Tevekkul

 

 ÇKA ËSHTË TEVEKKUL?

     Fjala tevekkul, në gjuhësi ka kuptimin të dorëzosh një punë dikujt tjetër, të kalosh një punë në përgjegjësi të tjetrit, të porositësh dikë tjetër për një punë, puna të lihet në dorë të dikujt tjetër. Ndërsa, në terminologjinë Islame tevekkul ka kuptimin: pas marrjes së masave të sebepit (shkakut) – përfundimi t’i lihet Allahut; të jesh i kënaqur/razi me atë që vjen prej Allahut; duke u angazhuar me shkaqet, pas mobilizimit të mundësive, merr masa dhe i bën detyrat që i takojnë, dhe pastaj përfundimin ia lë Allahut Teala.

     Tevekkul është një përfundim i natyrshëm i besimit që Allahu posedon cilësitë e diturisë, dëshirës, fuqisë dhe krijimit. Edhe besimi në kader dhe kaza përforcon tevekkulin. Tevekkul është kur njeriu plotësisht beson në premtimet e Allahut Teala.

     Në gjuhën shqipe, tevekkul është përkthyer si mbështetje.

 

 TEVEKKUL ALLAHUT ËSHTË OBLIGIM

     Njeriu gjithmonë është nevojtar që t’i besojë dikujt, të mbështetet te dikush dhe të përkrahet nga dikush; me një fjalë – është nevojtar për të bërë tevekkul. Për këtë, Kur’ani na paralajmëron:

     “Vetëm Allahut le t’i mbështeten vazhdimisht ata që gjithnjë iu mbështeten.“ (14 Ibrahim 12)

     “Besimtarët le t’i mbështeten vetëm Allahut.”  (3 Ali Imran 122, 160. 9 Tevbe 51. 14 Ibrahim 11)

     “Vetëm Allahut mbështetuni, nëse jeni besimtarë të sinqertë.” (5 Maide 23. 10 Junus 84)

     Këto ajete orientojnë besimtarët në qëllim të drejtë në çështjen e tevekkulit.

     Pse është kaq i rëndësishëm tevekkul Allahut?

     Sepse edhe ata që nuk besojnë Allahun kanë nevojë për mbështetje. Edhe ata janë nevojtarë që në një mënyrë të besojnë, të strehohen, të lidhin shpresat për një ekzistencë. Për këtë arsye, ekzistenca e vetme që besohet dhe të cilës i mbështetemi është Allahu. Prandaj tevekkul Allahut është obligim. Njeriu nuk i bën tevekkul vetes dhe atyre të ngjashëm me veten; vetëm Allahut i besohet dhe i mbështetemi:

     “A nuk i mjafton Allahu robit të Vet?” (39 Zumer 36)

     “Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai.” (65 Talakë 3)

     “Kush i mbështetet Allahut, Ai i mjafton atij.”
     Ai është që robit të Vet i jep përmirësim/shërim dhe shëndet. Një besimtar që i beson Allahut e di që Ai i mjafton atij dhe nuk kërkon ndihmë prej tjetër kujt. Për këtë, Resulallahu s.a.v.s. thotë:
     “Kush dëshiron të jetë më i fuqishëm mes njerëzve, duke besuar le të mbështetet te Allahu Teala.”(1)

     “Po t’i mbështeteni plotësisht Allahut, Ai, si i jep rizkun shpendëve, edhe juve do t’ju jepte. Shpendët fluturojnë në mëngjes të uritur e kthehen në mbrëmje të ngopur”(2)

     Amir b. Abdullah kështu ka thënë:
     “I lexova tri ajete në librin e Allahut. Përfitova shumë në gjendje të vështira.
     Ajeti i parë është ky:
     “Nëse nga Allahu të godet ndonjë fatkeqësi, atëherë askush përveç Tij nuk mund të të shpëtojë. E, nëse të dhuron ndonjë mirësi, dije se vetëm Ai është i Fuqishëm për çdo gjë.” (6 En’am 17)
     Pasi që e lexova këtë ajet, i thash vetes: ‘Në qoftë se Allahu dëshiron të më jap një dëm, askush nuk mund të më jap ndonjë dobi. Nëse (Allahu) dëshiron të më dhurojë një të mirë, asnjë fuqi nuk mund ta pengojë’.

