Tregime nga Imam Gazali

Një ditë, Pejgamberi ynë, s.a.v.s., i pa dy grupe njerëzish, një grup i zënë me dua, e grupi tjetër mësonte, e tha:
Këta (që bënin dua) po kërkojnë nga Allahu Teala. Allahu, nëse dëshiron ju jep, nëse nuk dëshiron, nuk ju jep, e këta (grupi tjetër) po mësojnë; zaten, edhe unë si mësues jam dërguar, dhe u ul në tubimin e atyre që mësonin.
Ibn Maxhe, nga Abdullah b. Omeri

qëllimi nuk është që tregimet të zbavisin njerëzit, por që prej tyre të nxjerren mësime, e nga përmbajtja të merret ajo që është e domosdoshme.
nga libri Edebi i leximit i Kur’anit

Sufjan-i Servi ka thënë:
Ne mësuam diturinë për qëllime tjera, por dituria nuk pranoi të jetë për tjetër qëllim përveç për Allahun.

Kur Resulallahu s.a.v.s. u ngjit në mimberin e sapo-ndërtuar, trungu i hurmes në të cilën mbështetej Resulallahu s.a.v.s., kur mbante hutben para se të ndërtohej mimberi, filloi të qajë, duke mos e duruar ndarjen. Vajin ia dëgjuan të gjithë as’habët. Resulallahu s.a.v.s., zbriti nga mimberi, e përqafoi trungun, dhe heshti…
Buhariu nga Xhabiri dhe Sehl ibn Sa’d, r.a.

… e ti, mos i përngjajë të verbrit, i cili duke hyrë në shtëpinë e tjetrit, pengohet me karrige dhe tavolina, e i thotë të zotit të shtëpisë:
Po pse nuk i keni vendosur këto mobile në vende të veta?!
Nuk është në dijeni i gjori, nga verbëria e vet, që mobilet janë në vend. Përgjigja që mund t’i jepet atij është:
Turpërohu, nuk po e mendon verbërinë tënde, e po kërkon të meta te tjetri!
nga libri Gjendjet e mahnitshme të zemrës

Vehab b. Munebbihu ka thënë:
Njeriu me ves të keq është sikur saksia e thyer – as saksi, as baltë.

**************

E Allahu Teala e krijoi Ademin a.s., prej baltës. Dhe tregohet se…
kur Ademi a.s. e hëngri frutin nga pema e ndaluar, e shtrënguan zorrët për të hedhur mbetjet. Deri atëherë, Ademi a.s. nuk kishte mbetje nga të ngrënit. Prandaj kjo pemë edhe ishte ndaluar. Kur u detyrua, Ademi a.s. filloi të kërkojë një vend në xhennet. Allahu Teala iu drejtua përmes një meleku:

Tregoi Rabbit tënd çfarë po kërkon?, e Ademi a.s., u përgjigj:
Dua të lehtësohem nga mundimi në bark. Atëherë meleku i tha Ademit a.s.:
E ku mendon t’a lësh? Cilin minder të xhennetit, cilin lum të tij, apo hijen e cilës pemë në xhennet kërkon ta bësh pis? Diçka e tillë këtu nuk bëhet! Lëshohu në dynja!

…sa e pavlerë është dynjaja!

Ne do ta bëjmë të shkretë gjithçka që gjendet në të! (18-Kehf: 8)

**************

Ebu Hurejre tregon:
…Resulallahu s.a.v.s. më kapi dorën e më dërgoi në një përrua me mbeturina; kafka njerëzish, bërllog, veshje të copëtuara e eshtra, dhe më tha:
O Ebu Hurejre! Këto koka lakmonin dynjanë, njëjtë sikur ju; shpresonin siç shpresoni edhe ju, e sot – ato janë vetëm kocka pa lëkurë, e shpejt do të bëhen pluhur. Ky bërllog janë ushqimet e ndryshme që ata kanë ngrënë e të cilin e kanë fituar ashtu si e kanë fituar, dhe e kanë shijuar në stomakët e tyre, e sot – sot njerëzit ikin prej kësaj. E këta eshtra janë eshtrat e kafshëve të tyre me të cilat kanë shëtitur. Prandaj, kush dëshiron të qajë për dynjanë – le të qajë!
Shkurt pas kësaj, filluam të qajmë, me zë.

