HATME

 Hatma haxhegan bëhet në hallkë (rreth) dhe është një prej dhikrave më të lavdueshëm. Dhikri në xhemat është i lavdueshëm mirëpo nuk është i cekur se çka duhet të thuhet apo të lexohet. Për këtë arsye, secili dhikër që bëhet në këtë mënyrë (në hallkë) është i mirë dhe do të arrihet ajo që është përmendur në hadithe ku lavdërohet dhikri në xhemat. Dhikri dhe duatë që thuhen në hatme janë marrë prej sunnetit.


Mënyrën e sotme të hatmes tonë e ka rregulluar Hazreti Abdulhalik Gugjdevani k.s., dhe quhet Hatme Haxhegan.
Një prej shkaqeve për emërimin Hatme (mbarim, vulosje, leximi i Kur’anit prej fillimit deri në fund) është sepse, kur janë mbledhur të mëdhenjtë e kësaj rruge me muridët e vet apo në ndeja të thjeshta, mbledhitë i kanë përfunduar me këtë dhikër. Për shkak se kjo praktikë ka qenë specifike vetëm për ta, ky dhikër është quajtur Hatme Haxhegan.
Haxhegan
do të thotë: mësues i madh, hoxhallarë të mëdhenj, të parët e të mëdhenjve. Hatma Haxhegan është hatme të cilën e kanë formuar evlijatë e mëdhenj, e kanë rregulluar dhe ua kanë mësuar të tjerëve.
Arsyeja e dytë pse ky dhikër quhet hatme është fakti se sevapet për lexim të sureve Fatiha dhe Ihlas në këtë dhikër i përgjigjet shpërbilimit sikur të bëhet hatme i tërë Kur’ani. Resulallahu s.a.v.s., po na sjell lajmin e gëzueshëm se kush e lexon tri herë suren Ihlas ka sevape sikur të ketë bërë hatme Kur’anin. Në Hatmet e mëdha të Haxheganit surja Ihlas lexohet 1000 herë, pra – pritet i njejti shpërblim sikur të bëhet hatme Kur’ani 333 herë. Prandaj të mëdhenjtë e kësaj rruge i kanë dhënë rëndësi të madhe këtij dhikri dhe e kanë praktikuar gjatë gjithë jetës, duke mos e lënë, përveq në raste të sëmundjeve serioze apo të udhëtimeve të rënda.

Hatma bëhet në atë mënyrë si e kanë zgjedhur dhe e kanë praktikuar të parët e Nakshibendijve, dhe atë në dy mënyra: Hatma e madhe dhe Hatma e vogël.

Hatma e madhe bëhet në xhemat me së paku 11 veta duke përfshirë edhe imamin, dhe ku të gjithë duhet të dinë suren Elemneshrahleke (Inshirah). Në Hatmen e Madhe lexohen suret Fatiha, Elemneshrahleke, 1000 herë sureja Ihlas dhe salavatet.

Nëse të gjithë nuk e dijnë surën Elemneshrahleke apo janë më pak se 11 veta, atëherë bëhet Hatma e vogël. Në Hatmen e vogël lexohen surja Fatiha, 100 herë salavatet dhe Ja Baki, Entel Baki.

Salavatet thuhen kështu: Allahumme sali ala Sejjidina Muhammedin ve ala ali Sejjidina Muhammed.

Hatma bëhet çdo ditë pas namazit të ikindisë apo të jacisë. Ai që merr pjesë në hatmen e ikindisë nuk mund të merr pjesë në hatmen e jacisë, që do të thotë se brenda një dite mund të merret pjesë në vetëm një hatme.

 Në fund të hatmes bëhet dua, ndërsa në rastet kur hatma bëhet pas namazit të ikindisë atëherë lexohet sureja Nebe, ndërsa pas namazit të jacisë sureja Mulk. Ata që nuk i dinë këto sure, lexojnë suret Elemneshrahleke apo Nasr.