Istikamet

ISTIKAMET

DERA QË HAPET NË SELAMET  

     Çka është istikameti?

     Në fjalor – istikamet: drejtësi, të shkuarit drejtë, lëvizje e ndershme, përmbajtje në çdo punë, mos-ndarje nga të drejtit dhe drejtësia, veprimi me devotshmëri dhe me mend, veprimi me drejtësi dhe vërtetësi.

     Istikamet: të vazhduarit e jetës përshtatshëm urdhrave të fesë dhe ahlakut [moralit], ruajtje, kujdes dhe shmangie nga çdo lloj ekstremizmi, do të thotë, dorëzim Allahut dhe përshtatje sunnetit të Resulallaht s.a.v.s.

     Në fenë tonë, istikamet do të thotë të bërit e të gjitha ibadeteve dhe punëve përbrenda kritereve që vendosi Allahu, të jetuarit në sirat-i mustekim.

     Të shkosh kundër istikametit do të thotë t’i kthehet fytyra Kur’anit dhe të jetuarit sipas dëshirave, e ky është devijim nga rruga e drejtë. Kësaj i thuhet shmangje.

     E të shkosh mbi istikamet do të thotë të mos prishet feja Islame sipas qejfit, të mos bëhen komentime gabim, të kuptohen drejtë ajetet dhe dëshmitë, zbatimi i tyre me besnikëri dhe sinqertitet.

     Istikameti bëhet në nijet, fjalë dhe në punë. Kur nijeti nuk është i mirë,  kur fjala nuk është e drejtë, as puna nuk bëhet e mirë. Besimtari i vërtetë i shikon urdhrat e Allahut Teala, i drejtohet zemrës, e bën nijetin e drejtë dhe të qëndrueshëm. Pastaj i drejtohet veprimit, dhe e bën atë sipas edukimit të fesë. Kështu, ai bëhet njeri i mirë dhe i drejtë, përbrenda dhe nga jashtë.

     Istikamet do të thotë drejtësi dhe ndershmëri në besim,  në nijet, në mendim dhe në sjellje.

     Istikamet është largimi nga ekstremi në çdo çështje. Ai person që ka besimin mbi parimet (akide) e Ehl-i Sunnet-it, që përshtatet në fikh me njërën nga katër medh’hebet dhe që merr edukimin shpirtëror nga zotëruesit e vërtetë të tasavvufit, ai është mbi istikamet.

     Rruga e istikametit, që qon te Allahu Teala, është rruga e Kur’anit dhe Sunnetit. Kjo është rruga e Pejgamberëve, sidikve, shehitëve dhe salihëve.

     Hazreti Omeri r.a. kështu e prezanton istikametin:

    “Istikamet është të vepruarit në pajtim me gjërat që Allahu Teala i urdhëroi dhe i ndaloi, dhe mos-devijimi nga rruga e drejtë.”[2]

     Shkurtimisht, istikamet është të jetuarit një jetë ashtu siç ka urdhëruar Allahu Teala.

 ÇKA DO TË THOTË RRUGA E DREJTË?

     Istikamet është të jesh në rrugë të drejtë me zemër dhe me ahlak (moral). Atëherë çka është rruga e drejtë?

     Në suren En’am, rruga e drejtë është prezantuar si ‘të drejtat’:

    “Thuaju: ‘Ejani t’ju lexoj çfarë ju ka urdhëruar Allahu: që të mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); që të silleni mirë me prindërit; që të mos vrisni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë, sepse Ne ju ushqejmë ju dhe ata; që të mos i afroheni veprave të turpshme, qofshin ato të hapëta apo të fshehta dhe që të mos ia merrni tjetrit jetën, të cilën Allahu e ka shenjtëruar, përveçse kur e kërkon drejtësia (e ligji). Këto ju porosit Ai, me qëllim që të kuptoni.

     Dhe mos iu qasni pasurisë së jetimit, përveçse për ta rregulluar, derisa të mbërrijë pjekurinë! Kryejeni drejt matjen dhe peshimin; Ne nuk ngarkojmë askënd përtej mundësisë së tij! Kur të flisni, thoni të vërtetën, qoftë edhe për të afërmit tuaj! Plotësojani besën e dhënë Allahut! Këto ju porosit Ai që të mos harroni.

     Kjo është rruga Ime e drejtë; prandaj ndiqeni e mos shkoni rrugëve të tjera që t’ju shmangin nga rruga e Tij. Kjo është ajo që ju porosit Ai për t’u ruajtur nga të këqijat.” 6-En-am:151-153.