**************

Nëse do, merr mësim prej Isasë a.s., të birit të Merjemes a.s., që ka thënë:
Udhëzuesi im është uria, rroba ime është leshi, ngrohja ime është dielli, drita ime është Hëna, transporti im janë këmbët e mia, ushqimi im rritet nga toka, flej e zgjohem pa poseduar gjë – e në gjithë botën nuk ka më të pasur se unë.

E një ditë, Isa a.s., u mbështet në një gur dhe i erdh Iblisi e i tha:
O Isa, edhe ti ke zell për këtë botë!
Isa a.s. e kapi gurin dhe e goditi Iblisin në kokë, duke i thënë:
– Merre, ky gur dhe gjithë kjo botë qofshin tuat!
Kjo është e vërteta, ai që përdor bile edhe gurin si jastëk, konsiderohet se posedon diçka nga kjo botë… e si është gjendja e atij që ka jastëk dhe dyshek mëndafshi? Si ngrihet ai nga një shtrat i tillë dhe me çfarë gëzimi i bën ai ibadet Allahut Teala?

Vet dynjaja iu shfaq Isasë a.s., në formë të një plake pa dhëmbë, stolisur për bukuri. Isa a.s., e pyeti:
– Sa herë je martuar?, e ajo u përgjigj:
– Aq shumë sa as numrin nuk ua di.
– A kanë vdekur të gjithë, apo të kanë braktisur?
– I kam mbytur të gjithë, tash kërkoj të ri; e Isa a.s., i tha:
Mjerë për burrat e tu të ardhshëm! Si nuk mësojnë prej fatit të atyre që kanë kaluar më herët?! Ti i shkatërron një nga një, e ata nuk largohen prej teje!

**************

Kurdh b. Vebere, për një ditë lexonte tri hatme. Lufta e tij shpirtërore arriti majat. Njëherë i thanë se po e tepron në mundim të vetes e ai i pyeti:
Sa është e moqme dynjaja?
Shtatëmijë vjet.
E, sa zgjatë dita e kijametit?
Pesëdhjetëmijë vjet.
E si pra dikush të mos mundohet këto shtatë ditë të shkurta, për të qenë i siguruar në atë një Ditë, por aq të gjatë?!;
pra, sikur ti të jetoje gjithë vitet e dynjasë e të angazhohesh për shtatëmijë vjet, dhe për këtë shpëton në atë Ditë që zgjatë pesëdhjetëmijë vjet, kjo do të ishte dobi e madhe për ty. E tash mendo, jeta jote aq e shkurtë, e ahireti i pafund….

**************

Omer ibn Abdulaziz r.a., në një hutbe ka thënë:
O njerëz! Ju vërtetë jeni krijuar për një arsye; nëse e besoni këtë, do t’ju shohin si të humbur, por nëse e mohoni, do të shkatërroheni! Jeni të krijuar për përjetësi, dhe vetëm kaloni nga një botë në tjetrën… Prandaj veproni ashtu që të keni dobi në botën në të cilën jeni duke shkuar, e ku do të qëndroni përgjithmonë.

**************

Një plak dyqind vjeq nga Nexhrani erdhi te Muavia r.a., e ky e pyeti çfarë mendon për dynjanë. Plaku i tha:
Disa vite fukarallëk, disa vite bollëk. Ditë pas dite e natë pas nate, dikush lind e dikush vdes. Po të mos kish lindje – krijesat ishin zhdukur, e po të mos kishte vdekje – bota do të bëhej e padurueshme.
Muavia r.a. i tha të kërkojë çfarë të dojë, e ky i tha:
Kthema jetën që më ka kaluar.
Këtë nuk mund ta bëj! tha Muavia, e plaku i tha:
Atëherë ndaloma dakikun e vdekjes që po më vjen.
As këtë nuk mund ta bëj!, u përgjigj Muavia, e plaku i tha:
Atëherë nuk më duhet asgjë prej teje.

**************

Dikush i këshilloi sundimtarët:
…dynjaja meriton të qortohet sepse çka të dhuron, ajo prapë ta merr dhe gjithmonë kthehet për atë që ta ka dhënë. I përqeshë pasuesit e vet, dhe i bën të tjerët të qeshin me ta, e kur i qajnë të tjerët edhe ajo i qanë, kur jep – shpejtë edhe merr, sot i vendos njeriut kurorë e nesër e mbulon me dhé. Për dynjanë janë të njëjtë ata që shkojnë me këta që mbesin …për të ndryshimi është veç i mirëseardhur.

