipas njohurisë që kanë pasë.
Në Xhennet, grada më e lartë quhet “Vesile” dhe i takon të Dashurit të Allahut, Muhammedit s.a.v.s..
Në Xhennet, nimeti më i madh do të jetë shikimi i bukurisë së Allahut Teala. Edhe një nimet tjetër i madh i Rabbit të të gjitha botëve ndaj atyre që kanë hyrë në Xhennet është se Ai do të jetë i kënaqur me ta dhe se Ai nuk do të jetë më i hidhëruar ndaj tyre.
Një prej nimeteve më të ëmbla të Xhennetit do të jetë edhe takimi dhe kojshillëku me të Dërguarin si rahmet për të gjitha botët, të Dashurit të Allahut Teala, Muhammedit s.a.v.s.. Nimetet dhe kënaqësitë tjera do të jenë në pjesën poshtë këtyre.
Në Xhennet ekzistojnë melaiket që e kanë për detyrë t’i japin selam muminëve. Kryetari i tyre dhe rojtari i dyerëve të Xhennetit quhet Ridvan. Shërbyesve në Xhennet ju thuhet Gilman. Bashkëshortet të cilat do t’ju dhurohen muminëve meshkuj quhen Huri.
Ata që kanë qenë burrë e grua në këtë botë edhe në Xhenet do të jenë bashkë, burrë e grua. Gratë qe s’kanë pasur burra, martohen me ata që  janë në Xhenet. Çdokush hyn në Xhennet në pamje të bukur. Aty nuk ka plakje.
Nimetet në Xhennet, gjendja dhe hallet, nuk kanë ngjashmëri me nimetet dhe gjendjet në këtë botë. Ndërmjet të dyjave ngjashmëria është vetëm në emër. Në atë botë çdo gjë ështe sipas kushteve të veta. Aty ka vetëm miqësi hyjnore, hamd, dhikër dhe falënderim. Njeriut do t’i jepet çkado që dëshiron. Aty nuk do të ketë as punë, as lodhje, as brengosje, as frikë, vuajtje apo mërzi. Xhenneti nuk është vend i veprimit, ai është vendi i qejfit dhe rehatisë. Xhenneti nuk është botë e shkaqeve, mirëpo është vendi i manifestimeve të hapta të fuqisë hyjnore.
Për ata që janë në Xhehenem vuajtja më e madhe e tyre është zemërimi i Allahut Teala ndaj tyre dhe mos-shikimi prej Allahut Teala me shikimin e rahmetit. Të gjitha tmerret e tjera janë shumë të pakta në krahasim me këtë vuajtje.
Në Xhehenem nuk do të ketë djegie totale e shndërrim në hi, nuk do të ketë harxhim, zhdukje dhe asnjë mënyrë për të shpëtuar prej dënimit. Trupi që digjet rikrijohet përsëri, kthehet në gjendje të mëparshme dhe dënimi vazhdon nga e para. Kështu vazhdon në mënyrë të pandërprerë.
“Është e vërtetë se ata që mohuan argumentet Tona, do t’i hudhim në zjarr. Sa herë që u digjen lëkurat e tyre, Ne ndërrojmë lëkura të tjera që të shijojnë dënimin. Allahu është i Plotëfuqishëm, i Drejtë.” 4-Nisaë:56