     Ajeti tjetër është:
     “Prandaj, më kujtoni Mua që Unë t’ju kujtoj.” (2 Bekare 152)
     Pas leximit të këtij ajeti, vazhdimisht isha me dhikrin e Allahut dhe shpëtova nga përmendja e të tjerëve. Edhe ajeti:

    “Nuk ka asnjë gjallesë në tokë që Allahu të mos ia ketë garantuar furnizimin e saj.” (11 Hud 6)
     Pas leximit të këtij ajeti, kurrë nuk isha i preokupuar me furnizim, dhe vazhdimisht isha në rahati.” (3)

      Jusuf b. Esbat r.a. thotë:
    “Duhet të jesh një person i tillë i tevekkulit që, të besosh sikur e sheh me sy se përveç asaj që ka caktuar Allahu Teala, asgjë tjetër nuk ndodh.” (4)

 

VLERAT E LARTA TË TEVEKKULIT

     Tevekkuli është një nga gjendjet me vlerën më të lartë që i takon evliave me gradat më të larta që kanë arritur gradën mukarrebun.

     Tevekkuli llogaritet si besim që i është urdhëruar çdokujt nga Allahu Teala:
     “Vetëm Allahut mbështetuni, nëse jeni besimtarë të sinqertë.” (5 Maide 23)

     Tevekkuli del në shesh me arritje në hakkikatin e imanit, e kësaj i thuhet jakin. Allahu Teala njofton:
     “Vërtet, Allahu i do ata që mbështeten tek Ai.” (3 Ali Imran 159)

     Në  këtë ajet lajmërohet se ata që mbështeten te Allahu Teala, Allahu i ka pranuar si miq të Tij, atyre u ka dhuruar dashurinë. Sa gradë e lartë është kjo! Kur Allahu e do dikë, kjo do të thotë që ai ka arritur shpëtimin dhe fitoren. Sepse Allahu nuk i bën dëm dhe nuk e largon (nga vetja) atë që e do.

     Imam Taki (Muhammed Xhevad) r.a. ka thënë:
     “Kush i mbështetet Allahut, Allahu Teala atë e mbron prej çdo fatkeqësie dhe prej çdo armiku.”

     Ma’ruf el- Kerhi  ka thënë:
     “Kush i mbështetet Allahut, Ati strehohet dhe i beson – Allahu Teala bëhet ndihmës i tij.”

     Shakik-i Belhi  thotë:
     “Kush i mbështetet Allahut në çështjen e rëzkut, i shtohen vetëm të mira, bëhet i xhymertë dhe në ibadetet e tij nuk gjenden vesvese.”

     Lokmani  kështu e këshillon të birin:
     “Tevekkul Allahut është esencë e besimit në Allah. Me tevekkul Allahut robi përfiton dashuri ndaj Tij.  Me udhëzimin dhe ndihmën e Allahut, veprimet përputhen me kënaqësinë e Allahut dhe prej kësaj përfitohet dhuratë hyjnore dhe ihsan[5].

     Me një fjali tjetër, Lokmani thotë:
     “Çdokush që Allahut i mbështetet, dorëzohet në përcaktimet e Tij, i dorëzon punët Atij – përfiton qëndrueshmëri në fe, bamirësi dhe ahlak të bukur.” (6)

     Ebu Muhammed er-Rasibi  kështu thotë:
     “Perdja më e madhe në mes të Allahut Teala  dhe robit është që robi në vend Allahut i beson ndonjë krijese të pafuqishme siç është edhe vet.” (7)

     Dhunnun el- Misri  thotë:
     “Ai që Allahut i mbështetet, bëhet i besueshëm dhe i durueshëm.” (8)

     Ebu Derda kështu ka thënë:
     “Pika më e lartë e imanit është ihlas(9), Tevekkul dhe dorëzim i plotë Allahut Teala.” (10)

     Duhet të dihet se tevekkuli assesi nuk është braktisja e punëve dhe sebepeve duke thënë: “Do të bëhet si ka përcaktuar Allahu”, e duke u tërhequr në qoshe.