**************

Jahja b. Muadh Raziu ka thënë:
Lufto nefsin me shpatën e kundërshtimit të dëshirave të tij. Kjo bëhet në katër mënyra: pak ushqim, pak gjumë, pak fjalë, e aspak zullum. Me pak ushqim dobësohet epshi, me pak gjumë lind vullnet i shkëlqyer, me pak fjalë, shpëton e, vetëm pa zullum arrihet qëllimi. Kur njeriut i lindin mendime nga nefsi për dëshirat e epshit, për kotësi e zullum, le ta pakësojë gjumin dhe ushqimin; le ta nxjerrë shpatën dhe me dorën e të folurit pak e me modesti le të godet deri sa të zhduket dhuna e hakmarrja, dhe le të vazhdojë në këtë gjendje deri sa njerëzit të jenë të sigurtë nga sherri i tij. Kështu ai shpëton. Nefsi i bëhet i edukuar, ndriçues e i lehtë, si ecja e kalit  në fushën e mirësisë. Ai hyn nën zbatimin e urdhrave të Allahut Teala. Ngritet në gjendje sikur të mbretit kur del në lulishte për shëti…

**************

Ebu Abdullah Havasi tregon se një herë ishin nisur për Haxh me një grup prej 320 personave, e me ta edhe Hatem el-Asamm, që me vete kishte vetëm rrobat e trupit. Kur arritën në qytetin Rej, tregtari atje kishte qëlluar bamirës, dhe i pranoi në konak. Në mëngjes, tregtari ju tha:
– Në këtë qytet është një fakih i sëmurë, po shkoj ta vizitoj. Nëse dëshironi, mund të vini edhe ju. Hateme tha:
Të vizitosh të sëmurin është sevap, e të shikosh fytyrën e fakihut është ibadet – nëse pranoni, po vij edhe unë
I sëmuri ishte kadiu i qytetit, Muhammed b. Mukatil. Kur këta mbërrijtën, panë një pallat të mrekullueshëm, e Hateme me habi dhe në heshtje tha:
Dijetarit do t’i mjaftonte një shtëpi modeste.
Kur i pranuan brenda e Hateme pa hollin e shtruar e të dekoruar me luks, u habit edhe më shumë. I pranuan në dhomën e fjetjes, e Hateme e pa të sëmurin e shtrirë në shtrat të butë dhe shërbëtori mbi kokë duke e freskuar. Tregtari u ul afër të sëmurit dhe e pyeti për shëndet. Hateme ishte ende në këmbë. I sëmuri i dha shenjë për t’u ulur, por ky nuk pranoi. Atëherë i sëmuri e pyeti:
A keni ndonjë kërkesë? Hateme tha:
– Po, kam një pyetje për ju.
– Atëherë pyet; i tha kadia i sëmurë, e Hateme tha:
– Ngrihu e ulu në shtrat, pastaj të pyes. I sëmuri u ul, e Hateme e pyeti:
Nga kush mësove ti?
Unë nga dijetarët e mëdhenj, e ata nga as’habët e Resulallahut s.a.v.s..
E as’habët nga kush mësuan?
Nga Resulallahu s.a.v.s..
E Resulallahu (a.s.)?
Nga Xhibrili, e Xhibrili (a.s.) nga Allahu Teala.  Hateme e pyeti:
Në diturinë e cila prej Allahut Teala, përmes Xhibrilit, mbërriti te pejgamberi, prej pejgamberit te as’habët, prej as’habëve te dijetarët e mëdhenj, e prej tyre te ti – a mos mësove në ato dituri se ai që posedon shtëpi më të madhe dhe më të zbukuruar është më i dashur për Allahun?
– Jo, tha i sëmuri; përkundrazi, mësova se ai që ia kthen fytyrën kësaj bote, drejtohet kah ahireti, u ndihmon të varfërve dhe përgatitet për ahiret, ai është më i dashur për Allahun. Hateme i tha:
Atëherë, kujt iu përshtate ti? Resulallahut s.a.v.s., as’habëve të tij dhe salihëve, apo Faraonit dhe Nemrudit, i cili i pari e filloi ndërtimin me gëlqere e tullë? O dijetarë të këqij, xhahilët e dhënë pas kësaj bote, kur ju shohin juve thonë: “Kur dijetarët janë kështu, pse ne të mos kërkojmë edhe më shumë!
Hateme ia shtoi sëmundjen Mukatilit, dhe doli nga dhoma.