     Nga këto ajete, rruga e drejtë kuptohet si: ”E drejta e Allahut [njëshmëria], e drejta e prindërve, e drejta e fëmijëve, e drejta e shoqërisë, e drejta në jetë, e drejta e njeriut; është një rrugë që përmban drejtësinë dhe besnikëri e vërtetë.

     Atëherë, karshi Allahut, prindërve, fëmijëve, bashkëshortes dhe karshi shoqërisë, duhet të jemi të drejtë dhe të veprojmë me drejtësi. Vetëm se, drejtësia nuk është sipas kuptimit tonë – duhet të jemi i drejtë ashtu siç jemi urdhëruar. Sepse Allahu Teala thotë:

     Prandaj qëndro i patundur në rrugën e drejtë, ashtu siç je i urdhëruar.” 11-Hudë: 112.

     Siç po shihet, Allahu Teala nuk thotë vetëm,”qëndro i patundur në rrugën e drejtë…” por thotë edhe “...ashtu siç je urdhëruar.”

     Allahu Teala nuk i ka dhënë as Pejgamberit të Tij që të përcaktojë kriterin e drejtësisë. Allahu Teala i përcakton vet këto kritere, dhe urdhëron Pejgamberin “përshtatu kësaj”.

     Pra, drejtësia nuk është sipas kuptimit të personit, por është sipas rregullave që i vendosi Allahu Teala. Sepse, të gjithë e dëshirojnë drejtësinë dhe të gjithë thonë që janë të drejtë. Njëjtë, askush nuk del që të mos dëshirojë drejtësinë. Por, drejtësia e tyre është sipas mendjes së tyre dhe sipas kuptimit të tyre.

 KU JEMI NË ISTIKAMET?

     Zotëria i gjithësisë, Resulallahu s.a.v.s., edhe pse është i ruajtur prej të gjitha gjynaheve, thotë:

    “Surja Hud mua më plaku.”[3] 

      Arsyeja e kësaj është ky urdhër hyjnor:

     “…ashtu siç je i urdhëruar – bëhu i drejtë.”

     Zotëria i gjithësisë dhe dielli i të dy botëve, Resulallahu s.a.v.s. mbi rëndësinë e këtij ajeti e hetoi që është plakur; e ku jemi ne në këtë istikamet? Nëse ne jemi në kaq rehati, atëherë ne nuk po mundemi të kuptojmë urdhrin që shpjegon ky ajet, ose kemi pengesa mes nesh dhe Kur’anit.

     Edhe pse Resulallahu s.a.v.s. është krijuar mbi një ahlak të lartë dhe mbi istikamet, duke e ditur që ky urdhër do t’ju vie i rëndë ummetit e tij, ka deklaruar kështu nga dashuria dhe dhembshuria që ka ndaj ummetit të tij.

      Sipas shpjegimit të Kur’anit Kerim, istikameti është që njeriu të bëhet ashtu siç është urdhëruar. Nënshtrim i plotë Kur’anit dhe Sunnetit. Sepse Allahu Teala kërkon prej robit Tij; edhe prej robit më të dashur, dhe prej atyre që janë me të:

    “Ti [Muhammed] qëndro i patundur në rrugën e drejtë, ashtu siç je i urdhëruar. Ashtu le të veprojnë edhe ata që u penduan [prej shirkut], besimtarët që janë me ty.” 11-Hudë: 112.

      Në tefsirin e këtij ajeti Elmali Hamdi Jadhir thotë:

    “Prandaj qëndro i patundur në rrugën e drejtë, ashtu siç je i urdhëruar. Bëhu vërtet i drejtë dhe i ndershëm. Ti je urdhëruar me drejtësi në çdo çështje. Ti në çdo punë vepro plotësisht me drejtësi, mbi sirat-i mystekim – siç je urdhëruar me Kur’an; në çdo çështje nënshtroju shpalljes hyjnore; vepro me ahlakun dhe gjykimin e Kur’anit, personalisht duhet të jesh një shembull i gjallë i istikametit. Drejtësia dhe ndershmëria do të bëhet dëshmia më e madhe dhe vërtetim për Pejgamberllëkun dhe suksesin tënd. Sa do i rëndë të jetë urdhri i shpalljes, as në komunikimin e as në ekzekutimin dhe zbatimin në praktikë të tij, as një pengese nuk duhet të të frikësojë; ti vazhdo të qëndrosh vendosmërisht – ashtu siç je i urdhëruar.”

