Takva

 TAKVA  – DEVOTSHMËRIA

RRUGA QË AFRON ALLAHUT DHE RESULIT TË TIJ

     “Ky është Libri në të cilin nuk ka dyshim. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit.” (2 Bekare 2)

     “Allahu zemrat e tyre i ka përshtatur për devotshmëri.” (49 Huxhurat 3)

     “Të devotshmit” është përkthimi i fjalës “muttekûn”, e cila, fjalë për fjalë do të thotë: “ata që i ruhen Allahut dhe që kanë frikë prej Atij”. Frika prej Allahut nuk është e tillë që ta tmerrojë besimtarin apo ta terrorizojë atë, por është një frikë e përzier me ndjenjën e dashurisë, adhurimit, respektit dhe dorëzimit para Atij. Myslimani qan nga frika prej Allahut, por më së shumti është ëmbëlsia që ndien nga dashuria për Atë, ajo që ia shkrin zemrën dhe e bën që t’i rrjedhin lotët.

     “O njerëz! Frikësojuni Rabbit tuaj…” (4 Nisa 1)

     Edhe në sure Shu’ara urdhërohet:

    “Kujto kur vëllai i tyre – Nuhu, u tha: ‘Vallë, a nuk i frikësoheni ju Allahut?”(26 Shu’ara 106)

     Të njëjtën fjalë (frikësohuni) i kanë thënë popujve të tyre edhe pejgamberët Hud, Sali, Lut dhe Shuajbi a.s.:

     “Kur vëllai i tyre Hudi u tha: ‘A nuk frikësoheni?”(26 Shuaraë 124).

     “Kur vëllai i tyre Salihu u tha: ‘A nuk frikësoheni?”(26 Shuaraë 142).

     “Kur vëllai i tyre Luti u tha: ‘A nuk i frikësoheni (Allahut)?” (26 Shuaraë 161)

     “Kur Shuajbi atyre u tha: ‘A nuk ruheni?” (26 Shuaraë 177)

     Edhe Ibrahimi i ka thënë popullit të vet në suren Ankebut:

     “Adhuroni Allahun dhe frikësojuni Atij!”(29 Ankebut 16)

     Përsëri Allahu Teala urdhëron:

     “O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij…” (3 Al Imran 102)

     “Paralajmëroni se s’ka ilah tjetër të vërtetë përveç Meje, prandaj të më kini frikë Mua!” (16 Nahl 2)

     “A mos vallë, do t’i frikësoheni tjetërkujt, përveç Allahut?” (16 Nahl 52)

     “Vërtet, kjo feja juaj është një fe e vetme, ndërsa Unë jam Rabbi juaj, andaj frikësohuni prej Meje.” (23 Mu’minun 52)

      “Hyni në shtëpi nga dyert e tyre dhe kijeni frikë Allahun, në mënyrë që të shpëtoni.” (2 Bekare 189)

     “Frikësojuni ditës kur askush nuk do të mund të bëjë asgjë për askënd.”(2 Bekare 48)

 DEVOTSHMËRIA ËSHTË GRADA MË E NDERSHME

      “O ju njerëz, adhuroni Rabbin tuaj, i cili ju krijoi juve edhe ata që ishin para jush ashtu që të jeni të devotshëm.” (2 Bekare 21)

     Themeli i devotshmërisë është në nijetin e mirë, në sinqeritet të përzemërt, në ibadet dhe punë qëllim i vetëm të jetë rizaja e Allahut Teala. Resulallahu s.a.v.s., duke treguar në gjoksin e tij  thotë: Këtu është devotshmëria”.

     Devotshmëria është burimi i të gjitha mirësive, shpirti i fesë. Në fillim devotshmëri është largimi prej shirkut për të shpëtuar nga vuajtja e përhershme, pastaj mos-zhytja në haram dhe largimi nga gjërat që janë të dyshimta, dhe më pas edukimi i nefsit për të braktisur edhe disa gjëra që janë të lejuara.

     Devotshmëria është të jetuarit ashtu si dëshiron Allahu Teala dhe si na njoftoi Resulullahu s.a.v.s.. Sepse, po të mos ishte ky qëllimi – devotshmëria nuk do të ishte një pjekuri, një përkryerje.

     Poseduesi i devotshmërisë mundohet të jetoj të gjitha bukuritë e Islamit, të ekspozojë të gjitha bukuritë dhe të largohet nga çdo keqe apo shëmti. Për këtë arsye, njëra ndër veçoritë më të rëndësishme të personave të devotshëm është largimi nga gjërat e dyshimta , duke u ruajtur për të mos u zhytur në haram.