Populli i qytetit Rej, kur dëgjuan për këtë, i thanë:
Kadiu i qytetit Kazvin, Muhammed Ahdeb Tanafis, jeton një jetë edhe më luksoze se kjo; dhe Hateme u nis për Kazvin. E takoi Tanafisin atje, e i tha:
Unë jam fillestar, a mund të më mësosh si të marr abdes?
Kadiu pranoi me kënaqësi dhe urdhëroi shërbëtorin të sjell ujë. Mori abdes duke larë pjesët e trupit nga tri herë, dhe tha:
– Ja, kështu merret abdesi. Hateme i tha:
Më lejoni të marr abdes me shtambën tuaj; e Tanafisi u ngrit dhe ia lëshoi vendin. Hateme u ul, dhe duke marrë abdes, i lante pjesët nga katër herë, në vend që nga tri. Tanafisi i tha:
– E harxhove ujin kot!
– Pse? e pyeti Hateme, e kadiu i tha:
– Në vend që nga tri, i laje pjesët nga katër herë! Hateme ia drejtua:
– Subhanallah, ti në gjithë këtë luks nuk po harxhon, e unë për një herë më tepër ujë – harxhova!
Tanafisi e kuptoi qëllimin e Hatemes, dhe katërdhjetë ditë nuk doli para njerëzve…

…Hateme vazhdoi rrugën dhe mbërriti në Medine. Populli i Medinës e priti, dhe Hateme i pyeti:
– Cili është ky qytet? Medinasit i thanë:
Ky është Medina, qyteti i Resulallahut s.a.v.s.. Hateme tha:
A më tregoni sarajin e Resulallahut (a.s.), dëshiroj të fal namazin e lumturisë aty. Medinasit i thanë:
Resulallahu (a.s.) nuk ka pasur saraj, ai kishte një shtëpi të thjeshtë, përdhese. Hateme tha:
– Atëherë m’i tregoni sarajet e as’habëve. Medinasit i thanë:
– Edhe shtëpitë e tyre ishte të njëjta, ata nuk kishin saraj. Atëherë Hateme u tha:
– Pra ky nuk është qyteti i Resulallahut, thuani që është qyteti i Faraonit! Medinasit u ofenduan, e dërguan Hatemen te Valiu (guvernatori), u ankuan dhe i thanë: 
Ky axhem (jo-arab) e quajti Medinën qytet të Faraonit! Valiu pyeti për arsyen e kësaj, e Hateme tha:
– Mos u ngut. Unë vërtetë jam një axhem (jo-arab) i huaj. Kur hyra në këtë qytet pyeta se cili qytet është, dhe ata thanë që është Medina – qyteti i Resulallahut (a.s.), dhe unë pyeta për sarajin e Resulallahut…; e pasi tregoi çdo gjë që është folur, e lexoi ajetin:
Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e Allahut (33-Ahzab: 21), dhe ju tha:
Kë e keni marrë shembull ju? Resulallahun, apo Faraonin?
Ata heshtën dhe e liruan.

**************

Disa e kishin pyetur Ibrahim ibn Ed’hemin:
–  Çfarë po ndodh me ne, po i drejtojmë dua Allahut, e Ai nuk po na përgjigjet!?; e Ai ka thënë:
Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem (40-Gafir: 60)
Ibrahimi ju tha:
Kjo është për shkak që zemrat tuaja janë të vdekura.
Çfarë i ka bërë të vdekura?, pyetën, e ai u përgjigj:
Tetë gjëra i kanë bërë ato të vdekura:
1. Keni kuptuar obligimet tuaja ndaj Allahut Teala, por nuk po i përmbushni;
2. Keni lexuar Kur’anin, por nuk po punoni përshtatshëm rregullave të tij;
3. Thoni se e doni Resulallahun, s.a.v.s., por nuk po punoni përshtatshëm sunnetit të tij;
4. Thoni se i frikësoheni vdekjes, por nuk po përgatiteni për të;
5. Allahu Teala thotë:
Me të vërtetë, shejtani është armik për ju, andaj vështrojeni si armik (35-Fatir: 6), e ju me gjuhë deklaroni që është armik por me vepra i përshtateni atij;
6. Thoni se i frikësoheni xhehenemit, por me tërë fuqinë dhe veprimet e hidhni veten në xhehenem;
7. Thoni se e doni xhenetin, por nuk përgatiteni për xhenet;
8. Kur ngriheni nga shtretërit tuaj, mangësitë e juaja i hidhni pas shpine, e para vetes merrni mangësitë e të tjerëve, dhe ashtu zemëroni Rabbin tuaj; e si t’u pranohet duaja juve?

