Risku

     Sipas Ehl-i sunnetit çështja e riskut, mund të përmblidhet në këto 4 esenca:

  1. Një gjë haram që e fiton robi është risk për të.
  2. Vetëm Allahu Teala është Rrezak (dhurues i rëskut)
  3. Allahu Teala nuk ka pëlqim për riskun që robi e fiton haram.
  4. Çdokush han riskun e vet. Askush nuk mund të hajë riskun e tjetërkujt.

       Edhe hallalli edhe harami është risk.
       Vetëm Allahu Teala furnizon krijesat me riskun e tyre:

      Vërtet, Allahu është Furnizuesi i vetëm, i Fuqishmi, i  Plotpushtetshmi.
     51 Edh-Dharijat 58

     Sa krijesa ka që nuk e mbajnë dot veten me ushqim! Allahu u jep atyre dhe juve! Ai dëgjon dhe di gjithçka.
     29 Ankebut 60

     Risku i njeriut fillon në barkun e nënës dhe vazhdon deri në exhel, në vdekje. Ai është përcaktuar për të gjitha krijesat qysh në ezel (1). Ai as nuk shtohet, as nuk pakësohet.

     Resulallahu s.a.v.s. thotë:
     Një nefs nuk vdes deri sa nuk e plotëson riskun që i takon.(2)

     Ebu’l-Mu’in en-Nesefi, në librin e tij “Bahru’l-Kelam” për riskun thotë:
     “Si pas medh’hebit të Ehl-i sunnetit, risku është ndarë dhe caktuar në ezel nga Allahu Teala. Poseduesve të devotshmërisë për shkak të  devotshmërisë së tyre, dhe gjynahqarëve për shkak të gjynaheve të tyre, risku as nuk u pakësohet e as nuk u shtohet. Allahu Teala është garantues për riskun. Risku që përfitohet haram është një risk i përcaktuar. Por prapë robi meriton dënimin për atë risk që e ka preferu përfitim haram.”

     Harami është i keq dhe i ndaluar për robin. Allahu është i vetmi krijues i çdo gjëje; edhe gjërat që janë haram për një mysliman, njëjtë sikur hallalli,  janë krijuar me dëshirën, fuqinë dhe veprimin e Allahut Teala. Atëherë, kur robi fiton një haram që është i ndaluar me dëshminë e fesë, robi përgjigjet për dëshirën dhe zgjedhjen e tij.

     Nuk ka asnjë gjallesë në tokë që Allahu të mos ia ketë garantuar furnizimin e saj.
     11 Hudë 6

     Ajo që duhet të kuptohet në këtë ajet është kjo: Allahu Teala  ka përcaktuar riskun për të gjitha krijesat dhe ka krijuar sebepet që risku të arrijë te krijesat. Duke iu përvishë sebepeve, krijesat përfitojnë atë risk që u është përcaktuar.

     Njëri nga as’habët e mëdhenj, Abdullah b. Abbas r.a., kështu ka thënë:
     “Secilit mysliman, Allahu Teala në ezel ia ka përcaktuar riskun prej hallallit. Nëse robi duron, arrin këtë risk me hallall. Nëse nuk duron, vepron pa durim, zhytet në haram. Atëherë, Allahu Teala pakëson nga risku i tij aq hallall sa personi ka grumbulluar haram.”(3)

     Në qiell është furnizimi juaj dhe gjithçka që ju është premtuar.
     51 Edh-Dharijat 22

     Përsëri Abdullah b. Abbas r.a.:
     “Njerëzit janë në mosmarrëveshje në të gjitha çështjet përpos riskut dhe exhelit. Për risk dhe exhel nuk ka mosmarrëveshje pasi që nuk ka tjetër përveç Allahut që jep riskun, dhe nuk ka tjetër përveç Allahut që merr shpirtin.(4)

      Muhammed Masum el-Faruki k.s. thotë:
     “Risku që do të ushqejë robin është i përcaktuar. Nuk ka asnjë mundësi të shtohet ose pakësohet. Risku që është përcaktuar për njeriun, qoftë ai pak ose shumë, është një mirësi dhe dhuratë e veçantë e Allahut Teala. Në këtë, askush nuk ka pjesëmarrje. (5)

     Allahu ia shton furnizimin kujt të dojë dhe ia pakëson kujt të dojë.
     13 Er-Ra’d 26

     A nuk e dinë ata se Allahu ia shton apo ia pakëson riskun kujt të dojë?! Vërtet, në këtë ka shenja për njerëzit që besojnë.
     39 Zumer 52