     Si shihet, istikameti është rruga e vetme për arritjen e rizasë së Allahut Teala. Për këtë arsye, duke qenë istikameti një gradë e lartë shpirtërore, edhe realizimi i tij është më i zorshëm.

 RRUGA QË DËRGON TE ALLAHU

     Ka vetëm një rrugë që dërgon te Allahu Teala. Ajo është rruga e istikametit. Kësaj i thuhet sirat-i mustekim. Kjo është rruga që dëshirojmë t’i nënshtrohemi. E vetmja rrugë që duhet ndjekur për të përfituar kënaqësinë dhe lumturinë është kjo. Pejgamberët janë ata që neve na njoftojnë me këtë rrugë dhe na e shpjegojnë atë. Rruga tjetër është dëshirat dhe kërkesat e nefsit. Ai është kurthi i shejtanit. Ajo është rrugë pa dalje. Shkurt, mendohet se ka disa rrugë për të arritur te Allahu. Por, rruga të cilën e vendosi Allahu dhe përcaktuan pejgamberët, është rruga e vetme e drejtë. Për këtë arsye, Allahu Teala kështu na bën të qartë që duhet ta ndjekim dhe t’i përshtatemi kësaj rruge:

   “Kjo është rruga Ime e drejtë; prandaj ndiqeni e mos shkoni rrugëve të tjera që t’ju shmangin nga rruga e Tij.” 6-En’am: 153.

     Sipas shënimeve të Darimit në Mysnedin Ibn Mesud r.a.,tregon:

    “Reaulallahu s.a.v.s., duke bërë me dorë një vijë në tokë, na tha:

    “Kjo është rruga e drejtë e Allahut.”

      Pastaj bëri disa vija nga ana e djathtë dhe e majtë, dhe tha:

    “Edhe këto janë disa rrugë, çdonjëra ka një shejtan që thërret te ajo.”

      Pastaj, Resulallahu s.a.v.s e lexoi ajetin En’am:153.[4]

     Siç po shihet, ky urdhër dhe këto ndalesa nuk janë vetëm për njerëzit të rëndomtë, por përfshijnë edhe Resulallahun s.a.v.s.. Resulallahu s.a.v.s. ka zbatuar vazhdimisht këto urdhra dhe ndalesa. Rruga që ka mbajtur Resulallahu s.a.v.s., është rruga e Allahut Teala. Kush dëshiron rrugën e Allahut, duhet t’i nënshtrohet  Resulallahut s.a.v.s..

      Pra, kjo është rruga që ka përcaktuar Allahu Teala.

     Pas besimit në ekzistencën dhe njëshmërinë e Allahut Teala, njëri ndër mirësit më të mëdha është tregimi dhe udhëzimi në rrugën e drejtë që do të na dërgojë te Allahu Teala. Rruga më e shkurtë dhe më e lumtur që arrin te Allahu Teala është rruga sirat-i mustekim e Kur’anit, Pejgamberëve, sidikëve dhe salihëve. Sepse istikameti është fryti i tevhidit dhe imanit, është maja e ibadetit dhe ahlakut. Për këtë arsye, çdo ditë në namaz, duke lexuar  suren Fatiha, kështu bëjmë dua:

    “Ihdinassiratal-mustakim. Siratalledhine en-amte alejhim”

     Me këtë dua, kërkohet kjo:

    “O Rabbi ynë, drejtona neve në rrugë të drejtë, në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi, që u ke dhënë dhuratë të veçantë, arrina në rrugën e besimtarëve të mirë e të drejtë [salihun].

     Se kush janë ata të cilëve Allahu u ka dhuruar mirësi, ka disa mendime. Ibn Abbas, dhe shumica e mufessirëve [komentuesve], kanë thënë:

     “Ata njerëz që Allahu u ka dhuruar mirësi janë Pejgamberët, besimtarët e sinqertë e të drejtë [sidikun], dëshmorët [shuhada] dhe besimtarët e mirë e të drejtë [salihun]”, e këtë mendim e kanë mbështetur në ajetin:

     “Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata të cilëve Allahu u ka dhënë shumë dhunti: me pejgamberët, me të sinqertët [sidikun], me dëshmorët [shuhada] dhe me të drejtët [salihun]! Eh sa shokë të mrekullueshëm janë këta!” 4-Nisa: 69.