**************

Dikush bëri me gisht kah Ebu Hanife, dhe i tha shokut:
Ky është ai që gjithë natën bën ibadet
Pasi e dëgjoi këtë, Ebu Hanife vërtetë filloi që tërë natën të bënte ibadet, duke thënë: Më vie turp nga Allahu Teala të më përshkruajnë një ibadet që nuk e bëj.

…për të këtillët, Allahu Teala thotë:
Ata për Mua zbukurohen me përulësi, me frikë-respekt dhe nënshtrim… kjo ju bëhet rroba që e veshin, mbështjellës i tyre, është vetëdije që ata e ndjejnë, suksesi i tyre me të cilin fitojnë, është pritja e tyre për të cilën shpresojnë, nami që i lartëson, është shenja e tyre sipas së cilës njihen.

E, me demek, Omer ibn Hattab r.a., sa ishte halife, e caktoi Ebu Derdan r.a., guvernator në Humus, dhe kur dëgjoi që ky i harxhoi dy dërhemë për të ndërtuar një tendë për hije, Omeri r.a., i shkroi:
Nga Omer ibn Hatab, udhëheqës i  besimtarëve, për Uvejmirin.
Po të mendoje se si Allahu Teala i shkatërroi ndërtimet e Romakëve dhe Persianëve, në këtë do të kishe mjaft mësim që të mos nisesh asaj rruge. Kur të mbërrijë kjo letër, merre familjen tënde e kthehu në Damask.

**************

Ibrahim Havas tregon:
Dola në malin Lukam, malin më të madh në Sham. Pashë një pemë shege dhe dëshirova të ha pak, e këputa një, e ndava në dy pjesë dhe e kafshova, por ishte e idhët, dhe unë e hodha e vazhdova tutje. Rrugës e pashë një njeri që i ishin mbledhur bletët mbi kokë. I dhashë selam, e ai e ktheu selamin dhe ma tha emrin. E pyeta nga ma dinte emrin, e ai më tha:
– Kush e njeh Allahun, Allahu nuk fshehë gjë prej tij. I thashë:
– Po e shoh që je i dashur tek Allahu, po atëherë bëj dua që Allahu Teala të të shpëtojë ty nga këto bletë! Ai ma ktheu:
– Po e shoh që edhe ti ke një vlerë te Allahu. Bëj edhe ti dua për vete, që Allahu të të shpëtojë nga dëshira për shegën. Për kafshimin tënd të shegës në dynja do të kërkohet llogari në ahiret, e për thumbimet që m’i bëjnë bletët, do të ketë shpërblim;
…dhe unë u largova prej aty.

**************

Një person filloi të këshillojë Me’munin, por fliste me ashpërsi, në çka ky i tha:
O njeri, fol butë! Allahu Teala e dërgoi atë që është më i mirë se ti te ai që është më i keq se unë, dhe e porositi:
Flitini atij fjalë të buta, se ndoshta kujtohet a frikësohet! (20-Ta’Ha: 44)

**************

Një beduin vazhdimisht ulej nën të njëjtën pemë, e ujiste dhe kujdesej për të. E pyetën për sebepin e kësaj, e ai tha:
Sepse kjo pemë i ka tri virtyte: nuk bën thashethëme për mua, nuk  zemërohet edhe nëse e pështyj, dhe nëse i them ndonjë fjalë të keqe, nuk nevrikoset.

Kur dëgjoi për këtë, Harun Rashidi tha: Këto janë tri virtyte që kërkohen në miqësi.

**************

Dikush pat thënë: Për një gabim të vëllait duhet të gjesh shtatëdhjetë arsyetime. Nëse zemra jote nuk e pranon asnjërin nga ato arsyetime, atëherë drejtoju zemrës tënde, e thuaj:
Sa e ashpër je! Shtatëdhjetë arsyetime t’u ofruan për vëllanë tënd, dhe secilin e refuzove. Ti je gabim, jo vëllai yt!