     Lokmani e këshilloi djalin e vet:
     “O biri im, të gjitha kërkesat drejtoja Allahut. Në qoftë se Ai do – të jep, në qoftë se nuk do – nuk të jep. Vullneti dhe përpjekjet e tua nuk e shtojnë e as nuk e pakësojnë riskun që ty të ka përcaktuar Allahu Teala. Në çështjen e riskut merr mësim prej krijimit tënd. Po të mund të shtoje me vullnetin dhe zgjidhjen  tënde diçka ne krijimin tënd, do të mund të shtoje dhe riskun. Pasi që kjo është e pamundur, duhet ta dish  se krijimin e njeriut e ka formësuar Allahu Teala dhe Ai i ka përcaktuar edhe riskun. Ti  nuk mundesh të shtosh në asnjërën prej këtyre dyjave. (6)

     Vallë, a mos janë ata që e ndajnë mëshirën e Rabbit tënd? Jemi Ne ata që ua ndajmë njerëzve mjetet e jetesës në këtë botë, duke i ngritur në shkallë disa më lartë mbi të tjerët, me qëllim që disa t’u shërbejnë të tjerëve. Mëshira e Rabbit tënd është më e mirë nga ajo që grumbullojnë ata.
     43 Zuhruf 32

 

PARIMI THEMELOR: PUNA

     Islami mëson që risku për çdokënd pa përjashtim është përcaktuar në ezel,  dhe që nuk shtohet e as nuk pakësohet.

     Krijuesi, për çdo krijesë ka caktuar një periudhë jete dhe gjatë kësaj periudhe ka përcaktuar riskun. Jeta e njeriut, frymëmarrja, kafshata – të gjitha janë përcaktuar në faqen e kaderit. Për të përfituar atë që është përcaktuar, është urdhëruar të punohet sipas ligjit të sebepeve. Për këtë arsye, është detyrë e jona që të punojmë duke iu përshtatur urdhrit hyjnor. Do të thotë, shpërndarja e riskut të përcaktuar është e lidhur me punë dhe përpjekje.

     Thuaj: Punoni, se Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët do të shohin punën tuaj.
     9 Tevbe 105

     Duke punuar për të fituar, shtohet pasuria. Por, risku nuk shtohet. E megjithatë duhet punuar, sepse kjo botë është bota e sebepeve. Ky është rregull hyjnor. Risku është përcaktuar me pëlqimin hyjnor; nuk është i lidhur për punën e njeriut. Risku absolut është një thesar i Allahut Teala.

     Nuk ka asnjë send që të mos gjenden tek Ne thesaret e tij; por prej tij Ne japim me masë të caktuar.
     15 Hixhr 21

     E pyetën Hatem el-Esam-in:
     – Ku e merr ushqimin?; e ai u përgjigj me ajetin:
     Por Allahut i takojnë thesaret e qiejve dhe të Tokës, ndonëse hipokritët nuk kuptojnë. (63 Munafikun 7)

     Përmes punës dhe përpjekjes, njeriu merr nga ky thesar atë që ka kësmet. Këtë e sqaron ajeti:
     Dhe se njeriut nuk i takon përpos asaj që ka punuar.
53 Nexhm 39

     Po, në këtë botë fiton vetëm ai që punon. Ky parim jetësor  nuk i përfshinë vetëm mirësitë për këtë botë. Ai i përfshinë edhe mirësitë e ahiretit – botës së përhershme.

     Një mysliman nuk duhet ta errësojë jetën e përhershme duke u munduar për riskun e kësaj jete. Ai duhet të ketë kujdes për kufijtë që ia ka caktuar Allahu Teala. Pra, ai duhet të respektojë kriteret e hallallit dhe haramit dhe të largohet nga gjërat e dyshimta.

     Resulallahu s.a.v.s. thotë:
     Për sa kohë që lëviz koka juaj (për sa kohë që jetoni), mos këputni shpresën prej riskut, sepse nëna e lind njeriun lakuriq, pastaj Allahu Teala i jep atij riskun. (7)

     Resulallahu s.a.v.s., duke i zgjatur hurmë një lypësit, i tha:
     – Merre këtë! Mos t’i kishe ardhur ti asaj, ajo do të kishte ardhur te ti. (8)

 

 


(1) gjithë ekzistimi; i pari (evel) që nuk ka fillim; gjithmonë që ekziston; pa fillim.
(2) Ibn Maxhe, Tixharat, 2144; Hakim, el-Mustedrek, 4/325; Ibn Hibban, es-Sahih, No: 3239-3241; Bejhaki, Shuabu’l-Imann, No: 1055.
(3) Ebu Nuajm, Hiljetu’l-Evlija, 1/326.
(4) Gazali, Ihjau Ulumi’d-Din, 4/2531.
(5) Muhammed Masun, Mektubat, 2/110.
(6) Ebu Tali bel-Mekki, Kutu’l-Kulub, 2/11.
(7) Ibn Maxhe, Zuhd, 14; Ahmed b. Hanbel, el-Musned, 3/469; Ibn Hibban, es-Sahih, No:3242; Taberani, el- Mu’xhemu’l-Kebir, No: 3479.
(8) Ibn Hibban, es-Sahih, No: 3240; Ebu Nuajm, Ahbaru Isfahan, 1/160; Bajhaki, Shuabu’l-Iman,No: 1190.