     Ndërsa Kurtubi thotë se ajeti- Nisa:69- është duke komentuar ajetet 6-7 të sures Fatiha:

    “Udhëzona në rrugën e drejtë!

     Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi.” 1-Fatiha: 6-7.

     Çdo mysliman që vepron nën udhëheqjen e Kur’anit, e di se është e mundshme të ndodhet në sirat-i mustekim; duke ndjekur rrugën e pejgamberëve,  të sinqertëve, dëshmorëve dhe të të drejtëve, hyn nën ndikimin e tyre dhe mundohet të veprojë si ata.

     Sigurisht që nuk është e lehtë të arrihet grada që synohet, ku duhet shpëtuar prej kurthit të shejtanit dhe nefsit, të bëhemi përkryer (kamil). Vetëm se, Allahu Teala na mëson se si të kalohet kjo vështirësi:

     O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe bëhuni me ata që janë të sinqertë (në fjalë dhe në vepra)9-Teube: 119.

      Ky është një urdhër hyjnor. Atëherë, duke iu nënshtruar këtij urdhri, duhet të jemi së bashku me të besueshmit, që i frikësohen Allahut, që ruhen nga gjynahet, që në çdo pikëpamje janë të sinqertë dhe të drejtë.

     Allahu Teala urdhëron që të bëhemi bashkë me robërit e drejtë të Allahut Teala dhe të hyjmë në rrethin e ndikimit të tyre. Të bëhemi bashkë me të drejtët në këtë botë do të thotë të jemi bashkë me ta edhe në xhennet.[5]

     Siç po shihet, për t’u bërë të drejtë, duhet të bëhemi bashkë me të drejtit. I takon njeriut ta gjej personin e drejtë dhe të bëhet së bashku me të.

     Përfundim: Rruga më e sigurt dhe më e shkurtë për t’u bërë një person me ahlak të bukur dhe për të poseduar një zemër të qetësuar si një besimtar (mu’min) i plotësuar, për të arritur kënaqësinë e Allahut Teala – është të bërit bashkë me të sinqertët [sidikun] dhe me të drejtët [salihun]. Duhet të jemi prezent në bisedat e tyre fetare dhe të kalojmë përmes mësimit dhe edukimit të një murshid-i, i cili mund të bëhet shembull i mirë.

 VIRTYTET E ISTIKAMETIT

     Sirat-i mustekim, është rruga e Islamit. Kjo rrugë është qëllimi i fesë. Pa qenë mbi istikamet – në zemër, në fjalë, në veper,  me ahlak dhe me sjellje, feja Islame nuk shijohet dhe nuk jetohet plotësisht. Padyshim, ata që janë mbi istikamet do ta arrijnë qëllimin, do të arrijnë kënaqësinë e Allahut Teala. Ashtu siç bëhet në këtë botë istikameti shkak për të përfituar nder, ashtu në ahiret bëhet shkak për të arritur mirësinë e Allahut Teala.

     Ndërsa për shpërblimin e atyre që janë mbi istikamet, Allahu Teala jep këtë myzhde:

   “Me të vërtetë, atyre që thonë: ‘Rabbi ynë është Allahu’, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin melaiket (para vdekjes) e do t’u thonë: ‘Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar.

    Ne jemi mbrojtësit (miqtë)  tuaj në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër. Atje do të keni çfarë t’ju dëshirojë zemra dhe çfarë të kërkoni,

    Dhuratë e nderuar prej Atij që falë gjynahet dhe që është mëshirues’.”  41-Fussilet: 30-32.

     Njeriu që është në dyshime nuk mundet të jetë në istikamet. Istikameti duhet të fillojë në zemër. Kur dyshimet hiqen, njeriu e gjen istikametin, do të thotë – rrugën e drejtë. 

 RËNDËSIA E ISTIKAMETIT

     Nuk ka nimet më të madh se istikameti. Për një besimtar që të mund të dëshirohet nga Allahu Teala, e para dhe më e rëndësishmja është istikameti. Qëndrimi në rrugë të drejtë është garanci për kënaqësi, në këtë botë dhe në ahiret.

     Në këtë temë, Allahu Teala Pejgamberin e Tij, dhe në personazhin e tij neve – ummetin e tij, kështu urdhëron:

   “Ti [Muhammed]  qëndro i patundur në rrugën e drejtë, ashtu siç je i urdhëruar.

     Ashtu le të veprojnë edhe ata që u penduan [prej shirkut], besimtarët që janë me ty,

e mos i kaloni kufijtë, se Ai, me të vërtetë, i sheh mirë ato që punoni ju.” 11-Hud: 112.