**************

Malik ibn Dajgam, ka treguar…
Rebah el-Kajsi erdhi tek ne pas ikindisë dhe e kërkoi babanë tim. I thamë se është në gjumë, e Rebah tha:
Në këtë kohë? A është kohë e gjumit kjo!?; e u largua. I dërguam një person pas, që ta pyes a ta zgjojmë babanë, dhe kur ky u kthye, na tregoi:
– Ishte tepër i zënë që të më vërejë mua. E arrita taman kur po hynte në varreza, e i thoshte vetes: “Pse ti thua ‘a është koha e gjumit’? Çfarë të hyn në punë ty kjo? Njeriu fle kur ai të do. Dhe, nga e di ti që kjo nuk është kohë e gjumit? Pse flet për atë që nuk e di? Allahut Teala i premtoj që kurrë nuk do ta shtroj ty o nefs vendin për fjetje, pos nëse më mposhtë sëmundja apo më ikë mendja! Si nuk turpërohesh?! Edhe sa do të vazhdosh me gabime?!…”; 
qante shumë, dhe as nuk e vërejti që jam afër. Prandaj unë u ktheva, dhe e lashë
.

**************

Gjatë një shëtitje, Ibrahim b. Ed’hemit i doli përpara një ushtar dhe e pyeti:
–  A je ti rob?, dhe Ibrahimi i tha:
–  Po, rob jam. Ushtari e pyeti:
Ku ka në qytet ndonjë vend të gëzueshëm?; e Ibrahimi ia tregoi varrezat. Ushtari u zemërua, dhe i tha:
Unë po të pyes për qytetin, ti po m’i tregon varrezat! Më trego për ndonjë vend të kënaqësisë! Ibrahimi përsëri ia tregoi varrezat, e ushtari i mëshoi me kamxhik në kokë dhe ia qau kokën. E dërgoi në qytet në atë gjendje, e kur i panë shokët e Ibrahimit, i pyetën:
Çfarë ka ndodhur?!, e ushtari u tregoi ngjarjen, e në këtë shokët e Ibrahimit i thanë:
Çfarë ke bërë! Ky është Ibrahim Ed’hemi! Ushtari u turpërua, zbriti nga kali, e kapi për dore Ibrahimin, dhe i kërkoi falje. E pyetën Ibrahimin:
Pse the që je rob?!, e Ibrahimi u përgjigj:
Sepse jam. E ushtari më pyeti vetëm a jam rob, por jo edhe robi i kujt jam. Natyrisht që unë jam rob, jam rob i Allahut, por jo i njerëzve. E megjithatë, kur ma qau kokën, kërkova prej Allahut që ky të hyjë në xhenet. Ata thanë:
Si ashtu?! Po ai ta qau kokën!, e Ibrahimi tha:
E di që do të marr shpërblim për veprimin e tij – për shkak të tij do të shpërblehem unë, prandaj nuk dëshirova që, për shkakun tim, ai të dënohet. Desha që edhe ai të ketë mirësi prej meje.

**************

Njëri kishte mësuar me vonesë se është i ftuar në një zijafet, e kur shkon, i zoti i shtëpisë e pyeti:
–  Çfarë kërkon? Personi i tha:
Kam qenë i ftuar, vonë e mora lajmin, por erdha.
Mirë, por zijafeti ka mbaruar, tha i zoti i shtëpisë; mysafirët shkuan.
A ka mbetur diçka? Për mua mjafton edhe një copë bukë; pyeti personi, e i zoti i shtëpisë i tha:
Mjerisht jo, nuk mbeti asgjë. Personi insistoi:
Atëherë më sjell tenxheren ku është zier gjella; ndoshta ka mbetur diçka aty, e ta zbrazë. I zoti shtëpisë tha:
Mjerisht, edhe tenxhereja është larë.
Atëherë, personi tha ‘elhamdulillah’ dhe u largua. E pyetën se çfarë ishte kjo, e ai tha:
I zoti i shtëpisë më ftoi me nijet të mirë, dhe prapë me njiet të mirë më përcolli, e unë i kënaqur u largova

Eh, kjo është modesti dhe ahlak i bukur.