     Njeriu duhet të punojë dhe të përpiqet, të marr masa kujdesshëm, por nuk duhet të lidhë zemrën me to; duhet besuar dhe mbështetur vetëm në Allahun. Kjo është tevekkul (mbështetje). Allahu Teala siç ka obliguar punën, ashtu ka urdhëruar edhe mbështetjen . Në këtë ajet urdhërohet:
     “Kur të vendosësh për diçka, mbështetu tek Allahu. Vërtet, Allahu i do ata që mbështeten tek Ai”. 3 Ali Imran 159

      Atë që la devenë të lirë e tha: “I mbështetem Allahut”  Resulallahu s.a.v.s., e paralajmëroi:
     “Lidhe devenë, pastaj mbështetju Allahut.” (11)

     Sehl b. Abdullah et-Tusteri kështu ka sqaruar lidhjen mes tevekkul (mbështetjes) dhe kesb (punës e fitimit):
     “Tevekkuli është gjendja e Resulallahut s.a.v.s.. Ndërsa kesb-i është sunnet i tij. Ai që gjendet në gjendjen e tij assesi nuk e braktis sunnetin.” (12)

     Përsëri sipas Sehlit – ai që keqëson punën, ka përkeqësuar sunnetin, ai që njollos tevekkulin, ka njollos imanin.

     E pyetën Muhammed b. Salim:
     – Çka është më e përshtatshme: të fitohet duke punuar, apo të punohet për ahiret, e për këtë botë të bëhet tevekkul?;,
e ai u përgjigj:
     – Tevekkuli është gjendja e Resulallahut s.a.v.s.. Fitimi duke punuar është sunneti i tij.

     Imam Gazaliu rah., kështu thotë:
     “Disa mendojnë se tevekkuli është braktisja e punëve me trup  dhe mos-veprimi, ulja në një qosh në një gjendje të poshtër. Ky është mendimi i xhahilëve (të paditurve). Sepse një sjellje e tillë me fe është haram.” (13)

     Muhammed Bakibillah k.s. ka thënë:
     “Tevekkul nuk është të mos i përvishemi punës dhe të jemi dembel. Kështu të bëhemi është paturpësi karshi Allahut. Myslimani duhet t’i përvishet një pune që është e lejuar. Pasi përvishet dhe punon, atëherë mbështetet te Allahu.”

     Sipas besimit të Ehl-i sunnetit, të punuarit është farz kur njeriu është në vështirësi (ekonomike). Sigurisht, mbështetja Allahut është farz. Dhe, njeriu që punon nuk do të thotë që ka braktisur mbështetjen.

 


(1) Ahmed b. Hanbal, Kitabu’z-Zuhd, No: 1712; Ibn Ebi’d-Dunja, Kitabu’t-Tevekkul, No: 9; Hakim, el-Mustedrek, 4/275.
(2) Tirmidhi, Zuhd, 33; Ibn Maxhe, Zuhd, 14 [No: 4164]; Ahmed b. Hanbel, el-Musned, 1/30; Hakim, Mustedrek, 4/318; Ibn Hibban, es-Sahih, No: 730; Ebu Ja’ja, Musned, No: 242; Bejhaki, Shuabu’l-Iman, No: 1182; Ali el-Muttaki, Kenzu’l-Ummal, No: 5684.
(3) Ebu talib el-Mekki, Kutu’l-Kulub, 2/5.
(4) Ibnu’l-Xheviz, Sifatu’s-Safve, f. 2/471.
(5) mirësi; bamirësi; dhuroj; dorëshlirë; ata të cilët i bëjnë ibadet Allahut Teala sikur ta shihnin Atë.
(6) Ebu Tali bel- Mekki, Kutub’l-Kulub, 2/3.
(7) Abdurrahman-i Xhami, Nefahatu’l-Uns, f. 326; Sulemi, Tabakau’s-Sufijje, f. 513.
(8) Ibn Mulakkin, Tabakatu’l-Evlija,f.179.
(9) Ihlas (prej Hulus): sinqeritet; përzemërsi; miqësi pa hile; të kesh një zemër të pastër, të kulluar dhe të papërzier; të kesh qëllim vetëm rizanë e Allahut Teala në ibadet dhe në punë; dashuri e vërtetë që vjen nga zemra; dashuri e pastër; t’i bësh ibadet Allahut Teala vetëm për shkak se ashtu ka urdhëruar Ai; bërja ibadet vetëm Atij; të jesh larg nga lavdërimi para njerëzve (mos të tregohesh); sure Ihlas 112.
(10) Kushejri, Risale, f. 164.
(11) Tirmidhi, Sifatu’l-Kijame, 60; Hejsemi, ez-Zevaid, No: 18187; Ibn Hibban, es-Sahih, No: 731; Ali el-Muttaki, Kenzu’l-Ummal, No: 5687; Ibn Ebu’d-Dunla, Kitabu’t-Tevekkul No: 11.
(12) Kushejri, Risale, f. 166.
(13) Abdylkadir Isa, Hakaik ani’t-Tasavvuf, f.303.