     Për këtë arsye, grada e devotshmërisë është një gradë shumë e ndershme.

     Allahu Teala kështu urdhëron:

   “S’ka dyshim se Allahu është me ata që janë të devotshëm (që ruhen prej të këqijave) dhe me ata që janë bamirës.” (16 Nahl 128)

   “S’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat).” (49 Huxhuratë 13)

     Llokman Hakimi, këshillonte të birin:

     “O biri im! Devotshmërinë bëje një kapital për vete në ahiret.”

 MATËSI I EPËRSISË

     Në Islam, devotshmëria është matësi i epërsisë. Kur’ani dhe sunneti e paraqesin këtë në mënyrë më të hapur. Islami ka heq ngjyrën, gjuhën, sojin, pasurinë, pozitat… çdo lloj privilegji dhe krenarie, e karshi këtyre ka vendosur vetëm një kriter. Emri i këtij kriteri është devotshmëri.

     Epërsia e një njeriu tek Allahu nuk është në pasuri, pozitë ose posedime; epërsia, do të thotë afërsia te Allahu Teala, është vetëm me devotshmëri.

     Pasi devotshmëria është shpirti i të gjitha mirësive, ajo është pranuar si kriter i epërsisë në Islam. Kur’ani na njofton haptas për këtë realitet:

   “O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë.” (49 Huxhuratë 13)

     Siç po shihet, dallimi i vetëm mes njerëzve është zemra e pastër dhe pjekuria shpirtërore, pra – devotshmëria. Nuk ka epërsi arabi prej jo arabit si dhe jo arabi prej arabit. Në fund të gjithë jemi njerëz. Mes njerëzve epërsi është vetëm devotshmëria.

     Bilali r.a., duke kënduar ezanin, prej të parëve të Kurejsh-it Haris b. Hisham, Syhejl b. Amr dhe Hald b. Usajd thanë: “A ky skllav do të bëhet myezini unë?!” Resulallahu s.a.v.s urdhëroi:

     “Allahu Teala largoi nga të gjithë ju mburrjen e xhahilijetit, e tashmë, të gjithë njerëzit, ose janë muminë (besimtarë) të devotshëm ose të devijuar, të shfrenuar e fatzi. Të gjithë njerëzit janë të bijtë e Ademit, ndërsa Ademi është krijuar prej dheut.”[1]

      Pasi që mblidhemi në një esencë, soji/prejardhja nuk ka dallim. Përfitimi prej sojit është për ta njohur njëri-tjetrin. Na njoftohet se nderi nuk është në soj por në devotshmëri.

      Resulallahu s.a.v.s. na ka njoftuar se e vetmja rrugë për t’u dashur dhe për t’u afruar është imani, e pastaj devotshmëria. Pa pasur iman dhe devotshmëri, lidhja me gjakun në këtë çështje nuk ka kurrfarë ndikimi. Nderi i afërsisë me Resulallahun s.a.v.s nuk është me soj, por afërsia bëhet me dituri, me veper dhe me ahlak të bukur.

      Resulallahu s.a.v.s., në fjalimin e tij para mijëra myslimanëve, në haxhin veda (lamtumirës) kështu urdhëroi:

     “Arabi prej jo arabit, raca e bardhë prej racës së zezë – nuk ka ndonjë epërsi. Epërsi ka vetëm ai që posedon më shumë devotshmëri.”  Edhe kjo është një shpjegim i të vërtetës.

     Në një hadith tjetër është thënë:

     “Të gjithë të devotshmit konsiderohen familje e Muhammedit.”[2]

     Resulallahu s.a.v.s., e dërgoi në Jemen Muadh b. Xhebel r.a., dhe doli ta përcjellë për rrugë. I dha edhe disa këshilla. Muadhi r.a. kishte hipur në deve, ndërsa Resulullahu s.a.v.s., ecte. Kur erdhën deri te vendi i përcjelljes, Resulullahu s.a.v.s.,iu drejtua:

     “O Muadh! Ndoshta pas këtij viti këtu me mua nuk do të më takosh e nuk do më shohësh.”