**************

Aisha r.a., ishte në udhëtim, e sa ishin duke pushuar, te çadra erdhi një lypës, e Aisha r.a., tha:
Jepini një kafshatë bukë. Pas pak erdhi një njeri në kalë, që ishte i uritur. Aisha r.a., tha:
Ftojeni në çadrën e kuzhinës dhe ushqejeni. I thanë:
Të dytë janë robë të Allahut; njërin e përcolle me një copë buke, e tjetrin e ftove në ushqim. A është kjo barazi?; e Aisha r.a., tha:
Allahu Teala secilit njeri i ka dhuruar pozitë, veç e veç. Detyrë e jona është t’i tregojmë respekt pozitës së çdokujt, e qëllimi kryesor është që t’a gëzojmë vizitorin. Lypësi kënaqet me një kafshatë, por të sillesh me një udhëtar të uritur sikur me një lypës, kjo për udhëtarin është vuajtje.

**************

Uvejs Karanin familja e konsideronte të çmendur për shkak që jetonte jetë shumë të varfër. Ia ndërtuan një kolibe para shtëpisë së tyre, dhe kalonte një vit, dy e tre, e nuk ia shihnin fytyrën. Dilte me ezan të sabahut, e kthehej në vonë pas jacisë. Ushqehej me farat që i mblidhte, e kur gjente ndonjë hurmë, ma të keqen – e linte për iftar. Po të mos gjente hurmë, shiste farat që i kishte mbledhur, e me atë vlerë do të blente diçka për të ngrënë. Vishte rrobat që i gjente të hedhura; i lante në lum, i arnonte, e më pas i veshte. Nganjëherë, kur kalonte pranë fëmijëve, ata e gjuanin me gurë, e ai ju thoshte:
O vëllezër! Kur veq hedhni gurë në mua, hedhni të vegjël; kam frikë se po më del gjak në shpinë, e vjen koha e namazit, e nuk gjej ujë të pastrohem e të marr abdes.
I tillë ishte ahlaku i Uvejsit. Për të, Allahu e mëshiroftë, fliste edhe Resulallahu s.a.v.s., kur thoshte:
E  ndjej aromën e Rahmanit nga drejtimi i Jemenit.

e hazreti Omeri r.a., ka treguar se e ka dëgjuar Resulallahun s.a.v.s., të thotë:
Me shëfatin e tij (Uvejs Karanit) në xhenet do të hynë aq njerëz sa kanë fiset Rebia e Mudar.

**************

Hasani Basriu ka thënë:
Selefi salihin-ët i kanë thënë njëri-tjetrit ‘es-selamu alejkum ve rahmetullahi’, që zemrat t’ju gjejnë selamet. Por tani po thuhet: “si jeni?”, “si e kalove natën”, “Allahu të dhashtë shëndet”, “si e ke hallin” e “Allahu të ndimoftë”. Nëse edhe ne veprojmë kështu, do të bëjmë bidat, sepse keramet gjithsesi nuk është. Për këtë arsye ne nuk veprojmë si ata, edhe nëse ata nevrikosen.

Pyetja “si e kalove natën” për herë të parë është dëgjuar kur është paraqitur sëmundja e murtajës në Sham, në fshatin Amevas afër Bejtul Makdis (Kudus). Të sëmurët mes vete dhe vizitorët e tyre e bënin këtë pyetje në mëngjes, e në aksham pyesnin ‘si e kalove ditën’. Pas kësaj, këto pyetje u përhapën.

**************

Ibn Sirini e pyeti dikë:
Si e ke hallin, e ai u përgjigj:
Si mund ta ketë hallin ai që ka shumë fëmijë, është fukara, e bile edhe në borxh, pesëqind dërhemë!
Me të dëgjuar këtë, Ibn Sirini shkoi në shtëpi, mori njëmijë dërhemë, ia dërgoi atij njeriu, dhe i tha:
Merr pesëqind dërhemë dhe ktheje borxhin, e pesëqind tjerat harxhoi për fëmijët, e unë, vallahi, kurrë më nuk do të pyes më për gjendjen e askujt
nga frika se nuk do të mund të interesohet për dertet e tyre.

