Muhammed bin Muhammed bin Ahmed,
i njohur si Ebu Hamid, lindi më 450 Hixhri (1058) në Gazale afër qytetit Tus në Iran. Babai i punonte me litar (gazzal: tjerrës) prandaj disa besuan se emri i vjen nga kjo, por emrin e ka marrë nga vendlindja; siç ka thënë: “Disa më “lidhën” (me gazzal – tjerrës), por unë jam Gazali.” Babai i Gazalit i donte shumë dijetarët; rregullisht shkonte në tubimet e tyre, e ju shërbente. Sa herë i dëgjonte, qante, e i lutej Allahut t’i falë edhe atij fëmijë dijetar, dhe duaja iu pranua, e Allah Teala ia fali dy djem, që u bënë alimë; Ebu Hamid Gazalin, imam i asaj kohe, dhe Ahmet Gazalin, një tjetër alim i madh. Para vdekjes, babai ia la dy djemtë dhe pak pasuri që kishte amanet një shokut të vet, edhe ky fukara, por duke respektuar amanetin e shokut, u angazhua shumë që djemtë të mësojnë e shkollohen. Por ajo pak pasuri shpejt u harxhua, e ky ju tha dy jetimëve: “O evladë, pasurinë e babës tuaj e harxhova në shkollimin tuaj, e unë jam i varfër; gjeni strehim në ndonjë medrese.”; dhe me këtë këshillë, Gazali hyri në medrese, studioi të gjitha dituritë, zahir (të dukshme) dhe batin (të fshehura), e për pak kohë u ngrit e u bë i njohur. Udhëtonte për dituri, e gjatë udhëtimeve mori pjesë në shumë sohbete (biseda) me alimë, dhe dëshmonte imanin e tij. Fama i shtohej çdo ditë, e prej kësaj iu paraqit vorbull në zemër; nuk i pëlqente madhështia e famës. Mori rrugën me nijetin e haxhit, e shkoi edhe në Hixhaz (sot Arabi Saudite), pastaj e vizitoi edhe Shamin (sot Siria). Një kohë qëndroi edhe në Kudus e në Mesxhid al-Aksa (Jerusalem) e prapë shkoi në Sham, ku qëndroi gati 10 vjet. Shkoi edhe në Egjipt, dhe një kohë qëndroi në Iskenderi (Aleksandri). Kishte dëgjuar për drejtësinë dhe famën e Sulltan Jusufit, sundimtar i Magribit, dhe u nis për ta takuar, por rrugës mori lajmin për vdekjen e sulltanit, e u kthye në Tus. Fahru’l Mulk, që sapo kishte marrë detyrën e vezirit të sulltanatit të Selxhukëve e vizitonte shpesh, që sulltanati i tij të përfitojë nga ky Diell i diturisë, dhe këmbënguli që ta caktojë Imam Gazalin muderis (mësimdhënës) në medresenë Nizamije (Bagdad). Gazali hoqi dorë nga sohbetet me alimë dhe u fokusua në mësimdhënie, por më vonë prapë u kthye në Tus, ku ndërtoi një shtëpi për vete – në një anë medresenë për fikh, e në anën tjetër teqja për sufitë, ku i vazhdoi sohbetet, me alimët e fikhut edhe mjeshtrit e tarikatit, e ditët e fundit në këtë dynja i kaloi me ibadet e lexim të Kuranit. Medh’hebi i tij është Shafi, në kohën e vet ishte alimi më i madh i kësaj shkolle, e disa thanë se ishte edhe muxhtehid (dijetar me të drejtën për vendime). Vdiq 53 vjeçar (k.s), më 505 Hixhri (1111), në Tus.
Muhammed bin Jahja ka thënë se Imam Gazali është Shafia i dytë, ndërsa Imam Fahreddin Razi (k.s) ka thënë: Allahu Teala e mblodhi gjithë diturinë në një kupë, e i dha Imam Gazalit të pijë prej saj.
Ata që e panë kemalatin (përsosmërinë) e tij, thanë: Sytë nuk kanë parë alim të përsosur si Imam Gazali; e një nga alimët ka thënë:
Ne nuk mund ta vlerësojmë Gazalin. Por mund ta kuptojmë, aq sa na jepet.