     Ky ajet përmban dy parimet esenciale të Islamit: (1) Të qëndrosh patundur në rrugën e drejtë ashtu siç je urdhëruar; dhe (2) të mos kalohen kufijtë, do të thotë – të mos dilet jashtë kufirit që ka përcaktuar Allahu Teala.

     Siç po shihet, nuk ka rrugë tjetër pos istikametit që të arrihet Allahu Teala. Pasi që arrihet në qëllimin e dëshirueshëm, është shumë e rëndësishme që të vazhdohet me qëndrueshmëri, në të njëjtën mënyrë. Megjithëkëtë, duhet të përkujtojmë që pika e zorshme që e detyroi Resulallahun s.a.v.s. të thotë për këtë ajet “mua më plaku”, është më shumë në lidhje me pjesën për ummetin e tij, se sa për Pejgamberin. Sepse në ajet është urdhëruar:“...Ashtu le të veprojnë edhe ata që u penduan [prej shirkut], besimtarët që janë me ty,…”

     Do të thotë, duke bërë teube prej shirkut në iman, ata që gjenden bashkë me ty [o Muhammed], secili që është mysliman, ngjashëm si ti të jenë të drejtë.

     Në vazhdimin e ajetit është urdhëruar: ”mos i kaloni kufijtë”. Do të thotë, mos dilni prej kufijve që ka përcaktuar Allahu, mos u largoni nga drejtësia duke devijuar në ekstremizëm. Sepse Rabbi yt është shikues i asaj që punoni. Asgjë nuk mbetet e fshehur prej Tij.

     Sado që kjo është thirrje Resulallahut s.a.v.s., nuk është brenga për personalitetin e vet shqetësimi që e mërziti. Sepse ai zaten është në rrugë të drejtë, dhe me ahlakun më të bukur. Këtë edhe ajeti e sqaron:

   “Në të vërtetë, ti  [Muhammed] je një nga të dërguarit në rrugë të drejtë.” 36-Jasin: 3-4.

     Mërzia dhe frika e tij e vërtetë ishte gjendja e ummetit të tij.

     Abdullah b. Abbas r.a. ka thënë:

     “Brenda gjithë Kur’anit, Resulallahut s.a.v.s. nuk i ka zbritur ajet më i rëndë dhe më i vështirë se ky. Për këtë arsye, Resulallahu s.a.v.s ka thënë:

     ‘Surja Hud dhe të ngjashmet mu më plakun’.”[6]

     Sufjan b. Abdullah r.a. një ditë i tha Resulallahut s.a.v.s.:

   “O Resulallah! Më thuaj një nga veprat e Islamit, të tillë që pas jush të mos pyes askënd për asgjë.”

     Resulallahu s.a.v.s më tha:

    “Thuaj ‘unë Allahut Teala i besova’. Pasta bëhu i drejtë.”[7]

     Huseini, djali i Hz. Aliut r.a., ka sqaruar se shpëtimi është në këto tri gjëra:

     “Të gjendesh në rrugë të drejtë, të bëhesh person i devotshëm, dhe të braktisësh dëshirat dhe kërkesat e nefsit (vetit).”

       Transmetohet se Osman b. Hadir el-Edhdi ka thënë:

      “I thashë Ibn Abasit: ‘Më këshillo’. Dhe ai më tha: ‘Frikësoju Allahut dhe të kesh kujdes të të qëndrosh mbi istikamet. Përshtatu dhe mos u bo bidatxhi’.”[8]

      Evlia i madh Alaeddin Attar k.s. nxënësve të tij u kishte thënë:

     “Nëse në këtë rrugë tregoni qëndrueshmëri në istikamet, arrini në grada të lartë për një kohë të shkurtë.”

     Gavs-i Hizani Sejjid Sibgatullah el-Ervasi k.s. kështu thotë:

    “Duke iu përshtatur fesë, qëllimi është realizimi i istikametit.

      Ndërsa evlia i madh Imam Rabbani k.s. ka thënë:

     “Kush dëshiron të veprojë në rrugë të drejtë pa iu përshtatur Pejgamberëve, patjetër që devijon në rrugë të shtrembër. Në qoftë se diçka përfiton, është istidraxh (istidraxh;kund. keramet). Fundi është dëmtim dhe humbje.”