**************

Ebu Ali Ribati tregon:
Shoqërohesha me Abdullah Raziun. Një herë, u nisëm për në shkretëtirë, e ai më pyeti:
Kush do të udhëheqë, ti a unë?
Udhëheq ti; i thashë, e ai më tha:
Atëherë, duhet të dorëzohesh.
Natyrisht; iu përgjigja, e Abdullahu mori një shportë, vendosi në të furnizimin për rrugë, dhe e bartte në shpinë. Kur i thashë të ma japë mua, më tha:
A nuk më the që unë jam udhëheqësi? Do të thotë duhet të dorëzohesh!
Një natë kur na zuri shiu, ai qëndroi sipër meje tërë natën si ombrellë, e më mbronte nga shiu. Sa e sa herë thashë me vete: “Më mirë të kisha vdekur, se që i thashë të jetë ai udhëheqësi”.

**************

Urve b. Zubejr bëri një shtëpi në vendin e quajtur Akik, dhe u tërhoq atje. Kur e pyetën:
Përse e le mesxhidin (xhaminë) e Pejgamberit, e u mbylle në shtëpi?, Urve tha:
E pashë që xhamitë e juaja janë bërë lodër, çarshia e juaj është mbushur me fjalë boshe, në gjuhën tuaj janë shtuar fjalët e fëlliqura, ndërsa këtu e gjeta selametin.

**************

E pyetën Hatim el-Esamm r.a., se si e falë namazin, e ai tha:
Kur vjen koha e namazit marr abdes mirë, afrohem te vendi ku dua të falem, dhe aty ulem e qëndroj deri sa organet më qetësohen, pastaj ngritem të falem, e mendoj Qaben menjëherë para meje, urën e siratit nën këmbë, xhennetin në të djathtë e xhehenemin në të majtë, e melekun e vdekjes mbrapa meje. Llogaris se më është namazi i fundit. Atëherë qëndroj mes shpresës e frikës dhe bëj tekbir me bindje, Kur’anin e lexoj drejtë, rukunë e bëj i përulur, e sexhden i penduar. Ulem mbi këmbën e majtë dhe e shtrij shputën e saj, ndërsa shputën e djathtë e drejtoj duke lakuar gishtin e madh të saj. Të gjitha këto i bëj me sinqeritet, e prapë nuk e di a më pranohet namazi a jo,

e njëri nga as’habët r.a., ka thënë:
Në ditën e Gjykimit njerëzit do të ringjallen ashtu të heshtur e të qetë siç kanë qenë në namaz, dhe me aq kënaqësi e lezet sa kanë ndjerë në të.

…e lumturia që fillon menjëherë pas vdekjes vazhdon pa fund. Varri i tij i bëhet bahçe xheneti. Si mos t’i bëhet këtij varri bahçe e xhenetit kur dashuria e tij është vetëm Një, e ky me dhikr të vazhdueshëm i ka tejkaluar të gjitha pengesat që të ndjejë kënaqësinë e vërtetë; është çliruar nga burgu duke i larguar të gjitha që gjenden mes tij e Rabbit të tij, dhe si i tillë – i lirë e i lumtur, ka ardhur te Ai që e ka dashur…
nga libri Përbuzja e dynjasë

Sabit el-Bennanit aq shumë i pëlqente namazi dhe aq e donte kënaqësinë e tij, sa thoshte:
O Allah, nëse do t’i lejosh dikujt të fal namaz në varr, le të jem unë ai!

Habiba Adevijj, pasi që falte namazin e jacisë, natën vonë ngjitej në kulmin e shtëpisë e thoshte:
O Allah, yjet u lëshuan, sytë fjetën, sulltanët i mbyllën dyert e tyre. Secili mbeti me dashurinë e vet. Dhe ja ku jam unë, para Teje.

**************

Një person e pa Resulallahun, s.a.v.s., në ëndërr dhe e pyeti:
O Resulallah, ju thatë “surja Hud më plaku”; pse?,
e Resulallahu, s.a.v.s., i tha:
 Qëndro i patundur në udhën e drejtë, ashtu siç je i urdhëruar (11-Hud: 112)

**************

…e, sa dua të bukur ka bërë Alia r.a.:
Neve dhe juve Allahu Teala na bëftë prej atyre që veprojnë ashtu siç e thotë Libri i Tij, dhe që pasojnë robët e Tij të sinqertë, dhe me mirësinë e Tij, të na vendosë në Xhenet. Vërtetë i Lavdëruar dhe i Madhëruar është Ai.