     Me këtë isharet të Resulullahut s.a.v.s., Muadhi r.a. mori lajmin e vdekjes dhe filloi të qante. Pas kësaj, Resulullahu s.a.v.s. u drejtua për në Medine dhe tha:

     “Për mua, më të afërmit dhe më të dashurit prej njerëzve, kushdo që është ai, e kudo që ndodhet, janë të devotshmit.”[3]

 VLERAT E LARTA TË DEVOTSHMËRISË

     Lumturia më e madhe për një besimtar (mu’min) është të jetë i dashuri i Allahut Teala. Devotshmëria e vërtetë e ngrit njeriun në shkallën të bëhet i dashuri e Allahut. Në Kur’ani Kerim kështu thuhet:

     “Allahu, me të vërtetë, i do ata që janë të devotshëm.” (3 Al’Imran 76)

     Me një ajet tjetër:

     “Kujdestarët e saj (Qabes) janë vetëm ata që ruhen (të devotshmit), por shumica e tyre nuk është që di.” (8 Enfalë 34)

     E në një tjetër ajet:

     “E kush ruhet dhe përmirësohet, për ta s’ka as frikë as s’kanë pse të pikëllohen.” (7 A’rafë 35)

     Po shihet se i devotshmi nuk i frikësohet asgjëje tjetër, përpos Allahut, ai është njeri po frikë dhe trim. Sepse burimi i vërtetë i trimërisë është devotshmëria.

     Personi i devotshëm është trim, sepse e di dhe beson se:

     “Allahu është me të devotshmit.” (2 Bekare 194)

      Devotshmëria është burimi i aftësisë për tu dalluar e mira nga e keqja. Allahu Teala kështu urdhëron:

    “O besimtarë! Nëse i frikësoheni Allahut, Ai do t’ju japë aftësinë e të gjykuarit drejt.”(8 Enfalë 29)

     Në sukses dhe lumturi arrihet me devotshmëri. Fitorja është për të devotshmit. Ky ajet e lajmëron këtë:

    “Pra të jesh i durueshëm se përfundimi (i lavdishëm) është për të devotshmit.” (11 Hudë 49)

      Edhe këto ajete na njoftojnë për vlerat e larta të devotshmërisë.

     “Dhe përgatituni me furnizim e furnizimi më i mirë është devotshmëria.” (2 Bekare 197)

     “Është e sigurt se për të devotshmit do të ketë te Rabbi i tyre kopshte të begatshme.” (68 Kalem 34)

     “Ata të devotshmit janë në kopshte e në begati.” (52 Tur 17)

     Devotshmëria është  kujdes i vërtetë për veprimet dhe sjelljet që i përshtaten fesë, ikje nga çdo gjë që na largon prej Allahut Teala, braktisje e dëshirave të këqija të nefsit (vetit), mos-njollosje me haram, braktisje nga zemra e çdo gjëje tjetër pos Allahut Teala. Kriteri i kësaj dhe rruga më e bukur është përshtatja sunnetit të Resulallahut s.a.v.s.

     Poseduesit të devotshmërisë i thuhet muttaki.

     Ebu Bekir es-Siddiki r.a., ka thënë:

     “Ne e gjetëm fisnikërinë në devotshmëri, pasurinë në jakin dhe nderin në modesti.”[4]

     Omeri r.a. kështu ka thënë:

     “Devotshmëria është të mos e shohim veten më të hairit se tjetri.”

     Aliu r.a. ka thënë:

     “Në këtë botë zotëria i njerëzve është ai që është i xhymert (bujar), në ahiret zotëria i njerëzve është ai që është i devotshëm.”[5]

     Ebu Hurejre r.a., duke u pyetur për devotshmërinë, këtë e thotë:

     “Devotshmëria është një rrugë me gjemba, kërkon sabër (durim) të madh.”

     Tregohet se Ebu Derda r.a. kështu ka thënë:

     “Kur robi frikësohet nga Allahu rreth diçkaje edhe sa grimca, kjo është nga përsosmëria e devotshmërisë.”

     Vehb b. Munebbihs r.a. ka thënë:

     “Imani është i zhveshur, mbulesë e saj është devotshmëria.”[6]

     Xhafer es-Sadik r.a ka thonë:

    “Nuk ka azëk (ushqim i përgatitur për t’u marrë me vete) më të lartë se devotshmëria.”[7]

      Hasan-i Basriu kështu thotë:

     “Devotshmëria është mos të preferohet diçka tjetër për Allah, përveç Allahut Teala dhe të dihet që të gjitha punët janë në fuqinë e Allahut Teala.”[8]

     Ibrahim b. Edhemi ka thënë:

     “Devotshmëria është – të mos mund të gjejnë mangësi – krijesat në gjuhën tënde, melaiket në punën tënde dhe melaiket e Arsh-it në zemrën tënde.[9]

     Sipas Fahreddin Raziut, devotshmëria është të mos jesh aty ku Allahu e ka ndaluar. I devotshëm është ai që hyn në rrugën e Muhammed Mustafasë s.a.v.s., botën që e vendos pas shpine, nefsin që e detyron në ihlas[10]  dhe besnikëri, që braktis haramin dhe zullumin.”[11]

     Ebu Osman el-Magribiu ka thënë:

     “Devotshmëri është të qëndruarit në kritere që i ka përcaktuar feja, pa bërë as më pak e as më shumë.”