     Ndërsa me një fjali tjetër kështu ka thënë:

   “Nëse te ndokush që ndahet prej Islamijetit sa një qime, realizohen gjendjet e ndryshme dhe dalldi, këtyre u thuhet istidraxh. Këto e poshtërojnë atë person, në botë dhe në ahiret.”[9]

     Dhunnun-i Misr k.s. ka thënë:

   “Shenja e dashurisë ndaj Allahut Teala është nënshtrimi Resulit të Tij, Muhammedit s.a.v.s., në tërë ahlakun dhe në të gjitha punët.”[10]

     Evlia i madh Ebu Ali Xhudhxhani  kështu thotë:

   “Bëhu prej atyre që kërkojnë prej Allahut të jenë mbi istikamet, mos u bëj prej atyre që kërkojnë keramete. Sepse nefsi ndjek pas dëshirat e kerametit. Rabbi yt, prej teje pret të jesh mbi istikamet.”[11]

 SUFIU I VËRTETË SIPAS EVLIAVE

      Evlia i madh, Imam Sharani k.s., kështu i sqaron evliatë – poseduesit e istikametit të vërtetë:

     “Evliatë e Allahut Teala e përcjellin Kur’anin dhe Sunnetin si hija që e përcjell personin. Sipas tyre, sufi i vërtetë është personi që me dituri e sinqeritet vepron. Atyre që mbesin jashtë këtij përshkrimi nuk u thuhet sufi. Ata nuk japin kurrfarë rëndësie nëse e shohin dikë të qëndrojë në ajër. Ata i shikojnë sjelljet e atij personi në edukim dhe veprim. Në qoftë se ato i përshtaten Kur’anit dhe Sunnetit, i afrohen atij personi. Përndryshe, largohen prej tij. Ata nuk marrin në konsideratë lavdërimet dhe vazhdojnë në ibadet. Ata nuk veprojnë që ti shohin njerëzit.[12]

     Imam Shafiu rah. thotë:

    “Ai që nuk është në rrugën e Resulallahut s.a.v.s. dhe të as’habëve të tij, edhe nëse e shoh duke fluturuar, prapë se prapë nuk e pranoj drejtësinë e tij.”

     Evlia i madh Nexhmuddin Kubra k.s. kështu ka thënë:

    “Dikush që lë anash një farz a një sunnet, edhe nëse shtrihet mbi zjarr, ec mbi det, a ngrihet në ajër, duhet ta dini se ai është  gënjeshtar.”

     E vetmja adresë e rrugës së drejtë

     Kur’ani dhe Sunneti është e vetmja adresë e rrugës së drejtë. Personi kur vepron me Kur’an dhe Sunnet, e gjen drejtësinë dhe arrin në rrugën e drejtë.

     Atëherë, rruga që duhet të mbahet dhe puna që duhet të bëhet, është që nefsi të ftohet në istikamet. Ky është keramet i vërtetë, dhe është ustallëk i vërtetë. E pastaj, nëse poseduesit të istikametit i paraqitet diçka nga llojet e kerametit, kjo është një dhuratë prej Allahut, është pranueshm dhe e bukur. Në qoftë se nuk paraqitet asgjë, nuk ka aspak rëndësi. Kjo nuk është kurrfarë mangësie në gjendje. Mangësia e vërtetë është të mos qëndrohet plotësisht në istikamet. Kjo është arsyeja që miqtë e Allahut Teala nuk dëshirojnë keramete. Në zemrat e tyre kurrsesi nuk gjendet dëshira për keramet, dhe nuk dëshirojnë të jenë parashikues.

     Evlia i madh Ebu Talib el-Mekki k.s. thotë:

   “Bëhu i zellshëm deri sa në zemër të mos mbetet asnjë dëshirë tjetër përveç dëshirës për Allahun Teala. Kur kjo dëshirë realizohet, puna është tamam. Edhe nëse nuk të paraqitet ndonjë keramet ose sfaqje hyjnor (texheli).”[13]

     Sehl b. Abdullah et-Tusteri ka thënë:

    “Më i madhi i kerameteve është të braktiset një ahlak i keq, e në vend të tij të përfitohet një ahlak i bukur.”[14]

      Mevlana Xhami k.s. kështu kishte thënë:

     “Duhet të dihet shumë mirë që nëse te një njeri paraqitet ndonjë keramet, kjo nuk është shenjë që ai është plotësisht i pjekur, dhe që nefsi i tij është edukuar. Kësaj nuk duhet t’i besohet. Kerameti më i madh për nxënësin është të pjeket në sohbetin e mësuesit, dhe nën mbikëqyrjen e tij të shpëtojë nga nefsi i vet.”[15]