Në Xhehenem ka melaike me detyrë për të denuar. Maliki është kryetari i tyre. Melaiket e dënimit nuk ndikohen prej zjarrit të Xhehenemit. Zjarri ata nuk i dëmton. Këto melaike nuk tregojnë mëshirë ndaj atyre që janë në Xhehenem dhe nuk ju vie keq për gjendjen e tyre. Ato detyra të cilat ju ka ngarkuar Allahu Teala i zbatojnë plotësisht.
Po e përmbyllim këtë shpjegim me një pjesë nga sureja Zumer që tregon gjendjen e fundit në ahiret. Me këto ajete na drejtohet Rabbi ynë, që është Rrahman dhe Rrahim:
“Toka është ndriçuar me nurin e Rabbit të vet, libri është vënë pranë dhe sillen pejgamberët e dëshmitarët, e kryhet mes tyre gjykimi me drejtësi, e atyre nuk u bëhet padrejtë.
Dhe, secili njeri shpërblehet për atë që ka vepruar, e Ai më së miri e di se ç’punuan.
E ata që nuk besuan sillen në grupe te xhehenemi,e kur arrijnë te ai, dyert e tij hapen e roja e tij u thotë atyre: ‘A nuk u patën ardhur juve të dërguar nga mesi juaj t’ju lexojnë shpalljet e Rabbit tuaj, t’ju tërheqin vërejtjen për ballafaqimin tuaj në këtë ditë?‘ ‘Po, (na kanë ardhur)’, ata thonë, ‘por fjala (vendimi) e dënimit domosdo është bërë realitet kundër jobesimtarëve!’
U thuhet: ‘Hyni nëpër dyer të xhehenemit, aty do të jeni përgjithmonë, sa vend i keq për kryeneçët!’
E ata që ishin të devotshëm ndaj Rabbit të tyre, sillen në grupe te Xhenneti, e kur arrijnë aty, dyert e tij i gjejnë të hapura dhe roja e tij u thotë atyre: ‘Selam alejkum – qofshi të shpëtuar, ishit të pastër, andaj hyni në të, aty jeni përgjithmonë.’
E ata (të Xhenetit) thanë: ‘Falënderuar qoftë Allahu, i Cili premtimin e Vet e bëri realitet ndaj nesh dhe na e la në disponim tokën e Xhennetit që të vendosemi aty ku të duam! Sa shpërblim i mirë i atyre që vepruan drejtë.
E do t’i shohësh melaiket të rreshtuar përreth Arshit, e madhërojnë me falënderim Rabbin e vet. E në mes tyre (njerëzve) kryhet gjykimi me drejtësi dhe thuhet: Falënderuar qoftë  vetëm Allahu, Rabbi i botëve.” 39-Zumer: 69-75

XHEVHER
esenca e një sendi; thelbi; majë; gurë i vlefshëm

XHEZBE
tërheqje e diçkaje kah vetja; tërheqje hyjnore; kur përkujton Allahun Teala, me anë të dashurisë ndaj Allahut kalon në një hal (gjendje) që e tejkalon vetveten; të tërhiqet diçka kah vetja; prirje.

XHIDAL
grindje, e cila prodhon urrejtje, e kundërta e ahlakut të bukur.

XHIN
qenie e padukshme shpirtërore – e mirë ose e keqe.

XHISM
një egzistencë rreth së cilës ka dituri; që ka kahje, vend dhe vëllim; që ka trup, madhësi, gjatësi dhe gjerësi.

XHUNUB
i papastër, i palarë.

XHUZ
pjesë; copë; një pjesë/copë e një gjëje/sendi.

XHUZI IRADE 
një pjesë e dëshirës/vullnetit; irade apo dëshirë që i është dhënë njeriut prej Allahut Teala.

 

ABDEFGHIJKLMNPQRSSHTUVXHY-Z

YEDU’LLAH
Dora e Allahut, në kuptimin e e fuqisë së Allahut, në Kurani Kerim përmendet në 4 vende (Ali Imran: 73, Maide: 64, Fet’h: 10 dhe Hadid: 29).

 

ABDEFGHIJKLMNPQRSSHTUVXHYZ

ZAHID
plotësisht i lidhur për urdhrat e dinit dhe i tërë preokupimi i tij është si ti zbatojë këto urdhëra.

ZAHIR (ez-Zahir)
i dukshëm; haptazi; i qartë; një prej emrave të Allahut Teala.

ZEVK
të ndjesh lezet; kënaqësi; shije; gjendje e brendshme shpirtërore.

ZËNDËK
i dalë prej fesë;

ZINA
marrëdhënie seksuale jashtëmartesore.

ZUHD 
pa dëshira për këtë botë; zuhd nuk është të braktisurit fizik të kësaj bote, por të braktisurit e saj me zemër; zuhd i vërtetë është që, duke iu mbështetur Allahut Teala, zemra dhe dora të largohen nga pasuritë e njerëzve; zuhd është mos-lidhja e zemrës me gjëra, por mbështetja Allahut Teala dhe të besuarit vetëm Atij; të besohet dhe të bëhet lidhja me Allahun, e jo me pasuri.