     Dhunnun el-Misriu ka thënë që:

     “I devotshëm është ai që nuk njollos të jashtmen me gjëra që janë të kundërta me fe dhe që pastron botën  e brendshme prej të gjitha sëmundjeve shpirtërore, që karshi Allahut është vazhdimisht përulur, duke iu përshtatur urdhrave.”[12]

     Sehl b. Abdullah et-Tusteri ka thënë:

    “Përveç Allahut ndihmës, përveç Resulallahut dëshmi dhe myrshid, përveç devotshmërisë ushqim, përveç durimit në ibadet – nuk ka tjetër veprim.”[13]

     Një person i thotë Hasan-i Basriut: “Vajzën time ka shumë që po e kërkojnë, nuk po di kujt t’ia jap.” Hasan-i Basriu kështu ka thënë: ”Jepja atij që frikësohet prej Allahut, në qoftë se e do – e shpërblen, në qoftë se nuk e do, nga frika prej Allahut – nuk e torturon.”

     Ebu’l-Hasan el-Farisi kështu ka thënë:

   “Devotshmëria ka një  zahir (të jashtme) edhe një batin (të brendshme). Devotshmëria në zahir është të mos kalohen kufijtë që ka përcaktuar Allahu Teala, ndërsa devotshmëria në batin është nijeti dhe ihlasi.”

     Sipas Imam Kushejriut, devotshmëria është braktisja e gjërave që të largojnë prej Allahut Teala.

     Imam Gazaliu kështu e shpjegon devotshmërinë:

     “Devotshmëria është  braktisja e gjërave të cilat ka mundësi të bëhen gjynah, të drejtuarit gjërave që nuk ka mundësi të bëhen gjynah, bile – edhe të braktisen disa gjëra që janë të lejuara.”

     Taxhu’l-Arifin Ebu’l-Vefa kështu ka thënë:

     “Devotshmëria është një pemë. Rrënjë e kësaj peme është pejgamberi ynë Muhammedi a.s.. Degët janë As’habët dhe Tabiiin. Ndërsa fryti është ameli salih (veprat që janë të pranueshme në sheriat).”

 

hz.muhammed

 

 


[1] Edu Davud, Edeb, 110 (No: 5116).

[2] Taberani, el- Mu’xhe’s-Sagir, No: 318; Ali el-Muttaki, Kenzu’l-Ummal, No:5624; Axhluni, Keshfu’l-Hafa, 1/15 (No:17).

[3] Ahmed b. Hanbel, el-Musned, 5/235; Ibn Hibban, es-Sahih, No: 647; Taberani, el-Mu’xhemu’l-Kebir, 20/120 (No: 241).

[4] Gazali, Ihjau Ulumi’d-Din, 3/1952.

[5] Kushejri, Risale, f.108; Jafii, Neshru’l-Mehasin,f.214.

[6] Sha’rani, Tabakatu’l-Kubra, 1/40; Ibnu’l-Xhevzi, Sifatu’s-Safve, 1/576.

[7] Ebu Nuajm, Hiljetu’l-Evlija,3/196; Mevlana Safi, Reshahat, f.13.

[8] Razi, Mefatihu’l-Gajb, 1/446.

[9] Razi, Mefatihu’l-Gajb, 1/446.

[10] Ihlas (prej Hulus): sinqeritet; përzemërsi; miqësi pa hile; të kesh një zemër të pastër, të kulluar dhe të papërzier; të pasurit qëllim vetëm rizanë e Allahut Teala në ibadet dhe në punë; dashuri e vërtetë që vjen nga zemra; dashuri e pastër; t’i bësh ibadet Allahut Teala vetëm për shkak se ashtu ka urdhëruar Ai; bërja ibadet vetëm Atij; të jesh larg nga paraqitja para njerëzve (mos të tregohesh); sure Ihlas 112.

[11] Razi, Mefatihu’l-Gajb, 1/446.

[12] Kushejri, Risale, f. 106; Jafi, Neshru’l-Mehasin, f. 214.

[13] Ebu Nuajim, Hiljetu’l-Evlija, 10/198; Kushejri, Risale, f. 90.