     Qëllimi i istikametit. Për mu’minët, jetësimi i fesë mbi istikametin duhet të jetë puna më e rëndësishme dhe qëllimi i vërtetë. Kësaj i thuhet takva [devotshmëri]. Gjendja e devotshmërisë është ahlaki më i bukur dhe grada më e lartë. Në devotshmëri është rizaja hyjnore. Devotshmëria është kerameti më i madh. Të gjitha myzhdet hyjnore janë të fshehura në devotshmëri. Asgjë tjetër jashtë devotshmërisë nuk kërkohet. Dituritë e fshehta dhe kerametet nuk janë qëllim. Kerametet janë të vërteta, ekzistojnë, por nuk janë kusht i istikametit. Qëllimi i pastrimit dhe edukimit shpirtëror nuk janë kerametet dhe dituritë të fshehta, por është istikameti. Zaten, vetë istikameti është kerameti më i madh.

     Me një rast, Hasan Basriu k.s. u shtri në det dhe u ul në të, pa u përmbytur. Duke parë këtë, Rabiatu’l-Adevija shtriu sixhaden e saj në ajër dhe u ul mbi sixhade. Pastaj i tha Basriut:

   “O Hasan! Këtë që je duke bërë ti, e bëjnë edhe peshqit, e edhe këtë që po bëj unë – e bëjnë shpendët. Këto nuk janë vepra. Vepër e vërtetë është të përfitohet rizaja e Allahut Teala.”

     Për këtë arsye, në rrugën e vërtetë, kërkesa duhet të jetë istikameti. Ai që ka frikë Allahun, ai që është dashuruar në rizanë e Tij, që mundohet të qëndrojë në rrugë të istikametit, ai është posedues i kerametit.

     Kerameti më i madh është istikameti 

     Nuk ka asnjë urdhër më të zorshëm se sa urdhri që të ruhet isikameti në çdo çështje, dhe të realizohet ai plotësisht; kjo është një gradë shumë e lartë! Sepse istikameti kërkon qëndrueshmëri në rrugë të drejtë dhe nënshtrim në mënyrën më të përsosur urdhrave, për aq sa kemi fuqi. Kjo është arsyeja pse istikameti është kerameti më i madh.

     Istikameti është cilësi e veçantë e miqve të Allahut Teala. Ndërsa istikameti i vërtetë është të ndiqet rruga e ndriçuar [e nurit] e Resulallahut s.a.v.s..

     Evlia i madh Abdurrahman et-Tahi k.s. kështu ka thënë:

     “E rëndësishme është t’i përshtatemi sheriatit. Kerameti nuk është me rëndësi. Një person që nuk i përshtatet sheriatit, edhe me mijëra keramete të shihen prej tij, atij nuk duhet besuar, ai nuk është shejh. Ai që është i lidhur për sheriat, edhe mos të shihet ndonjë keramet prej tij, atë duhet ndjekur, ai shejh është.”

      Ai që nuk është i lidhur për sheriat, veprimi i tij në tarikat është shpifje, gënjeshtër. Imam Rabbani k.s. ka thënë:

     “Sheriati me tarikat është një. Çka përputhet me sheriat edhe me tarikat përputhet. Çka është kundër sheriatit, është edhe kundër tarikatit. Edhe unë them që, një besimtar (mu’min) që më rrah për shkak të ndonjë lëvizje timen të kundërt me sheriatin, për mua është më i mirë se sa një murid që për këtë lëvizje mendon se është mirë (e përshtatshme).”

     Mevlana  Halid el-Bagdadi k.s thotë:

    “O udhëtar i rrugës së drejtë! Në rrugën e Muhammed Mustafas s.a.v.s. mos i jepni kurrsesi hapësirë dhe mundës dembelisë. Sepse në këtë rrugë, istikameti dhe zelli janë me vlera më të larta se sa kerametet dhe dituritë e fshehura të panumërta. Veçanërisht duhet të dihet që dituritë e fshehura dhe kerametet, nëse nuk bëhen me qëllim që të shtohen përpjekjet në përshtatje urdhrave të fesë, atëherë janë vetëm bela. Shumë herë kam thënë dhe përsëri po them që të gjithë evlijatë e mëdhenj të nderuar janë unanim që, rruga që nuk i përshtatet urdhrave dhe ndalesave të kësaj feje, është rrugë e pafe dhe mosbesim.”

      Ndërsa në një sohbet (bised), kështu ka thënë:

     “Nuk duhet harruar se, edhe një kohë të shkurtë të jetohet mbi istikamet, do të thotë përshtatshëm urdhrave të Allahut Teala, është më e lartë dhe më me vlerë se cilido keramet. Allahu Teala dëshiron prej robit të Tij të jetë mbi istikamet. Prej Allahut Teala dëshirojmë të gjithë të jemi mbi istikamet, dhe udhëzim të drejtë.”[16]

      Ebu’l Hasen-i Shazili k.s., thotë:

     “Nuk ka keramet më të madh se sa të besohet Allahu Teala si duhet, dhe përshtatja Resulallahut s.a.v.s..”[17]

     Xhunejd-i Bagdadi k.s., nxënësve të tij u thoshte:

     “Në qoftë se e shihni një person që në ajër qëndron ulur, shikoni a është ai person duke iu përshtatur urdhrave dhe ndalesave të islamit. Nëse po, atij mund t’i përshtateni. Por nëse nuk përshtatet, atëherë largohuni prej tij, sepse ju dëmton.”[18]

     Edhe Bejazid-i Bistamiu k.s. thotë që kerameti më i madh është istikameti, dhe shton:

    “Kur e shihni dikë duke fluturuar, mos u ngutni të jepni gjykim se ai posedon vlerat e larta dhe kerametet, mund të gaboni. Për të kuptuar vërtetë se a posedon ai vlerat e larta dhe kerametet, shikoni përpikërinë e tij në përshtatje urdhrave të Islamit dhe sunnetit të Resulallahut s.a.v.s.. Nëse këto janë tamam, ai person vërtet posedon  vlerat e larta dhe kerametet. Por, në qoftë se në përshtatje gjendet ngathtësia dhe dobësia edhe më e vogël, për atë person nuk është e mundur të thuhet që posedon vlerat e larta dhe kerametet.[19].

     Evlia i madh Muhjiddin Arabi k.s. kështu thotë:

    “Ai që thotë se duaja e tij po pranohet, e nuk i jep rëndësi ndonjërës prej edukatave të Islamit, edhe po të dalin shumë keramete prej tij, atij nuk i jepet rëndësi.”

     Përfundimi i istikametit ëshë xhenneti. Në rrugën e xhennetit kërkohet imani i sigurt dhe veprat e mira. Të gjitha këto bëhen me një rahmet të veçantë të Allahut Teala.n


[2] Ahmed b. Hanbel, Kitabu’z-Zyhd, f. 115.

[3] Tirmidhi, Tefsir, 56; Hakim, el-Mustedrek, 2/343; Ibnu Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 1/435; Ebu Nuajm, Hiljetu’l-Evlija, 4/350.

[4] Darimi, Mukaddime No: 208.

[5] Taberi, Xhamiu’l-Bejan, 12/67.

[6] Tirmidhi, Tefsir, 56; Kurtubi, el-Xhami li Ahkami’l-Kur’an, 5/94; Radhi, Mefatihu’l-Gajb, 6/406 [Bejrut, 1997].

[7] Muslim, Iman, 13; Ahmed b.Hanbel, el-Musned, 3/413; Ibn Maxhe, Fiten 12; Darimi, Rikak 4; Hakim, el- Mustedrek, 4/313; Ali el-Muttaki, Kenzu’l-Ummal No: 5477.

[8] Darimi, Mukaddime, 19.

[9] Imam Rabbani, Mektubat,Letra78.

[10] Kushejri, Risale,f. 433; Kelebazi, et- Taarruf, f.28; Sylemi, Tabakau-s-Sufijje, f.21.

[11] Suhreverdi, Avarifu’l-Mearif, f. 33; Kushejri, Risale, f. 206; Bursevi, Ruhu’l-Bejan, 4/195.

[12] Sha’rani, Tenbihu’l-Mugterrin, f. 19

[13] Mevlana Safi, Reshahat, f.191.

[14] Bursevi, Ruhu’l-Bejan, 2/29.

[15] Mevlana Safi, Reshahat, f.110.

[16] Mevlana Halid, Risale, f.14.

[17] Abdulkadir Isa, Hakaik ani’t-Tasavvuf f.376.

[18] Sha’rani, Tenbihu’l-Mugterrin, f. 20.

[19] Ebu Nuajm, Hiljetu’l-Evlija, 10/40